Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Aktualitete Ndėrkombėtare > Globalizimi, pro apo kunder? > Davos - Takimi i "tė fuqishmėve" tė botės
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
Tulipani
< ArtHolic >

Regjistruar: 11/01/2007
Vendbanimi: Secret Garden
Mesazhe: 4717

Davos - Takimi i "tė fuqishmėve" tė botės

 
Davosi, një forum informal


Nga lartësitë olimpike të botës, ku jetojnë të pasurit dhe të pushtetshmit e planetit, do të zbresin sot nga avionët e tyre në një tjetër majë, por këtë herë bëhet fjalë për majën e një kodre shumë piktoreske, diku në Zvicër. Është Davosi, i cili prej vitesh në fund të janarit pret vendimmarrësit e vërtetë të çështjeve më të rëndësishme, të çështjeve që na takojnë pak a shumë të gjithëve në një botë që sa vjen e po bëhet gjithnjë e më globale. Ata vijnë me avionët personalë, helikopterë apo limuzina për të "ndrequr" hallet e botës, për t‘u lidhur me njëri-tjetrin dhe pse jo për të bërë pak ski në pistat ndjellëse e për të mbyllur edhe ndonjë marrëveshje.

5000 metra mbi nivelin e detit, ajri disi i rrallë i resortit do të pasurohet gjatë ditëve të Forumit nga thashethemet, spekulimet dhe këtë vit edhe nga bisedat që do të përqendrohen në temën e krizës ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dikur, mbledhje të tilla të tërhequra të politikanëve të Evropës Perëndimore, apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zhvilloheshin në vende të izoluara bregdetare, aty ku as gazetarët dhe as telefonatat nuk kishin shans të mbërrinin. Pikërisht në këto tërheqje flitej me nge, në qetësinë e duhur dhe në mënyrë informale për ato probleme e çështje që varionin nga ato me temë thellësisht intelektuale e politike, deri tek ato për llojet e ndryshme të verërave të prodhuara së fundi. Që në zanafillën e tij, Forumi Ekonomik i Davosit pak a shumë ka pasur për synim krijimin e një ambienti të tillë të qetë e të tërhequr, por tashmë jo për klasën politike e biznesmenët e një vendi të caktuar, por për atë të të gjithë vendeve të botës, pra për politikën dhe biznesin global. Davosi ofron një cep të vogël e të këndshëm diku nën "sqetull" të Alpeve, ku të shoqërizuarit, të menduarit dhe të zbaviturit i shërbejnë një qëllimi të vetëm: rrahjes së mendimeve për atë çka ndodhi 365-ditëshit të fundit dhe planet për të ardhmen, deri në takimin e radhës. Për pak ditë, një pjesë e madhe e pasurisë dhe pushtetit të botës përfaqësohet në Davosin e vogël, e mbushur me dëborë. Ja disa shifra: 27 krerë shtetesh e qeverish, 13 ministra kabinetesh qeveritare, qindra shefa ekzekutivë, bankierë, menaxherë të ndryshëm fondesh të pavarura, ekonomistë dhe përfaqësues të medias për një total prej 2500 pjesëmarrësish. Ky lloj përqendrimi dhe përzierjeje e jashtëzakonshme paraje e pushteti e njerëzve që konsiderohen si "ajka e shoqërisë", krijon një atmosferë magjike, e cila me të mbaruar takimi shkon e tretet dhe vendi kthehet sërish në një