Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Letersia Moderne Shqiptare > Dritėro Agolli > Itervista e shkrimtarit te madh
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
sarandaebukur
Veteran ne forum

Regjistruar: 21/06/2003
Vendbanimi: New-York
Mesazhe: 817

Itervista e shkrimtarit te madh

Dritëro Agolli:
Ju tregoj ferrparajsën time
Alfred Peza

Pyetja që kanë bërë plot habi gazetat më të rëndësishme të Evropës, pas përkthimit dhe botimit në vendet e tyre të romanit "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" të Dritëro Agollit, ishte se si ka mundësi që një libër i tillë ishte lejuar që të botohej në Shqipëri, në fillim të viteve ‘70?! "Kjo analizë e hollë djallëzore e hipokrizisë së pushteteve burokratike nëpërmjet figurës së jashtëzakonshme të drejtorit Zylo, vlen për të gjithë vendet dhe për të gjitha kohërat",- shkruhet në njërën prej këtyre mediave në verën e 1990, disa muaj përpara fillimit të lëvizjes studentore të dhjetorit, që çoi në rrëzimin e sistemit komunist në vendin tonë.

Po si ka mundësi që pas botimit të një libri të tillë, Enver Hoxha të jepte pëlqimin për emërimin e Dritëro Agollit në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë? "Figaro Magazine" ka shkruar se "ata që i njohin demokracitë popullore, e dinë se rrallë krijues me peshë zinin poste të larta në aparatin shtetëror". E njëri prej këtyre përjashtimeve ishte edhe rasti i shkrimtarit të madh shqiptar, i cili veç famës dhe popullaritetit që ka gëzuar prej disa dekadash, duket se zotëron edhe një dhunti të veçantë: "E lë gjithnjë të keqen që të rrëshqasë, ashtu si uji në qafën e patës".

Duke e parë jetën nga lartësia e 75 viteve të tanishme, Dritëro Agolli më shumë se privimit të lirisë, duke se i është "trembur", ndonjë privimi të mundshëm nga e drejta për të botuar. Një ndëshkim që aplikohej për të gjitha "delet e zeza" të regjimit, të cilat rrallë kanë patur mundësinë që të riciklohen artistikisht në Shqipëri. Pavarësisht se për një pjesë të njerëzve të letrave, qofshin këta shkrimtarë apo gazetarë, burgosja veç andrrallave mund të sjellë edhe një pikë kthese në jetën e tyre. Duke u shndërruar kësisoj në një moment "fatlum" për ta, duke i vendosur në fokusin e vëmendjes së opinionit publik, e për rrjedhojë, edhe të leximit nga ana e tyre.

Megjithëse në dukje e zymtë dhe e kërkuar kjo përqasje, nuk është se Dritëro Agolli nuk e ka patur ndonjëherë temë të bisedës së tij këtë çëshje, edhe kur ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të PPSH dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Gjatë një vizite në Tiranën e asaj kohe nga shkrimtari turk me origjinë kurde Jashar Qemal, ai e kish pyetur: Dritëro bej, a ke hyrë ndonjëherë në burg? "Jo",- i‘u përgjigja. "Ndërsa unë kam hyrë shtatë herë",- ma ktheu ai dhe shtoi: "Duhet ta provosh jetën në burg, që të bëhesh shkrimtar i mirë".

Ky dialog e kishte ngacmuar pa masë Dritëroin dhe i bërë kureshtar, e kishte pyetur: Jashar bej, a shkruaje kur ishe në burg? "Po",- mu përgjigj. A të lejonin ti botoje pas kësaj? "Po",- me ktheu sërish. Atëherë i thashë: Tek ne as nuk të lenë të shkruash në burg, e as nuk të lenë ti botosh ato që mund të shkruash. Sepse me këshillën që me jep zotërote, nëse do të më lejonin ti botoja ato që do shkruaja, do të bëja patjetër diçka që të hyja edhe unë në burg",- e mbylli këtë bisedë gjysëm jetësore e gjysëm surreale mes dy të mëdhenjve të letërsisë, Dritëro Agolli.

