Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Besimi Fetar > Feja krishtere > vetėvrasje - manipulim - abuzim
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
drite prej drite
Anetar i regjistruar

Regjistruar: 06/03/2005
Vendbanimi: Toronto
Mesazhe: 34

vetėvrasje - manipulim - abuzim

Reagimi kulturor i vetëvrasjes

At Foti Cici

Vetëvrasjet e tre vajzave këtë muaj kanë shkënditur të blertën për një debat publik. Ndoshta duhej të vetëflijoheshin të miturit, që ne të rriturit të rezistonim një përsiatje mbi format e skajshme reaguese, një dukuri mjaft e ngjarë këto vite kalimtarie për shqiptarët prej Shqipërie; vetëmohimi si mohimi ynë. E veçanta e këtij rasti ishte mosha dhe rrethanat e viktimave, prandaj dhe vazhdon të trajtohet me nerv në shtypin shqiptar.

Shkrimet që munda të lexoj trajtojnë më tepër rrethanat e vetëvrasësve, përzgjedhjet e tyre, dhe shigjetojnë tek mjediset ku ishin joshur e mëkuar vajzat, duke bërë të mendohet se atje qenka dhe përgjegjësia kryesore. Tejpjekuria fëminore, veçse, e cila dhe ajo është njësoj e lashtë sa vetëvrasja, theksohet e merret si cilësi virtyti për t’a bërë edhe më rituale, gjë që pështjellon analizën e vetëvrasjeve këto vite. Vetëgjyqësimi për shqiptarët e pasdiktaturës ndjej se është një nga tiparet këmbëngulëse për t’u ngritur befasisht, jashtë kohe e sa më lart, prandaj dhe shpërthen si reagim për të mbuluar boshllëqet verbale të durimit, ky filtër i mundimit njerëzor.

Spiritualiti ynë e ka trajtuar vetëflijimin në bazë doktrinash e vlerash universale, domethënë me synime dënuese. Formulimet e besimeve tradicionale, ashtu siç u paraqitën në shtyp këto ditë, mjerisht shprehin të njëjtat motive ekskluzive; në këtë rast është ajo që thotë populli, “rroftë sebepi”. Ndoshta i përket shoqërisë shqiptare për të bërë thelbin e debatit, për t’a trajtuar vetëvrasjen si veçori vendore, për të rrëmuar e formuluar përmbajtjen tonë socio-kulturore, intensitetin emocional të këtij brezi, me ato pasoja që po të pranoheshin nuk do të çonin në vetëshkatërrim mjaft bashkëkohës. Psikologjia, për parantezë, ushtron ende hije në kulturën tonë, siç duket e ngurtësuar në shprehje shqipe që janë gjerësisht të përdorshme në vrundujt e së folmes.


Manipulimi i mendjes

Edhe pse mendoj se vetëvrasja si veçori kulturore na pret t’a rrokim si topik risues, tematika e këtyre ditëve në shtyp shtyn të pranojmë një pjesë të krimit: manipulimin e mendjes, gjë që shërben si predispozitë për vetëmohim, sidomos në rrethana aktivizuese. Mendjemanipulimi mund të ndodhë në familje, ku dikush ka dhunti për t’u imponuar psikologjikisht, në një lidhje intime, ku njëra palë është emocionalisht më e fortë, në një proces shkëmbimi, ku dhuntia e shitësit shton nevojën e blerësit, por mund të fytyrohet më qartë në grupime ku lideri përdor modele teknikash, të përdorura më parë me sukses në histori, për të manipuluar mendjet e pjesëmarrësve. Prandaj dhe kontrolli mendor mund të zbulohet më lehtë në fe dhe në politikë.

