Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Shkrimtare te huaj > "Shqipėria njė dhe njėmijė." Indro Montanelli
Gjithsej 4 faqe: [1] 2 3 4 »   Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

"Shqipėria njė dhe njėmijė." Indro Montanelli

Ju do te mendoni se kete liber e kam lexuar une . Me vjen keq t'ju them se situtata nuk eshte e tille madje une do te kisha deshire te dija nqs ky liber i ka rene ne dore ndonjerit nga ju ketu dhe e ka lexuar, nese po atehere cilat jane pershtypjet. Dhe nqs. jeni te interesuar ta lexoni ketu do te gjeni disa kapituj te librit.

U ndesha me keto shkrime  krejt rastesisht ne gazeta botashqiptare dhe duke patur parasysh qe shume artikuj interesante nuk gjenden me kur i kerkojme mora insiativen per ti bashkengjitur ketu.

Keto qe do te lexoni me poshte jane te pergatituar nga Aurel Plasari i cili i ka perkthyer sipas origjinalitetit "Albania una e mille", G.B. Paravia & C, 1939.

Ju mirepres per reagimet tuaja!

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Modifikuar nga ~Enigme~ datė 02/05/2007 ora 15:02

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 14:54
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

Dy fjalė pėr kėtė libėr dhe pėr autorin e tij

Që Shqipëria një dhe njëmijë është libër i një shkrimtari kontrovers, aq më mirë. Aq më mirë edhe ngase ky shkrimtar kontrovers është vetë Indro Montanelli zëmadh: gazetar ndër më të zotët, historian ndër më të shquarit jo vetëm italianë, por edhe europianë. Ai është shkrimtar kontrovers posaçërisht në këtë libër: jo vetëm për nga fryma e një agjit-propi të caktuar ideologjik që fryn kur-e-kur faqeve të tij, por edhe për nga ato lajthime të tij historike që mund të na ngjajnë neve sot qesharake; për ndonjë, ose më shumë se ndonjë, punë-pa-mend që formulon lidhur me çështjen e besimeve të shqiptarëve, për shembull për krishterizmin orthodhoks apo Islamin shqiptar; po ashtu për një përmasë gati monomaniake kolonializmi ekonomik e kulturor të cilën, me sa kuptohet, në kohën kur shkruante për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e ka përmbajtur dot.
Së paku prej 1937-s, kur shkruante për lexuesit italianë një numër “korespondencash” dhe “reportazhesh” që ia bënë emrin të njohur si gazetar: nga Spanja, nga Finlanda, nga Polonia, si dhe nga Shqipëria (Shqipëria e vjetër dhe e re, shënime udhëtimi, në “Nuova Antologia”, 1939, fasc. 1610, ff. 366-385 etj., shënime që do të shndërroheshin në këtë libër këtu), Montanelli ishte “fashist i thekur” (fascistissimo), sikurse kolegët e tij e quanin. Mbase për këtë arsye më vonë një pjesë të këtyre “korespondencave” dhe “reportazheve” ai nuk donte t’i kujtonte. Për shembull: ato për fushatën famëkeqe në Greqi. Por edhe këtë libër për Shqipërinë dhe shqiptarët, me sa dukej, ai donte ta fshinte nga kujtesa. Le më një novelë që e pati fshehur thuajse xhelozisht, Lukë Preka, dy bejlerët (1942), për të cilën as donte të dëgjonte. Mbas 1993-shit, kur nga Shqipëria u interesuan të merrnin prej tij një lejë për botimin në shqipe të këtij libri, Shqipëria një dhe njëmijë, ai refuzoi në heshtje, me ngulm. Më 1997-n, mandej, shkroi për Shqipërinë dhe shqiptarët pohime që i zbrisnin ata poshtë thuajse për të njëjtat veti për të cilat i pati ngritur lart, madje duke u kënduar himn, te Shqipëria një dhe një mijë. Dukeshin punë-pa-mend, nga ato për të cilat ai njihej. Nga ato që pati formuluar, fjala që vjen, edhe për “revolucionin hungarez”, duke mos e kuptuar aspak pozicionin e kardinalit Mindszenthy si mbrojtës i kurorës së Shën Stefanit. “Zoti e di kush ia shtiu në mend Montanellit një marrķ të tillë”, do të ngrinin supet vonë kolegët e tij. Një monarkist që pa-gjë-të-keq tradhton monarkinë? Një fashist që pa-gjë-të-keq gdhihet komunist? Kur në vitin 2000 një lexues në “Corriere” e pyeti në pati shkruar artikuj mbi fushatën italiane të 1941-shit kundër Greqisë, ai i ra mohit me qetësi, duke iu përgjigjur se qe fjala për ndonjë “korespondencë të rastit”, kur çështja qe për plot 28 artikuj, pra për një libër të rërë! Mirëpo i tillë qe Montanelli. Ose, më sak, e tillë duket të jetë tipologjia e personazheve si ai: shkrues tejmase të aftë, por me një aftësi që u shërben edhe për të mbuluar e përligjur në mënyrë polemike, madje duke ngulmuar se vetëm ata kanë të drejtë, shpërdredhimet e tyre politike, historike, institucionale, të cilat i bëjnë që të shpenzojnë beau style dhe maītresse për të shkruar njëherësh gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje.
Të merremi vesh: të njëjtën tipologji do të kishte përfaqësuar Montanelli edhe sikur më 1938-n, ndërsa shkruante “korepondencat” për Shqipërinë dhe shqiptarët, të kishte qëlluar jo fashist, por komunist. Pozicionimi i shkrimtarit që vjen në gazetari nga fusha e historisë e vuan këtë rrezik: vetë të shkruarit e historisë, gjithsesi, një trajtë idelogjie është, sado të duket befasues ky pohim. Ideologjitë – më shumë fatmirësisht se fatkeqësisht - ndryshojnë dhe, rrjedhimisht, ndryshon edhe historia që historiani shkruan. Kështu ka ndryshuar ajo gjithmonë, sikurse na mësonte Finlay në leksionet e tij të Cambridgeit: do të mjaftonte të kujtonim vetëm prej antikitetit varganin Herodot- Tuqidid- Tit Liv- Tacit- Kas Dion etj. Dhe po kështu do ta ndeshnim këtë të vuar, si ndryshim hipostazash ideologjike, thuajse pa përjashtim tek e gjithë sëra disashekullore e atyreve që i quajmë “udhëtarë në Orient”, prej të cilëve, meqë ra fjala, nuk kemi shijuar ende sa do të duhej piktoreskun mbi Shqipëri dhe shqiptarë. Nëse i pari syresh prej Gadishullit italik pati qenë një Pietro della Valle (1672), Indros i bie të jetë njëri ndër të fundmit trashëgimtarë të zhanrit magjepsës. Edhe, nëse udhëtarët e qëmoçëm, të kohës së Della Valles e mbas tij, lakmonin aq fort bizaritë dhe tuhafëritë, deri edhe duke shkruar udhëpërshkrime të rrejshme për vise që kurrë nuk i patën shkelur dhe popuj që kurrë nuk i patën parë, Montanelli padyshim mund të cilësohet si ndër shkrimtarët më realistë sa u përket pikërisht njohjes, studimit dhe përshkrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo atij nuk mund t’i mohohet.
Për këtë arsye, me gjithë pasaktësitë e aty-këtushme që në këtë libër të tijin ndeshen, me gjithë traditën e bizarive apo tuhafërive prej të cilave as ai, si bir i denjë i udhëtarëve të qëmoçëm italikë, nuk ka hequr dorë plotësisht, librin e tij është më mirë ta njohim sesa t’ia lëmë pluhurit të bibliotekave italiane. Duke e zhveshur prej leskrave të ideologjisë së kohës, me siguri mjaft gjëra do të na mbeten prej leximit të tij: do përfundime që qëndrojnë ende në fuqi dhe që dëshmojnë mprehtësinë e vrojtimit, njëherësh të analizës dhe sintezës, të gazetarit shumë të aftë që ai ishte. Rrjedhur prej tyre, edhe një varg të vërtetash gjithnjë të pazvenitura nga kalimi i kohës, madje befasueshmërisht të pazvenitura, që për mendimin tim ndodhen në pikëprerjen e asaj çfarë është historike me atë çfarë është e përpjetshme te shqiptarët. Duke qenë se të vërteta të tilla nuk ndodh të nxirren në dritë prej çdofarë gazetashkruesi të huaj, ato i bëjnë nder zbuluesit dhe formuluesit të tyre duke vërtetuar se “montanellët” nuk mbijnë në gazetari oreçast, mbrapa çdo kioske gazetash.
Për mua, si përkthyes, ka përbërë përjetim kërshëror marrja dhe dhënia me një tekst të këtillë, të një inteligjence aspak të zakonshme, sikurse janë tekefundit e shumta e teksteve montanelliane. Mbas përkthimit të Fallacit (2000) dhe të Malapartes (2003), me emrin e Montanellit kam provuar kënaqësinë të bashkërendis ngjitmas njëri-tjetrit, në përkthimet e mia, tre emrat madhorë të gazetarisë, përkatësisht shkrimtarisë dhe historisë, italiane.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 14:56
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