hotel ku mund të kalosh i qetë pushimet. Por, ndërkohë, duke filluar nga sot, në korridoret e sallat e resortit mund të të kapë syri Gordon Braunin, Kryeministrin britanik tek merr një kafe me Sergei Brin, njërin prej bashkëthemeluesve të "Google"-it, apo diku më tutje kemi Lakshmi Mittal, industrialisti indian, që zë gjithmonë vendin e parë në listën e personave më të pasur të botës tek ndan një briosh me Ban Ki-moon-in e OKB-së, apo Carlos Ghosin, shefi i "Renault" dhe "Nissan", teksa drekon me shefin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Por ka edhe shumë emra të tjerë dhe nuk është aspak çudi, që duke qenë se aty mblidhen pasanikë dhe politikanë që nga Bill Gates, Rupert Murdoch, Kondoleza Rice e shumë e shumë personalitete të tjera ndërkombëtare, i gjithë resorti të rrethohet nga tela me gjemba dhe të mbahet nën masa shumë të rrepta sigurie. Nëse nuk e dini se cili është funksioni i ushtrisë zvicerane dhe mbi të gjitha me se është e pajisur ajo, do të krijoni me siguri një ide në rast se do të tentoni të depërtoni ilegalisht në resort gjatë ditëve të takimit. Në ruajtje të VIP-ave ndodhen 5000 trupa, synimi i të cilëve është mbrojtja e kapitalistëve ndërkombëtarë nga armiqtë e tyre. Veç forcave tokësore në shërbim është edhe aviacioni zviceran që patrullon qiellin, sidomos pas mundësisë së sulmeve terroriste. Forumi që nis sot, do të vazhdojë për disa ditë me radhë dhe titulli formal i axhendës së takimeve nuk jep shumë hollësi në lidhje me temën e diskutimeve. Ai është "Pushteti i Risisë së Bashkëpunimit", një temë që sado sugjestive që mund të tingëllojë për elitën e biznesit tërësisht e obsesionuar pas ritmeve të ndryshimeve teknologjike, nuk ka shumë shanse që të jetë një frazë që do të shqiptohet me lehtësi nga buzët e shumë prej pjesëmarrësve gjatë mëngjeseve, drekave, darkave, sesioneve plenare, mbrëmjeve të panumërta që ata do të ndajnë me njëri-tjetrin deri të dielën kur do të kthehen sërish pranë korporatave e kancelarive që drejtojnë. Po kush do të marrë pjesë dhe përse do të llafosin pjesëmarrësit me njëri-tjetrin për 4 ditë me radhë? Atëherë, veç emrave që përmendëm më sipër, në Davosin e sivjetshëm do të gjejmë edhe emra të tjerë, me të cilët na është rrahur veshi që prej shumë vitesh të tillë si: Toni Bler, "JP Morgan" (bankë), që përfaqësohet nga shefi i saj James Dimon, Henry Kissinger, shefi i "Kissinger Associates", Indira K. Novi, shefe e "Pepsit Co", David J O‘Reilly, shef i "Chevron Corporation", Ëang Jianzhou, shef i operatorit më të madh celular të Kinës. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit Davosi nuk i ka rezervuar shumë vende të pasurve dhe të bukurve të Hollivudit, ndërkohë që është përqendruar në fytyrat dhe zërat e rinj të ekonomisë botërore, përfaqësuesit dhe drejtuesit e korporatave të mëdha shumëkombëshe me bazë në Kinë, Indi dhe ekonomi të tjera botërore që kanë njohur ritme shumë të shpejta të zhvillimit ekonomik.




