Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Shkrimtare te huaj > "Shqipėria njė dhe njėmijė." Indro Montanelli
Gjithsej 4 faqe: « 1 [2] 3 4 »   Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

3. Tirana dhe Shqipėria e mesme

Kur mbërrita aty me avion nga Shkodra falë zyrave të mira të Ala Littorias, që ka këtu shërbime të shkëqyera, si dhe mbas ditëve të kalura me malësorët, Tirana më bëri përshtypjen e një foleje milingonash zënë me punë.
Njerëz, gjithata njerëz, tepër njerëz dhe tepër të vegjël në krahasim me viganin vetmitar të Malësisë. Dhe të gjithë këta njerëz janë në punë, qarkullojnë, reshperojnë, kuvendojnë, skajojnë qytetin – orientalizmi i të cilit është në shlyerje të plotë – për ta bërë më të bukur. Sheshi i tij i gjerë, bulevardet e tij, pallatet e mëdha ngjyrë okre dhe tulle, gati-gati më fyen mbas qëndrimit provincial, jetës së jetuar mes shkëmbinjsh e moçalesh. Tirana m’u duk qytet i tepruar dhe – të ma falin miqtë e mi tiranas – e tillë më duket ende. Të merremi vesh: e tepruar vetëm në kuptim relativ. E futur në rrugën e të bërit kryeqytet perëndimor, i duhet ende të përpiqet me të gjitha forcat për t’ia dalë – dhe pra gjithë sa aty shpenzohet në energji dhe parį është plotësisht e përligjur. Por më duket të shkaktohet aty edhe një çekuilibër, një çekuilibër që nesër mund të bëhet edhe i rrezikshëm, mes modernizmit cipëplasur të këtij qyteti dhe arkaizmit të hinterlandit të tij, që është mandej gjithë Shqipëria.
Do të doja të di çfarë mendon katundari shqiptar kur, nga kasollja e tij rrethinore në të shembur e sipër, nga bashtina e tij e mbetur n’ujë, mbërrin në këtë Tiranë, kryeqytet i tiji, fisnikëruar me vepra publike gjithë hijeshi e spikamë, që shpalosin pafytyrësisht milionet e lirave italiane, lirave tona, që kanë kushtuar. Aq më shumë që shqiptari është një njeri që, për nga instinkti dhe tradita, e urren me zemër centralizimin dhe i kupton keq të drejtat e parësisë që mund t’i takojnë kryeqytetit vetëm sepse është kryeqytet.
Kjo vlen edhe nga një pikëpamje sociale: borgjezia tiranase, që rreket – dhe ia del – ta barabisë veten me një çfarëdo borgjezie perëndimore, a është përnjëmend përfaqësuese e shoqërisë shqiptare? Kabareja që ngjan me një boīte pariziane, klubi, tenisi, çaji, xhezi, të folurit e mirësjellshëm, të puthurit e dorës, libri francez, flërti, vila e vogël, automobili luksoz, fraku, guvernantja gjermane, shërbëtori në livré: gjithë këto çikërrima të comfortit kopjuar nga Perëndimi, a janë në Shqipëri të përligjura dhe të përligjshme? Çekuilibri qëndron këtu. Edhe ndieja njëfarë brenge tek shihja tiranas të rinj që u jepnin të drejtë disa të huajve të cilët ankoheshin për comfortin e paktë të jetës së qytetit. Këto ankime janë një fyerje e të pasurit ndaj të varfërit, e të pasurit që është i pasur jo për meritë të vetën ndaj të varfërit që është i varfër jo për faj të vetin. Por zotërnjtë e huaj, të cilëve u vjen keq që automobilët e tyre nuk mund të shkojnë me njëqind në vend që me pesëdhjetë në orë nëpër rrugët shqiptare, janë shumë të lutur të kalojnë një herë nga biblioteka edhe të lexojnë një libër historie për t’u bërë me dije se si e kanë trashëguar shqiptarët vendin e tyre, më pak se tridhjetë vite më parë, nga sunduesi turk. Dhe zotërinjtë shqiptarë janë gjithaq të lutur të mos kenë turp për faje që ata nuk i kanë kryer. Për tridhjetë vjet me ndihmën e Italisë ata kanë bërë sa mund të bënin, ndoshta më shumë nga sa mund të bënin. Posaçërisht në Tiranë.
Fakti është që në Shqipëri bashkëjetojnë, ende të paafta për t’u shkrirë, lloje të ndryshme qytetërimi: ai primitiv i Malësisë, ai feudal i qendrës malore, ai komunor i jugut dhe ai modern perëndimor i Tiranës. Tirana përparon ditë për ditë, në mënyrë aktive, thuajse në ethe, evoluon nga fshati në qytezë, nga qyteza në qytet, pajiset, përkryhet, zhvillohet, stërhollohet. Por nuk vështron rreth vetes. I humb takimet me pjesën tjetër të vendit. Shoqëria e saj i bjer tiparet mesjetare dhe bejlikale, dërgon bijtë e vet për të studiuar në Perëndim, industrializohet dhe komercializohet. Dukuria është e vetvetishme dhe e lehtësuar nga mungesa e një tradite historike. Sepse Tirana është një qytet ne thelb modern, thuajse i shpikur, si një qytet amerikan që të ketë zëvendësuar qiellgërvishtësit me minaret. Koha e saj ka vetëm dy përmasa: të tanishmen dhe të ardhmen. E kaluara nuk ekziston. E kaluara përfaqësohet vetëm nga një pazar i detyruar gjithnjë më shumë të tkurret në hapësirë, shtrydhur sikurse është prej një plani rregullues të vendosur për të zhdukur çdo mbetje orientale.
Por gjithë pjesa tjetër e vendit nuk ndjek këtë përpjekje moderniste, ose së paku nuk e ndjek me të njëjtin hap. E bojkotuar nga një traditë shekullore feudalizmi turk, evoluon edhe ajo, por me një ritëm shumë më të ngadalshëm, gjithnjë më të ngadalshëm dora-dorës që largohesh nga qendra drejt periferisë. Dhe kërcënon ta lërë të veçuar Tiranën, si një metropol europian improvizuar mes një shkretëtire rërnash afrikane, si një Romë ose një Partis rënë për një mrekulli qiellore në mes të Kinës.
Është një problem politik që nuk do shpërfillur.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:17
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

