AIR-FORCE-ONE
deri ne vdekje politike
Regjistruar: 01/02/2004
Vendbanimi: U.S.WASHINGTON
Mesazhe: 663
|
Letėrkėmbimet tona me xhaxhanė, Qirjako Tenet"
Letërkëmbimet tona me xhaxhanë, Qirjako Tenet"
Quhet Koço Koka ose ndryshe Koço Teneti, dhe është djali i xhax hait të George Tenet, ish-shefit të CIA-s. Ia përkëdhel sedrën ajo çfarë i kanë thënë shpesh, se ngjan me shqiptaro-amerikanin e famshëm, të cilin ai e thërret Jorgo. "Nuk e kam takuar asnjëherë, por me të vëllanë, Uilliamin, kam folur në telefon", rrëfen 77-vjeçari për "Tirana Observer". Në një intervistë ai tregon letërkëmbimet e babait të tij me të vëllanë Qirjakon, i cili është i ati i George Tenet. Përse familja ka dy mbiemra, Koka dhe Tenet. Cila është origjina e familjes së tyre, si u njohën prindërit e ish-shefit të CIA-s, kontaktet me familjen dhe letrat që qeparioti ia dërgonte vëllait të tij. "Kam hapur zinë në shtëpinë time. Kam tri ditë që pres patriotët që më vijnë për ngushëllim", i shkruante nga Amerika babai i George Tenet të vëllait, për vdekjen e atit të tyre.
Përse familja juaj ka mbajtur dy mbiemra, Koka dhe Tenet?
Në mëhallën tonë, në Qeparonë e vjetër, janë 80 shtëpi që kanë ardhur nga Korfuzi. Bëhet fjalë për vitet 1680. Fisi ynë Koka ose Tenet e kemi origjinën nga Korfuzi, nga Kërshadhëza. I pari ynë erdhi në Qeparo, pasi vrau një njeri në Korfuz dhe për hasmëri erdhi këtu dhe bëri shtëpinë lart në Qeparo Fshat. Stërgjyshi, Xhorxhi, la vetëm një djalë, e la të vogël në djep se e vranë. Djali, Mino Koka, që ishte gjyshi ynë, u rrit dhe ai u bë me tre djem, babanë tim, Sofo Tenet dhe babanë e Georges, Qirjako Tenet, ndërsa djali i tretë vdiq shpejt.
Kur u rrit gjyshi dhe nuk i vinte mirë të dëgjonte mbiemrin Tenet, se kishin vrarë, e ndërroi atë në Koka. Janë rritur me të keq. Në vitet 1924, gjyshi Minua dhe të dy djemtë, Sofua, babai im dhe Qirjakoja, babai i Georges, shkuan në Francë dhe punuan në minierë. Por Qirjakoja nuk desh të punonte shumë në minierë dhe iku shpejt.
Si shkoi në Amerikë xhaxhai juaj?
E rregulloi me një kapiten vapori që të shkonte në Amerikë. Ishte viti 1928, mori hua dhe iku në Amerikë. Ai që i dha lekët i tha: "Ik, o djalë, po vajte mirë kujtohu për këto që të kam dhënë, në se nuk shkove mirë, hallall t'i kam bërë. Por xhaxhai brenda dy muajve pasi shkoi në Amerikë ktheu borxhin. Në vitin 1929, babai u kthye në Qeparo dhe në 1931 linda unë. Qirjako, xhaxhai që kur iku nga Franca, nuk erdhi më në Shqipëri. U martua fillimisht me një amerikane, bëri dhe një vajzë dhe ia vuri emrin Geraldina, në emër të mbretëreshës së Shqipërisë. Geraldina rron në Amerikë dhe ka katër djem. Evangjelia është gruaja e dytë e xhaxhait. Me gruan e dytë, Evangjelinë, xhaxhai ka dy djem binjakë. Ai kur u martua shkonte në kondismë dhe thoshte: O perëndi më bëj të lind një fëmijë me këtë grua dhe zoti ia dha që të bënte dy djem të mirë.
Si u njoh me Evangjelinë xhaxhai juaj?
