Niqua
Veteran ne forum
Regjistruar: 24/09/2003
Vendbanimi: Fajtori chat
Mesazhe: 6938
|
Historiku i bibliotekave të Shkodrës
Alma Mile
Tradita e bibliotekave në Shkodër është shumë e hershme, madje fillesat e saj shkojnë qysh prej periudhës ilire. Një shqiptaro-kroat i njohur me emër Aleksandër Stipçeviç, në Historinë e librit shënon se në Iliri ka pasur 72 biblioteka dhe disa syresh kanë qenë edhe në Shkodër. Nga ana tjetër, në veprën e Marin Barletit, Rrethimi i Shkodrës thuhet se ka pasur anale të shkruara në gjuhën e popullit. Sipas të dhënave të Farlatit në Illyricum Sacrum, qendra të rëndësishme të administratës e kulturës me arkiva e biblioteka të famshme kanë qenë arqipeshkëvitë e Durrësit, Tivarit, Shkodrës e Shkupit. Madje në Shkodra njihet edhe si bërthama e parë e bibliotekave publike në Shqipëri. Në vitin 1917, u hap e para bibliotekë shtetërore e quajtur Biblioteka e Komisisë letrare, që u drejtua nga shkrimtari dhe publicisti Hil Mosi, që luajti një rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të bibliotekave, pasi ai për herë të parë futi konceptin e kopjes së detyruar. Disa vite më vonë, kur u krijua shteti shqiptar, banorët e Shkodrës ia falën këtë bibliotekë Tiranës dhe në 28 nëntor 1922 u krijua Biblioteka Kombëtare me një fond prej 6 mijë librash. Sipas rendit kronologjik bibliotekat e Shkodrës i përkasin viteve: 1683, Biblioteka Bogdani, 1750 Biblioteka e Myftiut të Tabakëve apo Këllyçit, e cila fatkeqësisht nuk ekziston më, sepse u dogj. Ka qenë shumë e pasur me dorëshkrime në gjuhën orientale dhe ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve të huaj, 1834 biblioteka e Vakëfit, në 1858 biblioteka e Etërve Jezuitë, 1875 Biblioteka e Françeskanëve, 1899 e Shoqërisë Bashkimi, 1901 e Shoqërisë Agimi, 1911 e Klubit Gjuha jonë, në vitin 1917 e Komisisë letrare, 1919 e Shoqërisë Vllaznia. Duhet theksuar që në këto biblioteka kanë shërbyer albanologë nga më të shquarit, si Hil Mosi, Zef Valentini, i cili edhe pse ka qenë italian, e ka quajtue veten gjithnjë shqiptar, apo Gjergj Fishta, Hamdi Bushati, Kolë Kamzi, etj.
Por Shkodra njihet edhe si qyteti i shtypshkronjave të para. Thuhet që njëfarë Shtjefni nga Shkodra pruri nga Venediku dhe ngriti një shtypshkronjë dhe në vitin 1563 shtypi një libër kishtar. Duhet përmendur më pas shtypshkronja e Jezuitëve në vitin 1871, ku sipas studiuesit e gjuhëtarit Hamdi Bushati, në këtë shtypshkronjë, që nga viti 1871 e deri në 1938 janë shtypur 411 tituj. Pas kësaj u hapën edhe të tjera si At Gjergj Fishta, apo e Françeskanëve. Kjo traditë në fushën e bibliotekave dhe të shtypshkronjave bëri që në Shkodër të dalin dhe gazetat e para zyrtare. Shkodra, quhej organi zyrtar i vilajetit të Shkodrës, për të vazhduar me të tjera gazeta jozyrtare si Ylqija e zemrës së Krishtit, apo me revistat më të njohura për kohën Hylli i dritës dhe Leka, si dhe revista të tjera fetare, mes të cilave dhe Kultura islame
23/04/2006
Shkodra në librat antikuarë
Alma Mile
Për herë të parë, në ambientet e bibliotekës së Shkodrës ekspozohen ekzemplarë të rrallë që i përkasin shekujve XV, vepra të Bogdanit, Barletit, deri tek dorëshkrimet origjinale të Gjergj Fishtës
Mes atyre letrave të zverdhura prej kohëve, zuri fill shqipja e shkruar e më vonë epopetë e mëdha të letërisë. Aty janë ekzemplarë të rrallë, që renditen ndër botimet e para në Evropë, që datojnë në shek. XV, vepra kushtuar Skënderbeut, përpjekjet e Pjetër Bogdanit për shqipen e shkruar, dialekte të gegënishtes, shkrimi origjinal i Gjergj Fishës, At Shtjefën Gjeçovit