Por nëse për një shkrimtar si ai, punët nuk pritej të shkonin deri në këtë pikë në regjimin komunist, kjo nuk do të thotë se ai zotëronte bash të kundërtën: Lirinë e plotë për të shkruar dhe botuar gjithçka që do të dëshironte. Ta mendosh këtë, sigurisht që është një absurditet i madh. Sepse krijimtaria e një njeriu si ai, i plotësonte të gjitha kriteret për tu parë me lupë nga të gjitha anët. Megjithatë, Dritëro Agolli, për asnjë çast, s‘ka pretenduar se ka nuk ka qenë i lirë të krijojë, apo të jetë persekutuar apo përndjekur nga regjimi. Përkundrazi. Ai nuk e mohon se fati është treguar zemërgjerë me të. Pavarësisht se i është dashur në jo pak raste, që të qëndrojë e të krijojë, i rrethuar mes dy zjarresh.


- Kush kanë qenë raportet tuaja nomenklaturën e asaj kohe, zoti Agolli?

Kur shkruaja, dilja nga këto korniza. Nga njëra anë më bënte presion nomenklatura politike dhe në anën tjetër, ajo letrare. Ndodhesha mes dy zjarreve. Zakonisht dilja nga ky pozicion, ndaj gjatë kohës kur isha Kryetar i Lidhjes, më janë ndaluar dy vepra. E para ishte drama "Mosha e bardhë" dhe më pas, në vitet ‘80 mu ndalua një cikël i madh me tregime në revistën letrare "Nëntori". Në të ishin tregimet "Martesa e papritur e Pasho Velçanit", "Ndëshkimi", "Djali plangprishës", etj. Njëkohësisht u dha një urdhër nga Komitetit Qëndror i PPSH që këto tregime të mos i studionin shkollat për orët letrare dhe të mos botoheshin si libër më vete sepse "nxijnë realitetin dhe janë antihero". Ky është një nga shembujt që tregon qenien mes dy zjarresh.


- Gjithësesi qenia në krye të Lidhjes, kishte disavantazhet, por mbi të gjitha, avantazhet e veta, apo jo?

Sigurisht që kjo detyrë, kishte anët e veta pozitive. Unë isha një personalitet që ishte e vështirë që të dënohesha edhe kur dilja jashtë kornizave. Por, mos harrojmë që kjo kishte edhe anët e veta negative. Sepse më krijoi një lloj autoçensure që të isha më konformist me realitetin dhe më i kufizuar ndaj lirive krijuese. Po të mos e kisha këtë përgjegjësi si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve dhe anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH, mund të isha më i lirë për të shkruar. Por, edhe po të isha më i lirë në këtë anë, kjo mund të më çonte në kufizimin e lirisë duke mu privuar e drejta për të botuar nga ana tjetër. Çtë mirë do të kishte shoqëria po të mos botoja? Me mundime të mëdha, por një të vërtetë e kemi thënë. Por më duhet të shtoj se nuk ka patur vetëm atëherë diktaturë dhe çensurë e autoçensurë. Sepse nëse atëherë ne kishim diktaturën ideologjike, tani kemi diktaturën e parasë.


- Për një njeri si Ju, mbërritja në "stacionin" e 75-të, e bën të natyrshme pyetjen se cilat do të veçonit si momentet më të vështira të jetës tuaj?

Do të veçoja Pleniumin e IV të KQ të PPSH. Sepse në atë plenium ishe vënë përpara një përgjegjësie të tillë që edhe përpara miqve të tu duhet të mbaje një qëndrim kritik që nuk do të deshe ta mbaje. Por, edhe shokët e tu, për ty gjithashtu. Nuk isha bërë ende Kryetar i Lidhjes dhe jam kritikuar deri se pija apo se flisja fjalë të pakontrolluara, etj. Kur niseshe të bëjë një autkritikë të thonin shprehjen aq të përdorur në atë kohë: ZHVISHU. Kjo krijonte edhe situata absurde, si ajo me një ruse të mbetur në Shqipëri pas martesave të shqiptarëve në vitet ‘60, e cila ishte mësuese në një shkollë. Edhe asaj si shumë njerëzve në atë kohë, i erdhi radha të bënte autokritikë në një mbledhje të shkollës. Në një moment, drejtori i ndërpreu dhe i tha frazën: ZHVISHU. Por, rusja që nuk i dinte mirë nuancat kuptimore të shqipes, e natyrisht edhe këtë idiomë, u skuq dhe iu kthye: Nuk zhvishem dot këtu se më vjen turp. Sepse të zhvisheshe për të do të thoshte të hiqte edhe sytjenat në mes të kolektivit...