Evangjelia ishte në Shqipëri. Në kohën e luftës iu vra vëllai nga ballistët se qe doktor i famshëm ai dhe kuronte partizanët. Vranë partizanët Aziz Sharrën, kreu i ballistëve në Vlorë, dhe në hakmarrje të tij ballistët vranë doktorin, pra e kanë vrarë fare kot. Doktori e kishte gruan italiane dhe e shoqëroi Evangjelia për në Itali. Ndodhi që u mbyllën kufijtë dhe nuk u kthye dot më. Xhaxhai pasi e ndau amerikanen u martua me patrioten e tij.
A ka ardhur ndonjëherë xhaxhai juaj apo edhe të bijtë këtu tek ju?
Jo, asnjëherë nuk kanë ardhur. Ndërsa nëna e Georges, Evangjelia, ka ardhur tek ne.
Çfarë lidhjesh keni pasur me xhaxhanë dhe familjen e tij, je njohur me ta?
Jo. Sa ishte xhaxhai gjallë ai dërgonte gjithmonë dhe e ndihmonte babanë, edhe djemtë e tij sa ishin në shkollë kishin lidhje me ne, na dërgonin letra dhe fotografi shpeshherë. Kur mbaruan shkollat dhe shkuan në detyrat e tyre, nuk na dërguan më. I vogli, Uilliami, është doktor. Ndoshta ruan të vëllanë dhe nuk kanë lidhje fare me ne. Më vjen keq shumë që nuk kemi lidhje, se edhe ne nuk jemi njerëz të këqij. Me ata të Himarës kanë lidhje, ndoshta se kanë nënën e tyre gjallë. Ata të Himarës kanë shkuar në Amerikë dhe janë takuar me Gerogen (Jorgon) dhe Uilliamin (Vasilin si i themi ne), ne asnjëherë. Mirë do të na vinte të ishim të lidhur me ta.
Çfarë pasurie kishte në Amerikë Qirjako, babai i Georges?
Një restorant ku punonte bashkë me gruan e vet Evangjelinë dhe kishte 14 punëtorë që punonin tek ai. Në një letër xhaxhai nga Amerika i shkruante babait: Turp të të vijë që një djalë të vetëm e bëre shofer. Ti pse nuk më kërkove mua të të ndihmoja për të vazhduar djali shkollë". Por unë jetën si shofer e kalova më mirë nga të gjithë. Rrita fëmijë të mirë dhe me shkollë të lartë.
Në çfarë gjuhe i shkruante xhaxhai juaj letrat?
Xhaxhai shkruante edhe shqip, edhe greqisht në letra. Një miku i xhaxhait, Vasil Voda, i thoshte shpesh atij kur ishin në Amerikë: Dua të shkoj e të vdes në Piqeras të më qajnë gratë piqerasiote. Dhe vërtet, erdhi e vdiq në Piqeras. Kjo e bënte që xhaxhai shpesh në letra na shkruante: Ishte i lumtur Vasil Voda që shkoi e vdiq në Piqeras. Unë i shkreti do vdes pa njeri pranë. Xhaxhai im kishte mall të madh për vendin e tij dhe ishte shumë bujar. Në krizën e pas luftës gjithë farefisit të vet në Qeparo u dërgoi nga dy thasë miell dhe ndihma të tjera. Dhe kush ishte i sëmurë po t'i dërgoje recetë për ilaçe ua dërgonte.
Ju kujtohet ndonjë letër e tij?
Kur vdiq gjyshi xhaxhai na dërgoi një letër shumë mallëngjyese, ku shkruante: Kam hapur zinë në shtëpinë time. Kam tri ditë që pres patriotët që më vijnë për ngushëllim.
Edhe kur vdiq gjyshja shkroi. Edhe kur më vdiq gruaja e parë më shkruan dhe më ngushëlluan edhe djemtë e xhaxhait. Pas asaj nuk kemi pasur më letërkëmbim. Në telefon kam folur vetëm një herë me Uilliamin, me të voglin, ndërsa me Georgen jo. Kemi folur greqisht. I thashë që gjyshi dhe babai e kanë pasur merak që nuk u panë njëherë juve. Edhe unë po plakem, mos vallë edhe unë atë fat do kem. - Jo, - mu përgjigj nga matanë telit. - Do takohemi. - Kanë kaluar kaq shumë vjet dhe ende nuk shihemi me njëri-tjetrin. Megjithatë, shpresojmë.
