Forumi Horizont Forumi Horizont > Nen-forumet e lira > Kuriozitete > Patrioti ballkanik
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
SmoKer
heavy ...

Regjistruar: 11/02/2005
Vendbanimi: Kabul- a great city , in which to live ,play and w
Mesazhe: 2511

Patrioti ballkanik

Naser Aliu

Ky patriot ka dy fytyra: një për përdorim të brendshëm,
privat dhe një për përdorim të jashtëm, publik. Nëse
punon në administratë, shumë herë pas tij qëndron
ndonjë politikan dhe është e mundur se është punësuar
ose duke paguar ose me intervenime. Tregu ballkanik është i hapur
dhe mund të blihet çdo gjë: që nga fletëlindja, diploma e
fakultetit, deri te doktoratura apo pozita. Nëse patrioti ballkanik
është kryetar komune, me të do të ketë probleme qyteti.
Nëse bëhet ministër, Kryeministër apo kryetar shteti,
atëherë kokëçarje mund të ketë kombi dhe fqinjët.
Njeriu me veti tipike ballkanike profilohet lehtë. I moralshmi,
idealisti, i sinqerti e ka vështirë apo të pamundur
depërtimin dhe karrierën politike.

Kur ballkanasi i vërtetë futet mirë në politikë, nuk e
nxjerr as dreqi jashtë. Ai fiton edhe kur humb. Ai e deklaron veten
fitues pa përfunduar numërimi i votave, sepse ai qysh në fillim
të fushatës e di përqindjen e fitores. Nëse nuk rivotohet
është e mundur të mbetet i papunë, prandaj mandatin e
shfrytëzon të përforcojë rrethin e vet ose të pasurohet:
zakonisht i pasuron fëmijët. Nëse humb është e mundur
të shkaktojë një dramë nacionale. Patrioti ballkanik në
teori dhe me fjalë të mëdha adhuron kombin, praktikisht pasuron
veten dhe varfëron ekonominë kombëtare.

Nëse është afarist, ballkanasi tipik grumbullon aq shumë
pasuri për 1-3 vite, sa një afarist gjerman për pesë breza.
Politikanët me pozita, mjekët dhe gjyqtarët në Ballkan
janë më të pasur se kolegët e tyre në Perëndim.

Patriotët ballkanikë kanë rrjetin e tyre si merimanga dhe po
të preket njëri prej tyre, mund të dridhet krejt rrjeti dhe
alarmohen kolektivisht, prandaj këta janë të paprekshëm,
sepse edhe ai që duhet të vendosë për drejtësi, të
zbatojë ligjin, edhe ai dridhet nga një arrestim dhe tronditje
periferike. Telefonatat dhe trysnia nuk pushojnë.

Si kundërshtar i patriotit ballkanik mbetet media e lirë, e pa
korruptuar dhe ata që nuk varen drejtpërdrejt nga rrogat e tyre,
si dhe politikani i sinqertë, që nuk ecën para nga pengesat
që krijon rrjeti me imazh dhe qëndrim gati mafioz.

Vetëm në Ballkan "popi" stërpik tanket me ujë të
shenjtë për të vrarë sa më shumë njerëz. Vetëm
në Ballkan imami përgatitet për t`i vrarë
shpëtimtarët e vet! Vetëm në Ballkan kryetari i ushtrisë
kriminale ka fytyrë të kërkojë nga viktima: "Na kërkoni
ndjesë edhe ju, ekzistenca juaj na nervozoi, prandaj ju masakruam!"
Vetëm ballkanasi i ngriti përmendore deri në neveri politikanit
të gjallë. Vetëm në Ballkan mund t`i humbësh
luftërat njërën pas tjetrës dhe prapë të zgjidhesh.
Vetëm në Ballkan është e mundur ta tolerosh shitjen e
naftës armikut, ta shkatërrosh shtetin deri në themel dhe
përsëri të zgjidhesh. Vetëm në Ballkan mund ta shesësh
edhe detin prapa shpinës së popullit pa u dhënë llogari
votuesve. Në Ballkan mund të jesh edhe kontrabandist i cigareve
dhe përsëri të bëhesh kryetar shteti! Në Ballkan
politikani me pozitë të lartë bëhet më i pasur se kolegu
i tij në Perëndim. Në Ballkan diskriminimi i pakicave
konsiderohet barazi!

