~Enigme~
Simplexity
Regjistruar: 08/10/2005
Vendbanimi: My soul
Mesazhe: 4073
|
Nga Pierre-Pandeli Simsia (Nju Jork)
Ditën e hënë, me 27 nëntor komuniteti shqiptar i Amerikës në Nju Jork u mblodh në restorantin e mirënjohur në Manhattan të bashkatdhetarit tonë të nderuar Bruno Selimaj, për të festuar 28 Nëntorin, ditën e shenjtë, ditën kombëtare të Flamurit tonë të ndritur.
Për të kujtuar dhe festuar këtë datë të shënuar historike çdo vit, përfaqësia e Ambasadës shqiptare pranë OKB-së jep një pritje për bashkatdhetarët e shumtë në selinë e saj. Ndryshe nga vitet e tjera, pritja këtë vit u bë në restorantin e njohur BRUNO.
Njëra nga sallat e mëdha të atij restoranti të bukur ishte zbukuruar si për festë dhe të dukej se edhe vetë ajo sallë të buzëqeshte dhe i uronte mirëseardhjen bashkatdhetarëve.
Bashkatdhetarë të shumtë të ardhur jo vetëm nga Nju Jorku, por edhe nga shtetet fqinje si Konektikat, Nju Xhersi drejtohen drejt atij restoranti. Të parët që hyjnë në atë restorant festë ishin Dr. Namik Shehu, Dr. Selahedin Velaj, aktivisti i njohur zoti Sali Bollati, zoti Hazbi Shehu, shkrimtarja Albana Melyshi, shkrimtari i mirënjohur zoti Naum Prifti së bashku me vajzën e tij Julika Prifti...
Në hyrjen kryesore të restorantit qëndronte pronari Bruno Selimaj me një pjesë të personelit të tij, të cilët me buzëqeshje u shtrëngonin duart të mirëseardhurve, duke shqiptuar fjalët: "Gëzuar Festën e Flamurit". Pastaj i drejtonin në një nga sallat e restorantit, aty ku edhe do të festohej.
Të tjerë njerëz, personalitete të nderuar, kryetarë shoqatash të ndryshme i drejtohen restorantit Bruno. Kryetari i Vatrës, zoti Agim Karagjozi, kryetari i Ligës Shqiptaro-Amerikane zoti Zef Bala, historiani Prof. Skënder Isaku, kryetari i shoqatës Shqipëria Mustaf Rahmani, zotërinjtë Adli Bellcista, Besnik Docaj, Bek Selimi, Ismer Ahmetaj, Vasel Ivezaj, kryetarja e shoqatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane zonja Anna Kohen, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane Prof. Dr. Skënder Kodra, aktivistja e palodhur, e kudogjendura e komunitetit tonë, ish punonjësja dhe folësja në televizionin shqiptar Elmira Muja, presidenti i Institutit Gjergj Kastriot Skënderbeu Rrape Ruci, komandanti i batalionit "ATLANTIKU", që mori pjesë në luftë në Kosovë kundër bishës së egër serbe, zotëria i nderuar Skënder Doçi...
Në hyrjen e asaj salle feste qëndronin Ambasadori i Shqipërisë pranë OKB-së, zoti Adrian Neritani dhe bashkëshortja e tij Valbona, zëvendës ambasadori i Shqipërisë pranë OKB-së, zoti Ljublin Dilja dhe personalitete të tjerë.
"Gëzuar Festën e Flamurit" ishin fjalët përshëndetëse nga zyrtarët pritës dhe të mirëseardhurve të shoqëruara me të tjera fjalë: "Kosova së shpejti e lirë dhe e pavarur"!
Atmosfera brenda në sallë ishte tejet e gëzueshme dhe festive. Në sfond ishte Flamuri ynë Kombëtar, gjithashtu edhe në tryeza ishin vendosur flamuj të vegjël kombëtarë.
Bashkatdhetarët, të njohur dhe të panjohur shtrëngonin duart me njëri-tjetrin, përqafoheshin si të njohur prej kohësh, si vëllai me vëllanë, vëllai me motrën, si vëllezër të një gjaku, gjaku shqiptar. Dhe të gjithë në atë sallë ishim të njohur, motra dhe vëllezër, na kishte bashkuar Flamuri ynë Kombëtar, festa e tij.