Periudha e dytë e vështirë është ajo në vitet ‘90, në periudhën e ndryshimeve të sistemeve, nga socializmi në demokraci. Sepse sdo dilnin shumë njerëz që do të fyenin, shanin, shpifnin e ti do ti gëlltisje. Ka qenë periudha më me shpifje, sharje dhe mosmirënjohje e gjithë jetës time. Njeriu i letrave është i ndjeshëm e kjo ndikon në gjendjen tënde shpirtërore. Në këto 15-16 vjet mund të jenë bërë vëllime të tëra me shkrime kundër meje, nga miq, të njohur e të panjohur. Ishte një periudhë tejet e politizuar dhe ana politike ishte ajo që ndikonte dhe diktonte më së shumti të gjitha marrëdhëniet. Edhe një kritikë politike të bëje, psh, Sali Berishës të hidheshin sikur ti kishe sharë babanë. Deri edhe shkrimtarë që kanë fjetur të pirë në shtëpinë time që kanë edhe sukses jashtë Shqipërisë tani, kanë shkruar shkrime kundër meje.

Momenti i tretë i vështirë, ka qenë Kongresi i 10 i PPSH, kur u themelua Partia Socialiste, e ku unë mbajta atë fjalim kritik që njihet tashmë, për regjimin e kaluar. Vështirësia nuk qëndronte tek reagimet e auditorit, por tek ndjenja se unë isha ndihmuar nga PPSH dhe personalisht nga Enver Hoxha dhe një pjesë të shkrimtarëve, e vërteta është se ai i ka ruajtur. Kishte filluar një ndeshje e vështirë argumentash dhe ndjenjash brenda meje. Më mundonte fakti, se përpara këtyre fakteve, si mund të kritikoja unë haptasi këto gjëra? Sepse në fund të fundit unë vija nga një fshat i largët dhe i varfër, dola jashtë shtetit ku u shkollava pa asnjë lek, u bëra ai që isha. Sëbashku me Sadijen, kemi qëndruar një natë të tërë pa gjumë, duke përgatitur fjalimin që do të mbaja. Por, për hir të së ardhmes dhe zhvillimit të vendit, unë e kapërceva anën personale. Dhimbjet dhe procesi që po ndodhte, ishte si të lindte një grua për herë të parë. Orët në atë kongres, kanë qenë më të vështirat e gjithë jetës time.


- Asnjëherë deri më sot, nuk keni treguar se çndodhi menjëherë pas atij fjalimi dhe jashtë sallës së Pallatit të Kongreseve ku po zhvillohej ky kongres?

Pas fjalimit mu ndodhën pranë disa shokë të cilët veç miqësisë që na lidhte, ishin edhe njerëz me kulturë dhe me mendime e qëndrime më liberale se pjesa e ndezur e asaj salle. Njëri prej tyre, ishte Misto Treska, përkthyesi brilant i "Të mjerëve" të Viktor Hygoit. Ai më futi krahun dhe më tha: Hajde shkojmë andej nga shtëpia ime që të pijmë nga një gotë, se kam një raki të mirë.


- Kështu besoj filluat ta harronit këtë moment?

Në fakt, ndërsa unë vërtetë po mundohesha ta mbysja me raki trishtimin, Sadija ishte alarmuar sepse policia na kishte rrethuar shtëpinë. Por pas pak situata u qartësua, kur një zyrtar i asaj kohe mori nga ministria e Brendshme për të na sqaruar se na kishin marrë në mbrojtje, sepse kishin të dhëna për disa kërcënime në adresën tonë. Ato ditë, poshtë derës kemi marrë letra kërcënuese deri për vrasje, nga Labëria, Peza, etj.


- E si kaloi kjo situatë?