Patriotin ballkanik nuk e gëzon suksesi i fqinjit, kjo e
dëshpëron. E quan negative dhe të padrejtë! Ai mendon se
ballkanasit janë të njëjtë dhe nuk duhet asnjëri të
shquhet dhe të punojë më shumë se tjetri. Ai nuk do të
mësojë nga suksesi i fqinjit, por e përfol atë.

Patrioti ballkanik e njeh aq mirë historinë e kombit të vet, sa
edhe të fqinjit. Ai ka urrejtjen si vlerë, krenarinë dhe
kokëfortësinë e tepruar si tipar dhe përbuzjen e kombit,
që ka afër si moto të jetës. Çdo akademi ballkanike i
prezanton kombit të vet një version të veçantë të
historisë së vet dhe të fqinjit.

Në Ballkan urrejtja e së paku një kombi fqinj është
traditë dhe detyrë patriotike. Patrioti ballkanik nuk lufton
krimin e vet pa e detyruar nga jashtë. Sa herë arrestohet një
kriminel, kombi nga vjen krimineli nuk gëzohet që është
një më pak në qarkullim, por apriori e konsideron kriminelin e
vet të pafajshëm; e përjeton si luftë kundër kombit të
vet dhe, në anën tjetër, edhe nga gjykata ku duhet gjykuar
krimineli nuk mund të pritet trajtim objektiv, sepse është
gjykatë ballkanike dhe anëtar i një rrjeti tjetër. Edhe ai
nuk vepron sipas ligjit, por sipas paragjykimeve dhe obligimit tjetër
patriotik. Sipas urdhrave të rrjetit të vet.

Gjyqtari ballkanik me fytyrë private dhe publike ka për detyrë
ta shpallë fajtor, edhe nëse nuk është. Nëse i burgosuri
është i pasur, në Ballkan del jashtë, edhe me faj, nëse
është i varfër, qelbet në burg, edhe pa faj!

Ballkanasit e kanë kuzhinën gati të njëjtë, gjuhë gati
të ndryshme apo të ndryshme, fetë gati të ndryshme dhe të
ndryshme dhe paragjykimet e njëjta dhe reciproke, deri në
theqafje. Kryesisht paragjykimet. Nëse një ligj është i
papranueshëm apo i pazbatueshëm për Ankaranë, kjo
përthyhet edhe në Sofje, Bukuresht, Zagreb , Beograd , Prishtinë,
Shkup, Podgoricë, Athinë dhe Tiranë. Kokëfortësia,
këmbëngulja, mashtrimi, dyfytyrësia, keqpërdorimi, bakshish
mentaliteti dhe mosndryshimi janë ide drejtuese dhe parim burrnie
për patriotin ballkanik!

Ballkanasi që dëshiron pajtimin me fqinjin, nga patrioti ballkanik
në kombin e vet konsiderohet tradhtar, nga kombi me të cilin
dëshirohet pajtimi, njeri i sinqertë, i mirë! Në Ballkan
viktima dhe krimineli peshojnë njëlloj. Çdonjëri është
viktimë, çdonjëri është kriminel, varet se nga cila
kodër dhe në ç`drejtim ballkanik dëshiron të hidhet
vështrimi. Vetëm në Ballkan krimi mbetet pa autor!