1. Nga Durrėsi nė Shkodėr

Durrësi është një lagunë pa Venecie, siç janë tekefundit nga pak të gjitha portet shqiptare. Ngrihet mbi një ishull të vogël mbrojtur mirë nga ernat prej një shpinoreje të lartë gati dyqind metrash dhe që i bashkohet bregut me dy mbetje rripash toke mes të cilëve dremit laguna. Në fund të fundit, nuk është një qytet, por tri qytete vendosur shtresë-shtresë njëri mbi tjetrin: Durrësi roman – Dyrrhachium, - ai venedikas e bizantin dhe ai shqiptar. Të kaluarën e ka ndoshta më të shkëlqyer se të ardhmen: ajo zë fill në antikitetin grek, ngase të parët që i pikasën epërsitë që ofronte ky stacion qenë korqyrasit të cilët ngulitën aty, gjashtë shekuj para Krishtit, koloninë Epidamnos, një koloni tregtare e caktuar për tregtinë mes Greqisë dhe Ilirisë. Mandej, kur Iliria u bë provincë romane, ushtarët e Republikës zëvendësuan reshperët epirotë dhe, nga qendër e madhe shkëmbimesh, Durrësi u shndërrua në një kështjellë të armatosur. Rrënojat e kësaj kështjelle përbëjnë edhe sot murin rrethues të qytetit që ngjan se ndihet ende i mbrojtur prej tij. Kështjella përbënte një mburojë të tillë që u rezultoi e papushtueshme edhe vetë romanëve që e kishin ndërtuar: kjo ndodhi në vitin 48 para Krishtit, kur Qesari, që pati ngujuar aty një ushtri të Pompeut, nuk ia doli ta detyronte të dorëzohej.
Gjithsesi, pikërisht me mbërritjen e legjioneve romane zë fill epoka e artë e Durrësit, stacion i ushtrive të caktuara për të shtruar ilirët dhe maqedonët zevzekë dhe pikënisje e asaj Via Egnatia që romanët, të cilët rrugët i patën gjithnjë dobësi, ndërtuan përmes luginës së Shkumbinit nëpër Ohër, Manastir, Vodenë dhe Pelë, deri në Thesalonikë, dhe që idealisht lidhej në Brindisi me Via Apian. Dhe, në të vërtetë, fatet e qytetit, sidomos mbas bjerjes përparuese të Apolonisë rivale, mbetën të lidhura ngushtë me ato të kryeqytetit të Perandorisë: me të lulëzoi – dhe rilulëzoi mbas tërmetit gjëmëmadh të 314-s mbas Krishtit – dhe me të u bor në kohën e dyndjeve barbare. Por është e sigurtë që teposhtja e Romës shenjoi teposhtjen jo vetëm të Durrësit: ajo shenjoi teposhtjen e gjithë kësaj Lindjeje të afërme për të cilën marrëdhëniet me Italinë donin të thoshin marrëdhënie me Perëndimin dhe qytetërimin. Rasti i Durrësit është shembullor: ai nuk e kapi kurrëmë shkëlqimin që pati mbërritur nën zotërimin roman. Veith-i, si gjerman i mirë, i ka kushtuar një studim serioz, të ndërgjegjshëm dhe shumë të dokumentuar qytetit në epokën e tij të artë dhe rrugës Egnatia që aty dilte.
Me rënien e Romës ose, së paku, kur Roma u bë e paaftë t’i mbante të ngjeshura radhët e Perandorisë së saj të paanë, Durrësi jetoi vetëm si shtojcë e Brindisit. Dhe, kur Brindisi u pat përmbysur nga konkurimi i Venedikut, kriza u ashpërsua. Jo se tregtarët venedikas – dhe as ata amalfitanë – e lanë krejt mbas dore, por nuk ndiheshin të sigurtë aty për shkak të rivalitetit me bizantinët, normanët dhe angjevinët. Tekefundit ndikimi venedikas mbizotëroi aty vetëm shumë më vonë, mbas sundimeve të Robertit Guiscard dhe të angjevinëve dhe mbas tërmetit të tmerrshëm që bëri aty kërdinë më 1273. Vetëm në fund të shek. XIV Venediku qe aty sovran duke shpënë aty një mirëqenie që nuk u kufizua as te qyteti, as te veprat e rimëkëmbjes urbane, por që u shtri në mbarë provincën duke e tërhequr atë në një pjesëmarrje aktive me jetën e Perëndimit. Më se një shekull vijoi hegjemonia venedikase që e mbresoi thellë jetën e gjithë vendit: ende sot Shqipëria ruan shumë tipare të një province venedikase në leksik, në disa doke e tradita, në emrat e shumë prej familjeve të saj kryesore. E tëra kjo bëhet gjithnjë më e qartë dora-dorës që jetohet në vend dhe analizohen karakteristikat dhe anët e ndryshme të tij.
Vetë Durrësi ka më shumë pamjen e një magazeje te madhe venedikase se të një pazari, ndonëse sundimi osman ka qenë aty më i gjatë nga ai vendikas. Por ky sundim osman shenjoi teposhtjen e qytetit bashkë me atë të gjithë vendit. Durrësi u thjeshtua pak-nga-pak në përpjesëtimet e një katundi të madh. Nisi të rilindet vetëm në kohën e luftërave ballkanike, kur serbët mëtuan ta bënin stacionin e tyre adriatik, ndërsa princi Wied kryeqytetin e tij. Erdhi mandej Lufta e madhe dhe italianët përqendruan aty forcat e tyre tokësore e detare së pari për t’i mbrojtur, mandej për t’i bartur në gadishull mbetjet e ushtrisë serbe. Tani është një qytezë prej rreth gjashtëmijë banorësh, një qytezë e ndershme lagunore që e di se nuk mund të bëjë shumë, porse atë pakëz që mundet do që ta bëjë mirë e bukur. Ka arkivin e saj të mirë historik në rrënojat e qytezës romane dhe në kështjellën e saj mesjetare, ndërsa mbi mbetjet e getos së vjetër, që kazma shkatërrimtare po e rrënon, lulëzojnë lagje të reja europiane të pastra, të rehatshme, higjienike. Ngrihet aty, mbrapa kështjellës, pallati mbretëror. Sa për portin, ai nuk është shumë i mbrothët dhe, si mundësi natyrore, ka shumë më pak se Vlora. Por Durrësi është pranë kryeqytetit, me të cilin e lidh një rrugë e rehtatshme karrocash dhe me të cilin do ta lidhë së shpejti një autorrugë tanimë e filluar. Për më shumë, ai sundon luginën e Shkumbinit, rrugë klasike për në brendësi të vendit, dhe ka mbas shpine trevën me popullsi më të dendur të Shqipërisë, ndoshta edhe më aktiven, me siguri më reshperuesen, si trevë që ka marrëdhënie më të vijueshme dhe më të shpeshta me Perëndimin italian; njëherësh edhe më të mirëniveluarën nga ana sociale mbi një borgjezi tregtare që domosdoshmërisht do të duhet të përbëjë shtyllën kurrizore të vendit.
Ja përse mbi Durrësin është përqendruar përpjekja më e madhe e Qeverisë italiane. Vizitova punimet e portit: skelën e madhe gati gjashtëqind metrash që i vjen përanash, molin e madh në ndërtim e sipër prej njëmijë e pesëqind metrash, sharrnajën valëthyese. Janë si eshtrat e një nofulle: mbetet një gojë dyqind metrash, radë e qetë për çdo mjet lundrimi, edhe të madh. Vendos Qeveria, ka financuar SVEA (Shoqëri për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë), kanë punuar triestinët. Dhe kanë punuar si triestinë, d.m.th. rëndshëm dhe mirë.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 14:58
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

