Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Bota e perkthyesit
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
shelgu
-

Regjistruar: 27/11/2007
Vendbanimi: EU
Mesazhe: 8928

Bota e perkthyesit

Nga Mira Meksi
Marrë nga Gazeta Shqip
Octavio Paz thotë se përkthimi letrar ka një rol shumë specifik në letërsi: “Stilet kalojnë nga një gjuhë në tjetrën; veprat, secila e rrënjëzuar në tokën e vet unikale gjuhësore, janë unikale, por jo të izoluara; gjithsecila lind dhe jeton në lidhje me të tjerat, të ngjizura në gjuhë të ndryshme”. Porse shekulli që lamë pas dhe që u quajt “shekulli i përkthimit”, rrëfeu se përkthimi letrar e kapërcen në rëndësi këtë thënie të Octavio Paz-it; ai është jo vetëm një mjet thelbësor komunikimi ndërkulturor mes popujve, por edhe një mjet ndërtimi për vetë kulturën. Këto pothuaj njëzet vjetët e fundit te ne është përkthyer e botuar shumë dhe gjithçka, me etjen dhe limaksjen që sjell liria e rigjetur, apo me ngutin për të kapur kohën e humbur. Pa mohuar faktin që ka pasur përkthime dinjitoze, pjesa më e madhe e veprave apo e kryeveprave të letërsisë botërore të sjella në shqip kanë “lënguar” nga një përkthim diletant, ngalakeq e gjer skandaloz, duke e bërë lexuesin e gjuhës shqipe të neveritet shpejt prej tyre, - dëmi që është shkaktuar është i madh: jo vetëm ka çaluar komunikimi i vërtetë kulturor, porse ka çaluar zhvillimi i gjuhës dhe i kulturës, e bashkë me të edhe edukimi i një brezi të tërë shkrimtarësh shqiptarë. Dhe kjo, pasi “përkthyes letrar” ka qenë çdokush që ka pasur dijeni të cekëta të një gjuhe të huaj (shumica emigrantë), dhe dijeni pothuaj të papërfillshme të gjuhës shqipe, pasi, për hir të pagesës qesharake dhe ngutit të botimit, botuesit kanë parapëlqyer përkthyesit e “lirë”, apo kanë bredhur pas një lloj “nepotizmi përkthimor”, duke aktivizuar në përkthim njerëzit e farefisit apo të njohurit që “dinin” një gjuhë të huaj.

Rezultati dihet; nga ana tjetër, përgjegjësia ndaj përkthimit letrar ra pothuaj fare, kur u pa rëndom edhe një tjetër fenomen vrastar ndaj letërsisë: përkthimi i përkthimit të përkthimit...pra, gabimi i gabimit të gabimit... Edhe kryevepra të letërsisë botërore u sollën në shqip nga një gjuhë e dytë: vetë kryevepra e Marquez-it “Njëqind vjet vetmi” nuk u përkthye nga origjinali; një tjetër vepër shumë e rëndësishme e këtij shkrimtari “Nga dashuria dhe nga të tjerë djaj (Del amor y otros demonios), jo vetëm u përkthye nga një gjuhë e dytë (thuhet nga frëngjishtja), por edhe titulli korrekt në frëngjisht (De l’amour et autres demons) përkthyer nga e mirënjohura, Annie Morvan, përkthyesja legjendare e Marquez-it në frëngjisht, u masakrua në shqip dhe doli në variantin e pakuptimtë “Për dashurinë dhe demonë të tjerë” etj...

Problematika e përkthimit letrar te ne është sa shumëfaqëshe aq edhe e koklavitur. Për ta thjeshtuar: nga njëra anë është mungesa e përkthyesve profesionistë e të aftë të sjellin në shqip veprat e mëdha të letërsisë botërore, - dhe kjo e shoqëruar nga një problematikë e veçantë dhe e gjerë, - nga ana tjetër, është mungesa e formimit institucional të përkthyesit letrar, mungesa e “statusit zyrtar” për përkthyesin letrar, pagesa e keqe, vështirësia e madhe e vetë mjeshtërisë së tij, etj. Ndonëse përditë flitet për përkthimin letrar, pakkush e di se ç’është kjo mjeshtëri dhe cila është vështirësia e saj. Ajo që është në majë të gjuhës së të gjithëve është sentenca: “Traduttore, traditore”, dhe që është ndoshta sentenca më e famshme që i ka damkosur “të ngratët përkthyes të mirë”, - siç i quan Marquez-i përkthyesit letrarë në një ese të famshme, ku vlerëson punën e tyre, rëndom të pavlerësuar dhe i merr në “mbrojtje” - që nga kohërat e vjetra kur u përkthye së pari Dante Aligheri në frëngjisht. Sentenca rrëfen jo pak gjëra: tradhtia e përkthyesit letrar është metaforike: ai tradhton gjuhët, pasi është e pamundur të ketë një vlerësim ( ekuivalencë) të përsosur mes tyre, dhe tradhton po ashtu, autorin e tekstit, ndaj të cilit lipset të rrëfejë një besnikëri të lartë, porse kjo pothuaj nuk ndodh asnjëherë.