Tirana

ngrihet, ose më mirë shtrihet, në një fushëgropë të qetë, rreth njëqind e tridhjetë metra mbi nivelin e detit, det i cili është jo më shumë se tridhjetepesë kilometra larg: tridhjetepesë kilometra rruge të mirë për të mbërritur në Durrës, që është porti natyror i Tiranës. Kësaj rruge po i shtohet tani një autorrugë, edhe thonë se do t’i shtohet së shpejti edhe një hekurudhë. Këtë parafolje e kam lexuar në një libër italian shkruar dhjetë vite të shkuara dhe unë po e tejshkruaj besnikërisht, duke shtuar këtu urimet e mia vetjake.
Është qytet që nuk ka qenë kurrë i lashtë, sepse edhe në kohët e lashta ishte modern. Banonin aty thuajse vetëm zotërinj të mëdhenj, plutokracia e kohës, e përfaqësuar prej bejlerësh latifondistë që vinin të kërkoninn aty gjatë verës freski dhe shëndet, duke i ikur malarjes dhe vapës së Durrësit e të fushave përreth. Ishte si njëfarë Meranoje e zonës. Dhe ky karakter aristokratik, pakëz balnear dhe pakëz kolonial, i ka mbetur. Në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, me qytetet e tjera, Tirana është kopshti i Mbretërisë, kuintesenca e saj e stërholluar. Ndoshta sot, me dyndjen e madhe njerëzore që ka teptisur aty për të banuar për shkak të centralizimit të ministerializmit, ajo është borgjezuar dhe rënduar paksa. Më shumë se të bukurën, synon të madhen; më shumë se te qëllimi, e ka mendjen te rehatia. Dhe si mund të ishte ndryshe? Popullsia e saj, që dhjetë vjet të shkuar ishte tridhjetë mijë banorësh, është më shumë se dyfishuar dhe rritet përditë duke e bërë të kotë çdo statistikë që të mëtojë ta ngulisë në një shifër. Për këtë popullsi në shtim të vijueshëm qyteti është tanimë i ngushtë dhe kërkon shfryrje në lindje e në perëndim, duke u kacavarur shpateve të kodrës që lartohet mbi të nga ana e Elbasanit dhe majë së cilës po ngrihet Pallati i ri Mbretëror.
Ka një jetë të gjallë trafiqesh, të dendur nga ana sociale, ka hotele jo të këqia, ka shërbime të mira. Doemos, është një botë e shkartisur, e shkartisur në mënyrë piktoreske: gjen aty toskun, tregtar finok, që ka çalltisur në qytet për të shitur prodhimet e tij, me kostumin e tij të hijshëm bardh-e-zi, epirotin me fustanellë, mirditorin e veriut hijerëndë dhe artistokratik, ciganin, maqedonin, malaziasin, sllavin; gjen aty borgjezin e Tiranës, që është në Tiranë vetëm se e ka hedhur hera, ngase mund ta gjeje, të njëjtë, edhe në Romë ose në Milano; gjen aty zonja me qyrk, vendëse e të huaja, dhe gra fshatarake, të zbathura e të rreckosura; gjen automobilë luksi dhe karroca parahistorike që një-e-dy i bien borisë si të qenkëshin automobila edhe ato dhe vizatojnë përdredhore fantastike përgjatë rrugëve, sepse karrocierët shqiptarë kanë një gjeometri krejt vetjake dhe një armiqësi instinktive për vijën e drejtë. Mandej botën ndërkombëtare, posaçërisht atë diplomatike që është këtu, si në çdo kryeqytet tjetër, gjithmonë e njëjta, me bridget e veta dhe me çajet e veta, me çajet e veta dhe me bridget e veta, por me këtë rrethanë rënduese: që këtu, për shkak të ngushticës së mjedisit, bie shumë në sy edhe i jep tonin jetës mondane.
Tirana nuk shkëlqen aspak për dëfrime. Ka tri kinema të këqia, pa kurrfarë diskutimi të këqia. Dhe asnjëe teatër. Por Qarku italo-shqiptar që po ngrihet monumental (ndoshta paksa tepër monumental?) përbri Pallatit të vjetër Mbretëror do ta mbushë zbrazëtinë, së toku me pishinën, fushat e mbuluara të tenisit, restorantin luksoz. Është një sipërmarrje vigane, e rritur si një kërpudhë në një hapësirë pak muajsh falë veprimtarisë së patrit, magjistarit italian që ndërton në gjithë botën katërmijë e më shumë ngrehina në vit me lata druri dhe nuk e lë të vdesë gjindjen që vete e banon aty. Kështu që ky qark “Skënderbe”, lindur nën shënjesën e marrëveshjes kulturore italo-shqiptare, do të jetë një dorë e fundit për mobilimin perëndimor të Tiranës dhe do t’u lejojë jo vetëm studiuesve, por edhe sportistëve dhe viveurs-ve vendës e të huaj t’i kenë zili më pak edhe t’u ngjajnë më shumë atyreve të Romës e të Londrës.