Shoferi që më shoqëronte quhej Ahmet, por, në kundërshtim me sa emri mund të linte të kuptohej dhe, siç ndodh rëndom në Shqipëri, ishte katolik. Katolik dhe malësor, diku nga Mirdita, mandej i zbritur në qytet e i bërë mekanik. Djalë i pashëm, lloj i pastër shqiptari, i gjatë, korrozi, me flokë të shndritshëm, hundë kërrute, i veshur në kostum kombëtar, kostum që binte në sy, i larushitur: plisi i bardhë, setra e zezë, këmisha e kuqe me stolisje të çuditshme ngjyrëçelëta në shtrat të pantallonave të zeza e të gjata. Është, pak-a-shumë, kostumi i të gjithë shqiptarëve të veriut, që quhen gegë. Ahmeti ishte fjalëpak dhe kjo fjalëpakësi bënte pjesë në një qëndrim të tijin të veçantë, që ishte shumë hijerëndë e i përkorë, i denjë për një ish-student t’Oxfordit ose Cambridgeit që të paskësh humbur vesin e të dehurit. E pranoj se më trembte paksa ai të shkëputur i tiji prej sendeve, ai të shërbyer i tiji pa u sjellë si shërbëtor. Kishte qenë në Romë disa vite dhe fliste një italishte të rreptë e të përkryer, pa ndotje dialektore. Ndërsa vrojtoja nga skela e madhe punimet e molit, Ahmeti më shtiu në mend që, nëse doja të isha në Shkodër para mbrëmjes, ishte më mirë të shpejtonim. U habita pakëz, për shkak të udhës jo kushedi çfarë, por mandej m’u desh të bindesha që Ahmeti kishte të drejtë.
Rruga që morëm ishte ajo – e vetme – që përshkon për së gjati Shqipërinë nga kufiri grek i Veriatit tek ai jugosllav i Hanit të Hotit, mbi rrafshultën e dystë dhe të shkretuar që ndan detin nga malet: një rrugë që, në pati qenë e vështirë të ndërtohej sikurse është e vështirë të rrihet, mundime të mëdha duhet t’u ketë kushtuar ingjenierëve edhe punëtorëve. Shtrihet në një gjatësi gjithë-gjithë treqind e pesëdhjetë kilometrash dhe në trungun e saj ngulen degët anësore që shpien në perëndim drejt detit dhe në lindje drejt maleve. Në Vorë, ku mbërritëm mbas njëzet kilometrash dhe pesëdhjetë minutash, shartohet rruga për Tiranë që mban dhjetë milje.
Nga Durërsi në Vorë pata nge (ndoshta “nge” është e tepërt me thënë; të themi se pata kohë) të vrojtoja kryemotivin gjeologjik që përbën bazën e gjeografisë, të historisë, të ekonomisë shqiptare: luftën për tokë mes shkëmbit dhe ujit. Toka shkridhet ngadalë dhe në krye të herës është amfibe: një llucë e shpërbërë, pa bimësi, nëpërduket, duket dhe riduket; dhe kjo pavendosmëri zgjat për disa kilometra para se lënda e gurtë të dallohet prej së lëngshmes. Teknikët e zanatit e quajnë këtë një dukuri “rinie gjeologjike”. Lumenjtë e shumtë dhe tekanjozë që zbresin nga lindja, duke mbërritur me vrull për fushë mbas shtrëngimit të pësuar në grykat e ngushta malore, e tërheqin lëndën e ngurtë në masa të mëdha lyshtrore drejt derdhjes dhe e fundërrojnë aty. Kështu që i gjithë rripi bregdetar që qëndis Shqipërinë prej Shëngjinit të Medues në Vlorë nuk është veçse një shkarkim dherishteje grumbulluar aty prej këtyre rrjedhash të padisiplinuara uji ende tepër të reja për t’u shtruar në shtretrit e vet.
Pamja e peizazhit përmirësohet dora-dorës që lihet bregu dhe hyhet në brendësi: bëhet më e larmishme, më e pasur, më e hareshme. Bimësia del përfaqe, në fillim rakitike dhe e padiferencuar, – ferrmanza dhe shkurrishte, – mandej vjen e rritet në tone, në shtat, në ngjyra. Lëndina të buta, mbujake dhe të epshme, shërbejnë për kullota grigjash dhe kopesh shtegtare: së largmi ngjajnë si fusha të mëdha bilardoje me gjithato bila sedefi të bardhë. Kur bie shi – siç ndodhi asaj dite, por fatmirësisht për pak – uji e bën lloç tokën e pasigurtë dhe mbetet aty pa mundësi kullimi. Së këndejmi edhe malarja që bën kërdinë në zonë. Mëkat i madh, sepse këto vise – jo të gjitha, por pjesa më e madhe e tyre – po të mos ishin kaq të rrezikuara nga ethet, mund të përbënin një rezervuar prodhimi të aftë të plotësonte nevojat bujqësore të gjithë vendit. Por për këtë mundësi dhe për projektet për realizimin e saj, që tanimë po studiohen në Tiranë, do të flasim më tej.
Kaluam Prezën, kaluam Gjazën, kaluam Mamurasin dhe Milotin. Në Milot u ndala të përftoja një ide për një katund shqiptar të fushës. Pak gjë për të thënë: janë katunde të mbyllura, të nyjëtuara përgjatë rrugës, me një kishë ose një xhami për qendër. Por prej Preze e më tej filluam të ndesheshim me kodrën dhe me pyllin, një pyll i dendur lisash që, duke u shembur prej së lartit, rrëshkisnin deri brenda moçalishteve të amullta mes Ishmit dhe Drinit. Mbi çdonjërin prej këtyre lumenjve ngrihen ura mjaft të mira. Shumë e bukur ajo mbi Mat. Derisa mbërritëm në Lezhë, ku respekti për historinë më shtrëngoi të bëja ndalesë.
Në Lezhë vdiq Skënderbeu më 18 janar 1468, Skënderbeu: poeti i madhe i politikës shqiptare. Si të mos ndalesh mbi varrin? Por varri i tij është zhdukur, nuk dihet si, as pse. Ishte, duhet të jetë varrosur në kishën e Shën Kollit, përbri pazarit në bregun e majtë të Drinit. Drini është, pazari është, kisha është, sa për varrin: mister. Por ndoshta ka më shumë poezi në këtë mister se në çfarëdo përmendoreje që mbasardhësit do të kishin mundur të ngrinin në kujtim të heroit: Skënderbeu është ushtari i panjohur i Shqipërisë.
U kacavara – dhe është një sipërmarrje aspak e thjeshtë - nëpër kodrën ku ndodhen grumbull rrënojat e qytezës venedikase, që pati qenë e papushtueshme. Në antikitet dhe në Mesjetë ajo i bënte rojë kalimit të detyruar mes fushës së Matit dhe Zadrimës. Sot qendra ka humbur në rëndësi dhe në banorë, që janë pak më shumë se mijëshja. Dremit në hijen e kalasë së saj të vranët dhe të rrënuar, në një vis të pashëndetshëm. Ndonëse komunikacionet i ka të mira, - ndodhet në gjysmudhë mes Shkodre dhe Durrësi dhe stacion fillestar i një tërthoreje që mbas shtatë kilometrash mbërrin në Shëngjin të Medues, - nuk më duket e pasur me të ardhme. Por është me interes ta shëtisësh si shembull tipik të një katundi shqiptar, jo më fshat dhe ende jo qytet, me jetën e tij ngalakaqe përmbledhur në pazarin ngjyra-ngjyra ku zhvillohet në qiell të hapët tregtia e artikujve ushqimorë dhe të nevojës së parë. Mandej, përreth sheshit, një gjarpërim rrugicash, njëfarë getoje me gjeometri të çuditshme ku ngrihen njëra mbi tjetrën shitoret e paluajtshme, aq sa mund të jetë i paluajtshëm një çardak i dalë jashtë një shitoreje të ngushtë ku janë grumbulluar pirg në një mbështjellim piktoresk sendet më të larmishme.
Ka diç orientale në gjithë këtë, si dhe në atë jep-e-merr të gjatë, të ndërlikuar nga një ceremonial i hollësishëm, me fjali riti dhe gjeste sakramental. Por diç orientale zhveshur prej çdo ngulmimi të mërzitshëm, prej çdo përunjeje servile. Kur jep e merr me klientin shqiptari ruan një ton gjithë sqimë e korrektësi dhe kam pasur përshtypjen që hilja dhe mashtrimi të qenkëshin të huaja për doket e këtyre njerëzve. Për të blerë një qilim të vogël mirditor ia lashë në dorë Ahmetit: ndenjëm ulur, unë, ai dhe tregtari, një gjysmë ore të mirë. Ata kuvendonin qetshëm, me pushime të gjata mes një pyetjeje dhe një përgjigjeje; unë tymosja duhan dhe pija kafen me të cilën më kishte qerasur pronari. Ndonjë kalimtar ndalej, por nuk merrte pjesë në kuvendim veçse po ta ftonte njëri prej dy negociuesve. Mua nuk më drejtoheshin thuajse asnjëherë; kur më drejtoheshin, e bënin me një mirësjellje pa teprķ dhe me një nderim që të bën të ndihesh ngushtë. I përmbaheshin një etikete të shuguruar, por një etiketë e përkorë dhe me shije të mirë. As një milanez nuk do ta kishte ndier veten ligsht. Kur çështja e mundimshme u përfundua, tregtari u ngrit, më dha dorën, më tha “falemnderit, zotëri” në italishte dhe më shoqëroi deri në skajin e çardakut.
Ahmeti dhe unë ia mbajtëm nëpër rrugicat e ngushta. Me gjithë pamjen time perëndimore, - që një çast, kushedi pse, m’u duk qesharake, - nuk vura re të isha bërë shenjë e asnjë kërshërie të mërzitshme: çfarë është, ndër të gjithë, dëshmia më bindëse e edukimit të mirë të një populli, do të guxoja madje me thënë e qytetarisë të tij. Digjesha nga dëshira për të hulumtuar një mjedis të brendshëm, por për këtë nuk dilte koha. Mbërritëm në hanin ku kishim lënë makinën, dhe që është një tjetër koeficient i detyrueshëm i qendrës urbane shqiptare: një ndërtesë në përgjithësi më e madhe se kulla, me një oborr në qendër, që shërben për strehë kafshësh dhe përreth të cilit hapen kthina të vogla ku shtegtarët, në rast nevoje, mund të shkojnë natën. Hyra në njërën prej këtyre kthinave: kishte vetëm një qilim shtruar mbi një rrogoz dhe, në këndin lart, një fener.
Mbas pak u nisëm, duke marrë bregut të djathtë të Drinit dhe anës së majtë të një liqeni gjator, mbetje – me sa dukej – e një fundosjeje të vonë. Por, tekefundit, i gjithë peizazhi përreth ishte moçalor. Moçalor dhe i begatë, gjithë miazma tharmuese, i rrafshët nën një kupë qielli të ulët, të rëndë e të butë si lymishte. Është Zadrima, që shtrihet për më se njëzet kilometra nga njëra anë dhe tjetra e rrugës, Zadrima e pasur me tokën e zezë më të vyer se ari.
Në Shkodër mbërritëm ndërsa ishte errur.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:01
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

