Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Letersia Moderne Shqiptare > Ismail Kadare > Koncert ne fund te dimrit
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
i_lire
^^i_lire^^

Regjistruar: 02/08/2003
Vendbanimi: ^^__^^
Mesazhe: 1610

Koncert ne fund te dimrit

(fragment)

Duke hapur derën e apartamentit, ku zilja kishte një copë here që binte me këmbëngulje, nënqeshja me të cilën Silva bëhej gati të priste mysafirët e parë, i mbeti në buzë. Në vend të mysafirëve ajo pa një burrë, që mbante në krahë një fuçi të rëndë, sipër së cilës dilnin degët e një limoni. -Familja Gjergj Dibra? - pyeti burri. -Po, - tha Silva pakëz e hutuar. - Ah, ju keni sjellë këtë limon për ne? -E keni porositur, apo jo? Pa e bërë të gjatë njeriu hyri brenda në korridor. -Ku do ta vendosni? - pyeti ai me njëfarë padurimi. Ndihej menjëherë që fuçia ishte e rëndë -Kujdes! - tha Silva. - Këtej ju lutem, - dhe hapi derën e njërës prej dhomave. Njeriu kaloi me hapa të rëndë mes për mes dhomës, për të dalë në ballkon, derën e të cilit Silva porsa e kishte hapur.
-Vendoseni si të mundni, - tha Silva, - më vonë do ta rregullojmë.
Njeriu e uli fuçinë, drejtoi trupin dhe psherëtiu. Në korridor po binte telefoni dhe s'kishte asnjeri që ta ngrinte. Uh, ia bëri me vete ajo, edhe ky limon na duhej të vinte sot.
-Një herë në tre mnuaj duhet ta spërkatni kundër parazitëve. Një herë në gjashtë muaj t'i ndërroni dheun, - nisi të fliste njeriu me një zë monoton.-Veç kësaj, në raste ngricash duhet ta mbuloni me një letër celofani, ndryshe mund të thahet brenda një nate. Silva dëgjonte pa e pasur mendjen aty. Kishte mbetur ende pa u përgatitur sallata, pa u prerë rostoja dhe dhjetëra gjëra të tjera të vogla. Kurse mysafirët mund të vinin nga çasti në çast. Veç kësaj i duhej të vishte një fustan tjetër për darkën dhe të bënte pak tualet. Ajo bëri një shenjë padurimi, të cilën ai, siç duket, e kapi, sepse i tha:
-Na falni, se mbase erdhëm në një kohë të papërshtatshme .
-S'ka gjë,- tha Silva.- S'ka gjë. Asaj papritur i erdhi turp nga vetja. Njeriu e kishte ngritur në krahë gjer në katin e tretë atë fuçi, kurse ajo bëhej nervoze. -Urdhëroni të merrni diçka, - tha ajo në korridor, e pushtuar befas nga një ndjenjë faji. -Jo, falemnderit.
-Ju lutem,- ia bëri ajo, -sot kam ditëlindjen e vajzës, mos ma prishni. -Epo mirë atëherë, - tha ai. Silva rrëmbeu njërën nga shishet e rakisë të bëra gati për darkën dhe i shtiu në një gotë. - Gëzuar ! Edhe njëqind ! -Ju falemnderit! Kur dera u mbyll pas shpinës së të panjohurit, Silva u kthye te tryeza e shtruar, deshi të rregullonte diçka në të, por nuk bëri asgjë, veç vështroi një copë herë pjatat dhe gotat, që rrëzëllenin ftohtë. Zilja e derës e nxori nga mpirja, por këtë herë e njohu dorën e së bijës. -Brikena, ç'u bëre?- i tha. -Po kishte shumë njerëz në dyqan, mama, -tha vajza, duke nxjerrë nga çanta shishet me ujë mineral. -Të keqen mami, a mund ta bësh ti sallatën e ta presësh roston, sa të bëj unë një dush edhe të ndërrohem? Më duket se mbaj erë gjellë. -Mirë, mama. Ndërsa zhvishej në banjë, asaj iu duk se ishte mbushur pak më tepër se ç'duhej në ijet dhe një copë herë qëndroi mendueshëm përpara pasqyrës, sikur të harronte përse gjendej atje. Pastaj që nga orridori erdhi tingulli i ziles së telefonit dhe Silva, ikur të përmendej nga gjumi, ngriti dorezën e dushit. Ajo e bëri dushin shpejt e shpejt, e munduar nga ideja se mysafirët mund të mbërrinin në çdo minute. Meqenëse me përjashtim të dy mësueseve të Brikenës ishin të gjithë njerëz të afërt, ajo nuk ua kishte caktuar orën dhe tani po pendohej për këtë.