Gjithsesi ky modernitet perëndimor i Tiranës nuk është vetëm fryt artifici, majmunërie dhe plani rregullues. Në të vërtetë, treva e Shqipërisë së mesme, së cilës Tirana i është qendër, është historikisht më e evoluara, më pak e egërsuara nga ana fizike. Është treva që, prej kodrës qendërperëndimore, zbret shkallë-shkallë drej detit duke nxjerrë përpara si karakoll Durrësin. Dhe Durrësi është, së toku me Shkodrën, kryeura e Perëndimit në Shqipëri. Duam a nuk duam, qytetërimi ndjek ende, si itinerar rrezatimi, itineraret e legjioneve romane: rrugën Apia dhe rrugën Egnatia. Nuk është ky një vrojtim i atij që shkruan, i cili nuk është amator gjeometrie: por një rreth i hequr me kompas, me qendër Romën dhe që të ketë për rreze vijën Romë-Tiranë, dhe një tjetër rreth me qendër Stambollin dhe që të ketë të njëjtën rreze, vijnë e puqen në kufijtë lindorë të Shqipërisë. Është një përkim i çuditshëm.
E sigurtë është që kjo trevë qendrore, as mal as fushë, as veri as jug, është sot më e evoluara. Ndoshta edhe më pak e pastra, nga ana etnike, sepse nuk është as toske as gege; dhe pasja e detit dy hapa pranë, e detit drejt të cilit ajo zbret ka nxitur te njerëzit që e banojnë zakone tregtare që, në përgjithësi, për shqiptarin race të pastër janë të huaja. Sidomos Venediku ka bërë shkollë. Kujtimi i magazeve të mëdha dhe i zyrave venedikase është këtu ende i gjallë. Mbetje heterogjene qytetërimesh të ndryshme dhe kundërthënëse, të shtyra nga vala e furishme e historisë prej jugut, prej veriut, prej lindjes, janë shkrirë këtu me elementin më të fuqishëm roman.
Shqiptari i Shqipërisë së mesme është më pak i dhënë mbas pretimit dhe aventurës. Nga Mati e poshtë është më pak luftëtar, është më shumë tregtar dhe katundar. Organizimi social është ende pjesërisht feudal dhe bejleror: por dashuria për fitimin dhe shpirti i nismës e kanë ngritur plebën në proletariat edhe e kanë ulur fisnikërinë në borgjezi. Ndërsa shqiptarët e veriut, thellësisht aristokratikë e konservatorë, edhe nga ana racore konservatorë, i kanë jetuar shekujt e historisë së tyre në një izolim të shkëlqyer që nuk u ka lejuar as takime, as përzierje me sllavët kufitarë, nga Mati e poshtë ndikimi helen bëhet gjithnjë më i ndjeshëm duke u ushtruar sidomos nëpërmes klerikëve të Kishës ortodokse. Këta të Shqipërisë së mesme nuk janë ende të helenizuar si ata të jugut, por ndikimi ndihet në doket dhe zakonet nëpërmes një shqise kritike më të stërholluar, një depërtueshmërie më të madhe ndaj ideve të reja dhe kërkesave të reja, një embrioni intelektualizmi. Vetë muslimanët, aq xanxarë ndaj modernes, aq të ngurtësuar nga dogma, priren të skapullohen nga shtërngesat kuranore duke bërë të vetat forma më të pajtueshme me jetën europiane nëpërmes revolucionit liberal të bektashizmit, që kishte për të qenë njëfarë “Reforme” apo “Proteste” islamike.
Sikur Tirana të ishte kryeqyteti jo i Shqipërisë, por vetëm i kësaj treve qendrore, ajo kishte për të qenë krejtësisht logjike dhe e intonuar, në ekuilibër absolut. Por është kryeqyteti i Shqipërisë dhe Shqipëria nuk është e gjitha këtu. Kujdes periferinë: atje kanë shpërthyer të gjitha kryengritjet, edhe më të fundit.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:19
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