. Një pasuri e tërë, e cila për herë të parë ekspozohet për publikun, në ambientet e Bibliotekës Publike Marin Barleti në Shkodër. Në kuadrin e Ditës Botërore të Librit, me nismën Fondacionit Pro Helvecia, dhe projektit të tij Qytetet Krijuese, që në Shkodër përfaqësohet nga poetja Ledia Dushi, Bashkisë dhe Bibliotekës, në qytetin verior u organizua një aktivitet 3-ditor. Dita e parë u quajt Dita e fondeve të hapura. Ne jemi bibliotekë tradicionale që punojmë me fonde të mbyllura ndryshe nga bibliotekat e botës dhe lexuesi komunikon me librin vetëm përmes skedarëve. Për të krijuar një imazh të ri të bibliotekës, gjatë kësaj dite fondet u vizituan nga nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe atij të mesëm, me qëllim që ata të afrohen me librin dhe të dinë çfarë fondesh ka biblioteka e si punohet në të, -thotë drejtori i Bibliotekës Gjovalin Çuni. Dita e dytë u quajt Dita e Antikuariatit dhe e treta Dita e botimeve bashkëkohore, gjatë së cilës shtëpi të ndryshme botuese si Camaj-Pipa, Ars, Shtjefni, Phoenix Shkodra, Elena Kadare, Botime françeskane, etj. ekspozojnë botimet e tyre. E keqja është që ne kemi mbetur në stadin që Shkodra ka qenë dhe gjithnjë i referohemi viteve më parë, por e rëndësishme është të tregojmë që Shkodra është. Andaj krahas ditës së antikuariatit ne zhvillojmë dhe atë të botimeve bashkëkohore, që shpalosen vlerat që prodhohen sot. Kjo shoqërohet edhe me një tryezë të rrumbullaktë ku marrin pjesë njerëz të letrave, shkrimtarë, botues, studiues, - vazhdon Çuni. Por sigurisht një nga momentet më interesante ishte ekspozimi për herë të parë i disa ekzemplarëve të rrallë, që prej vitesh ruhen në fondet e Marin Barletit. Bëhet fjalë për libra të njohur nga lexuesi, por që ai nuk ka pasur kurrë mundësi ti shohë. Kështu në stendat e veshura në letër-kadife të kuqe, nën efektin e dritave u ekspozuan dy Inkunabula, që sipas drejtorit Çuni quhen ndryshe edhe djepi i librave, pasi përbëjnë botimet e para që me shpikjen e shtypshkronjës së Gutenbergut, deri në vitin 1500. Janë ekzemplare të rralla në të gjithë botën, me përmbajtje fetare dhe kanë si karakteristikë përdorimin e miniaturave. Për të vazhduar me librin e Marin Barletit Historia e Skënderbeut e vitit 1578 i shtypur në Frankfurt, disa produkte të vilajetit të Shkodrës dhe Kosovës, fjalorë një dhe dygjuhësh, si turqisht, latinisht, italisht, anglisht-frengjisht, anglisht-turqisht, etj. Gjithashtu u ekspozuan për 24 orë disa dorëshkrime me vlerë të autorëve shkodranë, si veprat e Justin Rrotës, dorëshkrimet origjinale të disa këngëve të Lahutës së Malcisë të Gjergj Fishtës, disa letra të Dora DIstrias, drejtuar personaliteteve të ndryshme në Shkodër, dorëshkrime origjinale të At Shtjefën Gjeçovit mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, si dhe disa vjersha të një autori italian, që ka jetuar në Shkodër G. Giovani, që i përkasin vitit 1864 dhe ka shkruar me një shkodranishte të vjetër e bazuar në gërmat latine, si dhe disa dorëshkrime të padeshifruara të shkruara po në shkodranishten e vjetër, një nga dialektet e gegërishtes, që ka për bazë gërmat latine. Por këto janë vetëm disa nga veprat-antikuare që ruhen në fondin e bibliotekës së Shkodrës, e cila numëron 2 mijë syresh. Duke qenë se përmbajtja e tyre është kryesisht fetare, është mëse e qartë edhe prejardhja, apo historia e mbërritjes së tyre në fondet e bibliotekës. Ndoshta përmes një procesi jo fort të bukur. Pas mbylljes së enteve fetare në vitin 1946, doli një ligj sipas së cilit një pjesë e pasurisë së tyre është shtetëzuar dhe pjesa më e çmuar është vendosur në bibliotekën e qytetit. Sipas drejtorit Gjovalin Çuni ato i takojnë Jezuitëve, vëllazërive Françeskane, apo komunitetit islam. Tashmë prej plot 60 vjetësh ato ruhen në raftet e Marin Barletit dhe sipas punonjësve të bibliotekës vetëm pak njerëz, që i përkasin fushës së gjuhësisë, apo etnografisë, kanë mundur ti shfletojnë, për të zbuluar diçka mes faqeve të zverdhura, gërmave latine, apo orientale.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|