mobidik
Anetar i regjistruar
Regjistruar: 31/12/2005
Vendbanimi: in this word
Mesazhe: 44
|
Ndėr ēmimet e dhėna nga Akademia Kult
Në këtë vëllim, që po botohet mbas vdekjes
së dijetarit, përmblidhen disa nga punimet
e tij të fushave të kulturës kishtare, posaçërisht
të traditës bizantine dhe mbasbizantine në
Shqipëri. Të shkruara në periudha të ndryshme
të jetës së autorit, këto punime janë përzgjedhur
nga botimet e tij të hershme ose të pjesëshme,
nga dorëshkrimet e lëna pa botuar, nga bashkëpunimet
me Institutin e Studimeve Shqiptare,
mandej me Institutin e Shkencave, më mbas me
Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, me Fakultetin
e Historisë e të Filologjisë etj. Ato përfaqësojnë,
sikurse shpresojnë përgatitës e botues,
pjesën më substanciale të kërkimeve shkencore
të Dhimitër Bedulit dhe, njëherësh, atë më pak të
njohur të bashkëndihmës së tij në kulturën tonë...
Jeta e tij e dytë do të niste në shkurtin e
1991- shit, kur do të shfaqej, së toku me bashkënismëtarët
e tjerë, në rihapjen e kishës katedrale
të Ungjillëzimit, në Tiranë, në datën historike
31 mars, gjatë së cilës do të mbante fjalën e hapjes.
Vetëm pak muaj më vonë, mbrëmanet, i kthyer
në shtëpi nga mesha solemne për pritjen e
Eksarkut, çdo të përthërriste në shënimet e veta:
O Iriné [Banushi], O Theofan [Popa]! Sot qava.
Ëndrrën tonë që, kur të hapej Kisha, ta hapnim
duke kënduar Krishti u ngjall, e plotësoi
sot Eksarku, i ndriçuar prej Zotit... Dhe unë qava
nga gëzimi, duke iu kujtuar juve, O shpirtëra të
ndritur, O Irené, O Theofan! Ëndrra jonë u plotësua.
E kisha si peshë në shpirt. Tani u lehtësova.
Në Konferencën e Parë të Kishës Ortodokse
Autoqefale të Shqipërisë, më 1992, do të
zgjidhej anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të saj,
ndërsa më 1993 Sekretar i Përgjithshëm i atij
Këshilli. Rihapja e Seminarit do ta kthente, ashtu
si gati 50 vjet të shkuar, në pupitrin e pedagogut.
Do të ishin, për teologun tanimë të rënduar sëmundjesh,
vite të ethshme të një veprimtarie me
intensitet të pabesueshëm për moshën e tij.
Befasues do të ishte edhe për mua, ndoshta
një ndër dhjetëra ose qindra të tjerë të kaluar
nëpër ateizmin zyrtar, identifikimi i tij. Ai ishte
trajtuesi i Himnit Akathist, të tillë siç e mbaja
mend nga vogëlia, kur mëma më merrte përdore
dhe venim në kishën tonë, dhe që lypsej kënduar
vetëm më këmbë. Ai do të më lidhej me
këngën O Zot, thirra, të përkthyer po prej tij
dhe së cilës në atë moshë mezi ia merrja vesh
fjalët e rralla, apo me Meshën e Shën Joan
Gojartit me tre zëra etj. Po ashtu edhe me
libërthin me titull të pakuptueshëm atëherë,
Engolpion i çdo orthodhoksi, për të cilin tani
do të mësoja që ishte gjithashtu vepër e Bedulit
të urtë, dhe që do të më kthente oreçast te kremtet
me kisha. Dhe ja ku ishte Beduli dijetar,
autor i studimit të Kodikut të Shën Prokopit
(Bashkësia ortodokse e Tiranës), që do të më
lëvizte tani çelësin magjik të kuptimit të dokeve
të pritjes e të përcjelljes, kur venim përdore gjithnjë
me mëmën te të vetët: në ditët e Emrit, në
Krishtlindjet, në Pashkët e Mëdha, në dasmat
me kurora që shpesh viheshin nëpër shtëpi, në
Rrëshajët e deri te të shtunat e të vdekurve
me grurë të zier, arra e rrush të thatë. Në kishën
katedrale të Ungjillëzimit, ku e pati ofruar veten
për 50 vjet si psalt i parë, tanimë të rihapur,
dijetari modest do të vijonte të psalte me zërin
e ëmbël rinor deri më 25 dhjetor 1995, për të
ndërruar jetë, i sëmurë rëndë, më 16 janar 1996.