***

Porse për t’u hakmarrë ndaj këtij moderniteti cipëplasur tiranas dhe për t’u kujtuar të gjithëve sa, vendës dhe të huaj, mund ta harronin, që kryeqyteti nuk ka të bëjë aspak me Shqipërinë, pak kilometra rrugë dhe disa të katërta ore me automobil nga Tirana shqiptarët ruajnë Krujën.
Qytet i çuditshëm. Më i çuditshmi i Shqipërisë mbas Beratit, që nga ana e tij është më i çuditshmi i botës mbas Venecies. Madje, me thënë të drejtën, Kruja nuk është qytet: është një pazar i mbuluar rreth të cilit është përmbledhur një qytet. Një pazar i përtingullt i përdredhur i përthikët ku edhe radiot dhe makinat e shkrimit, po të shiteshin, do të merrnin pamjen e objekteve historike të stërvjetra. Një Zot e di kush dhe pse e ndërtoi atje lart, gjashtëqind metra pezull mbi një shpatinë të sertë: zanafilla e Krujës është e mistershme. Por themeluesit duhej të kenë qenë estetë vetmitarë dhe merakun për të bukurën ua kanë përçuar edhe trashëgimtarëve të tyre: në hijen e një kështjelle arkaike, të fisnikëruar nga kujtimi i Skënderbeut, para një panorame bukurise të ashpër dhe hapësire krenare, jetojnë të ngujuar katërmijë kopshtarë me shije toskane, të dhënë me zjarr mbas kulturës së ullirit. Griargjendi i ullinjve e zbut ashpërsinë e peizazhit duke e ngjyrosur ëmbëlsisht, thuajse me zymti. Pak minuta prej kabareve të frëngjizuara të Tiranës, këtu papritmas gjen së rishti poezinë mashkullore dhe timbrin arkaik të më të vërtetës Shqipëri.
Por Kruja nuk është veçse një episod arkaik i syrgjynosur në mes modernitetit të Shqipërisë së mesme. Ajo nuk jeton, ajo ka mbetur gjallë në një skenar që ngjan gati artificial, aq shumë ndryshon për nga madhështia prej refrenit panoramor të kësaj zone që e ka zëvendësuar malin me kodër edhe e ka zbutur eshtërinë karsike të veriut në tarraca me profil të ëmbël që zbresin shkallë-shkallë. Majat e mprehta tani rrumbullakohen, ngritjet kas të shkëmbinjve shtrihen e shtrohen. Disa kilometra pa mbërritur në det, fusha nis së rishti, duke hyrë brenda nganjëherë edhe njëzetepesë ose tridhjetë kilometra.
Duke ndjekur pikërisht këtë fushë rruga zbret drejt jugut

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:21
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

SHQIPERIA E JUGUT

Dora-dorës që zbritet drejt jugut, fizionomia shqiptare shprishet nën ndikimin helen. Veriu vjen i prerë qartë në kufijtë e tij. Gjeografia i ka dhënë vendit një vijë Maginot prej muresh të mëdha bjeshkore, nën mbrurojën e të cilave raca, gjuha, doket janë ruajtur të pacenuara: dy popuj, shqiptari dhe sllavi, thellësisht të pangjashëm, të papajtueshëm, rrinë njëri përkëndej, tjetri përandej barrikadës. Dhe nëse kanë ndodhur dyndalla për të skajuar kufijtë, këto e kanë zënë fillin te përderdhja e shqiptarëve në troje serbe, jo anasjelltas: si në trevën e Kosovës, dhe paksa në gjithë brezin kufitar veri-verilindor. Por as këto dyndalla nuk kanë prodhuar shkrirje dhe përzierje gjaku. Pakicat shqiptare të truall serb kanë mbetur shqiptare. Kjo vjen nga temperamenti i dy popujve, nga një krenari e tyre racore e natyshme: serbë dhe malësorë i japin rëndësi çdonjëri qenies së vet, nuk janë të shkrishëm njëri te tjetri, nuk kolonizojnë njëri-tjetrin, nuk përthithin njëri-tjetrin. Të dyja botët mbeten të ndryshme dhe, në shumë raste, armiqësore.
E kundërta ndodh drejt jugut: tosku, më pak i qëndrueshëm si ndërgjegje raciale, ndodhet në takim, pa zgjidhje gjeografike vijimësie, me atë jargëtyrë të mirëfilltë shpërbërëse që është Geqia. Bota helene është përshkuese e asimiluese. Për nga shenjat gjithnjë më të dallueshme dhe më fort të mbresuara, Greqinë fillon ta nuhasësh nga Tirana e poshtë. E ndërkallur me gjuhën dhe kishën, ajo tërheq fuqishëm dhe – të vihet re – duke punuar së brendshmi: grekët e Shqipërisë nuk janë grekë që banojnë në Shqipëri, por shqiptarë që priren nga Greqia. Nga ana racore, ata janë shqiptarë. Shqiptarë nga ana racore janë dhe një pjesë e mirë e popullsive që banojnë Epirin, ndërsa kufiri gjeografik në përgjithësi është, edhe në jug edhe në juglindje, më në jug dhe më në juglindje se kufiri politik.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:23
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