2. Shqipėria e veriut

Bekoj çastin kur më tha mendja të shtyhesha në Malësi. Po ta kisha përjashtuar nga itineraret e mia këtë etapë të lodhshme dhe rrëmbyese, nuk do ta dija ç’është Shqipëria. Ngase ç’është Shqipëria e shpjegon më shumë një kullë malësore se të gjitha bulevardet e kryeqytetit.
Nuk do të tregoj tani për fije e për pe udhëtimin që bëra, edhe sepse, me thënë të drejtën, nuk e mbaj mend itinerarin dhe as emrin e fshatrave që vizitova. Shpesh emrin e atyre fshatrave nuk më ra në mend as ta kërkoja dhe, sa për itinerarin, si kisha programuar një të tillë, ndoqa një tjetër të ndryshëm, siç e diktonin rrugët dhe trilli i fatit. As mund të shtie në punë bllokun e zakonshëm të shënimeve. Bllokun e mora me vete, nga zakoni i gazetarit, por në të nuk shkrova asgjë, i bindur se nga sa shihja dhe dëgjoja do të mbaja mend gjithçka.
Ajo që vizitova është “Shqipëria e vjetër”. Kështu e quajnë të gjithë. Por unë do ta quaja më fort një Shqipëri jashtë kohe, as e vjetër dhe as e re, një Shqipëri që këtu e dhjetë shekuj të shkuar, kur ishte njëzet vjeçe, i tha ndal diellit dhe historisë edhe qysh atëherë nuk është rritur më. Jeton qysh atëherë në patëkeqësinë e rinisë së saj të lume duke shpërfillur gjithçka, përplot me virtytet e me të metat e përbashkëta për çdo rini në të cilën edhe të metat janë virtyte.
Doemos Malësia rëndon në jetën praktike të Shqipërisë së sotme, prirë ndaj rindërtimit të vetvetes në kuptim modern e perëndimor. Rëndon si elementi më tradicional dhe i pabindur ndaj programit të përtëritjes, rëndon me padepërtueshmërinë e saj fizike edhe rëndon me padepërtueshmërinë e saj psikologjike. Në të vërtetë, me të mbërritur në ato bjeshkë – dhe të mbërriturit aty nuk është sipërmarrje e lehtë – e ndien veten të bartur në një tjetër botë, ku masa e vlerave është e ndryshme dhe i ndryshëm është boshti në të cilin vërtitet jeta e përditshme.
Edhe peizazhi të befason, jo aq me bukurinë e tij sa me veçanësinë e kësaj bukurie. Nuk dallohet prej rrafshultës për kalim të butë, si gjetiu. Ai teptis befasisht, me maja të ashpra, me mure të mëdha kineze që u shërbejnë si ledh “bijve të shqipes”: shkëmbinj të bardhë ose të përhimë mbërthyer mes luginash të gjelbra si perla mes smeraldesh. Por më kot do të orvateshe ta mësyeje drejtazi, nga jugu, atë brofje kas të maleve. Lypset t’i biesh qark me durim nga perëndimi dhe të kërkosh shtigje të mistershme që vetëm udhërrëfyesit i njohin, shtigjet e mistershme që përbëjnë etiketën me të cilën këta masivë viganë mbrojnë prestigjin e vetmisë së tyre hijerëndë. Dhe besoj të ketë në këtë mister një gjësend me dashje, njëfarë ruajtjeje të qëllimshme të tij nga ana e malësorëve. Qysh në Shkodër plani për t’u ngjitur atje lart nuk kishte ngjallur veçse nënqeshje skeptike: jo këshilla ose sugjerime, por vërejtje të dyshimta dhe heshtje shkurajuese: “Duhet një udhërrëfyes, duhen mushkat… shumë kasavete… është udhëtim i gjatë e i mundimshëm… udhërrëfyesi do zgjedhur me kujdes…”.
Udhërrëfyesin e zgjodha me kujdes, domethënë ma zgjodhi Ahmeti, shoferi: një mik i tiji me ardhje që andej së larti, i krishterë ortodoks, aq ortodoks sa quhej Kristo. Dhe qe kjo e para herë në jetën time që pashë Krishtin dhe Muhametin të shkonin krah-për-krah duke kuvenduar paqësisht mes tyre. Por në Shqipëri kjo ndodh rëndom.
Kështu u nisëm, biblikisht: Kristoja, dy mushkat dhe unë, për të pushtuar Malësinë.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:04
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