Ballkanasit tipik, nëse i heq urrejtjen, mbetet lakuriq dhe i
pamotivuar, bie në depresion dhe letargji. E ndien veten të
topitur. Ai nuk prodhon asgjë me vlerë, me të cilën mund
të krenohet. I mungon revolucioni industrial, revolucioni kulturor,
revolucioni seksual; të gjitha rrymat e reja të artit dhe
kulturës i kopjoi dhe kërcyen nga feudalizmi osman nëpër
monarki, kur zhbëheshin monarkitë në Europë. Nga rendi i
parafundit shumica kërcyen në diktaturë komuniste nga dolën
me plot trauma dhe u detyruan të përplasen në demokraci, kur
panë se mbetën me gishta në gojë. Në një demokraci
patologjike! Dhe tani kemi situata tragjikomike, ku kryetari i
Partisë Demokratike mund të jetë komunist i djeshëm,
ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste të jetë demokrat i
vërtetë, i sotshëm! Patrioti ballkanik është i
vetëdijshëm se i mungon çdo gjë që shërben për
të ndërtuar një imazh pozitiv sot, një krenari pozitive
për veten, prandaj mburret me të djeshmen, me histori, me
personalitete historike dhe ata i rregullon, i kreh dhe i përshtat
kohës. Madje festojnë edhe humbjet! Nëse i mungojnë
personalitetet e veta, patrioti ballkanik pa kokërr turpi ia merr
fqinjit dhe e konsideron të vetin.

Në vend se ta mësojë historinë, e jeton për ditë
atë dhe historia është e tashmja e tij. E tashmja reale
është boshe, me plot brenga ekzistenciale dhe kështu, në
vend se të shikojë para, kthen kokën pas dhe, natyrisht
rrëzohet. Patrioti ballkanik jeton në të kaluarën duke
injoruar të tashmen dhe duke humbur ardhmërinë. Ai me mish e
shpirt përpiqet ta paraqesë të kaluarën si të
madhërishme, në vend se të punojë dhe ta ndreqë të
sotmen.

Krenaria dhe mburrja ekstreme, rrena, mungesa e kompromisit janë
karakteristikat e tij. Kompromisin e konsideron dorëzim, frikë dhe
humbje; patrioti ballkanik qetësohet vetëm nëse fuqitë e
mëdha e detyrojnë ose e nënshtrojnë. Në shikim të
parë duket se janë të ndryshëm, por në mendësi janë
aq shumë të ngjashëm, sa edhe sasia e urrejtjes, paragjykimeve
dhe mosdurimit është e barabartë, e njëjtë, reciproke,
madje edhe sasia e groshës që konsumojnë është e
barabartë! Edhe e qofteve.

Patrioti ballkanik nuk është kompetent vetëm për
historinë e vet: shqiptari është ekspert për historinë e
grekëve dhe sllavëve të jugut. Grekët janë
profesionalistë për historinë helene, shqiptare, maqedonase dhe
turke. Maqedonasit janë dijetarë të historisë maqedonase,
të historisë greke dhe me specializim të posaçëm në
historinë shqiptare dhe helene. Serbët janë doktorë të
historisë serbe, profesorë të historisë shqiptare,
maqedonase dhe kroate e boshnjake. Boshnjaket janë specialistë
të historisë serbe e kroate. Kroatët janë shkencëtarë
të historisë serbe, boshnjake dhe asnjëri nga kombet e
lartpërmendura nuk ka aq banorë sa ka Londra me rrethina. Madje,
disa shtete kanë aq banorë sa ka një qytet në Perëndim.
Italia shpëtoi nga ballkanizmi falë detit Adriatik.

Patrioti ballkanik, guximin dhe trimërinë i konsideron si veti
burrërore dhe është në gjendje të ngrihet kundër
botës. Ai mendon se vetëm kombi i tij është i fortë! Ai
mendon se kombi i tij në seks është më i forti në
botë. Kjo i nevojitet për ta theksuar virilitetin primitiv dhe
për të rritur vetëbesimin. Gratë e tyre janë shumë
të dëshpëruara dhe të zhgënjyera!