***

Ky jug është më i evoluar dhe më pak i thukët. Dallimet e para që të bien në sy janë se njerëzit, nga Shkumbini e poshtë, nuk mbajnë xhamadanin e zi si përzitje për Skënderbeun, nuk vishen me pantallonat karakteristike me këmbë leshi të bardha e shoka të zes dhe nuk janë të armatosur. Gega, gjithnjë në rrezik të gjakmarrjes, heq dorë prej këpucëve, por jo prej pushkës së tij; tosku, njeri i comfortit dhe i dhënë më fort mbas finokërisë se mbas dhunës, parapëlqen këpucët. Kanuni këtu nuk është në fuqi, sepse kanë rënë organizimi social dhe e drejta dokesore që e përligjin. Fisi nuk është i ngurtë e i rrasët, por zgjerohet në trajtë klientele, në të cilën marrëdhëniet e punëve tregtore zotërojnë mbi ato të gjakut. Zë fill kështu latifondi. Këto fise quhen farë dhe në to përzihen të krishterë e muslimanë. Një shoqërueshmëri më e gjerë, porse një mikpritje më pak aristokratike, i dallon, si dhe një shpirt tregtar që i qëndron përkundër shpirtit kalorësiak të veriut.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:25
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

***

Brezi bregdetar në fillim nuk ndyshon kushedi çfarë prej atij veriorit. Nga ana panoramike të dyja peizazhet janë thuajse të njëjta: janë thesaret lënë djerrë dhe vdekjeprurëse të Shqipërisë. Është një fushë e pabesë: të josh me pjellorinë e saj dhe të vret me ethet e saj. Kush vjen këtu, shndërrohet në takim me këtë tokë të begatë e tradhtare. Në veri blegtorët luftëtarë të rënë nga malet janë bërë aty katundarë paqësorë; kanë humbur në fuqi fizike dhe kanë fituar në mendjemprehtësi. Ky shtegtim i mundimshëm filloi pikërisht në veri, aty nga mesi i shekullit të kaluar, me një mërgatë disa fisesh të Kelmendit dhe të Shkrelit drejt grykëderdhjeve të Matit. Qe një orvatje e druajtur që, e pambështetur prej një qeverie, u ndal aty. Por ata pionierë, d.m.th. ata prej atyre pionierëve që ia dolën t’u mbijetonin rreziqeve të malarjes, përbëjnë proletariatin më të pasur ose, në daçi, më të varfër të Shqipërisë. Veprimtaria e tyre për të shpëtuar tokën nga moçali është e kufizuar në hapësirë dhe fillestare për nga mënyrat e përdoruara. Por, me sakrifica të pandërprera, rezultate u mbërritën, rezultate që provojnë dy të vërteta: njëri, se toka është e bonifikueshme; tjetri, se shqiptarët mund të bëhen bujq mjaft të mirë.
Afërmendsh, përderisa do t’u lihet në dorë fiseve, përfundime të mëdha nuk kanë për t’u mbërritur: fisi është një organizëm veçantor dhe egoist, punon në emër dhe në kufijtë e interesave të vet, jo në emrin e përgjithshëm të kombit, dhe me forcat e veta, që janë gjithnjë të kufizuara. Së këndejmi mungesa e rrugëve mes një qendre të banuar dhe një tjetre. Së këndejmi shtegtimi stinor, shtegtimi karakteristik dhe piktoresk: si vërshimi i një përroi zoologjik prej maleve në det dhe ngjitja së rishti prej detit në male.
Këtu, në jug, ndeshen fshatra të pabanuar për gjashtë muaj të vitit, nekropole të heshtura vendosur shkallë-shkallë përgjatë bregut nga Buna në Vjosë, si kthina të mbyllura, çdonjëra me lumin e vet në mes dhe me gjirin e vet në trajtë gjysmëhëne prej dherishteje të sfungjertë ku pykëzohet deti: Labeatida e Drinit, Bregmatja e Matit, Ruskolli i Erzenit, Myzeqeja mes Shkumbinit, Semanit dhe Vjosës.
Kjo e fundit është e pamatë, e gjatë gjashtëdhjetë dhe e gjerë deri në pesëdhjetë kilometra, e shtrirë sa të ha syri rrëzë Tomorit legjendear, Olimpit shqiptar. Ka qenë një nga hambarët e Romës, një nga më të rëndësishmit, i caktuar për të nozualluar ushtritë që vepronin në Ilirik. E hapur si erashkë mes Durrësi dhe Vlore, ajo mund të gëzonte nesër, e bonifikuar, një gjendje të privilegjuar për tregtinë e saj jo vetëm në grurë, por edhe në oriz, kërp, pambuk, li. Braktisja e kësaj zone ka qenë, mes të shumtave, më kriminalja e moskujdesive osmane. Pamja që tani ofron kjo fushë e pamatë është e trishtueshme: e plogët, e njëtrajtshme, me stome të ulëta, e zhveshur bimësie, e tortuaruar nga shirat, e sfungjertë, në hjekë e sipër. Njerëzit që banojnë aty, të shkurajuar nga malarja e nga moçali, fizikisht të rrezikuar, nuk nxjerrin soje, nga pikëpamja bujqësore, pos se të njëmijtën e çfarë do të mund të nxirrej. Prona e madhe e tokës sundon sovrane; vetëm në pjesën më jugore një grup aroman argatësh, më veprimtar e më sipërmarrës, ia ka dalë t’ua shkëpusë ndonjë copë toke pronarëve të mëdhenj edhe të ngrejë aty bërthamat e para të një çifliku të vogël me mbarështim të drejtpërdrejtë që përbëjnë modelin që do të duhet të ndjekë pashmangësisht reforma e domosdoshme agrare. Por kushtet e punëtorëve që nuk kanë mundur të evoluojnë në këtë nivel mbeten të mjera; do banesa më mjerane se tukulë abisinas, kasolle balte të hapërdara e të veçuara njëra nga tjetra prej rërnash të lëvizshme shkretëtire. Dhe, mbi këtë pikëllim, pikëllimi i një qielli të ulët e me shira që mbruan tokën për ta përgatitur më mirë për tharmëtimin e mjazmave.
Gjatë përshkimit nga veriu në jug të kësaj ikjeje të rrafshtë fushash nuk gjen qytet, përpos Fierit, që tekefundit nuk është qytet, por vetëm një fshat më i evoluar për shkak të nyjës rrugore të cilës i ka hipur kaluarthi. Në Fier në të vërtetë rruga e karrocave bigëzohet: nga e majta shkohet në Berat, nga e djathta shkohet në Vlorë.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:27
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