KANUNI

Kur i kisha kujtuar mos qe e udhës të merrnim me vete së paku një pisqollë, Kristoja më qe përgjigjur: “Nuk hyn në punë. Le që për ju janë pushkët e malësorëve”. Aty për aty mbeta ligsht, ngase fjalia m’u duk së paku dykuptimshe. Mandej, në rrugë e sipër, udhërrëfyesi qe shpjeguar më mirë. “Miku është i shenjtë, - më tha, - dhe shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e shtegtarit. Askush nuk mund të të bëjë gjë, sepse çdo dëmtim që mund t’i bëhet mikut paguhet me jetë”. Nuk tha pikërisht kështu, por pothuajse: italishten e fliste keq, por me stilin madhështor, që mandej e kuptova se ishte karakteristik i gjithë Malësisë.
Ligji simbas të cilit “miku është i shenjtë” dhe “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e shtegtarit” është një ligj tradicional ose më mirë një doke e kodifikuar nga Lekë Dukagjini, bashkëkohës dhe këshilltar i Skënderbeut: diçka mes poemës, digjestit dhe një përmbledhjeje fjalësh t’urta popullore. Ky kod, i quajtur Kanun, u njoh edhe nga Qeveria turke dhe është i rrënjosur prej shekujsh në ndërgjegjet, aq i rrënjosur sa të sfidojë ngadhënjyeshmërisht konkurencën e reformës legjislative, moderne dhe perëndimore, të Shqipërisë së re. U orvatën ta asgjësonin edhe Turqit e Rinj. Dhe rrjedhojë e parë e kësaj orvatjeje qe anarkia; rrjedhoja e dytë qe kryengritja, një kryengritje që shenjoi fillimin e mbarimit të Perandorisë osmane të Europës. Besnikëria ndaj Kanunit është për çdo malësor të mirë çështje nderi kombëtar dhe vetjak. Me ardhje prej fiseve dukagjinase të krahut të majtë të Drinit, Kanuni mandej u shtri në mbarë Shqipërinë. Dhe mbeti gjithnjë gojor, i bartur nga ati te biri. I vetmi tejshkrim prej tij është shumë i vonët, i botuar në një revistë të Shkodrës.
Mbi atë mbështetet organizimi i fisit, i fisit patriarkor shqiptar, mbajtur në këmbë prej këshillit të pleqve, depozitues të drejtësisë, vendimet e të cilëve jepen në vende të shenjta. Edhe nuk ka gjë më magjepsëse se ajo gjykatë e lartë pleqsh, të cilëve Kanuni u beson rolin e rregulluesve të jetës dhe të dokeve të Malësisë. Kam qenë i pranishëm, në Rjoll, në një prej këtyre mbledhjeve edhe asnjë gjyq e asnjë gjykatore nuk më ka bërë ndonjëherë aq përshtypje: rituali, shumë i lashtë, seç kishte diçka homerike, dhe me ëndje të plotë harrova që kriteret, në bazë të të cilave gjyqtarët e paapelueshëm gjykonin e urdhëronin, mund edhe t’ia shpifnin një ndërgjegjeje moderne e perëndimore. Tekefundit, më vonë, këtë opinion ndjellakeq mbi kriteret e drejtësisë ndjekur prej gjykatoreve që zbatojnë këtë ligj m’u desh ta rishikoj disi dhe ta qortoj.
Kanuni buron drejtpërsëdrejti prej adetit, d.m.th. prej dokes së Malësisë; është e drejtë ndëshkimore dhe civile njëherësh dhe bazohet mbi institucionin e gjakut, d.m.th gjakmarrjen, që është ndëshkimi i parashikuar jo vetëm për vrasjen, por edhe për shumë fyerje të tjera lloji të ndryshëm. Është detyrë që i bie fisit bashkërisht, atëherë kur njëri prej anëtarëve të tij të jetë cenuar në nder, edhe ka rreze veprimi dhe mënyrë zbatimi të ndryshueshme simbas llojit të dëmit të pësuar. Më i rëndi i këtyre dëmeve është vrasja e një miku. Rregullimi me të holla ose, gjithsesi, nëpërmjet pajtimit të gjakut, që disa herë pranohet, në një rast të tillë përjashtohet: detyra e marrjes së gjakut të mikut është kategorike dhe mund të ushtrohet, përpos se mbi vrasësin, edhe mbi të afërmit e tij meshkuj deri te fëmijët tre vjeç. Disa vite më parë në një fis, më duket se të Toplanës, kundër një familjeje, një prej anëtarëve të së cilës kishte vrarë mikun, u ngrit në luftë e tërë bashkësia duke lënë për truall shtatëdhjetë e katër të vrarë.
Për ta zbutur këtë rregull ka përjashtime të ndryshme: besa për shembull, d.m.th. pushimi i armëve që në përgjithësi vendoset për një vit dhe realizohet me ndërmjetësi miqsh të të dyja palëve. Fyes dhe i fyer puthen dhe fyesi shkon në shtëpinë e të fyerit me qengja dhe deshinj për dhantķ. Shtrohet një drekë e madhe, si vulosje paqeje. Dhe më në fund vepron bamirësisht gruaja, e cila gëzon njëfarë bese përjetë dhe, nën mburojën e kësaj paprekshmërie, ushtron në shumë raste funksionet e pajtuesit
E gjitha kjo pasqyron doket homerike dhe kalorësiake të Shqipërisë së Veriut, të organizuar në fise, simbas ligjesh të sajat, shumë të lashta, me të cilat ligjet e sunduesve të ndryshëm, që erdhën një-mbas-një në kohë, bashkëjetuan pa iu mbivendosur njëri-tjetrit. Është një organizim i thjeshtë, aristokratik, me një këshill të pleqve që mban autoritetin absolut, një organizim patriarkor në të cilin pleqëri e përvojë ngrenë peshë më shumë se çdo tjetër cilësi censi ose lindjeje edhe që ka një bazë të tijën morale, sociale e ekonomike, një arsye të tijën ekzistimi ende sot kur kushtet nuk janë krijuar për një revolucion ose për një evolucion në kuptim modern. Merret vesh që ky regjim është i paracaktuar të zhduket; por merret vesh edhe që kjo zhdukje nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë para se të dhënat sociale që e përligjin të mos jenë zhdukur edhe ato.
Janë kund pesëdhjetë fiset e veriut, të mbledhura çdonjëri rreth një bajraku ose flamuri, me një bajraktar ose flamurmbajtës. Fisi është një organizëm mjaft autonom, në kujtim të kohës kur tribuja nuk qe përbërë ende në njësi. Por brenda fisit, ende sot, martesat ndalohen. Nga fisi zbritet në organizma edhe më fillestarë, që janë mëhallat apo grupshtëpitë.
Fisi është shprehja më e lartë e ndijes sociale të malësorëve që, përtej fisit, nuk shohin asgjë. Bajraktari, këshilli i pleqve dhe kuvendi janë të vetmet autoritete në përkim me të cilat malësori përshtat të vepruarit e tij. Janë bajraktarët ata që vendosin për luftë dhe për paqe, që përpunojnë doket simbas normave të traditës dhe gjykojnë simbas atyreve të Kanunit. Vetë turqit që, nga të gjithë sunduesit e huaj, patën qenë ata që në Shqipëri zgjatën më shumë e ndikuan më thellë, nuk mund ta kapërcenin autoritetin e këtyre krerëve duke iu sjellë drejtpërsëdrejti malësorëve. Duhej t’i drejtoheshin bylykbashit, njëfarë ministri fuqiplotë i deleguar i përhershëm i bajraktarëve pranë qeveritarëve osmanë të qyteteve të ndryshme, ngase çdo urdhër, prej cilësdo anë që të vijë, nuk është i vlefshëm në Malësi pa dorëzaninë e pleqve. Ata janë konsuj dhe kapedanë, me një autoritet që mbështetet sidomos në meritat e tyre vetjake dhe, pra, ndryshon nga njëri te tjetri. Ata kanë si sovranë flamurmbajtësit e çdo fisi dhe si vasalë krenët që janë kryetarët e mëhallave dhe që përbëjnë në paqe këshilltarët e tyre ndërsa në luftë mëkëmbësit e tyre; dhe kanë gjobarët si përmbarues të vendimeve të tyre1. Vetëm në raste të jashtëzakonshme thirret kuvendi, d.m.th. këshilli i përgjithshëm i fisit, në të cilin marrin pjesë, nën dënim me gjobë, tërë kryefamiljarët e armatosur.
E gjitha kjo ngjan e largët në kohë, një mbetëz feudale, një tepricë antikiteti e ruajtur artificialisht si një eshtërmbajtës mermernash në një nekropol. Kurse në të vërtetë është një realitet ende i sotëm, i gjallë, i ngërthyer në jetën malësore. Shumë pak orë nga Tirana dhe pak orë nga Italia është një botë që jeton me këtë regjim, me këto ligje, një botë poetike e mbetur gjallë përanash progresit. Kujtimi që ruaj nga kjo botë është më i bukuri nga të gjitha kujtimet që, edhe ato shumë të bukura, ruaj prej Shqipërie.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:06
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