Pavarësisht nga vlerësimet mbi disa sekte, të cilat janë të njohura për doktrinat e tyre shtrënguese, rreziku për manipulim të mendjes e zelltari skajore ndodhet në çdo institucion fetar. Qeverisësit e hirshëm kanë të njëjtin potencial rrëshqitjeje në çdo religjion, janë pjesëtarë në të njëjtat dhunti e vese. Njësoj mund të themi dhe për lëmin e politikës. Pa shkulluar vetëvrasjet e politikanëve në historinë shqiptare, të cilat nuk mund të përjashtohen nga kjo problematikë, ekzistojnë rrethana kurthi për çdo brez, për çdo formacion politik, ku nuk fshihen raste personale e grupore vetëgjyqësimesh. Le të përkujtojmë pastaj vdekjet e ngadalta përreth, viktimat më të spikatura të manipulimit të njeriut, të cilat nuk janë spektakolare, prandaj dhe vijojnë në botën shqiptare gojëkyçura; në fe, në politikë dhe në lidhjet bashkëshortore e ndërpersonale.

Nuk përbën pjesë të kësaj përsiatjeje manipulimi i vullnetshëm, domethënë dëshirat vetabuzuese që ëndet dikush të hijesojë, sesa manipulimi si mashtrim, ai mjedis që sheston një lojë mendore, ku një njeri a një grup njerëzish përfundojnë viktima të manipulimit. Këto subjekte përdoren pastaj për të përjetësuar interesat e grupit/klanit, dhe në të njëjtën kohë ndodhen shumë afër një reagimi të skajshëm, siç mund të jetë flijimi i dikujt, si nevojë për t’u realizuar individualisht, ose vetëflijimi, si pasojë e kultizimit të vetvetes, duke u perënduar brenda një hyjnaje të imagjinuar, por dhe i zhgënjimit që mund të shkaktojë vetënjohja si zbulim. Për pasojë, manipulimi i pavullnetshëm kërcënon ngjizjen e një shoqërie të lirë shqiptare.


Brishtësia e ndërsjelltë

Në një studim mbi metodat manipuluese që përdorin kultet bashkëkohore, për të shtuar e kultivuar ithtarët, vlerësohet se viktimat më të mundshme për manipulim të pavullnetshëm janë “të rinjtë, të dobëtit, naivët dhe neurotikët” (Isser & Schawartz, The history of conversion and contemporary cults, 1988). Fjala “kult” përdoret këtu në kuptimin e një grupi fetar a politik, ku njëshi krijon një mjedis manipulimi. A nuk është shqetësues ky hulumtim nëse përqaset me përvojën shqiptare të këtij brezi? Ja sepse:

a) Në shumicë shqiptarët janë “të rinj”, jo vetëm nga mosha por nga përvoja psiko-spirituale, përderisa feja është diçka e sapombjellur, por që pak më parë ishte çrrënjosur; b) Shumë shqiptarë janë “të dobët”, jo gjithmonë nga fiziku, sesa nga aspekti ekonomik, i cili përdoret shpesh nga kultet e sotme; c) Shqiptarët mund të jenë “naivë”, jo nga mprehtësia, sesa nga mungesa e përvojës për të shquar dhuntitë e dikujt që vepron në “shenjtëri”; d) Shumë janë “neurotikë”, jo nga klinika e termit, sesa nga shtypja e gjithanshme që jeta i ka imponuar shqiptarit të sotëm, kujt më shumë e kujt më pak. Si rrjedhojë, të gjithë rrezikohemi nga manipulimi në fe e në politikë, por dhe nga abuzimi në marrëdhëniet ndërpersonale; jemi, pra, të brishtë për t’u përdorur nga kultet.