Në dhomën e gjumit Silva qëndroi një copë herë para dollapit pa vendosur cilin fustan të vishte. Pastaj ndjeu ftohtë dhe, pa e zgjatur më, veshi me shpejtësi një fustan ngjyrëlila, që Gjergji e pëlqente veçanërisht. Fustani i rrinte njëlloj si më parë dhe kjo donte të thoshte se dyshimi se ishte shëndoshur më shumë se ç'duhej kishte qenë i kotë. Unë nuk e kuptoj shqetësimin tënd për linjën e trupit, i thoshte herë pas here Gjergji. Ti je në atë moshë që quhet mosha e lulëzimit të plotë të gruas. (Silva e dinte se ai ishte tepër i kujdesshëm për të përdorur fjalën "lulëzim" në vend të fjalës "pjekuri", gjë për të cilën ajo fshehurazi e falënderonte). Mbase unë kam shije disi të kapërcyer, por sidoqoftë nuk e kuptoj dot se si një grua në lulëzim të jetë si shkarpë. Silva buzeqeshi me vete përpara pasqyrës Ajo e ndjeu se fustani që veshi e ndau menjëherë ditën më dysh. Kështu ndodhte gjithmonë në raste të tilla, në ditëlindje apo festa të tjera. Dukej sikur rrëmuja e përgatitjeve s'do të merrte fund, por vinte papritur një çast kur dita e telasheve ndahej prerazi nga dita festive. Ndërsa kopsiste jakën e fustanit, Silva e ndjeu se ky çast kishte ardhur. Me krehrin në dorë ajo s'u mendua gjatë për modelin e flokëve. Bëri një krehje që i pëlqente Gjergjit, megjithëse ai ishte larg. Por ndoshta pikërisht ngaqë ai ishte larg dhe në udhëtim, ajo i krehu flokët ashtu -Mami, sa e bukur je bërë! - i tha Brikena, kur ajo doli në korridor. Silva i buzëqeshi së bijës, i hodhi një sy tryezës, që tani iu duk si diçka që s'kishte shumë lidhje me të, dhe, pa e ditur as vetë pse, u vërtit një copë herë nëpër apartament. Asaj i pelqente gjithmonë në orën përpara ardhjes së miqve të ulej në ndonjë nga ndenjëset, në pritje. Mirëpo gabimi që kishte bërë, që nuk u kishte thënë orën e ardhjes, po ia prishte tani këtë kënaqësi. -Mama, e preva edhe roston, do ta shikosh?- u dëgjua zëri i së bijës nga kuzhina. Silva ishte ulur më në fund në njërin nga kolltukët e dhomës së ndenjjes me sy gjysmë të mbyllur. Dita kishte qenë vërtet tepër e lodhshme, sepse, ndryshe nga herët e tjera, ajo nuk kishte pasur ndihmën e Gjergjit. Sa mirë që bëra banjë, mendoi. Drita e pasdites së tetorit binte e përhirtë mbi raftet e bibliotekës, ku statujat e vogla të vendosura pranë librave, të gjitha kujtime të kohës kur ajo punonte në ekspeditën arkeologjike, ngjanin në këtë orë para rënies së muzgut me një radhë hijesh të afruara heshturazi si për të kumtuar diçka. Por mjaftonte një zhurmë, një hyrje e dikujt që ato ta humbnin në çast atë gjallërim misterioz, për t'u kthyer prapë në terakotë apo gur. Te dera e dhomës, e hollë dhe e gjatë për trembëdhjetë , vjetët e saj, qe shfaqur Brikena. -Mami, gjithçka është gati. Ti mos u shqetëso më. -Falemnderit, Brikena. Ulu tani edhe ti. Vajza u ul përballë saj. -Ku mund të jetë tani babi?-tha ajo. Silva ngriti supet. -Në qiell mbi ndonjë shkretëtirë ose në ndonjë aeroport, duke pritur avionin tjetër. Vajza u mat të pyeste diçka tjetër, por fytyra e Silvës, që kishte mbështetur kokën pas shpinës së kolltukut, ishte ajo e njeriut që, pas një dite të lodhshme, kërkon pakëz pushim.
Heshturazi vajza iu afrua bibliotekës, mori që andej një nga albumet e fotografive të familjes dhe, pasi u ul në vendin e mëparshëm, nisi ta shfletonte.

__________________
s...._d._m... says: for nothing that happened this time...!!

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 13 Shtator 2003 02:54
i_lire nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė i_lire Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me i_lire (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė i_lire't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: i_lire Shto i_lire nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto i_lire nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 16:10 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Letersia Moderne Shqiptare > Ismail Kadare > Koncert ne fund te dimrit

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.