MALĖSORI

Malësori i veriut është burrë fizikisht i bukur, i bukur pa spitullime: shtatlartë, i prerë në tiparet e gjalla, mashkullor në të gjitha shprehjet e tij, i drejtpërdrejtë; insktinkti dhe veprimi i shkrehen thuajse njëkohësisht pa diafragmën e të menduarit. Është burrë i ashpër, shkëmbor, i dalluar vetëm paksa nga flora dhe nga fauna që e rrethojnë. I vobegtë shumë dhe zotëri i madh, ka një prerje të vetën gjithë hijeshi, një denjësi edhe fizike të pacenuar aspak prej varfërisë së petkave të tij dhe prej përkorjes së jetës që çon. Për nga tradita është blegtor, ndërsa për nga instinkti dhe nga natyra, fjalëpak.
Shqetësimi i tij kryesor është t’i mjaftojë vetvetes, dhe kjo shpjegohet po të mbahet parasysh ngadalësia e lidhjeve sociale. Për një pjesë të mirë të ekzistimit të tij, ai është i vetëm, i vetëm si person ose si kryefamiljar, përpara Zotit.
Në dimrat e gjatë, kur dëborat zënë qafat malore, çdo marrëdhënie mes njerëzve bëhet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Malësori i plotëson vetë të gjitha nevojat e jetës, robinson i përjetshëm, por robinson më shumë i plogët se kërkues. Bën dru dhe qymyr, farkëton vetë kazanin për të zier misrin, ushqim i tiji kryesor, ngre me mur oxhakun e vet, e ndërton vetë shtëpinë, e pasjis atë vetë me orendi në mënyrë shumë të thjeshtuar, por jo pa një kriter estetik: të shpeshta janë punimet e gdhendjes ose të argjendarisë që takon në këto banesa dhe shpesh janë punime me vlerë, të punuara me durim vitesh nga duar artizane të prira vetvetishëm drejt bukurisë, një bukuri e qashtër, njomëzake, gjithë ndjesi, pa aspak tru, pikërisht si i shkon përshtat bukurisë së vërtetë. Mbeta i befasuar dhe i tronditur para do përdorësesh blegtorire që stolisnin banesat e mirditorëve: gjethe fiku me lakuriqësi spartane. Do të kisha dashur të blija disa syresh, por kur ua kërkova këtë zotërve të shtëpisë, ata u nxituan të m’i bënin dhuratë, dhe atëherë m’u desh të heshtja. Sepse ky shqiptar i veriut, ky bari mjeran është, në mjerimin e tij, zotëri i madh. Është estet, jo tregtar. Nuk e kupton paranë dhe, tekefundit, nuk do të dinte çfarë të bënte me të: ai nuk shet, dhuron. Dhe ti, borgjez perëndimor, mbetesh i druajtur e plot nderim para kësaj bujarie krejt të vetvetishme, të çiltër, pa kurrfarë dëshire për t’u dukur. Edhe të vjen turp që je njeri i qytetëruar.
Një jetë e këtillë, vetmitare dhe e ashpër, e zhvillon tejmase personalitetin vetjak të këtyre njerëzve. Çdo njeri ka një botë dhe në këtë botë është despot absolut. Tek i qasesh pranë, ndien menjëherë, ti europiani i zvogëluar nga shoqëria, gjigantizmin e kësaj njerëzie parake, edhe i nënshtrohesh asaj pa mundësi të maturi apo të gjykuari. Vetëm si të jesh kthyer në Europën tiranase, në të cilën e gjen së rishti kuptimin e jetës moderne, mund të bësh bilancin e një shoqërie me malësorët dhe t’ia përvijosh asaj një skicë të pashtrembëruar ngashërie. Për sa kohë të qëndrosh me ta, kësaj ngashërie nuk i ikën: ajo t’i përmbys të gjitha kriteret e gjykimit moral dhe civil mbas të cilave truri yt deri më tani qe mbajtur ngërthyer, koncepti i së mirës dhe i së keqes të kthehet kokëposhtë, ti vë në dyshim progresin, qytetërimin, ligjet, bota malësore të magjeps me padepërtueshmërinë e saj, me misterin e saj të thellë, me mohimin e saj goditës të gjithçkaje që deri aty më parë përbënte botën tënde.
Shqiptari i veriut ka virtytet e tij të veçanta, që janë virtytet homerike të kurajës dhe trimërisë. Ashtu si te grekët e vjetër, për malësorët fuqi dhe mirësi janë e njëjta gjë, si edhe dobësi dhe ligësi. Simbas kodit të tyre moral, cubnia ndaj të tjerëve, vrasja e armikut, pretimi janë gjeste shoqërisht të vlerësuara, si përforcime të mëtejshme të këtyre virtyteve. Luftëtarë dhe poetë nga prirja natyrore, çdo heroizëm është lëndë për këngë dhe çdo këngë është nxitje për heroizmin e kuptuar kësisoj. Aspirata e madhe e çdo malësori është të kujtohet edhe mbas vdekjes si protagonist aventuarsh të rrezikshme, të bëhet objekt i një kënge popullore. Çdonjëri prej tyre, me t’u lindur, vë kandidaturën për pavdekësi.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:08
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