Sidoqoftë, kur ne jemi të informuar mbi teknikat manipuluese, pozita e kulteve bëhet më e brishtë se pozita jonë, aq sa vetë ne mund të transformojmë ndonjëherë dhe vetë prijësit e kultizuar, të cilët edhe ata janë viktima, pavarësisht se jetojnë vetëm për të vdekur e ngjallur viktima. Duke shquar këtë brishtësi të ndërsjelltë, është e ngutshme të nxitemi drejt kësaj perspektive në familje, në fis, në shoqëri, në tempull e kudo: informim e ndërgjegjësim për teknikat e manipulimit mendor. Në një vizion të tillë shoqëria shqiptare ka nevojë për një përfshirje e bashkëveprim organizmash (jo fetarë e jo politikë), për të fjalësuar përmes lëmit psikologjik. Përpjekje të tilla ndriçuese do të lehtësojnë jetën tonë në këtë periudhë të pështjelluar kulturore, do të jenë prehja që presin shumë jetë të humbura, si dhe jetëdhënia që aspirojnë shumë viktima gjysmë të gjalla; bashkëvuajtësit e vetëgjyqësuar për një reformë shëruese në përvojën shqiptare.

Shekulli, 23 shkurt 2005

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 07 Mars 2005 19:55
drite prej drite nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė drite prej drite Kėrko mesazhe tė tjera nga: drite prej drite Shto drite prej drite nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto drite prej drite nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
drite prej drite
Anetar i regjistruar

Regjistruar: 06/03/2005
Vendbanimi: Toronto
Mesazhe: 34

Teknologjia e manipulimit


At Foti Cici


Një nga temat e rrahura këtë muaj në shtyp është vetëvrasja e tre të miturve, me gjithë paragogët që e shoqërojnë, duke përfshirë dhe debate mbi marrëdhëniet shtet-fe, gjë që ka ngjyruar gjykimet publike. Institucionet e traditës fetare, si dhe politikanë e publicistë, të paanashëm e të njëanshëm, u shprehën kundër disa institucioneve që, edhe pse veprojnë shtrënguese në predikim, nuk janë përgjegjëse për mungesën e një kulture psikologjike të profesionalizuar në Shqipëri. Sidoqoftë, vetëflijimi i të miturve dëshmon përmasat e depërtimin e manipulimit mendor në një shoqëri ku nuk ekzistojnë mundësi të strukturuara informimi. Për më tepër, vetëvrasja është një dukuri që shfaqet shpesh gjatë këtyre viteve, si një reagim me fillesa, përmasa e mbaresa tej gjestit të mbramë.



Përsa i përket veprimtarive spirituale në Shqipëri, gjatë kësaj periudhe historike, nga “vresht i ndaluar” atdheu ynë është kthyer në “han pa portë”. As sot që debatojmë, nuk ekziston planifikim a bashkërendim thelbësor për një perspektivë parashikuese në lëmin psikologjik. A ekziston informacion, në shkollë, në shtyp, në tempull e gjetkë, mbi manipulimin e mendjes, mbi atë teknologji modelesh që mund të këndirrë edhe një tru të mprehtë, në qoftë se nuk jemi të ndërgjegjësuar se ç’është kontrolli mendor në historinë njerëzore?



Shqipëria konsiderohet si një nga shembujt më të spikatur ku mendjemanipulimi i diktaturës komuniste ka qenë më i suksesshëm nga kudo gjetkë. Në qoftë se ai nuk do ishte i frutshëm, atëherë si do të justifikoheshim ne shqiptarët për mosreagim gjithëshqiptar ndaj një regjimi çnjerëzor? Ky pohim i dhimbshëm është pranuar në heshtje, gjë që ndoshta ka bërë mendimin e pasdiktaturës të mos përfshijë manipulimin në temat e mirëfillta. Jo vetëm kaq, por duke pranuar të vetëkuptuar faktin se ai regjim i stërgjatur ishte krye-fund manipulim, vetë kjo nuk mjafton për të përsiatur një terapi grupore. Kjo specifikë sociale ka ftuar strategji të hapura kontrollimi mendor, ndërmarrë këto vite pa ngurrim nga njësi manipulimi.





Jetëshkrime...


