Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Fjala e presidentit Topi nė mbledhjen e Kėshillit tė Sigurimit Kombėtar mbi ngjarjen
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Piktor
Artist

Regjistruar: 03/02/2007
Vendbanimi: larg & afer
Mesazhe: 10972

Fjala e presidentit Topi nė mbledhjen e Kėshillit tė Sigurimit Kombėtar mbi ngjarjen

Tragjedia ka përgjegjës me emra, ngjarja s’mund të mbetet pa u ndëshkuar
Nga Bamir Topi* Jemi mbledhur në këtë takim të rëndësishëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të shqyrtuar dhe analizuar ngjarjen e Gërdecit, këtë tragjedi të rëndë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Në respekt të Kushtetutës së vendit, secili prej nesh këtu duhet të marrë përgjegjësitë e veta politike, morale, institucionale dhe ligjore. Nevojitet të reflektojmë me qetësi dhe transparencë mbi atë që ndodhi në Gërdec, në mënyrë që Gërdeci të mos përsëritet më kurrë.

Opinioni publik pret përgjigje të qarta prej nesh, prej shtetit dhe institucioneve të tij. Qytetarët e Shqipërisë kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet e veta, ndaj dhe ne duhet ta bëjmë atë, për shkak se jemi përfaqësues të zgjedhur të popullit shqiptar. Njerëzit na kanë besuar dhe ne nuk duhet t’i zhgënjejmë ata.

Puna e vlerësueshme e të gjitha njësive të emergjencës, të cilat janë në terren në ndihmë të shtetasve të prekur nga shpërthimi i 15 marsit, duhet të vazhdojë me ritëm të lartë. Gjendja shëndetësore e çdo të plagosuri dhe masat e marra për përmirësimin e jetës së tyre duhet të vazhdojnë të jenë imperativi kryesor për strukturat tona shtetërore dhe shërbimin shëndetësor. Çdo jetë më shumë do të jetë një dhimbje më pak dhe një dëshmi më tepër, se përkushtimi i strukturave të shtetit në ndihmë të banorëve të kësaj zone është real dhe efektiv.

Dalja nga gjendja e emergjencës në atë rajon duhet të shoqërohet me masa të jashtëzakonshme për rikthimin e jetës, të pronës, të shkollave, të shtëpive, të veprimtarive të biznesit dhe të normalitetit për çdo qytetar. Ne duhet ta zhdukim me punë vetëmohuese dhe përkushtim të pashoq një orë e më parë erën e rëndë të barutit nga Gërdeci dhe t’iu rikthejmë sigurinë qytetarëve, të cilët e meritojnë atë.

Për këtë nevojiten plane të mirëfillta afatmesme dhe afatgjata, me karakter ekonomik dhe social të ndërtuara nga qeveria. Këto plane duhet të kenë një implementim të drejtpërdrejtë në jetën e atyre qytetarëve dhe familjeve, të cilave iu dëmtuan shtëpitë, pasuritë dhe jeta. Duhet një koordinim i mirëfilltë i të gjitha strukturave të shtetit, përfshi dhe ato vendore për përfundimin e identifikimit dhe përcaktimin e të gjitha dëmeve për çdo familje. Duhet gjithashtu një proces i gjithanshëm dëmshpërblimi sa më i shpejtë dhe efektiv për viktimat dhe familjet e tyre.

Tragjedia e Gërdecit nuk mund të mbetet jetime. Ajo ka fajtorë dhe përgjegjës me emra dhe mbiemra. Nevojitet një hetim serioz, rigoroz, transparent për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të paprecedent. Kërkohet që institucionet e pavarura të hetimit të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e tjera të shtetit për nxjerrjen e fajtorëve para ligjit dhe ndëshkimin e tyre. Institucioni i Prokurorisë duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë shumë të pavarur dhe profesionale.

Në të njëjtën kohë, ne nuk mund të harrojmë se jemi shumë pranë anëtarësimit në NATO. Do të ishte e pafalshme për ne të lejonim që procesi historik i integrimit euro-atlantik të vendit tonë, të kompromentohej nga papërgjegjshmëria apo nga veprimtaria e paligjshme e ndonjë individi, cilido qoftë ai, të ndonjë zyrtari të korruptuar dhe të cilitdo që i është kundërvënë interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne duhet t’i dëshmojmë opinionit ndërkombëtar se Shqipëria e meriton NATO-n dhe integrimin euro-atlantik.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë duhet sa më shpejt të na paraqesin rrugëdaljen e mundshme dhe efikase nga kjo gjendje problematike me armatimet dhe municionet në të gjithë territorin e vendit. Ne duhet të bëjmë me çdo kusht çmontimin e tyre dhe eliminimin e çdo arme të tepërt në territorin e Republikës së Shqipërisë. Presim nga këto institucione që të përgatisin me profesionalizëm të lartë dhe performancë të standardizuar me vendet e NATO-s programe afatmesme dhe afatgjata në lidhje me këtë sfidë shumë të rëndësishme për vendin tonë.

Natyrisht, nuk mund të mos tërheq vëmendjen pas ngjarjes së Gërdecit për zhgënjimin e madh që pësova, kur pashë se në mes të viktimave që punonin, shumica ishin njerëz të paspecializuar dhe të patrajnuar. Në një vend ku ka shumë ish-ushtarakë të arsimuar dhe të papunë, është e pafalshme që procese kaq teknike, njëkohësisht të vështira dhe delikate, të bëhen nga civilë, të cilët nuk kanë kryer as edhe një ditë shërbim ushtarak. Nuk mund të tolerojmë askënd të justifikohet, duke thënë se ajo ishte një firmë private. Si shpjegohet që askush nuk na kishte vënë në dijeni për këtë gjendje në terren? E kam fjalën për SHIU, SHISH, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, shërbimet e autoritetit fiskal, ato të punës dhe të autoriteteve monitoruese të shëndetit paraprak, prej te cilave nuk ka patur as edhe një rresht të vetëm informacion mbi atë që ndodhte në Gërdec. Është e pafalshme, askush nuk ka thënë asgjë, mbi një punishte të paligjshme dhe shumë të rrezikshme pranë aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend dhe të autostradës kryesore të vendit.