"Përkthimi letrar”, thotë Giovanni Pontiero (përkthyes i shumënjohur anglez i letërsisë portugeze dhe hispanoamerikane), “nuk është punë e rëndomtë. Është Art i vërtetë; është një punë që kërkon inteligjencë dhe eksperiencë, por edhe përunjësi, guxim, zemër dhe imagjinatë”. Dhe me këto fjalë Pontiero mbron idenë se përkthyesi letrar duhet të jetë i paanshëm në ndjeshmërinë e tij ndaj tekstit që përkthen, pasi ka raste që, njëlloj si shkrimtari (duke pasur stofin e tij), aventurohet dhe imponon stilin e tij në përkthim.

Nga njëra anë, puna dhe roli i përkthyesit letrar bëhen përditë e më të rëndësishëm në komunikimin e madh kulturor, nga ana tjetër, po reduktohet gjithmonë e më shumë ndikimi i tij në përzgjedhjen e autorëve që do të botohen; dikur, në shumicën e rasteve, kishte një projekt a plan botimi konkret në shtëpinë botuese, ku përkthyesi merrte pjesë aktivisht: ishte lexuesi i parë, por edhe kritiku i veprës së përzgjedhur, përveç punës së përkthimit. Komercializimi që përfshiu te ne sektorin e botimit, veç të mirave që solli, - lindjen e shumë e shumë enteve të botimit, - pothuaj e prishi atë ekuilibrin e brishtë midis lidhjes dhe kompromisit të përkthyesit me tekstin, me autorin, me lexuesin dhe me vetë emrin e tij të mirë. Për fat të keq sot te ne, përkthyesi nuk gëzon më prestigjin e dikurshëm. Tani, për t’iu kthyer thelbit të zejes së përkthimit letrar, - vështirësia e përkthimit letrar është e madhe: kategoria artistike e veprës letrare, për hir të vetë natyrës së saj, shfaq probleme krejt të panjohura në të tjera tipologji tekstuale.

Elementët logjikë që në tekstet shkencore, teknike dhe informative luajnë një rol të dorës së parë, në përkthimin letrar janë të ndërvarura nga një koncept estetik i ushqyer nga elementë sentimentalë, emocionalë, sensualë, kritikë, brenda një strukture verbale që mbahet në këmbë nga një kulturë e përcaktuar; shpesh, autorët përdorin një gjuhë absolutisht origjinale, kanë shpikjet e tyre gjuhësore, neologjizmat, lojërat e fjalëve etj., dhe në këtë kuadër, përkthyesi, ndryshe nga ç’mendohet rëndom që përkthimi letrar mund të realizohet duke përkthyer tekstin “fjalë për fjalë”, duhet të gjejë përkimet e tejrralla të këtyre vlerave terminologjike, por edhe kulturore. Përkthyesi duhet të ketë aftësi dhe njohje specifike që të mund të realizojë, së pari, aktin e ndërlikuar të të kuptuarit thellësisht dhe tërësisht të tekstit letrar, që më pas të mund ta interpretojë dhe riformulojë me mjetet që i ofron gjuha e vet, por pa u larguar, apo pa bishtnuar udhën e hapur nga autori.

Përkthyesi letrar, si në botë, ashtu edhe te ne, ka qenë përherë intelektuali, profesori, apo autodidakti, porse kurdoherë, njeriu i kulturës me njohuri të shkëlqyera gjuhësore, - kushti thelbësor për të pasur përkthime të mira, është që ato t’i bëjnë shkrimtarët, - rastet më të arrira flasin për shkrimtarë në rolin e përkthyesit letrar: te ne, Noli, Kuteli, Koliqi, Konica, Kadare, Agolli, apo shkrimtarë botërorë nga më të njohurit, Baudelaire, Paz, Borges, Unamuno, Cortazar etj... Para shumë vjetësh, shtëpia botuese italiane “Einaudi”, vendosi të botojë një koleksion letrar me përkthimet e realizuara nga shkrimtarë të njohur si Carlo Emilio Gadda, Carlo Linati, Tommaso Landolfi, pasi kishte bindjen se vetëm shkrimtarët e mirë mund “t’i shkruanin nga e para në gjuhën e tyre” veprat e kolegëve të tyre.