Përgjatë historisë njerëzore prijës fetarë të tejdhuntishëm, politikanë e ushtarakë karizmatikë, si dhe tregtarë të talentuar, kanë përdorur me sukses teknika kontrolli mbi masën. Teknologjia e manipulimit, pra, rëndom është e gatshme. Një nga shembujt ku u mbështet më tepër Shqipëria komuniste ishte kontrolli mendor i përdorur me sukses në Rusinë sovjetike; teknikat mbi manipulimin e masës. Por nëse kontrolli mendor qenka kaq përfundimtar, përse bolshevikët e shoqëruan me terror fizik? Përdorimi i dhunës, i cili nuk mund të përdoret drejtpërdrejt në manipulimet fetare, u krye jo se sovjetikët nuk besonin tek plotëria e manipulimit, sesa nga nxitimi i pafre, gjë që dhe i gremisi përgjithmonë në histori.



Modelet që kultivoi komunizmi janë shumë të përafërta me ato që mund të zbatojë sot një kult fetar, përderisa ideologjia e “bashkimit” dhe ideologjema e “bashkësisë” ushqejnë përzgjedhje të ngjashme. Në Kinën komuniste, për shembull, përdoreshin gjashtë shkallë në forminin e anëtarëve të partisë: mjedisi i kultivimit nuk duhet të përfshinte familjen dhe miqtë; lodhje e vazhdueshme; tension; pasiguri; përdorim i egër i gjuhës; seriozitet në proces–ndalohet humori.



Pavarësisht nga referenca komuniste, një përshkrim i tillë ekziston para dhe mbas Kinës. Si rrjedhojë, mbas vetëflijimeve të fundit në Shqipëri ne ftohemi të jemi më të ndjeshëm publikisht. Në qoftë se unë kam një mik a të afërm, i mitur a i rritur, i cili shkon në një bashkësi fetare, kishë a xhami, dhe vë re se ai harxhon shumë kohë në tempull, përpiqet të shmangë të dashurit, duket përherë i lodhur e i tensionuar, ndërsa beson në jetën e përtejme, është shumë i pasigurt për të nesërmen e këtushme, ndërsa është i ëmbël kur flet për fenë e tij, shpërfytyrohet kur dikush ia kritikon atë, përpiqet të mos qeshë kur dëgjon një shaka, duke u kthyer deri në qesharak me seriozitetin e shtirur, të gjitha këto, pra, a qoftë dhe gjysmat, vërtetojnë se personi në fjalë është viktimë e një kulti.



Nga vëzhgimi këto vite del se reagimi publik i viktimave të kulteve, në shumicën e rasteve, nuk përpiqet të fshehë simptomat thënë nëpër manualet që do të deshte dikush të përqaste. Pra, nuk është vështirë të zbulojë dikush kultin, sesa t’a pranojë atë, për vetë faktin se një nga synimet e kulteve është depersonalizimi i anëtarit, domethënë thyerja e personit, e identitetit, për të krijuar në vijim një identitet të ri, një persona sipas shëmbëllesës së grupit dhe të prijësit. Kështu përjetësohen në historinë njerëzore jetëshkrimet e kultit.





Në hijen e kultit


Nëse dikush thotë se unë nuk përkas në aksh religjion, e për rrjedhojë nuk jam i manipuluar, kjo nuk jep me domosdo përgjigje të sakta, sepse kulti ndodhet edhe gjetkë; mund të jetë dhe në një kishë që nuk supozohet të kthehet në kult, por që kleriku atje bën jo atë që ka për doktrinë, por pikërisht ato që përkufizojmë këtu. Hija e manipulimit sillet rreth të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që përjetojnë një periudhë pasigurie a stresi, personal a grupor. Mundësitë për t’u manipuluar atje janë më të mëdha, sidomos nëse mjedisi i ri ka “përgjigjet”. Në kësi rastesh, bujtësi negociohet, qoftë dhe kur i kërkohet një pranim për t’u kontrolluar e për t’u nënshtruar, duke pohuar atë që thanë të lashtët, “Nuk ka gjë më të përhershme sesa e përkohshmja”.



