trojani
Veteran ne forum
Regjistruar: 20/12/2003
Vendbanimi: danimarke
Mesazhe: 900
|
Mos shani Shkupin, por Tiranėn
Mos shani Shkupin, por Tiranën
Nga Gjergj Erebara
14-01-2008
Ditën kur u bë e njohur se as në Maqedoni nuk do të shkojmë dot më pa vizë, një shqiptar shkoi në Ambasadën Italiane në Tiranë dhe pyeti se çfarë kërkesash duhej të plotësonte për vizë, tashmë që thuhet se kushtet u lehtësuan. Përgjigjja që mori qe zhgënjyese: do të duhet të plotësojë të gjitha dokumentet që plotësonte më parë, por se tani ka premtimin se mundet të ankohet në Ministrinë tonë të Jashtme dhe në Bruksel, kur merr një përgjigje negative.
Në të njëjtën ditë, qeveria u përpoq të depistonte opinionin publik duke akuzuar Shkupin si fajtore për rivendosjen e vizave dhe duke gënjyer në mënyrën më të turpshme të mundshme, se rivendosja e vizave nga ana e maqedonase, është një akt që bëhet kundër Kosovës. Pra, thjeshtë e gjeti edhe një herë justifikimin për paaftësinë e vet, duke përdorur si gjethe çështjen kombëtare. Makthi se tashmë as në qytetin e mrekullueshëm të Ohrit nuk do të mund të shkojmë pa marrë më parë një vizë në ambasadë, pa paguar 30 e kusur euro dhe pa plotësuar një mal me dokumente, na torturoi gjatë. Maqedonia dhe Mali i Zi, nuk qenë thjeshtë dy vende ku shqiptarët shkonin pa vizë, por qenë dy kufij që jepnin shpresë për liri. Që nga shkurti, do të mbetet vetëm Mali i Zi, si kufiri ëndërr që mund të kalohet pa vizë. Sikur të mos mjaftonte kjo, Ministria jonë e Jashtme, na hapi barkun me deklarata kërcënuese kundrejt shtetit maqedonas, ndërsa media aludonte për humbjet që Maqedonia do të pësojë nga regjimi i vizave. Natyrisht, vetë maqedonasit nuk e dëshirojnë një gjë të tillë, por edhe fqinjët tanë kanë ëndrrën e integrimit në zonën Shengen dhe po punojnë për këtë. Rivendosja e sistemit të vizave për vendet e tjera të botës, ku hyjnë edhe Shqipëria e Kosova, është pjesë e punës së tyre për të fituar vizën evropiane. Askush nuk mund t'i thotë maqedonasve të humbasin Shengenin sepse ne këtu në Tiranë jemi të paaftë ta fitojmë vetë. Dhe është krejtësisht e papranueshme që Tirana zyrtare të krijojë insinuata dhe të akuzojë fqinjët për të mbuluar paaftësinë e vet. Kur po dëgjoja deklaratën e djeshme (kërcënuese) të Ministrisë së Jashtme, m'u kujtua një raport i Bashkimit Europian mbi problemin e vizave, raport që thoshte se pala shqiptare nuk dinte të negocionte për lehtësimin e vizave, se nuk shprehu asnjë kërkesë konkrete, shkurt se qe e paaftë. Të njëjtën gjë u detyrua ta thotë edhe qeveria maqedonase ditët e fundit. Shkupi ka marrë për Këshilltar për Integrimin, arkitektin e integrimit të Bullgarisë në BE, ish-ministrin e Jashtëm, Solomon Pasi.
Që në vitin 2001, Bullgaria punoi dhe arriti të integrohej në zonën Shengen edhe pse nuk qe ende vend anëtar i BE-së. Tre vite më vonë, të njëjtën punë e bëri edhe Kroacia. Të dyja vendet vendosën standardet Shengen në lëshimin e vizave. Megjithatë, vetëm kur ministri i Jashtëm bullgar mbërriti për një vizitë në Tiranë, mësoi se viza bullgare për ne kushtonte 50 euro dhe urdhëroi menjëherë uljen e çmimit të vizës. Imagjino, në vite të tëra, qeveria shqiptare nuk kishte marrë mundimin as të informonte qeverinë e Sofjes për problemin. Tani, Ministria jonë e Jashtme, bën mirë të mos kërkojë të zbulojë konspiracion pas vendosjes së vizave nga maqedonasit, sepse në fakt duhet të përgjigjet se pse ne nuk i kemi vendosur ende vizat për vendet e tjera dhe pse ne nuk kemi bërë asgjë për integrimin në zonën Shengen. (Ose, së paku, përse nuk kemi ecur në të njëjtin hap me Maqedoninë).
Që të integrohesh në zonën Shengen, do të thotë të lëshosh viza për qytetarët e vendeve të tjera, me të njëjtat kushte që anëtarët ekzistues të zonës Shengen zbatojnë. Të kesh kontroll kufitar të besueshëm dhe dokumente identifikimi të besueshme. Për të gjitha këto nuk na e ka fajin maqedonasi. Vetëm gjashtë muaj më parë, qeveria e Tiranës deklaroi me pompozitet se vizat me BE-në do të lehtësoheshin që nga 1 Janari i këtij viti dhe doli se, në fakt, një gjë e tillë qe vetëm një gënjeshtër.
A janë të interesuar në fakt ministrat tanë për liberalizimin e sistemit të vizave? A preken ndopak, kur kalojnë kufirin dhe u kontrollohet pasaporta shqiptare si pasaporta e një krimineli? Faktet tregojnë se nuk preken nga kjo gjë. Që një ministër shqiptar të shkojë në Itali, duhet që të dërgojë Pasaportën e tij Diplomatike në ambasadën italiane. Përderisa nuk u vjen turp që ta bëjnë një gjë të tillë dhe fshihen pas mendimit se mund të dërgojnë bodigardin në radhë për të marrë vizën dhe të mos paraqiten vetë, imagjino se sa pak turp i vjen kur mendojnë për pjesën tjetër të shqiptarëve të poshtëruar në ambasada dhe pika kufitare. Problemi i vizave maqedonase nuk qëndron në Shkup, por në Tiranë.
__________________
Dite me te mira pasketaj vine
shkoi erresira
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|