Në shtëpitë e prindërve të George Tenet
Nga e dErguara jonE nE HimarE
Mira Zenati
Historia e jetës së ish-shefit të CIA-s fillon në faqet 10-11 të librit të tij me kujtime "Në qendër të stuhisë". Ndërsa jashtë tij, ajo nis buzë detit të kthjellët të Himarës, në shtëpitë e prindërve të tij, nënës Evangjeli Kacelano e të atit, Qirjako. Në Himarë pushon edhe kërkëllitja e makinës që na ka shoqëruar që nga Tirana. I pari himariot që takojmë është Irakliu, që menjëherë "punësohet" si udhërrëfyesi ynë. Sapo e pyesim nëse njeh ndonjë nga fisi i George Tenet, ai na drejton për nga djali i hallës së tij, i cili ka një restorant në qendër të Himarës. Edhe halla e tij, Evangjelia, e ëma e ish-shefit të CIA-s, kishte hapur me të shoqin një restorant në Amerikë. Sakaq mbërrijmë në restorant "Piazza" që është vetëm 40 metra larg nga deti dhe përshëndetemi me kushëririn e parë të George Tenet. Ai quhet Zaharia Kacelano. Është 65-vjeç dhe kapelja që mban në kokë nuk ia mbulon krejtësisht thinjat e shumta. "Do të më pëlqente që djali i hallës sime të vinte këtu e të hanim një peshk bashkë", thotë ai për kushëririn e tij të parë, duke na hequr përfundimisht dyshimet se George Tenet ka qenë në Shqipëri. Po sipas tij, atij do t'i pëlqente të vinte tek shtëpia ku i kishte lindur e ëma, atje ku jeton aktualisht edhe Zaharia. "Shtëpia është vetëm 500 metra larg nga këtu", thotë 65-vjeçari i cili na shoqëron me shumë respekt.
Në shtëpinë e nënës së George Tenet
Përpara na shfaqet një shtëpi e vjetër guri 107-vjeçare. Ajo është ndërtuar në vitin 1900, ka tre kate që ndahen me mur guri të trashë 80 cm. Në krah të shtëpisë ndodhet kisha. "Këtë e ka ndërtuar Vasili, gjyshi i George Tenetit, me kursimet e tij në kurbet", tregon Zaharia. Me dhimbje nxjerr nga xhepi një fotografi të vjetër, baraka ku e shpunë familjen e tij, pasi e nxorën nga shtëpia, sepse i ati qe dënuar në burgun e Burrelit për arsye politike. Në foto dallohet gjyshja e tij dhe e George, Amalia, e cila ka vdekur në vitin 1963. Po në këtë shtëpi Amalia ka lindur edhe Evangjelinë, nënën e ish-shefit të CIA-s. Sipas Zaharisë, halla e tij njihej si një grua shumë e zonja dhe bujare. Ajo ishte nisur për në Itali, duke shoqëruar për tek të prindërit nusen italiane të vëllait të saj që ishte vrarë një vit më parë nga ballistët. "Vëllai i Evangjelisë, që është xhaxhai im, ishte doktor i njohur dhe kishte ardhur nga Italia bashkë me të shoqen për të ndihmuar partizanët", shpjegon Zaharia, ndërsa na tregon dhomat e shtëpisë. "Ishte viti 1944. Halla ishte 35 vjeçe në atë kohë dhe ngaqë u mbyllën rrugët për të ardhur në Himarë, ato mbetën atje". Pikërisht në Itali, nëna e George Tenet është takuar edhe me Qirjakon, që më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj. Me një shkesi alla shqiptarçe, që ish-shefi i CIA-s e shpjegon mjaft mirë në librin e tij, duke thënë se babai i erdhi rrotull mamasë për dy javë, ata martohen dhe nisen për në Amerikë. Për ta vazhduar historinë, neve na duhet të nisemi për në Qeparo, në fshatin ku lindi babai i George Tenet, Qirjako. Zaharia na vjen në ndihmë edhe në këtë "nismë-marrje". E njeh mirë fisin e burrit të hallës dhe na drejton për në Qeparo. Fshati ku Ali Pasha ndërtoi tri shtëpi për veten e tij, vetëm nga bukuria e natyrës, duket si një ballkon me pamje nga deti. Shtëpitë trekatëshe në mes agrumeve duken si kështjella të vogla prej guri. Vetëm 3 kilometra nga Qeparoi i Ri, në atë që quhet Qeparo Fshat ndodhet edhe shtëpia e babait të George Tenet. Ose ndryshe Koka. Edhe Zaharia na shpjegon se përse ky fis mban dy mbiemra, por ai na thotë se më mirë mund të na e sqarojë vetë pinjolli i familjes, Koço Tenet-Koka.