***

Berati është një imitim i bardhë Betleemii.
I parë së largti, të duket qytet kartoni, si do të mund ta ndërtonte një Walt Disney që të kishte zëvendësuar gjeometrinë me poezinë. Shtëpitë, të gjitha të bardha me grila të gjelbra (ndikimi grek fillon), vijnë njëra mbi tjetrën, në garë se cila të mbërrijë më parë majë një shkëmbi të tharë që rryma e fuqishme e Osumit e ka çarë më dysh. Të shfaqet papritmas, ndërsa vjen nga Fieri, në kthesën e rrugës, aty ku rrafshultës së Myzeqesë i ziret fryma në hinkën e kësaj gryke që i pllakos përsipër për ta prerë drejtazi si gijotinë. Një Urë e Vjetër pa Cellininii bashkon dy lagjet e qytetit të ulët. Por mandej vjen qyteti i lartë, i shkëputur, i huaj, një ballkon dalë përkundrejt Tomorit, Antelaoiii shqiptar: një muze i gjallë ngujuar mes shpinave të pabarabarta të majës shkëmbore, me një kështjellë, doemos, për shul. Kur ke përshkuar harkun e kësaj kështjelle, ke humbur papritmas, në mënyrë të vetvetishme, pesë shekuj historie edhe çapitesh në mes të shekullit XV, por një shekull XV i stilizuar, paksa murgor, i shndërruar në kuintesencë, gjithë i Krishtit e i popit, me kisha të vogla ortodokse të ngjashme me shtëpi të vogla, si dhe me shtëpi të vogla të ngjashme edhe ato me kisha të vogla ortodokse, të cilat janë tridhjetedy, një për thuajse çdo familje.
Nuk di si ndodh, ngase ekonomikisht kjo mbetje e shekullit XV nuk duket të jetë shumë aktive, porse gjithçka aty ka një pamje fisnike dhe të dëlirer, prej qendre të vogël aristokratike provincie, të përkorë por jo të varfër, dhe me një stil të stërholluar: rrugët e parehatshme dhe të pastra, një heshtje e madhe, mjediset e brendshme të mbajtura dritë; besimtaret veshur në të zeza; vajzat veshur në të zeza si besimtaret dhe pakëz si besimtare edhe ato vetë qysh pesëmbëdhjetë vjeçe. Burra nuk të zë syri: duhet të kenë rënë të gjithë në qytet për të bërë treg; të paktëve të mbetur aty u duhet të punojnë nëpër kthinat e tyre të zhveshura e të pastra punime të imta gdhendjeje dhe argjendarie. Fshatar nuk duhet të jetë askush, dhe as blegtor. Ma thotë mendja se do paragjykime kaste duhet t’i dënojnë këto zanate.
Kreu i kësaj San Marinoje shqiptare, që përbën një botë më vete, nuk është as një kryebashkiak, as një prefekt: është Metropoliti, një zotëri fort i shquar dhe mikpritës, me mjekër të madhe verdhane dhe me një xhybe të madhe të zezë, me sy të kaltër me fuqi hipnotike: një Rasputin pa vese, i qarkuar e i mbrojtur nga përnderimi i përgjithshëm> Një defensor fideiiv, i fides ortodokse, sikurse ka qenë gjithmonë, për mision shekullor historik, Metropoliti i Beratit.
Sepse beratasi bën vetëm dy gjëra në jetën e tij tokësore: punon dhe lutet. Lutet që të mund vijojë të punojë edhe në jetën e tij qiellore.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:29
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