Por nuk mund të lihet përkthimi letrar në dorë të humorit dhe “tekave” të shkrimtarëve, të cilët, në përgjithësi, kanë ritme pune shumë të ngadalshme: përkthimi për ta, më tepër se mjeshtëri dhe zanat, është një kënaqësi. Andaj nevojiten me urgjencë përkthyesit profesionistë letrarë. Dhe ata, brenda të mundshmes, duhen formuar; për këtë mund të shërbejnë institute të specializuara, duke adaptuar eksperiencën botërore (DESS-i francez, psh. diploma e studimeve të larta të specializuara në përkthimin letrar, e cila ka për qëllim përvetësimin e teknikave dhe njohjeve të thella teorike, të destinuara të formojnë përkthyes letrarë profesionistë); porse “formimi” i një përkthyesi letrar, titullimi i tij, nëse kihet parasysh fakti që përkthimi është “rikrijim”, paraqitet si çështje fort e koklavitur, pasi, njëlloj si autori, përkthyesi duhet të ndajë me të ndijimet dhe eksperiencat e tij dhe të ketë këto tipare: një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, shpirt krijues, fantazi dhe imagjinatë, por edhe aftësi për të hedhur në kartë emocionet më intime dhe mendimet më komplekse; meqenëse, “formimi” i plotë i një përkthyesi letrar, ndryshe nga ai i përkthyesve të tjerë, teknikë apo juridikë, mund të konsiderohet pothuaj i pamundur, të paktën licencimi i tyre mund të realizohet.

Në Shqipëri duhet të ketë përkthyes letrarë profesionistë që do të jetojnë me zejen e tyre (pasi tani për tani te ne, askush nuk jeton dot me të ardhurat nga përkthimi). Por, së pari fare, i duhet dhënë zyrtarisht përkthimit letrar statusi i aktivitetit intelektual, dhe vetë përkthyesit letrar “statusi zyrtar”, - shtysë për këtë mund të jenë edhe përpjekjet e shoqatës së përkthyesve letrarë, që duhet ta vënë në rend të ditës kërkesën për këtë të drejtë.

Në procesin e licencimit të përkthyesve letrarë, gjykoj, një rol jo pak të rëndësishëm do të luante kritika letrare, ndonëse e brishtë dhe jo fort aktive te ne; porse gjer më tani, edhe në gjendjen në të cilën ndodhet, ajo nuk ka marrë mundimin askurrë të zërë ngoje përkthimin letrar, - për të, përkthimi dhe përkthyesi letrarë janë të padukshëm. Në kuadrin e përmirësimit të përkthimit letrar në vend, mendoj është e udhës, që emri i përkthyesit të figurojë bri emrit të autorit në një vepër letrare: e para, që përkthyesi të mbajë përgjegjësinë që i takon përpara lexuesit dhe e dyta, që të ketë vlerën që meriton brenda vlerës së vetë librit, - dhe vetëm kështu, duke marrë pjesë pozitivisht në vlerën e librit (rrjedhimisht edhe në vlerën tregtare të tij), përkthyesi letrar do të paguhet siç e meriton prej botuesit.

Një erë e mbarë ka nisur për botimet nga letërsia botërore të sjella në shqip; shumica e shtëpive botuese shqiptare kanë zënë të marrin të drejtën e autorit për to, dhe kësisoj, rritet vetiu edhe përgjegjësia ndaj përkthimit të veprës, - dua të kujtoj këtu se mbajtësja e të drejtës së botimit të njërës prej veprave bestseller sot në botë, “Kafka’s Soup” të autorit Mark Crick, u kërkoi botimeve “Ideart” dhe “Mehr Licht” që morën të drejtën e botimit në shqip të veprës në fjalë, informacion për përkthyesit që do të sillnin në shqip “pastiche-t” e mrekullueshme të Crick-ut.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 07 Maj 2010 13:00
shelgu nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė shelgu Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me shelgu (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: shelgu Shto shelgu nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto shelgu nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 03:57 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Bota e librit > Bota e perkthyesit

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.