Në shtëpinë e Qirjako Tenet-Kokës
Ajo është një shtëpi e vjetër, e ndërtuar në vitin 1870. Ka dy kate dhe një haur, katër dhoma të shtruara me dhoga dhe një ballkon. Për në shtëpinë e vjetër të Kokajve na shoqëroi vetë Koço Koka, i cili edhe pse 77-vjeç nuk nguron të vijë me ne që nga shtëpia e tij dhe të na shpjegojë ato çfarë di për xhaxhanë e tij dhe djemtë binjakë, George dhe Uilliam Tenet. "Këtu tashmë nuk jeton njeri", thotë ai me lot në sy, duke kujtuar të atin që vdiq me peng në zemër për të vëllanë, Qirjakon, me të cilin u nda që në vitin 1928 dhe nuk e pa më me sy. "Xhaxhai bashkë me babanë dhe gjyshin, në vitin 1924 shkuan në Francë dhe punuan në minierë. Por Qirjako katër vjet më vonë, me një hua shkoi në Amerikë", rrëfen nipi i Qirjako Tenet. Ndërsa i ati u kthye në Qeparo edhe pse vëllai i tij ia kishte bërë dokumentet për në Amerikë. "Gjyshi nuk donte që babai të ikte në Amerikë", shpjegon Koço. Kështu pas kësaj ndarjeje, ajo çfarë i bashkonte ishin vetëm letrat që vinin që nga larg dhe fotografitë që xhaxhai i tij i dërgonte vazhdimisht. Vet Qirjako Tenet nuk arriti të kthehej në shtëpinë e tij. Ndërsa e shoqja, Evangjelia, po. Ajo e ka vizituar shtëpinë ku "ka vajtur nuse", gjatë vizitës së saj në vitin 1987, një kënaqësi shumë e madhe për familjen qepariote me dy mbiemra. Historia e mbiemrit Tenet-Koka nis e përfundon në një histori hasmërie. 77-vjeçari na tregon se të parët e tij ishin zhvendosur nga Korfuzi për në Qeparo në vitet 1680, pas një vrasjeje. Pas disa kohësh, gjyshi i George Tenet e ndryshon mbiemrin nga Tenet në Koka, pasi i vinte turp të etiketohej si familje vrasësish. Pikërisht për këtë arsye, kjo familje mban dy mbiemra. "Kur vdiq gjyshi, xhaxhai na dërgoi një letër shumë mallëngjyese", kujton nipi i Qirjako Tenet, duke shtuar se letrat vinin edhe në shqip edhe në greqisht. "Bashkëbisedimet rridhnin lirshëm në greqisht dhe në anglisht. Kur mamaja dhe babai nuk donin që unë dhe vëllai të dëgjonim atë që ata flisnin, ato e kthenin muhabetin në gjuhën shqipe", thotë në librin e tij, George Tenet. Më pas pak flet për Shqipërinë. Por duke u larguar nga Qeparoi e Himara, kuptojmë se shtëpitë e gurta memece ku lindën prindërit e tij, thonë më shumë
__________________
"Njė burrė mund t?i japė dinjitet rangut tė tij, por asnjė
rang s?mund t?ia shtojė dinjitetin njė burri ? "
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|