Shikuar nga Perëndimi, Ballkani duket si një fëmijë
trazovaç, hiperaktiv, që nuk lë dy gurë bashkë dhe vuan
nga komplekse vogëlsie dhe vazhdimisht përpiqet të shquhet: ai
dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Nëse
nuk mundet me të mirë, atëherë provon me qarje të
bëhet i imponueshëm, nëse nuk dëgjohet, atëherë mbush
xhepat me gurë dhe gjuan fqinjët! Në Ballkan ambasadorët e
shteteve të huaja nuk janë ambasadorë, por organe qortuese dhe
këshilluese! Shpesh i kapin edhe për veshi kryeministrat tanë
ballkanikë.

Si fitohet simpatia e ballkanasit? Thuaj patriotit ballkanik me
origjinë shqiptare: ti je pellazg, ilir dhe kombi shqiptar
është po aq i vjetër sa edhe dheu i Ballkanit, se pranove
krishterimin para romakeve, se je trim i pashoq. Se një numër i
madh i perandorëve romakë ishin ilirë, se ndonjë papë
ishte ilir. Thuaj se dje ishe qendër e botës, ai të beson!
Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot,
atëherë të tregon kush ishte dje!

Thuaj patriotit ballkanik me origjinë greke: gjithë personalitetet
e kohës së lashtë janë grekë, pa Greqinë, Europa akoma
do të hante me grushte, dje ishe prodhues i civilizimit dhe të
tjerët ose nuk ishin këtu ose ishin barbarë. Thuaj se Maqedonia
të ka marrë troje, thuaj se Shqipëria të ka marrë troje,
atëherë greku me profesion patriotizmin ballkanik, të
përqafon. Thuaj Leka i madh ishte grek, edhe pse nuk fliste greqisht!
Thuaj se je vendi më i rëndësishëm në Ballkan,
atëherë të beson. Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte!
Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Patriotit ballkanik me origjinë serbe: ti je vendi më i
fuqishëm në Ballkan, je superfuqi, je komb hyjnor, fqinjët
të kanë pushtuar territoret me ndihmën e huaj, Serbi
është aty ku ka një varr serb, edhe nëse ka vdekur nga
tuberkulozi. Je qendër e botës dhe e krishterimit, thuaj se dje
ishe kombi më i ditur në Ballkan dhe se mbreti yt dinte të
shkruante, kur mbretërit e Perëndimit nënshkruanin me gisht.
Thuaj se je vendi më i rëndësishëm në Ballkan, në
botë dhe viktima më e madhe, ai të përqafon! Thuaj se ti
ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë
të tregon kush ishte dje!

Maqedonasit thuaj se je viktimë e fqinjëve, se Leka i madh ishte
maqedonas si ti; thuaj se grekët, shqiptarët, bullgarët,
serbët po ta vjedhin historinë, thuaj se dje ishe i famshëm,
atëherë të përqafon. Thuaj se je viktima më e madhe në
Ballkan, menjëherë të beson! Thuaj se ti ishe, ai të beson
se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush
ishte dje!

Patrioti ballkanik me origjinë turke: thuaj ti ke moral dhe të
tjerët janë të degjeneruar. Thuaj se Perandoria Osmane ishte
emancipuese dhe Amerika e djeshme. Thuaj se ju jeni shembullorë dhe
trima, se keni fenë më të mirë në botë. Ai të
përqafon. Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet
kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Patrioti ballkanik i vërtetë me veti të theksuara ballkanike
është aziatik në mendësi edhe njëqind vjet pa
çlirimit. Ai është çliruar fizikisht, por jo në
mendësi. Patriotizmin e vet e dëshmon me peshën dhe sasinë e
urrejtjes ndaj fqinjit të vet. Ai edhe kur bën marrëveshje me
fqinjin, e bën sa për sy e faqe ose i detyruar nga Perëndimi,
mirëpo pret një çast ideal për ta prishur atë
marrëveshje.