SHTĖPIA DHE FSHATI

Jetojnë në shtëpi rudimentare, por me muraturë, të quajtura kulla.
Një kohë, çdo fis kishte vetëm një ose pak kësi kullash, të caktuara për të shërbyer si fortesa. Pjesa tjetër e banesave përbëhej prej kasollesh, prej staneve, thurima kallamash të mbushura me droçka balte, ndërtuar prej vetë atyre që banonin në to. Muratorë të specializuar këtu lart nuk ka, ngase malësori e ka zët kriterin e profesionizmit, të zanatit. Bën punën e blegtorit, sepse blegtoria është art, një art i palëvizshëm, art i lirë, që nuk e mban peng mendimin duke e shtrënguar mbas ndonjë rregulloreje. Malësori është gjithë fantazi. Ata ta jugut nxënë dhe ushtrojnë zanate, ata të Dibrës dhe të Korçës bëjnë punën e muratorëve. Ata, në shtegtimet e tyre, sollën edhe në male vesin e tullës e të llaçit dhe atë të gjeometrisë. Por malësorët edhe kësaj shpikjeje të borgjezëve jugorë i kanë vënë një mbresë të tyren, luftarake, duke ua përshtatur arkitekturën ndërtimore shijeve dhe nevojave të tyre të veçanta. Kulla ka formë katrore, më shumë e lartë se e gjerë, me mure të trasha, me një derë të ngushtë e të rëndë, të mbathur në hekur, ndërsa përreth me një mur të thatë që të shërbejë si ledh mbrojtës. Çatia është një rreshpe pa tjegulla; dritare ka pak e edhe ato ta pakta ndodhen në katin e parë dhe janë të vockëla fare, më shumë frëngji se dritare. Ka vetëm dy kate: përdhesin dhe të parin, të errëta për shkak të hapjeve të pakta dhe shpesh të tymosura për mungesë të oxhakut. Dhe shpesh aty jetohet, në harmoni biblike, bashkë me kafshët, që janë pjesë përbërëse e familjes. Orenditë janë më shumë ndërmendje se orendi: rrogozë për të ndenjur dhe për të fjetur. Vetëm kaq.
Por, të merremi vesh, ky është vetëm një përshkrim skematik, një lloj ideal i kullës. Në të vërtetë ajo ndryshon simbas pikës ku ngrihet dhe nevojave që duhet të përmbushë. Kështu, simbas mundësive ekonomike të pronarit, ka përbri kullës edhe stalla e magaze që lejojnë tanimë një dallim të qartë mes jetesës së njerëzve dhe asaj të shtazëve. Ka mandej kulla me dy kate dhe atëherë kati përdhes shërben si magaze materialesh, ndërsa pjesa tjetër, kur është fjala për banesa muslimane, ndahet në selamllëk dhe haremllëk. Ka më në fund edhe kështjella, kështjella të vërteta e të mirëfillta, si ato që kam parë në Dibër: castrae të njëmendëta, të përforcuara mirë, me një gjerdan kullash përqark, brenda cakut të ledhit rrethues: ajo për shërbëtorët, ajo për kafshët, ajo për magazet, ndërsa në qendër ndodhet saraji, i vangti i vranti i frikti saraj.
Katundi ka lindur kështu: nga takimi i rastësishëm i disa kullave që në një çast të caktuar u ndodhën, nuk po them të bashkuara, por më pak të hapërdara nga të tjerat në një territor të dhënë. Më shumë kulla formuan mëhallën, më shumë mëhalla formuan një katund. Mos u kërkoni këtyre katundeve një plan rregullues. Plani rregullues parakupton një program, programi parakupton një pikësynim, ndërsa katundet malësore janë jashtësynimore, d.m.th. banorët e tyre kanë dëshirë për gjithçka, përpos se për jetë sociale. Në të vërtetë, përbrenda këtyre lidhnive çdo kullë është pjesë më vete dhe, e skajuar, i bie ndesh lidhnisë brenda pritës së murit të saj të thatë, në qendër të hinterlandit të saj, me ekonominë e saj, ligjin e saj moral, kreun e saj, kafshët e saj, tokën e saj, misrin e saj. Katundi është një organizim ideal, abstrakt, i përbërë nga shuma e këtyre mikrobotëve të padepërtueshme, që shkoklohen, duke fyer rëndshëm logjikë e gjeometri, me largësi të stërmëdha. Do ta kërkoje më kot një qendër, gjithçka është jashtëqendrore, rrethinore, përfshi kishën dhe xhaminë të cilat gjithashtu jetojnë të mënjanuara, të mbyllura në korracën e tyre prej muri të thatë: janë kisha dhe xhami luftarake, sikurse qenë Krishti dhe Muhameti këtu e njëmijë vjet të shkuar. Pasiguria e shkaktuar nga të luftuarit pritash dhe të ndeshurit e vijueshëm fis me fis, burrë me burrë i ka bindur malësorët të zgjedhin për ndeja vendbanime tanimë të pajisura nga nëna natyrë me mjete mbrojtjeje: i duan shumë kreshtat e thikta, i urrejnë fundet e luginave; parapëlqejnë qafëmalet, i kanë zët pyjet. Dhe sa më larg të jetë e mundur nga deti.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:11
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