Në atë periudhë kam qëndruar 3 muaj i mbyllur në shtëpi, pa dalë asnjë minutë prej saj. Por, më bëri mirë sepse pikërisht në atë kohë shkrova "Peligrinin e vonuar". Ose më mirë, shkruaja ditën dhe recitoja natë. Aty dukt se e shkarkova shpirtin...


- Të mundohemi ti lemë prapa edhe këto kujtime, ndaj ju ftoj të na rrëfeni, momentet më të bukura dhe ato që ju kanë lënë më shumë mbresa në jetën tuaj Zoti Agolli.

Momenti i parë i bukur, lidhet me rininë time të hershme, kur mora të drejtë studimi për jashtë shtetit, për të parë botën me sy.

Momenti i dytë mbresëlënës ishte kur botova librin e parë. Ishte si gëzimi i fëmijës së parë. Kurrë nuk do ta harroj vitin 1958 dhe jo vetëm titullin e librit "Në rrugë dola", por gati gjithçka që ka të bëjë me të. Gjatë gjithë këtyre viteve kam botuar shumë libra, një pjesë të të cilave ndonjëherë gati u harroj edhe titujt, pale më përmbajtjen. Ndërsa librin e parë, kurrë nuk kam për ta harruar.

Kam qenë fillimisht i martuar me një ruse, me të cilën u njoha kur isha student në Leningrad (Petërburg). Atje fillova të shohja filma, të dëgjoja histori nga më të ndryshme rreth ndarjeve dhe bashkimeve të njerëzve, të dashurve, të fejuarve dhe bashkëshortëve. Ndaj, edhe ndarja ime me të, nuk e di pse mu duk një gjë gati e zakonshme. Ndoshta koha dhe mosha bënin punën e tyre, ndaj kur u martova më 1965 në Shqipëri, mu duk sikur gjeta pas kërkimesh të shumta thesarin. Dhe martesa ime me Sadijen, ka qenë një tjetër moment i veçantë i jetës sime.

Ndërsa një moment tjetër i lumtur, ka qenë kur librat e mi filluan të botoheshin jashtë Shqipërisë. Nuk ishte një gëzim si këto të parat. Por, ishte një gëzim i përzier me ambicjen pozitive profesionale se edhe veprat e mia përkthehen përtej kufijve të vendit. Ajo që është e veçantë në këtë histori, është fakti se librat e mi nuk janë përkthyer këtu për tu dërguar më pas jashtë, por ato janë përkthyer nga të huajt. Pra, ishin librat e mi që kishin tërhequr vëmendjen e të huajve dhe jo unë të atyre. I pari që ka përkthyer librin tim "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" ka qenë Kristian Gyt, ish-Drejtori i Arkivave dhe Kalorës Nderi i Francës. Më pas, ato u përkthyen edhe në Gjermani, Itali, Greqi, Bullgari. Ne shqiptarët kemi të metën se po nuk na vlerësuan të huajt, dukemi sikur skemi vlera. Ja që edhe kjo mu bë realitet.

Gëzimi tjetër i madh për mua, kanë qenë takimet me njerëzit e thjeshtë. Ndërsa ishim për pushime këtë verë në Tushemisht të Pogradecit, një bari që po kulloste delet ndanë rrugës na ndali dhe më tha: Më lër të të puth dorën, se jeni një burrë i vërtetë. Një gjest fisnik që mua më preku pa masë. Ndërsa po ktheheshim nga pushimet për në Tiranë, bashkë me Sadijen ndaluam në fshatin Gosë të Kavajës për të blerë tek shitësit ambulantë anës rrugës. Sapo iu afruam tezgës ku ishte një djalë i ri, ai na tha: Merreni shalqinin më të madh që kam pa para. Nëse ju duhet tjetër, duhet ta blini. Unë dola në fotografi me të dhe ia postova sapo mbërrita në Tiranë. E njëjta gjë më ndodhi edhe më një djalë që shiste pije freskuese buzë rrugës në Kalimash, në afërsi të Kukësit, ndërsa udhëtoja njëherë drejt Kosovës. Ai na i ofroi birrat pa para dhe ne bëmë një fotografi dhe ia postuam. Ai më shkroi pas kësaj një letër ku më thonte: Eshtë hera e parë që më dërgojnë fotot pasi kanë dalë me mua dhe gjeta një kornizë të bukur dhe e vendosa në murin e shtëpisë. Po kështu na ka ndodhur në Volorek dhe në Bogovë të Skraparit ku çiftet që martoheshin kërkonin të filmoheshin e fotografoheshin dhe unë nuk kam ngurruar të dorovisja nusen, siç e do zakoni.