Ata jetuan pesëqind vite nën një kulm, ruajnë me xhelozi
një mendësi joeuropiane dhe, edhe pse kanë fe të ndryshme,
ngjashmëritë janë trishtuese. Ballkanasi krijon nga politikani
i gjallë idhull, edhe pse ai politikan nuk është në gjendje
të krijojë as njëqind vende të punës! Nëse janë pak
të këndellur dhe nuk kapardisen me personalitete historike,
këtë vakum e plotësojnë me politikanin e gjallë dhe
për të flasin si për Zotin. Ballkanasit kanë edhe një
ngjashmëri të tmerrshme: miqtë i kanë sa më larg vetes,
armiqtë sa më afër.

Patriotit ballkanik i nevojitet së paku një pakicë
kombëtare. Kjo i nevojitet për ta shtypur dhe për ta rritur
vlerën e kombit të vet. Për të pasur mundësi krahasimi e
kapardisje. Nëse nuk shtyp dhe nuk cenon, atëherë i mungon
diçka për ta përforcuar patriotizmin provincial dhe lokal.
Një pakicë, së paku një, i nevojitet për ta kultivuar
sedrën e vet. "E kemi shtypur pakicën aq mirë, varfëruar aq
shumë, sa ne dallohemi prej tyre dhe dukemi si aristokratë!"

Këta patriotë ballkanikë, me këto tipare të njëjta
mund të internohen në një ishull dhe pas dhjetë minutave e
kuptojnë aq mirë njëri-tjetrin, sa do të ulen të hanë
së bashku: groshë, byrek, qofte e do të pinë kafe turke dhe
do t`ia hedhin fajin botës.

Nëse këta patriotë ballkanikë futen në një thes së
bashku dhe hidhen në det, atëherë Ballkani shndërrohet në
Europë. Nëse vërtet këta hidhen në det, atëherë do
bëjnë çdo gjë që është e mundur ta shpëtojnë
njëri-tjetrin, jo nga dashuria, por për të pasur edhe një
motiv mburrjeje: "Unë ia shpëtova jetën!"

Popujt e këtyre patriotëve ballkanikë në gara të
Eurovizionit votojnë për njëri-tjetrin dhe këtu shihet
një xixë shprese se këta një ditë do të ulen vërtet
së bashku për t`u bërë subjekt të ardhmërisë e
jo për ta zbukuruar të kaluarën apo për ta shkruar
historinë e njëri-tjetrit!

Çfarë pret patrioti ballkanik? Shqiptari shpreson ta zbulojë
një armë të madhe dhe ta çlirojë atdheun deri në mes
të Serbisë, diku deri në mes të Greqisë, një pjesë
të Malit të Zi, Iliridën dhe Kosovën lindore. Patrioti grek
shpreson të arrijë deri në Durrës, në Stamboll, një
pjesë të Maqedonisë dhe një pjesë e Italisë jugore nuk
do të ishte keq.

Maqedonasi do t`i nervozojë të gjithë: ai pret ta
çlirojë një pjesë të Bullgarisë dhe Greqisë, një
copë Shqipërie dhe Serbie edhe pak Kosovë. Serbi pret ta
zbulojë armën e madhe ose ta kuptojë bota këtë viktimë
permanente dhe ta çlirojë Kosovën, ta çlirojë
Maqedoninë, ta çlirojë gati tërë Bosnjën, pjesë
të Kroacisë dhe Malin e Zi dhe të arrijë në Durrës
për t`u takuar me Greqinë. Kroacia do ta çlironte
Bosnjën, një pjesë të Vojvodinës dhe ndonjë copë
të Sllovenisë dhe Malit të Zi. Mali i Zi do ta kishte
çliruar një pjesë të Kosovës, të Shqipërisë dhe
pak Kroaci do ishte e pëlqyeshme. Bullgaria do ta çlironte
Maqedoninë, pak Serbi dhe pak Turqi. Bosnja do ta çlironte
Sanxhakun dhe një pjesë të Malit të Zi.