Përveç arsyeve të përditshme që mund të ketë dikush, ka dhe zona të tjera që përdoren nga kultet, siç janë emocionet kulturore; gjuha, fjala vjen. Përdorimi ekskluziv i një zhargoni gjuhësor me rrëshqitje nga standardi, bëhet tërheqës për dikë që i është neveritur cilësia publike e përditshmërisë, edhe pse zhgënjimi i të mjerëve është tejet gjuhës. Aksesi në një gjuhë të tillë, prekja e përdorimi i këtyre teksteve, inicizimi e shkëmbimi i këtij fjalësi të qashtër midis anëtarëve të tjerë të grupit, krijon një kod emocionesh. Ndjesia se kjo gjuhë e kultit është ndryshe nga gjuha e botës, e madje e kulluar, prandaj dhe e përdorur vetëm nga grupi, jep përshtypjen e pashkruar se bukuria e standardit ekziston brenda banalitetit të tij. Synimet e tjera kulturore mbi gjuhën janë dytësore, edhe pse zhurmojnë parësisht kalesën e dikujt në rajon, apo shfaqen e renditen si të parat në rrëmujën e ideve, a nëse janë shkasi kryesor për dërgimin e një ekipi të tillë diku, me këto shije e me këtë përmbajtje spirituale; në kësi rastesh kemi kryqëzim interesash, sesa përpuqje pasionesh.



Mbas qëndresës e mbijetimit brenda një kulti të tillë (kult me të dy kuptimet: bashkësi fetare dhe mjedis manipulimi), pjesë e joshjes bëhet dhe ekskluziviteti spiritual: “hiri i Perëndisë e ka treguar tek ne, jo tek ata”, “vetëm ne do t’a shpëtojmë shpirtin”, “vetëm ne kemi zgjidhjet për problemet e Shqipërisë”, “vetëm ne jemi të njohur në gjithë botën, dhe jo religjionet e tjera”, “vetëm ne kemi grada shkencore”, e të tjera gjepura; të rrezikshme, veç, për ata që i besojnë. Por rëndom një marrëzi e tillë përkon me një trajtim social të anëtarëve. Kultet përkujdesen për vasalët. Ka raste kur anëtarët e vjetër përkujdesen për të rinjtë, dhe me kalimin e kohës ata që janë jashtë kultit e shohin veten në një pozitë më të dobët shoqërore, ashtu siç është e vërteta në Shqipëri.



Sidoqoftë, anëtarët e kultit janë dhe mbeten viktima. Denigrimi i njeriut vijon njësoj për çdo kult. Për të ndjerë denigrimin e individualitetit, investimi mund të arrijë gjer atje, saqë në raste bashkëngrënieje të serviret ajo gjellë që denigron shijen individuale të pjesëmarrësve. Kjo pastaj duhet të shpaguhet gjetkë, tashmë e sendërtuar nga ngrënësit, kundër atyre që guxojnë të shkodizojnë nga jashtë misteret e kultit. Zëri i prijësit nuk ka pse të përdoret fare, sepse vetëm nënqeshja e tij rrënqethëse gjilpëron një mimikë grupore reagimesh. Adhurimi ndaj udhëheqësit, politik a fetar, shprehet me modelet e stërnjohura: thirrma përlavduese e pasthirrma histerike, shkrime himnore anonime “nga një grup...” në gazetën e kultit, fletërrufe prej listash eponime kundër “kulakut” në shtypin sekullar, mësymje me pseudonime në Internet, etj.



* * *



Përshkrimet e manipulimit të mendjes në botën shqiptare e tej saj na ndihmojnë t’i përqasemi realitetit psikologjik, për të ndihmuar ata që ndodhen nën presion, nën proselitizim, nën përdhunën kulturore të një fuqie, subjektet, pra, e teknikave të kontrollit. Mbi të gjitha, debate të tilla na ndihmojnë për të ruajtur të pacënuar veten tonë, atë zonë të mendjes që këndit kërshërinë e natyrës njerëzore. Sa për format e skajshme të mendjemanipulimit, ato nuk mund të përluftohen me debate sugjerimi; kanë ekzistuar e do të vijojnë në historinë njerëzore. Sipërmarrja jonë përmes teknologjisë së manipulimit, përpiqet të thotë se teknikat e përdorura në kultet fetare e politike nuk janë as të reja e as ekskluzive.