Sot, kur mësova se Perëndia e mori pranë
Vetes, provova ndjesinë se u dogj një bibliotekë
e gjallë, thoshte në fjalën përkujtimore në
ceremoninë e përmortshme për të Kryepeshkopi
i Kishës Ortodokse Auotoqefale të Shqipërisë.
Duke pasur mundësi tanimë të njoh, me sa kam
mundur, punimet tij të fushave të ndryshme të
dijes, përkthimet e tij dhe, falë gatishmërisë së
të birit, z. Kristofor Beduli, edhe pjesë të dorëshkrimeve
të tij, të skedave, të shënimeve apo
të letërkëmbimit, si dhe vlera të rralla të bibliotekës
së tij, jam në gjendje ta pohoj përjetimin e
ndjesisë së djegies së asaj biblioteke të gjallë.
Tani, kur teologu i madh është lindur për së treti,
mund të themi: Një dijetar i mirë kaloi pranë
nesh... ndërsa ne nuk e ditëm.
Punimet e Dhimitër Bedulit që këtu po botohen,
posaçërisht ato që kanë të bëjnë me hulumtimin
e traditës bizantine e mbasbizantine në
Shqipëri, të monumenteve të saj, si kodikë, kisha,
manastire në vendin tonë etj., i përkasin
historisë së kulturës si shkencë humaniste par
excellence. Pa e kuptuar studimin e historisë
së kulturës si një perandori mandarinësh,
sikurse e quante Nikolla Jorga, që japin e marrin
mes tyre nga zyra në zyrë nëpërmjet zhargonit
të një esnafi të çinteresuar për nevojat e lexuesve
jashtë, prej të cilëve i ndan muri i madh,
Beduli i përket një shkolle studimore të përkundërt,
themeluar nga Jorga pikërisht në rastin e
studimeve bizantine: asaj të shembjes së murit
dhe prirjes për tiu afruar, më shumë se esnafit,
lexuesve për të cilët tradita është sa histori
e kaluar, aq edhe realitet ende sot e gjithë ditën.
Dijetarë si ai as nuk ndiejnë nevojën të duken
të modës, as nuk kanë frikë se mos ngjajnë
démodés. Mund të bëhet ky edhe shkak që një
studiues i këtillë, i parapëlqyer për tu mbuluar
me heshtje prej esnafit, ta ketë jetën e vet jo
aq mes tij, se sa në mesin e lexuesve të dashuruar
mbas historisë së kulturës së tyre.
Pavarësisht kalimit të viteve dhe dhjetëvjeçarëve,
pavarësisht të dhënave të reja dalë tanimë
në dritë, si dhe qortimeve, përsaktësimeve etj.,
që edhe punimeve të tij, si atyreve të çdo
dijetari, mund tu bëhen, pjesa më e mirë syresh
mbeten me vlerë të mirëfilltë referative. Jo aq
nxënës i Descartes-it në kërkimin shkencor, se
sa i Etërve të Kishës, Beduli hulumtues ngjan i
vetëdijshëm që lëviz brenda një historie, një tradite
kërkimore-shkencore, prej së cilës ka mjaft
për të nxënë. Te një nxënës i tillë sensi i vijimësisë
është thuajse kudo i ndjeshëm si kriter përçues
i një metodologjie jo thjesht- e- vetëm të
kërkimit shkencor, por edhe të veprimtarisë
intelektuale në përgjithësi. Të mos ngrihesh mbi
tematikat e trajtuara duke e mbajtur veten për
kulm të mendimit, por ta kuptosh veten dhe mendimin
tënd brendapërbrenda një tematike të
rrahur prej shumë të tjerësh para teje, qoftë për
të vlerësuar vijimësinë, qoftë për të vënë në pah
dallimet: ky është një nga mësimet intelektuale
që mund të nxirret prej modelit kërkimor- shkencor
të Bedulit. Kjo, me sa duket, ia jep edhe
stilit të tij tonin e qetë të të argumentuarit, thuajse
asnjëherë të shenjuar ideologjikisht. Ndoshta
edhe kjo nevojë - e ruajtjes së parimit të vijimësisë
në kërkimin shkencor dhe e mospërdhunimit
të këtij parimi - qe një nga shkaset e përgatitjes
së përmbledhjes Kishë dhe kulturë.
Çfarë të shpresohet, më në fund, me këtë
botim të saj? Që me punimet e zgjedhura të përmbledhura
këtu të ndikojë për njohjen e dijetarit
të mirë, që sapo kaloi pranë nesh, në rrafsh
kombëtar dhe, ndoshta, edhe më përtej, falë
bashkëndihmës së tij të vyer në ato fusha studimi
ku shokët i pati të paktë.
AUREL PLASARI
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|