***

Në skajin tjetër të Myzeqesë, atë jugorin, ndodhet Vlora, kryeqytet i një treve që, në një Shqipëri të shëndoshur, kishte për të qenë nga më pjelloret, e pasur në ullinj dhe gjë të gjallë. Por, edhe pa realizimin e këtij kushti e, ndonëse i torturuar siç është nga malarja, qyteti është i lulëzuar, ngase porti i siguron trafiqe dhe shkëmbime të bollshme.
Deri më 1914 infrastruktura e saj qytetëse ishte në pikë të hallit: turqit, edhe duke e përfillur këtë si zonën më të pasur të perandorisë së tyre europiane, e lanë dalngadalë t’i bjereshin shkëlqimet e lashta që pati mbërritur në kohën e Kryqëzatave. Të parën frymë jete së re e pruri trupa e pushtimit italian, që e qëroi qytetin me kuptimin e plotë të fjalës edhe ia nisi nga e para: me një plan rregullues, shëmbjen e lagjurinave antihigjienike, një thertore, një spital, ujët e pijshëm, kanalizimin. Mendohej madje të çrrënjosej gjithçka, si të paskësh qenë një barrakë e madhe dërrase, edhe të shpihej paksa më në jug, përreth portit, ku nuk ka malarje.
Sot Vlora numëron rreth dhjetëmijë banorë, dy të tretat muslimanë, një e treta të krishterë. Është qytet tregtar dhe modern, që modernizmit politik të shndërruar në një program pavarësie ia doli në krye në vëngjille të luftës së madhe, falë sidomos familjes Vlora, një familje së cilës në mbarë Shqipërinë nuk i gjendet shoqja për atdhetarķ të paepur dhe për kompromis të zgjuar mes besnikërisë ndaj traditave e virtyteve kombëtare dhe një shijeje të zgjedhur me shtampë perëndimore. Shtëpia e tyre është një muze i shkëlqyer: kam kaluar aty orët më të këndshme të qëndrimit të tim në Shqipëri dhe kam dëgjuar aty gjërat më të zgjuara mbi çështjet shqiptare.
Monumente për t’u admiruar, përpos do kujtimesh të pushtimeve të kaluara venedikase dhe normane, aty nuk ka; por rrethinat ia vlejnë të vizitohen: tarraca të çelura mbi një Adriatik pazakonshmërisht të gjelbër, të ngërthyer në gjirin e detit si smerald në unazë; kalaja e lashtë e Kaninës, Krioneroja, maja e malit të Llogarasë. Mandej Buranoja e Vlorësv, ujdhesa e vogël e Nartës, një oaz pylli të gjelbër të errët mbi të gjelbrën e çelët të lagunës.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:32
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