Duke përfunduar mund të themi përmbledhtas se “kult është një grup a një lëvizje që shfaq përkushtim të ndërkryer (të tërbuar) ndaj një personi, ideje a diçkaje, dhe që përdor teknika manipuluese jashtë etikës (të pamoralshme) për të bindur e kontrolluar, duke synuar realizimin e qëllimeve të prijësve të grupit, e duke shkaktuar kësisoj dëmtimin e anëtarëve, të familjeve të tyre, ose të komunitetit” (“Cultism: A conference for scholars and policy makers”, Cultic Studies Journal, 1986/3).



Gazeta TemA, 24 shkurt 2005

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 09 Mars 2005 18:37
drite prej drite nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė drite prej drite Kėrko mesazhe tė tjera nga: drite prej drite Shto drite prej drite nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto drite prej drite nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
drite prej drite
Anetar i regjistruar

Regjistruar: 06/03/2005
Vendbanimi: Toronto
Mesazhe: 34

Pushtet e abuzim nė kishėn shqiptare

Pushtet e abuzim në kishë


At Foti Cici


Skandalet në hierarkinë e kishës greke kanë shkaktuar një krizë të paparë në historinë e kishës së Greqisë. Të gjitha çka thuhen sot publikisht, veçse, ka vite që përtypen në rrethet kishtare. Gjithë kjo dëshmon zvetënimin e strukturave vetëpastruese të një institucioni që vetësupozohet i qashtër, por dhe pafuqishmërinë për të vepruar. Thjesht, besimtarët prisnin këtë vetërrënim të abuzimit, qarkimin e plotë të paudhësisë, atëherë kur e keqja bymehet kaq shumë, saqë nuk nxen më e nis vetvetiu të përhapet, duke thirrur me zë mali gjenealogjitë e ujdhesave të turpit.



Nëse s’harrojmë ato veçori të mendësisë jugore mbi çështjet e politikës së jashtme, a mund të shpresojmë për përzbardhje pa kufij të korrupsionit kishtar? Ky vlerësim zhgënjyes do të thotë se shumëfishi i denoncimit nuk mund të sigurojë zgjidhje rrënjësore në kishën ortodokse, përveçse zgjidhje kompromisi, për t’i kthyer besimtarët tek tkurrja stoike e përjetimit, tek durimi e pritja për një bymim e shpërthim tjetër të së keqes, pa ditur se kur e ku...



Përderisa sendëzimi i planeve abuzuese përfshin e përdor shpesh punëtorë kishtarë me tendenca bindjeje ndaj një eprori, i cili mund të ketë dhunti të shfaqet e të veprojë si “ëngjëll drite”, situata e sotme ngre pikëpyetjen e pushtetit kishtar; thelbin, përmasat, përdorimin dhe shpërdorimin e tij. Kisharët dhe besimtarët duhet të dinë se bindja në kishë ka caqe. Kur këto caqe cënohen, ndërgjegjësimi i të krishterit duhet të zëvendësojë verbërinë e nënshtrimit.





Bindja si nënshtrim kulturor



Në krishtërimin lindor vizioni i kishës është përkufizuar nga bindja se ajo duhet të jetë “pa njolla a rrudha”. Ka raste kur punëtorët e kishës i dorëzohen pasioneve të një pushteti tjetër, prandaj dhe i imponuar tek ne me çdo mjet, e madje gjer në fund. Një nga pikat që çojnë në reagim është përsiatja mbi administrimin e pushtetit, për të kundërshtuar përmasat tejfetare që ka marrë abuzimi, mbrojtur nga bindja si vlerë e shpërdoruar në spiritualitetin ortodoks.