Ndryshimet në balancën e ekonomisë botërore për nga lindja e planetit do të jenë të dukshme në temat dhe diskutimet e seminareve, por edhe në bisedat informale nëpër baret e resortit. Që nga viti i ndryshimeve të mëdha, 2001, që me tragjedinë e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënoi një epokë të re në historinë e kohëve moderne, nuk është vënë re një ndryshim kaq i madh në Davos. Parashikimet për BIRK (Brazili, Rusia, India Kina dhe satelitët më të vegjël të tyre) nuk kanë qenë kurrë më parë në një vëmendje të tillë në mbledhjet e takimet ndërkombëtare. Në vitin 2008, për herë të parë Kina do të kontribuojë më shumë në tërësinë e rritjes ekonomike botërore në krahasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky zhvillim i jashtëzakonshëm i Kinës është shndërruar në fenomen më vete, që kontraston gjithnjë e më shumë me rënien ekonomike që po vihet re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bankat dhe fondet e pavarura nga Kina, vitin që shkoi nisën rikapitalizmin e degëve të bankave perëndimore, të lodhura e në gjendje jo shumë të mirë, për shkak të problemeve ekonomike të verës së kaluar. Riciklimi i triliona dollarëve që vijnë nga surpluset e tregtisë dhe petro-dollarët parathonë një shtrirje të mëtejshme të Kinës në rrjetin bankar të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Davosi do të ofrojë një mundësi më shumë për investitorët dhe bankierët amerikanë të kapluar nga ankthi i ngjarjeve të muajve të fundit për të kontaktuar dhe lidhur marrëveshje me menaxherët kinezë, ata të Singaporit, apo Katarit. Por do të ketë jo pak hapësirë dhe kohë edhe për persona të tillë, si ish-presidenti amerikan, Al Gore dhe lobi i të gjelbërve, të cilët shpresojnë të ndërgjegjësojnë njerëzit e fuqishëm për rreziqet e afërta me të cilat mund të përballet pashmangshmërisht planeti, nëse nuk do të merren masat e duhura. Ndërkohë, në qendër të vëmendjes do të jetë pa dyshim edhe rritja e madhe e çmimeve të ushqimit dhe lëndëve djegëse, mungesat e ujit të pijshëm, si dhe çështja bërthamore e Iranit. Pra, me pak fjalë, Davos kthehet në vendin e grumbullimit më të madh të fuqive ekonomike e gjeopolitike të planetit, ku të ftuarit kanë mundësinë e papërsëritshme të kontaktojnë drejtpërsëdrejti me të ngjashmit e tyre. Një vend të rëndësishëm te të ftuarit e përbëjnë edhe politikanët. Janë ata që vendosin fatet e paqes dhe luftës, të paktën zyrtarisht. Ndër shqetësimet kryesore aktuale është situata në Lindjen e Mesme dhe Azi. Thelbi i mesazhit të sekretares amerikane të Shtetit, Rajs, pritet të jetë pikërisht situata në Lindjen e Mesme, ndërkohë që prezenca e Toni Blerit, përfaqësuesit të "Kuartetit" në rajon, ajo e Presidentit të Afganistanit, Karzai dhe e Presidentit hebre, Shimon Peres, do të ketë si qëllim ndoshta ndërmarrjen e ndonjë iniciative konkrete. Konferenca ka qenë në të shkuarën skena e lëvizjeve të rëndësishme, e pakteve dhe marrëveshjeve që kanë ndryshuar gjërat jo vetëm në historinë e rajonit të sipërpërmendur, por edhe më gjerë, si në rastin e Afrikës së Jugut dhe Evropës Lindore, pas rënies së komunizmit. Parulla e forumit Ekonomik të Davosit është "Angazhim në përmirësimin e situatës në botë", çka përbën në vetvete edhe thelbin e asaj çka synohet të përfitohet nga takimet në resort. Por, këtë vit, do të na mungojë iniciativa plot ndjenjë e Sharon Stonit, e cila një vit më parë organizoi një ankand, paratë e të cilit shkuan në fondet e bamirësisë, apo prezenca sharmante e yllit të Hollivudit, Brad Pit, deklaratat e perspektiva e Riçard Girit për çështjet e disbalancave të ekonomisë botërore. Por kjo mungesë e yjeve të kinemasë është zëvendësuar denjësisht me prezencën e yjeve të rinj të ekonomive botërore, në forcim e shpërthim e sipër nga përfaqësuesit e atyre ekonomive të botës së sotme dhe atë të së nesërmes. Megjithatë nuk është se "yjet" kanë mbetur pa përfaqësues. Përveç Bonos këtë vit statusin e të ftuarës së nderit do ta ketë edhe aktorja britanike, Emma Thompson si dhe shkrimtari Paulo Coehlo, të cilët sigurisht që do të kenë shumë për të ofruar nga përvoja e tyre e drejtpërdrejtë me artin dhe jo vetëm me të. Që nga fillimet e tij në vitin 1971, ky takim i përvitshëm, sa vjen e po merr gjithnjë e më tepër rëndësi. "Babai" i takimit në resorin alpin është ekonomisti gjermano-zviceran, Klaus Schwab, i cili ndërtoi gjithçka mbi bazën e idesë së organizimit të një takimi informal, të profilit të ulët dhe thuajse sekret të personaliteteve më të rëndësishëm dhe më me influencë të planetit. Për këtë qëllim ai themeloi një Organizatë Joqeveritare. Në vitet e para NGO-ja kishte më shumë të përbashkëta me grupin Bilderberg, por sot Forumi Ekonomik Botëror ka lënë pas fillimin modest dhe është kthyer jo vetëm në një vend takimesh, por edhe në një tribunë fjala e së cilës dëgjohet me shumë interes kudo. Nga Davosi janë lançuar fushata shumë të rëndësishme si ajo e Luftës kundër Varfërisë në vitin 2005 që pati si iniciator, Gordon Barunin e fushata të tjera. Por më shumë se çdo gjë tjetër, Davosi shërben edhe për të stimuluar dhe prekur ndërgjegjiet e personaliteteve të fuqishëm, të cilat shpesh humbasin sensin njerëzor të misionit të tyre duke humbur në shifrat apo grafikët e fitimeve.
Shqip

__________________
"Sono gli altri le strade, io sono una piazza, non porto in nessun posto, io sono un posto"

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 23 Janar 2008 14:55
Tulipani nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė Tulipani Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me Tulipani (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: Tulipani Shto Tulipani nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto Tulipani nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 05:00 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Aktualitete Ndėrkombėtare > Globalizimi, pro apo kunder? > Davos - Takimi i "tė fuqishmėve" tė botės

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] nuk lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.