E ndërmjet njerëzve të shumtë ishin ata si kurdoherë, të palodhurit, duarartët dhe penëartët, njerëzit e medias dhe televizionit, Kultura Shqiptare, zotërinjtë e nderuar Beqir Sina dhe Adem Belliu, që hynin mes njerëzve të shumtë, duke shkrepur aparatet e tyre fotografike dhe kamerat e lëvizshme televizive.
Për një çast, papritur, njerëzit e shumtë që qëndronin më pranë derës (salla e madhe e restorantit u mbush plot me njerëz dhe një pjesë e mirë qëndronin në këmbë) filluan të lëviznin dhe disa pëshpëritje u dëgjuan në fillim të ngadalta, por që u përhapën në të gjithë sallën, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve.
Kjo bëri që të gjithë ata që ishin ulur të ngriheshin në këmbë, të gjithë me shikim drejt derës...
Çaste të bukura dhe tepër emocionante po kalonim të gjithë. Presidenti i Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu ndodhej midis nesh. Po kalonte pranë nesh. Po na përshëndeste të gjithëve, po na takonte, shtrëngim duarsh...
Duartrokitje të forta dhe thirrje të fuqishme:"Rroftë 28 Nëntori, dita e shenjtë e Flamurit tonë", "Rroftë populli shqiptar", "Kosova e lirë dhe e pavarur".
Presidenti Sejdiu shoqërohej nga ambasadori Neritani dhe zëvendësi i tij, Dilja.
Pastaj Presidenti Sejdiu nën shoqërinë e personaliteteve që e shoqëronin zunë vend në tavolinën e rezervuar për ta.
Të gjithë donin të takonin Presidentin Sejdiu, të flisnin me të, t'i uronin mirëseardhjen, t'i uronin së shpejti Pavarësinë e Kosovës.
Pasi zunë vend në tryezën e tyre, fjalën e hapjes e mbajti ambasadori i Shqipërisë pranë O.K.B.-së, zoti Adrian Neritani.
Duke uruar mbarë popullin shqiptar për festën e Flamurit, zoti Neritani ndërmjet të tjerash tha:
"...Menduam ta festonim pa ceremoni zyrtare, sepse kështu e konceptuam që të jemi të gjithë bashkë, të hamë diçka të mirë, të pimë diçka të mirë, të takohemi me njëri-tjetrin, të shkëmbejmë mendime, pa dallime krahinore, politike dhe fetare, sepse kështu jemi më mirë. Na bashkon ajo që të gjithë jemi shqiptarë. Të urojmë të gjithë së bashku njëri-tjetrin... Gëzuar Festën e Flamurit" e mbylli fjalën e tij përshëndetëse zoti Adrian Neritani.
Pastaj përshëndeti Presidenti i Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu.
Darka kaloi në një festë të bukur dhe mbresëlënëse.
Të gjithë ne shijuam gjellërat e shumta, të shijshme dhe të shumëllojshme të shoqëruara me pije të ndryshme, të gjitha këto falas nga pronari i restorantit, bashkatdhetari ynë i nderuar, zoti Bruno Selimaj.
Është në vazhdimësinë e punës dhe ndihmën e madhe që jep ky bashkatdhetar i nderuar i komunitetit tonë.
Në vazhdim, pjesëmarrësit shkëmbyen biseda të lira me njëri-tjetrin, si dhe me zotërinjtë ambasadorë, Adrian Neritani dhe Ljublin Dilja.
Shkrepja e aparateve fotografike ishte edhe kujtimi më i bukur për pjesëmarrësit në këtë festë, ku bashkë me urimin: "Gëzuar Festën e Flamurit. Kështu u mbledhshim përherë në festa dhe gëzime me njëri-tjetrin, të gjithë së bashku", ishte edhe mbyllja e asaj mbrëmje të bukur dhe mbresëlënëse, festimi i Flamurit tonë Kombëtar.
__________________
Fillimi i nje ngjarje, ku shpaloset ne kohe por lind jashte asaj, eshte njekohesisht perfundimi.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|