Në gjithë literaturën e spiritualitetit ortodoks, bindja është cilësuar si “e para ndër virtyte”. Këtu kapen e s’kapen kurrë pushtetarët, sidomos në vende ku ekzistojnë rrethana mosbindjeje, duke krijuar situata tej e ndanë klinike, të cilat mund të përshkruhen nëpërmjet psikologjisë, veçanërisht në lëmin që studion kultin e prijësit dhe teknikat e manipulimit të mendjes së besimtarit. Të bindesh në kishën ortodokse nuk do të thotë të nënshtrohesh nën vullnetin e një kleriku që është më i fuqishëm; është të dëgjosh e të presësh nga Zoti. Të dëgjosh mbi të gjitha zërin tënd të fisnikëruar. Por dëgjimi dhe heshtja është dhe për atë që ushtron pushtetin. Pushteti spiritual shpesh shprehet me breshëri fjalësh, sentencash, sibilizmash, e në të njëjtën kohë me sharje, shpifje e kërcënime, duke penguar qetësinë ku zbulohet realiteti tek i cili është dedikuar dikush. Suksesi i pushtetit kishtar duhet shkodizuar në termat e shërbesës fetare e jo të dominimit kulturor.



Simbolika e fjalës “shërbëtor” nuk është përkthyer kurrë si robëri. Pra, kisha nuk ka nevojë për skllevër. Pushteti kishtar nuk përkufizohet, por as kufizohet në një urdhër a individ. Për më tepër, nuk mund të jetë vartësi ndaj miteve të arnuara në gunën e fqinjit. Administrimi i ndershëm i pushtetit mishërohet si nënshtrim i ndërsjelltë dashurie, dalë nga pjesëmarrja e përbashkët në fe, e jo në marrëveshje a mosmarrëveshje jashtëkishtare. Nënshtrimi kulturor që ushqen kisha greke, po provohet për brezin tonë si një shtrembërim i mësimit ortodoks.





Pengu i dëlirjes së lirisë



Edhe pse liria është privilegji thelbësor që vetëm qenia njerëzore zotëron, pushteti kishtar shpesh manipulohet. Doktrina e “vdekjes së vullnetit” keqshpjegohet sa herë që besimtari ngre krye drejt vetënjohjes, e cila mund t’a çojë atë në vetëvendosje. Ka raste kur sa më shumë të dijë mësuesi, aq më pak mëson nxënësi. Nevoja për të predikuar është përdorur shpesh këto vite për të bekuar mjete kategorizimi. Klerikët manovrojnë herë-herë shpirtrat e atyre që iu besohen, duke gjetur për secilin një doktrinë të përshtatshme “spiritualiteti”.



Dihet se ka njerëz me tendenca nënshtrimi, të cilët kur inicizohen në marrëdhënie abuzimi, jo gjithmonë përpiqen të shërohen, e disa herë nuk duan të çlirohen. Subjektet e një nënshtrimi të tillë përdoren kur kryhen ndërthurje në një skemë me nevojën ekonomike, gjysmëditurinë, por dhe kiminë ndaj kolegëve. Sa mund të zgjasë një lojë e tillë? Ka raste kur bashkatdhetarët jetojnë vetëm për të provuar cilësinë e përzgjedhjeve të mëparshme, edhe sikur bota e kultivuar të jetojë për të bërë të ndërsjelltën.



Imazhi i mendjemanipulimit plotësohet nëse marrim parasysh rrethanat private të pjesëmarrësve. Rrëfimi i pasioneve nuk mund të përdoret si peng a shlyerje për investim të ndërsjelltë. Spiritualiteti i shëndoshë ushqen vizion dhe veprim. Shumë herë krijohet përshtypja se hierarkia është ajo që ruan balancën, por pa priftërinj nuk mund të kemi as hierarkë e as grigjë. Në kësi rastesh bindja është ajo që duhet t’i bindet intuitës.