Nuk e besoj se askujt nuk i kishte rënë në sy kjo situatë, ndaj kërkoj që me transparencë të nxjerrim përfundimet e duhura në lidhje me punën që institucionet dhe agjencitë e specializuara në vend nuk e kanë kryer. Ta konsiderojmë rastësi, paaftësi apo si një sjellje te papërgjegjshme ndaj një realiteti shqetësues?

Më shqetëson shumë gjithashtu fati i të humburve. Ndaj kërkoj me përgjegjshmëri të lartë dhe qartësi nga autoritetet që po merren me këtë punë t’i gjejnë ata. Kërkoj të di fatin e tyre, sepse ne duhet t’i japim përgjigje familjeve të tyre, duhet t’i japim përgjigje me transparencë publikut dhe qytetarëve.

Shqipëria është një vend që herëpashere preket nga fatkeqësi të mëdha të tilla, si tërmete, përmbytje, zjarre masive, dimra të rëndë, aksidente ujore e rrugore, fatkeqësi këto, të cilat kërkojnë një menaxhim efikas dhe të shpejtë. Nga informacionet që unë zotëroj, me rezulton se sistemi i analizës së riskut në fushën e mbrojtjes civile nuk funksionon sipas standardeve ndërkombëtare. Funksionimi i analizës së riskut për parandalimin e fatkeqësive qofshin këto natyrore, ashtu edhe njerëzore varet nga implementimi i drejtë i tre komponentëve të saj, që janë: vlerësimi i riskut, komunikimi i riskut dhe menaxhimi i riskut. A e kanë bërë institucionet përgjegjëse për emergjencat civile një analizë të riskut në rastin e tragjedisë së Gërdecit? Unë mendoj se nuk e kanë bërë, se po ta kishin bërë, tragjedia me siguri do të ishte shmangur.

Nisur nga të gjitha këto vlerësime, i propozoj Ministrisë së Brendshme të shohë mundësinë e ngritjes së një Drejtorie të Përgjithshme të Mbrojtjes Civile, e cila të veprojë si një institucion koordinues për të gjitha ministritë e linjës në rastin e fatkeqësive të mëdha. Gjithashtu, krijimi i një Qendre Operative të Emergjencave Civile do të kontribuonte në rritjen e efikasitetit të menaxhimit të krizave.

Duhet që programet e hartuara afatmesme dhe afatgjata të jenë të prekshme, lehtësisht të implementueshme dhe të zbatohen sa më shpejt. Për këtë duhet një punë e koordinuar dhe e programuar në kohë, me ritme të vrullshme. Nevojitet gjithashtu që të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Nuk duhet të ngurrojmë të kërkojmë ndihmën dhe asistencën e tyre, me mjete apo me ekspertë. Përvoja e tyre është shumë e vyer në kushtet tona, ashtu sikundër ishte dhe ndihma e tyre gjatë ditëve të krizës.

Ne do të bashkëpunojmë me çdo organizatë apo agjenci të Kombeve të Bashkuara apo dhe çfarëdo organizmi tjetër të specializuar. Për këtë duhet të mendojmë të gjithë, jo vetëm Ministria e Mbrojtjes, por edhe institucionet e tjera të shtetit.

Duhet të marrë fund njëherë e mirë puna e zezë në vend, në mënyrë të veçantë në aktivitete kaq delikate. Nuk mund të ketë më tolerancë mbi ata që duan të pasurohen mbi kurrizin e fëmijëve. Zero tolerancë për cilindo që mendon se mund të rikthejë marrëdhëniet poshtëruese të punës në Shqipëri. Pres nga Shërbimet Informative, nga policia dhe nga inspektoriatet e ndryshme shtetërore, të godasin pa mëshirë këdo që shfrytëzon një njeri tjetër, për të pasuruar veten.

Duhet të zhdëmtojmë ekonomikisht viktimat e tragjedisë dhe familjet e tyre. Gjithashtu, duhet të punohet për sekuestrimin e çdo pasurie të paligjshme të vënë nga aventurierë, të cilët mendojnë se janë më të fortë nga ligji dhe shteti.

Në përfundim, kërkoj një impenjim më të madh të të gjithëve për rikthimin e besimit në sytë e publikut në vend dhe atij ndërkombëtar. Shtetasit na kanë dhënë besimin për t’i drejtuar ata. Partnerët na kanë dhënë besimin dhe po na ndihmojnë të integrohemi. Karshi këtij besimi, duhet të jemi më të përgjegjshëm dhe më bashkëpunues të gjithë bashkë. Besoj që me këtë dozë përgjegjshmërie dhe bashkëpunimi do të vazhdojmë këtë mbledhje, të cilën e konsideroj tashmë të hapur, duke shpresuar se nga këtu do të dalim me propozime konkrete dhe masa efektive, në ndihmë të qytetarëve të prekur nga tragjedia e Gërdecit, por edhe që situata të tilla të mos përsëriten më në Shqipëri.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 22 Mars 2008 07:22
Piktor nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Piktor Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Piktor (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: Piktor Shto Piktor nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Piktor nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 13:43 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Fjala e presidentit Topi nė mbledhjen e Kėshillit tė Sigurimit Kombėtar mbi ngjarjen

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.