***

Nga Vlora, për kë të doje që të kthejë drejt jugut nga ana e detit, fillon Akrokeraunia, një buzë e thatë dhe e dalë jashtë, si buza e një Danteje, që mbyll lagunën dhe mandej rrëzohet në jug duke hyrë së rishti brenda: e shogët, e gurtë, spektrore, pa porte. Lypset lundruar dyzet kilometra para se të ndeshësh Himarën, një Siqeli gadishullore, me bimësi të harlisur, madhështore, të ngjyrshme, të larmishme në profile kodrinore. Mbas një ndalese në Porto Palermo vijohet rruga dhe, si bën edhe dyzet kilometra të tjerë lundrimi, ja se ku mbërrin në Sarandë dhe, mbas Gjirokastrës, në Butrint, që është muzeu arkeologjik shqiptar.
Jemi në polin tjetër skajor të Shqipërisë dhe kjo shihet: shtëpiza të bardha e vogëlcake, turma të vogla zejtarësh dhe tregtarësh, qendra qytetëse me shqetësime të çuditshme intelektuale. Gjirokastra është një qytet mikroborgjez i përngjitur mbas amfiteatrit të një kodrine: është një qytet klasik dhe “i dalluar”. Po thosha për ndikimin grek, por ka edhe një ndikim tjetër që në gjithë këtë zonë, deri në Korçë, ndihet qartë dhe në mënyrë të dobishme: ndikimi aroman, d.m.th. latin, me dhantitë e tij për ekuilibër, për dashurinë metodike për punë, për lidhje mbas tokës, që kundërbilancojnë prirjet shpërbërëse qendërikëse spekulative të grekërve. Është një element, ky aromani, përgjithësisht i shpërfilluar prej jetëshkruesve të Shqipërisë, por mbi të cilin Baldacci me të drejtë ka tërhequr vëmendjen në atë libër të tijin klasik – L’Albania – që mbetet më i ploti dhe më objektivi mes të gjithëve që, në cilëndo gjuhë, janë shkruar mbi Shqipërinë.
Këtu në Shqipëri këta aromanë janë një pakicë, një pakicë e qetë punëdashëse prej njëzet e pesë ose tridhjetë mijë vetësh që marrin pjesë plotësisht në jetën e vendit. Por kjo pakicë nuk është veçse cungu i prerë i një njësie etnike prej tetëqind mijë frymësh që në Pind dhe zona përreth përbëjnë një bërthamë të ngjeshur ndaj së cilës më të kotë ka vjellë vrer përpjekja për shkombëtarizim e Greqisë me sisteme për të cilët është më e udhës të heshtësh. Janë popullsitë aromane, mbetja e Vllahisë së Madhe, të pastra nga ana racore, nga ana kulturore dhjetë pëllëmbë mbi gjakpërzierët që i rrethojnë. Iu kundërvunë përdhunës turke dhe, duke derdhur gjak, mbetën të pavarur. Popullisi aromane, domethënë romane, dhe pra me sensin e së Drejtës dhe të Shetit të rrënjosur në ndërgjegjet, me dashuri kryengjeshur për tokën dhe për punën. Që janë dhe që e ndiejnë veten romanë e shprehën ata vetë më 1917 në shpalljen me të cilën pritën ushtarët italianë që pushtuan zonën dhe e përforcuan me një thirrje Marrëveshjes: “Ne, të bashkuar sot në miting solemn, shpallim lart vullnetin tonë të patjetërsueshëm për të jetuar në institucione të lira nën egjidën dhe mbrojtjen e Nënës së Madhe Itali, përhapëse e aspiratave të bijve të Romës”. Marrëveshja nuk ia vuri veshinvi.
Sot këta romanë jetojnë të hapërndarë, por është një hapërndarje vetëm gjeografike dhe e jashtme. Në të vërtetë, ata mbeten të bashkuar dhe thellësisht të lidhur mbas gjuhës së tyre dhe dokeve të tyre. Prej së gjithësh, të paktët që jetojnë në Shqipëri kanë qenë më fatlumët: kanë, në të vërtetë, katër shkolla dhe shtatë kisha, posaçërisht për ta. Kështu nuk është pa gjasë që, me kalimin e kohës dhe me përmirësimin e kushteve bujqësore të Shqipërisë, të nisin e të konvergojnë mbi të ardhje aromane nga Epiri, nga Maqedonia, nga Jugosllavia. Sepse nga gjithë Ballkani shqiptarët janë, pa asnjë dyshim, më të afërtit ndaj kësaj bote latine dhe më njerëzorët.
Këtë solidarësi dhe simpati, jo program politik por instinkt, e kuptova gjatë një qëndrimi të shkurtër në Korçë, qyteti më i ekuilibruar, më i kulturuar dhe më i stërholluar i vendit. I gjithi ky është përfundimi i një shkrirjeje mes elementit vendës dhe atij latin. Është e gjitha kjo një nxitje për forcimin e lidhjeve mes dy racave.
E çuditshme: qyteti më lindor i Shqipërisë është, në të njëjtën kohë, edhe më perëndimori. Punohet në Korçë, bëhet industri, studiohet dhe lexohet. Edhe më e çduditshme: jo në të gjitha shkollat shtetërore të Korçës studohet në gjuhën shtetërore. Në asnjë prej endjeve të mia nëpër botë nuk më ka ndodhur kurrë të gjej një qeveri që me aq lehtësi të heqë dorë nga e drejta dhe detyra për të imponuar, në shkollat që ajo paguan me paratë e popullit të saj, përdorimin e gjuhës së popullit të saj.
Të njëzetepesëmijë banorët e Korçës janë njëzetepesëmijë borgjezë dhe e kanë bërë qytetin e tyre një Milano të vockël të Shqipërisë jugore. Rrugët se saj të pastra, shtëpitë e saj të përkujdesura dëshmojnë për organizim qytetar; prodhimi artizanal i qilimave dhe fabrika e saj e madhe e birrës dëshmojnë për organizim ekonomik. Ndërsa fusha përreth, e përkujdesur gjithë zell, e krehur me dashuri, vërtetojnë lidhjen e popullit mbas tokës së tij. Të thahen më në fund kënetat e Maliqit edhe do të ngrihet këtu një hambar, sepse rrafshnalta është me klimë të ëmbël dhe brumi i njerëzve është prej cilësie të mirë.
Këtu në këtë qytet mbaroi udhëtimi im rrethepërqarkor shqiptar. Si pikë mbërritjeje, për ta ruajtur gojën t’ëmbël, nuk mund ta zgjidhja më të mirë.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:35
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
~Enigme~
Simplexity

Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073

4. Histori dhe politikė e Shqipėrisė

Shqipëria është një vënd i ndarë kthina-kthina dhe ky realitet nuk ndihet vetëm në rrafshin gjeografik, por edhe në atë historik. Të gjithë popujt, edhe më të sprovuarit e më të bashkuarit, kanë pasur shumë histori para se të kenë një të vetme, por për Shqipërinë periudha e inkubimit mesjetar, copëzimi politik, pluhurizimi kantonal kanë vijuar përtej caqeve normale europiane, duke vepruar dhe kundërvepruar mbi kthinorizmin1 e imponuar nga gjeografia. Është një vrojtim fillestar ky, thuajse banal, por shërben si guri çelës në të kuptuarit e vendit, të zhvillimit të tij, të vetë politikës së tij të sotme. Të përpiqemi t’i përmbledhim në sintezë etapat e ngritjes së tij deri në bashkimin dhe në pavarësinë.

__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 02 Maj 2007 15:37
~Enigme~ nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė ~Enigme~ Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me ~Enigme~ (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė ~Enigme~'t! Kėrko mesazhe tė tjera nga: ~Enigme~ Shto ~Enigme~ nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto ~Enigme~ nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 06:08 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Gjithsej 4 faqe: « 1 [2] 3 4 »   Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Shkrimtare te huaj > "Shqipėria njė dhe njėmijė." Indro Montanelli

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.