Në një situatë të kontrolluar kaq mjeshtërisht, nxitësi i një konflikti brendashqiptar mund të ndihet kaq i lartësuar, saqë nuk e sheh të udhës të zbresë një shkallë më poshtë. Prandaj dhe nuk mund të tolerohen kritikat e vdekatarëve. Në një mjerim të tillë Zoti i shqiptarëve është burgosur në “qiellin e tretë”, nga ku nuk mund të zbresë e të bekojë shqipot, sepse i duhet të kalojë gjithë këto nivele njerëzore. Mbi të gjitha, ai duhet të sfidojë të dërguarin, të cilit i druhet se mos ia kthen: Zot, je i përkohshëm në Shqipëri!



Intuita e dhuntitë që ka secili prej nesh, duhen përdorur sa herë që shquajmë abuzimin e pushtetit kishtar, për të mos u fundosur atje ku ndodhet kisha greke sot. Kjo duhet bërë ndoshta dhe për faktin se shqiptarët ortodoksë, duke pritur të ngjiten në pagabueshmërinë e epërme të një “shenjtori”, harrojnë të kërkojnë diturinë hyjnore dhe bindjen e vërtetë biblike, e jo atë institucionale të fryrë nga “juga e bardhë”. Vetëm me këto bindje kisha ortodokse mund të bëhet më pak politike, më e dobishme, pra, për shërbesën e saj ndër shqiptarë.



Shekulli, 19 shkurt 2005

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 11 Mars 2005 01:11
drite prej drite nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė drite prej drite Kėrko mesazhe tė tjera nga: drite prej drite Shto drite prej drite nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto drite prej drite nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
drite prej drite
Anetar i regjistruar

Regjistruar: 06/03/2005
Vendbanimi: Toronto
Mesazhe: 34

Të tre shkrimet e mësipërme, për të sqaruar moderatorët, janë sjellë këtu për debat mbi komunitetin e krisherë në Shqipëri, sidomos për atë ortodoks. Sepse manipulimi mendor, vetëvrasjet si dhe abuzimi i pushtetit janë pjesë e jetës fetare. Nuk janë vetëm lutjet, këngët, fjalimet, aferat, etj.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 14 Mars 2005 17:36
drite prej drite nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė drite prej drite Kėrko mesazhe tė tjera nga: drite prej drite Shto drite prej drite nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto drite prej drite nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Keni
Vezhgues

Regjistruar: 01/02/2003
Vendbanimi: Philadelphia usa
Mesazhe: 3202

Drite prej drite

E vlersoj materjali qe ke sjelle. Meqense e ke sjell per debat dhe diskutim dote desha tejepje ti mendimin tend i pari me qellim qe te terheqesh ne diskutim dhe anetaret e tjere.

__________________
Thuaj ate qe mendon dhe mendo ate qe duhet.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 14 Mars 2005 22:36
Keni nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Keni Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Keni (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė Keni't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: Keni Shto Keni nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Keni nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
kontinenti
Blujtes

Regjistruar: 14/09/2004
Vendbanimi: mbi kete planet
Mesazhe: 4934

Re: Pushtet e abuzim nė kishėn shqiptare

P.S Ky mesazh u fshi nga vete Kontinenti.


Meqe disa miq me thane; Personi te cilin po analizon nuk po shkruan me,atehere edhe ti mos shkruaj me,une mendova qe,te bej nje pauze duke e pranuar perkohesisht gjykimin e miqve. Me vone nuk e di se cfar do te na sjelle rrethana apo koha !

Modifikuar nga kontinenti datė 25/04/2005 ora 18:51

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 25 Prill 2005 17:15
kontinenti nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė kontinenti Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me kontinenti (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: kontinenti Shto kontinenti nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto kontinenti nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 05:00 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Besimi Fetar > Feja krishtere > vetėvrasje - manipulim - abuzim

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.