FAMILJA

Duke strehuar një familje dhe duke pasur vetëm marrëdhënie të pakta me familjet e kullave të tjera, çdo kullë kuptohet si bërthama e vërtetë e organizmit social ose si familja.
Ajo është një organizëm i ngjeshët, moralisht i shëndoshë, i mbajtur bashkë nga autoriteti i gjithëfuqishëm i kreut që ngjan aty si despot. Regjimi i saj është patriarkor. Dhe, sikurse ndodh në të gjitha regjimet patriarkore të popujve burrërorë, gruaja ngre mjaft peshë dhe urdhëron shumë, krejt në të kundërt të regjimeve nordike matriarkore të popujve të femërsuar në të cilat gruaja ka vetëm një iluzion legalitar të urdhëruari. Doemos në Shqipërinë e veriut këtë e kupton vetëm duke jetuar aty. Përshtypja e parë është që pozita e gruas qenkësh aty siç është në të gjitha vendet me qytetërim të llojit musliman. Me të mysafiri i huaj nuk jep e merr, ngase kryefamiljari, që është sidomos burrë krenar, ia njeh vetes detyrën e politikës së jashtme. Parballë cilitdo të huaj, zotnia është ai, dhe do të ishte mungesë e rëndë korrektese t’i drejtoheshe drejtpërsëdrejti zonjës së shpķs duke kapërcyer autoritetin burrëror. Por brendapërbrenda familjes është ajo që udhëron dhe drejton, është ajo deus ex machina, motori i palëvizshëm i gjithësisë së vogël që i rrotullohet qark. Ajo është e lirë, mbulesën nuk e ka mbajtur kurrë, dhe është e pagojë përballë burrit që, për traditë, duhet të ketë pamjen se urdhëron. Dhe punon. Detyrat më të mundimshme i janë lënë asaj: të bëjë dru, të bartë ujë, të punojë arat. Dhe kjo për tri arsye: pikësëpari, sepse malësori nuk mund të bëjë veçse punën e blegtorit; së dyti, ngase gruaja, duke qenë e shenjtë, mund të dalë jashtë pa drojë pritash nga ana e armiqve; së treti, ngase kjo shërben për të përforcuar konceptin tradicional të burrit-zot dhe për t’i siguruar, së paku në dukje, mbijetesën këtij koncepti.
Porse, për ta zbutur këtë doke që mund të zvetënohej më së fundi në një trajtë skllavërie të gruas, ka një marrëdhënie shumë të hollë, tejmase nazike, mes burri dhe gruaje, mes nëne dhe bijsh, marrëdhënie e padallueshme së jashtmi ngase është e pashprehur: dashuria. Të merremi vesh: është një dashuri jo si e konceptojmë ne, të lindur nga mishi, sepse shqiptari në përgjithësi dhe malësori veçanërisht janë shumë pak epshorë dhe ndjenjat e tyre janë të gjitha të përbrendshme, jo përmbi lëkurë; por një dashuri që lindet çikë-nga-një-çikë, mbas martesës, nga bashkëjetesa e ngushtë, nga simpatia e detyruar që mugullon mes dy qeniesh të cilat ndihen jo të vetëm mes të tjerëve, por të vetëm kundër të tjerëve, kundër natyrës koprace, edhe që mbrojnë e mbështesin shoqi-shoqin duke mos qenë gratë në këtë detyrë aspak më të ulta nga burrat.
Në Europën tonë, ku dashuria është një lëndë që negociohet dhe tregtohet kaq lehtë, ku jemi të prirur të pandehim se a jo qenkësh monopol i yni dhe i kohëve tona civile, rrallë kam parë një solidarësi mes bashkëshortësh të ngulitur kaq thellësisht. E, megjithëkëtë, për të nuk flitet. Nëse një poet i këtushëm (por kush këtu nuk është poet?) të këndon një këngë, dashuri aty s’të ka. Gjak po, pretime, dyluftime, rrëmbime, gjakmarrje; por dashuri jo aspak. Dhe kurrë nuk më ka qëlluar të dëgjoja të shqiptohej nga ndonjëri prej zotërve të shtëpisë ku bueja emri i së shoqes, a një lëvdatë për të, a një fjalë me ndjenjë. Kurrë. Do të ishte dobësi dhe malësori nuk mund të jetë i dobët, nuk duhet të jetë i dobët, në do të jetë burrë. Ndjenjat e tij për të shoqen i mban të varrosura në më të thellin fund të vetes, të pashprehura dhe ndoshta të pashprehshme. Por malësori e do gruan e tij, e do për gjithë jetën, nuk ia nxë mendja pabesinë në martesë, është bashkëshort mjaft i mirë dhe at mjaft i mirë. Kërkon shumë, kërkon sidomos shumë bij, por edhe jep shumë, jep sidomos shembullin. Dhe, në të vërtetë, s’ka gjë më të lidhur e të bashkuar se familja malësore, ku kreu vendos për gjithçka, edhe për martesën e bijve.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:13
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

TEPOSHTJE DHE RILINDJE

Tani, të merremi vesh: ky regjim fisnor dhe patriarkor i Shqipërisë së veriut nuk është më aq i fortë sa njëherë, ndoshta tanimë vetëm sa ka mbetur gjallë mbas vdekjes së vet, i brejtur pak-nga-pak prej evoluimit të ngadalshëm të jetës së vendit drejt formash dhe kriteresh me të përditësuara. Tirana, dalgadalë por pamëshirëshëm, i shtyn kthetrat e saj deri këtu lart, me prefektët e saj dhe ligjet e saj, ajo tërheq, përthith, shthur, shpërbën. Malësia mbetet ende e paarritshme, por jo më si këtu e tridhjetë vjet të shkuar, në kohën e turkut. Të rinjtë, këta rabdomantë të përjetshëm të përparimit, i shkepen traditës, hapin sy e mendje ndaj ideve të reja sociale, vënë në diskutim autoritetin e bajraktarit, u vënë minat paragjykimeve dhe bindjeve që deri më tani janë vendosur si rregulla të dokeve malësore. Ata bëjnë, me një fjalë, atë që kanë bërë gjithnjë të rinjtë e të gjitha vendeve dhe të gjitha kohëve: shembin.
Ndërsa pleqtë bëjnë atë që kanë bërë gjithnjë pleqtë e të gjitha vendeve dhe të gjitha kohëve: mbajnë me pajandra. I vetmi ndryshim, ndoshta, është sot se të rinjtë e kanë një çikë më pak gabim, kurse pleqtë kanë një çikë më pak të drejtë se ngaherë. Një i huaj i çinteresuar, që ta dojë shumë Shqipërinë, siç mund të jetë një italian, edhe që beson vendosmërisht te Shqipëria dhe tek e ardhmja e saj, politikisht nuk mund të jetë veçse me të rinjtë. Por për nga ndjenjat nuk mund të jetë veçse me pleqtë, së paku në keqardhjen parandaluese për atë që deri më tani ka qenë dhe ende pjesërisht është poezia e kulluar dhe qëndrueshmëria morale e jetës malësore. Është një mësim i madh njerëzor ai i malësorëve, një mësim i madh virtytesh vatjake, që do të doja t’i shihja jo të shkatërruara në emër të një virtyti social, qoftë edhe më i lartë, por vetëm të harmonizuara me të. Ndoshta është e pamundur. Dhe, në qoftë e pamundur, është e drejtë që ato virtyte të biren. Por është gjithaq e drejtë që atij që ka jetuar pakëz mes këtyre malësorëve të rreptë e krenarë, mes këtyre kullave të hapërdara malesh që të huajit ia hapin dyert për ta mbështjellë me një afsh të ngrohtë mikpritjeje të përzemërt; që atij që ka mundur t’i masë vetë çiltërinë e këtyre shpirtrave të thjeshtë e të fuqishëm edhe flijimin e përditshëm edhe besnikërinë e papërkulshme ndaj dokeve të veta edhe lidhninë e thellë mbas familjes edhe shenjtërinë e fjalës së dhënë të malësorëve; është gjithaq e drejtë them që atij t’i vijë keq për bjerjen e tërë kësaj, për zvogëlimin e pashmangshëm të cilit Malësisë do t’i duhet t’i nënshtrohet për t’u bërë një krahinë e Shqipërisë një dhe të madhe, për të përmbushur procesin e përbashkët kombëtar tanimë në zhvillim të plotë.
Flijim edhe më i lavdërueshëm për sa malësorët, duke humbur fizionominë e tyre, do të humbin diçka përnjëmend fisnike, një shënjesë aristokratike, një stemë bujarie.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:16
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 06:59 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Gjithsej 4 faqe: [1] 2 3 4 »   Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Shkrimtare te huaj > "Shqipėria njė dhe njėmijė." Indro Montanelli

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.