AngelDevil
Shejtone
Regjistruar: 02/05/2009
Vendbanimi:
Mesazhe: 14611
|
100 vjet pavarėsi apo 100 vjet vetmi?
Është ofendues pompoziteti me të cilin festohet 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë. Paradoksal gjithashtu. Të vetmit që kanë të drejtën për të festuar, janë ata që nuk e kanë mundësinë. Nga ana tjetër, ata që e gjejnë mundësinë duke boshatisur xhepat e qytetarëve, do të duhej ti vinin fre delirit të pakuptimtë dhe të reflektonin.
Dilema e madhe që kam është kjo: 100 vjet pavarësi, apo 100 vjet vetmi?
Aspak si njohës i thellë i historisë, por si një i ri që i ndjek me interes (dhe dhimbje) fatet e këtij vendi, më duket se mënyra se si po e trajtojmë këtë ngjarje jubile është sipërfaqësore, hipokrite dhe e dëmshme. Historia jonë 100 vjeçare është një eksod i gjatë dhe i mundimtë; një kalvar i pafundmë vuajtjesh. Që nis me një shtet të brishtë, i cili ndërsa ishte vetëm një foshnje e pambrojtur 1-vjeçare, sheh ti copëtohen trojet e veta një nga një. Ky shtet e arrin adoleshencën e vet duke ndriçuar një dritë premtuese demokracie nën drejtimin e priftit erudit Fan Noli. Por e gjithë kjo zgjat vetëm sa një impuls. Nën një mbretëri që i tradhtoi, e pastaj përmes injorancës, varfërisë së tejskajshme, nën shkatërrimin e Luftës së II Botërore, e përgjatë komunizmit më të tmerrshëm që ka njohur bota, shqiptarët, përpos gjithçkaje, dëshmuan se dinë të vuajnë gjer në amshim e të ëndërrojnë gjer në pamundësi.
Shqiptarët i pritën fillimet e demokracisë siç udhëtari i lodhur e uritur i mesnatës pret agimin. Por edhe të rinj si unë, që janë bashkëmoshatarë me demokracinë e këtij vendi, e kuptojnë qartë se i ashtuquajturi tranzicion është vetëm një zgjatim i eksodit tonë të pambarimtë. Jo drejt 100 viteve pavarësi, por drejt 100 viteve vetmi; të braktisur e dhunuar nga shteti ynë. Simbolika më e mirë e kësaj është pikërisht mënyra se si e festojmë këtë ngjarje. Miliarda lekë të harxhuara për të bërë show e për të hedhur në qiellin e zi të mundimeve fishekzjarre që bëjnë zhurmë, por nuk bëjnë dritë. Kur në fakt, ajo për të cilën kemi nevojë është që të ndriçohemi nga pishtari i historisë sonë 100-vjeçare, për të mos qenë të predestinuar të përsërisim gabimet e historisë, meqenëse kurrë nuk mësuam prej saj.
A nuk jemi të vetëm në këtë 100 vjetor? Përballë një shteti që vetëm emrin ka të tillë e që na vjedh e keqtrajton çdo ditë. A nuk janë të vetëm studentët në tregun që nuk ka punë, me diploma papunësie në duar? A nuk janë lënë në harresë pensionistët, me pensione qesharake, ku për çdo ditë duhet të zgjedhin nëse do blejnë bukë apo ilaçe? A nuk jemi të pambrojtur përballë kriminalitetit që rritet ditë pas dite? A nuk janë të përhumbur fshatrat e këtij vendi, të lënë në mëshirën e fatit dhe në zemërgurësinë e pushtetarëve? Kush i mban mend ende minatorët, harruar thellësive të minierave, duke nxjerrë pasuri për pushtetin e mjerim për veten e tyre? A flet kush për invalidët? Po shtresave në nevojë, kush ua qan hallin? Po për jetimët e gratë e veja, për lypësit, cili po kujdeset? Cili po ia zhvat shpresën të rinjve? Po qetësinë të moshuarve? Po rrogën punëtorëve? Po kujdesin nevojtarëve? Po të ardhmen, shqiptarëve?
Gjithnjë e më shumë bindem se këto 100 Vjet Pavarësi janë 100 Vjet Vetmi.
Thonë që vetmia shoqërohet me një kohë reflektimi. Nuk kam shpresë se qeveria do ta bëjë këtë. Por, mund ta bëjmë ne, si një komb i farkëtuar mes mjerimit. Për shkak të dhimbjeve të djeshme, në emër të një të nesërme më të mirë.
Kjo vjeshtë e bujshme e hipokrite festimesh nuk e fsheh aspak dimrin që po na kanoset më i acartë së kurrë; dimrin e vetmisë se madhe, që mund të zgjasë edhe 1000 vjet të tjerë, nëse ne, të gjithë bashkë, nuk sjellim pranverën e shpresës.
100 Vjet në historinë e një kombi janë pak. 100 Vjet në jetën e një njeriu janë tmerrësisht shumë. Ndaj, ndërsa ecim në këtë eksod të mundimtë, e presim për një Moisi që të na drejtojë në Tokën e Premtuar, duhet që të mos harrojmë të ecim.
E.Plaku
__________________
.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|