Patrioti ballkanik me origjinë turke ëndërron nëpërmjet
BE-së të kthehet aty ku ishte pesë shekuj dhe të
çlirojë: Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë, Kosovën,
Maqedoninë, Malin e Zi, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe
Rumaninë. Edhe Vjenën. Ky patriot ballkanik ka dëshirë të
flakët ta çlirojë edhe Spanjën. Edhe Romën.

Sigurisht edhe indianët e Amerikës kanë plane të tilla
për ta çliruar atdheun e tyre nga SHBA-ja.

E vërteta: patrioti ballkanik nuk mund të çlirojë asgjë
pa ndihmë nga jashtë, as bythën e vet, në vend se të
ndërtojë marrëdhënie me fqinjin ku ka popull të vet, ta
shfrytëzojë si urë ndërtuese në dobi të kombit të
mbetur jashtë kufirit, ai manipulon pakicën e vet jashtë
territorit të tij dhe përpiqet t`i rrisë tensionet me
shumicën ku jetojnë bashkëkombësit, natyrisht duke
dëmtuar pakicën e vet, por me një qëllim madhor: ta
destabilizojë fqinjin. Ky është patrioti ballkanik me banim
në Ballkan. Me dy fytyra: një për përdorim privat dhe të
brendshëm, tjetrën për bashkëbisedime me politikanët
perëndimorë.

Ekonomia e vendeve ballkanike: Greqia shet në Perëndim ullinj, vaj
ulliri, verë dhe gjethe rrushi të mbushura. Shqipëria romane
të Kadaresë. Bullgaria shet djathë të deleve. Rumania
histori të kontit të Transilvanisë . Maqedonia verë të
lirë. Kosova verë të lirë dhe nëpër shitore turke
suxhuk Kosove që prodhohet në Gjermani. Serbia shet havjar (specat
të bluar e të fërguar). Bosnja nëpër shitore turke shet
"bosanski suxhuk". Kroacia shet vegetë dhe verë. Turqia shet
speca, domate, fara të kungullit, të lulediellit dhe byrek... Kjo
është industria dixhitale e vendeve ballanike dhe burim i
krenarisë ekstreme!

Natyrisht se shqiptari si popull vendas u dogj në këtë
çorbë të shkrumbuar ballkanike, por me fajin e vet. Na pushtoi
Roma dhe gati u romanizuam, na pushtoi turku dhe gati u bëmë turq,
erdhi komunizmi dhe gati u bëmë rusë! Kur nuk u lidhëm
për një kunj dhe si pasojë, kërcimet i paguam me troje. Sot
kemi një mik të madh, por edhe këtë duam ta vrasim! Njeriu
që ndryshon miqtë çdo ditë, nuk ka miq të vërtetë.
Popujt që ndryshojnë aq shpesh aleatët, nuk kanë
ardhmëri! Vetëm integrimi në BE mund ta ftohë këtë
çorbë të prishur ballkanike.. .

Dikush ma dergoj mua dhe mendova ta ndaj dhe me ju!

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 03 Nëntor 2009 17:35
SmoKer nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė SmoKer Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me SmoKer (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: SmoKer Shto SmoKer nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto SmoKer nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
kurt
.........

Regjistruar: 29/12/2007
Vendbanimi: ......
Mesazhe: 5021

nje nga analizat me te bukura dhe me te goditura per ballkansit.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 03 Nëntor 2009 21:28
kurt nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė kurt Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me kurt (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: kurt Shto kurt nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto kurt nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 20:36 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Nen-forumet e lira > Kuriozitete > Patrioti ballkanik

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] nuk lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.