Annika
Anetar i regjistruar
Regjistruar: 14/11/2003
Vendbanimi: suedi
Mesazhe: 42
|
Projektues e zbatues i krimit, Vetėm BERISHA
Ndërgjegjësohuni, lexojeni me qetësi këtë artikull të Mustafa Nanos që nuk pati frikë t'i thoshte në sy Salës se ai nuk ka ndryshuar.
Tek cdo kolltukofag ka se sben nje motivim mafioz
Mustafa Nano
Janë dëgjuar kohët e fundit disa zëra shumë racionalë, të cilët thonë se duhet bërë ndarja e përgjegjësisë politike nga përgjegjësia penale e Kryeministrit dhe e të tjerëve, që janë përzjerë qoftë në aferën korruptive të Gërdecit, qoftë në aferën korruptive me tregëtinë e armëve e municioneve (përmasa korruptive në këto dy ngjarje nuk mohohet tanimë nga askush). Janë zëra racionalë për një arsye shumë të thjeshtë e të kuptueshme: përgjegjësia politike në rrethanat ku ndodhemi, me fjalë të tjera përgjegjësia përtej të gjitha dyshimeve për korrupsion qeveritar, është një gjë e qartë si drita e diellit (ndodhi një tragjedi, e cila nuk na erdhi nga forcat e verbëra të natyrës), ndërsa përgjegjësia penale është një gjë për tu provuar nga ato instanca, të cilët kanë tagrin e kompetencën për ta bërë këtë gjë.
Mirëpo duhet thënë se kjo logjikë ka një të krisur: injoron kontekstin irracional shqiptar. Në kushtet, kur askush nuk ka besim tek nxjerrja e përgjegjësive penale e në kushtet, kur askush nuk ka ndërmend të mbajë përgjegjësi politike e kur askush nuk disponon mjete presioni për ti detyruar të tërhiqen përgjegjësit politikë të këtyre ngjarjeve, nuk do të ishte mëkat që në gjithë këtë histori, në mënyrë gjithashtu racionale, të numëroheshin ca veprime e ca mosveprime, të cilat bjenë erë e qelbin dynjanë e të cilat e nxjerrin krejt zbuluar Kryeministrin. Dhe në këtë mes është vendi dhe hera për të ngritur ca pikëpyetje të mëdha.
1.
Një bisedë e përgjuar dhe e transkriptuar na bën me dije mbi një të fakt: drejtori i një ndërmarrjeje shtetërore (MEIKO), në biseda me të tjerë, shprehet se afera e tregëtisë së armëve e municioneve kontrollohet nga Kryeministri e djali i tij. Siç doli më pas, Berisha ka qenë i informuar lidhur me këtë gjë, por në mënyrën më të çuditshme nuk e ka parë të udhës të marrë masa ndaj një vartësi të vet. Vini re: ky njeri që e ka spastruar administratën publike prej lloj-lloj zyrtarësh të paemër, faji i të cilëve ka qenë se nuk kanë patur një teserë të Partisë Demokratike, as nuk e çon në mendje të largojë nga puna një zyrtar, i cili e bën Kryeministrin dhe djalin e tij pjesë të një afere korruptive. Pse vallë Berisha e ka falur Pinarin? Kjo është pyetja e parë e madhe.
2.
Nga e njëjta bisedë e përgjuar, për të cilën pra Kryeministri ka qenë në dijeni përpara të tjerëve (këtë na e nxori në Parlament), na del se djali i tij është kontaktuar nga autorët e këtyre aferave korruptive. Dhe me këta njerëz djali i Kryeministrit flet nga pozitat e një njeriu të pushtetshëm e nga pozitat e një njeriu që ka gjëra në dorë. Nuk u thotë pra, se "çdreqin hyj unë në këtë mes", apo se "unë jam thjesht një qytetar i thjeshtë i republikës së Shqipërisë", por u flet si një njeri i informuar mbi aferën. I siguron në fund se "unë nuk ju kam prishur punë", duke lënë të nënkuptohet se e ka patur dhe e ka në dorë që ti pengojë apo tu japë një dorë. Kryeministri e hodhi lumin matanë, duke thënë në parlament se djali e kish informuar lidhur me këtë ngjarje. Puna është se na e dha këtë informacion shumë kohë pasi ne e kishim marrë në rrugë të tjera dhe se nuk mbajti asnjë qëndrim ndaj sjelljes së djalit. Pse? Kjo është pyetja e dytë.
3.
Është marrë vesh tanimë që baxhanaku i Kryeministrit ka humbur jetën tok me të tjerë në plojën e Gërdecit. Teksa Kryeministri po lexonte emrat e viktimave nja dy a tre ditë pas tragjedisë, emrin e baxhanakut e lexoi gabim. Vini re: nuk e lexoi ashtu siç është, dmth Muhamet Hoxha, por e lexoi - pas një pauze të shkurtër - si Mehmet Hoxha. Dhe nuk na tha se ky ishte baxhanaku i tij. Këtë gjë e pranoi vetëm pasi gazetat e nxorrën në shesh të vërtetën. Vallë, dy ditë pas tragjedisë, nuk e kish marrë vesh Kryeministri që baxhanaku i tij kish mbetur viktimë e asaj tragjedie?
4.