- Ju keni patur një jetë të vrullshme, plot gëzime e brenga, fitore dhe hidhërime. Ǒju ka mbetur ende pishman nga kjo jetë zoti Agolli?

Do të doja të isha më i ri në këto kohë për të mbaruar disa projekte, sepse tani ka një liri më të madhe dhe nuk ka më çensurë që të të pengojë për të shkruar atë që do. Por, kjo imja është një peng ndaj natyrës, ndaj kohës. E tillë që thua: Si nuk ndodhi të lindja nja 20 vjet më pas që të realizoja të gjitha këto plane? Diçka tjetër që më ka mbetur pishman është se kam shpenzuar shumë kohë, shumë valutë (në kuptimin e asaj çfarë mund të bëja gjatë kësaj kohe), dhumë vlera të kohës. E tani që erdhi koha e konvertimit të kësaj valute, ato ishin zhvlerësuar. Vitet e rinisë duhet të ishin më pjellore, mos kishin inflacionin që kanë patur. Ja që shpenzimet e kohës së rinisë i paguan tani në pleqëri. Po të isha i ri, do të dijatë planifikoja më shumë dhe më mirë kohën. Sepse sado thellë që të hysh në zbavitje, kujton se do të gjesh perla, por gjen vetëm rërë. Zbavitjet e mëdha, sjellin pleqëri të shpejtë. Jeta është bashkim i mjaltit me helmin. Sepse jeta aq sa të jep mjaltë të jep edhe helm. Megjithatë, kjo është bukuria e saj. Sepse është më mirë kështu, sesa të të jepte vetëm mjaltë, ose vetëm helm.


- A keni patur ndonjëherë frikë nga kritikat,- jo politike,- por për veprën tuaj letrare zoti Agolli?

Aspak, përkundrazi, nëse kritikat nisen nga motive dhe me argumenta profesionale, ato janë një pasqyrë që gjithësecili të shohë më qartë punën e tij. Unë i qëndroj një mendimi të kahershëm timit se kush ka frikë nga kritika, ai dyshon për vlerat e veprës së vet.


- Për ta mbyllur këtu në një farë mënyrë, bisedën për jetën dhe veprën tuaj letrare ndër vite, kërkonim një këshillë tuajën për letrarët dhe publicistët e rinj.

Saramago, njëri nga fituesit e Nobelit në letërsi, në fjalimin gjatë marrjes së çmimit tha: Unë kam mësuar të shkruaj e të jem shkrimtar, nga kovaçi i fshatit tim, sepse ai kishte dëgjuar as shumë dhe dinte ti rrëfente aq bukur historitë. Kurse letrarët tanë të rinj, kur i pyet të thonë se kam mësuar të shkruaj nga filan VIP. E çmund të mësosh nga një VIP, shumica e të cilëve sot janë kokëtul?!

- vijon -




Nesër do të lexoni:

Dritëro Agolli: Njohja me Sadijen, bashkëshorten time, në dasmën e Ismail Kadaresë. Tre kushtet e Kushtet e gruas së re për shkrimtarin e njohur. "Dasma ime fshatare" dhe nata e parë e martesës në një divan të vjetër në ballkonin e shtëpisë. Njohja dhe raportet mes Agollit e Kadaresë dhe bashkëshorteve të tyre.





 




© Gazeta Shqip - 2006

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 11 Tetor 2006 18:24
sarandaebukur nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė sarandaebukur Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me sarandaebukur (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: sarandaebukur Shto sarandaebukur nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto sarandaebukur nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 17:36 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Letersia Moderne Shqiptare > Dritėro Agolli > Itervista e shkrimtarit te madh

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.