Me të pranuar që mes viktimave ishte dhe baxhanaku i tij, Kryeministri na dha një informacion tjetër, na tha se me demek ai nuk e kish takuar asnjëherë atë, dhe nuk e dinte që ai punonte në fabrikën e Gërdecit. Por kishte marrë vesh amĆ”, që kish shkuar në Gërdec për të fituar bukën e gojës!!! Më pas, mediat zbuluan se ai nuk ishte atje për të fituar bukën e gojës; përkundrazi, na doli se ishte njeri i besuar i drejtuesve të asaj palo fabrike. Përveç kësaj, na doli se atje ai e kish fshehur gjithë kohën hëm identitetin e vet ( "e thërrisnin dhe vetthirrej Xhimi", thanë një numur të punësuarish në atë fabrikë), hëm identitetin si baxhanak i Kryeministrit. Ky i fundit nuk e ka marrë mundimin më pas për të hedhur poshtë të vërtetat e mass-media-s. Pse vallë?
5.
E keni vënë re, që Kryeministri, ndërsa ka vazhduar të kryqëzojë edhe këto ditë Dhori Sollakun, nuk thotë asnjë fjalë për Pinarin e për Delijorgjin? Ky njeri ka etiketuar si mafiozë presidentë e kryeministra, politikanë e deputetë, sipërmarrës e dinjitarë shtetërorë, gjykatës e prokurorë, gazeta e gazetarë (së fundmi, foli edhe për New York Times-in me një gjuhë të tillë, duke lënë gjithkënd pa gojë), por nuk i lëshon akuza të tilla edhe në adresë të dy njerëzve, të cilët janë të përfshirë sipas të gjitha gjasave në një aferë korruptive që pati për finale tragjedinë e njohur. Të kuptohemi, do të ishte gabim ta bënte këtë gjë, ashtu siç ka qenë gabim kur e ka bërë kundër të tjerëve, por pyetja që del në këtë rast është shumë e thjeshtë: Përderisa e ka patur zakon ta bëjë këtë kundër të gjithëve, përderisa edhe sot po flet deri dhe për mafien që komandon New York Times-in, pse vallë nuk i bën goja të kryqëzojë Pinarin e Delijorgjin, të cilët, më shumë se kushdo tjetër, janë të lidhur me tragjedinë më të madhe humane që ka ndodhur në këtë vend gjatë njëzet viteve të fundit? Boll e pashpjegueshme kjo gjë, apo jo?
6.
Të gjithë e kanë marrë vesh tanimë që Gërdeci është zgjedhur fillimisht nga vetë sipërmarrësit e kontraktorët si vend i çmontimit të municioneve, e vetëm pas disa muajsh është mbledhur qeveria, e cila nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka nënshkruar vendimin e marrë tanimë nga të tjerët. Dhe Kryeministri ka guximin të thotë që emrin "Gërdec" e ka dëgjuar për herë të parë në datën 15 mars, dmth ditën që u bë kiameti. Është po ky Kryeministër nga ana tjetër, që në prill të vitit 2007 ka çuar e miratuar në parlament një ligj mbi eksportin e armëve e të municioneve, ku theksohej ngritja e një autoriteti shtetëror të kontrollit të kësaj tregëtie. Ndërsa ky autoritet shtetëror nuk është ngritur ende, Kryeministri nuk e merr mundimin të shpjegohet lidhur me këto dy momente. Pse vallë?
E vërteta është se ka edhe pikëpyetje të tjera të ngjashme me këto të mësipërmet, të cilave Kryeministri ynë nuk u jep përgjigje (është e çuditshme se si në këtë rast nuk e ka parë të udhës të shkojë tek Fevziu për të zhvilluar një debat televiziv me gazetarët). Me sa duket, është e ndihet aq i zbuluar përballë fakteve tepër komprometuese, sa nuk ka më besim as tek "forca" e vet për tu ballafaquar në një debat televiziv me kundërshtarë. Dhe për këtë arsye, mbrojtjen po e bën atje në parlament, ku Topallka ia jep fjalën sa herë ta kërkojë e ku ai ka mundësi "të fshihet" pas sulmit të atyre që duan ti zënë vendin e pas sulmeve të veta ndaj gjithkujt. Mbrojtjen gjithashtu po e bën duke i krehur bishtin pa fund Prokurorisë së Përgjithshme (shprehja më e dashur për të këto ditë ka qenë: prokuroria e sotme nuk është e kapur).
Sido që ti verë filli hetimit e sado që të zgjasë ky hetim, nën dritën e të gjitha fakteve që kanë dalë në dritë, duket se shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë zënë të bindin veten më në fund, se raporti epsharak me pushtetin ngrihet mbi (prodhon, gjithashtu) një mentalitet mafioz, se - me fjalë të tjera - prapa çdo kolltukofagu duhet parë një motivim sërish mafioz, dhe se - me fjalë të tjera akoma - prapa çdo tentative për ta sunduar (e jo për ta qeverisur) një vend ka se sbën një frymëzim gjithmonë mafioz. Është për të ardhur keq që shumëkujt iu desh një tragjedi e këtyre përmasave e ngritur mbi një aferë korruptive të markës shtetërore për të marrë vesh se kush është Sali Berisha i vërtetë. Por sidoqoftë, ky është një lajm i mirë në Shqipërinë e pas tragjedisë. I vetmi lajm i mirë.
Gërdecin e mbolli vetë Sala.
__________________
cfarė do mbjellėsh do korrėsh
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|