Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Emigrantėt dhe Absurditeti i Shpėrfilljes
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
vogelushi
Anetar i ri

Regjistruar: 19/12/2008
Vendbanimi: Itali
Mesazhe: 9

Emigrantėt dhe Absurditeti i Shpėrfilljes

Për shumë njerëz emigrantët janë shpresa e gjallërimeve sezonale të ekonomisë sonë, sidomos në festat e fundvitit apo pushimet verore, kur ata vërshojnë. Por janë të paktë ata që sjellin në mendje se këta shpëtimtarë modestë të tregjeve të cfilitura shqiptare, më shumë se të tillë, mund të etiketohen si "diga e parë mbi të cilën përplasen dallgët e antishqiptarizmit tradicional". janë të paktë ata njerëz që mendojnë se, duke qënë të tillë, emigrantët janë ndëshkuar të mbajnë mbi supe shkallëzimet e shkulmeve raciste të krijuara në periudhën e tranzicionit, po të llogaritet që, filtrimi vite më parë i një numri të madh kriminelësh shqiptarë në perëndim kanë patur rolin e tyre në prodhimin e një opinioni negativ ndaj nesh, gjithë këta vjet. Dihet që shumë shpejt ky opinion u shndrua në një racizëm vulgar ndaj shqiptarëve. Si një mbidozë, vala e ketij racizmi i ka persekutuar sistematikisht gjithë këta vjet emigrantet tanë... Të gjithë e dimë dhe nuk është e rastit që në Itali, Greqi, dhe ne vende te tjera, disa qarqe shpesh shohin te shqiptarët, fantazma keqbërëse, hajdutë e kriminelë, falë ndodhive të pakëndshme që kanë ndodhur sidomos në vigjilje të "hapjes"sonë...

Megjithatë, duhet thënë se në fakt racizmi ndaj shqiptarëve është tulatur disi kohët e fundit, dhe kjo falë reflekseve të civilizimit të rrezatuara nga njerëzit tanë ne vendet ku jetojnë. Kjo ka qënë një aventurë e vetmuar përpjekjesh për të vërtetuar ekzistencën e emancipimit kombëtar të trashëguar epokë pas epoke. Por natyrisht, ka qënë një aventurë e vështirë në kushtet kur antishqiptarizmi ka qënë dhe është një realitet që ndikon papushim në jetën e tyre.

Deri këtu nuk ka asgjë të re; e reja është se në fakt, mbas 18-vjet pluralizëm, nuk ka ende asnjë të re, asnjë lëvizje politike të mirëfilltë në Tiranë për një mbështetje politike e morale ndaj tyre… cka do të thotë se askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për këta "jetimë shtetërorë" të haruar nga pushteti, megjithë problemet e mëdha që kanë.

Nëse vështrimet bien mbi ta, ashtu si ndodh me komunitetet e tjerë, kjo ndodh vetëm kalimthi dhe vetëm dinakërisht në fushata parazgjedhore.

Cështja e emigrantëve tanë është para së gjithash cështje dinjiteti kombëtar, meqënëse në përplasjet e huaja, poshtërimet që jo rrallë ju bëhen atyre, kanë të bëjnë pikërisht me këtë; krenarë apo të përbuzur, ata përfaqësojnë origjinën, dhe dinjiteti i publikuar prej tyre është shfaqja jonë e përballur… Ngjan meskine dhe anësore, por unë besoj që një kujtim tmerri për të gjithë emigrantët tanë që jetojnë në Greqi, është ende sot kalimi i vështirë nëpër dogana, pritjet e tmershme shpesh të stimuluara e shumëorëshe nëpër rradha cfilitese, në dimër dhe verë; prej shumë vitesh kjo gjë është një poshtërim, një mallkim, një bastardim i dinjitetit të tyre.

Nuk ka dyshim që cdo emigrant do të reflektonte interes të madh nëse merret seriozisht dhe diskutohet të paktën kjo cështje, në zyrat e politikës shqiptare. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Më shumë se përbuzjet dhe antishqiptaritë e të huajve, shpërfillja e Tiranës është ajo që ka diskriminuar shtetasit e vet në perëndim me këtë braktisje që nuk mund të shpjegohet. Emigrantët janë lënë në hallet e tyre, si një komunitet rrugëhumbur.

Lënia në hallet e tyre, ndërkohe që ata janë absolutisht pjesa më e paster, me e painfektuar dhe më e qytetëruar e shqiptarëve, përvec që dëshmon për shkallën e lartë të meskinitetit qeveritar, ëështë një vërtetim i teoremës makabre të paaftësisë së Berishës për të mënaxhuar si duhet këtë vend. Por nga ana tjetër, shpërfillja shtetërore ndaj problemeve të mëdha të tyre dhe ndaj civilizimit të sigurtë që ata kanë fituar gjithë këta vjet në perëndim, ka sjellë një agresivitet të ndërsjellë dhe të shkujdesur të emigrantëve ndaj politikës në vendin e tyre, që shprehet me një zhgënjim progresiv dhe mënjanim të vetëdijshëm...

E shprehur ndryshe, shqiptarët perëndimorë, të lodhur e të vetmuar në durimin e përbindshmën për të pastruar fytyrat e tyre në vendet ku jetojnë, janë po aq indiferentë ndaj politikës në Shqipëri, sa mospërfillese ka qënë edhe politika ndaj tyre gjithë këta vjet, duke krijuar një lloj polarizimi të padobishëm.

Fatkeqësia është se askush në Tiranë nuk gjykon që zhgënjimi i këtij komuniteti eshte fillimi i një drame të re kombëtare. Ata dalëngadalë po ndalojnë së fabrikuari dashuri për vendin e tyre, jo vetëm sepse kjo dashuri nuk ju është kthyer kurrë, por edhe sepse asgjë nuk duket se do të sjellë shpresën e ndryshimit në vendin e tyre, për sa kohe në pushtet do të jenë politikanë si Nano e Berisha..

E shtrënguar fort në ngërcin e njëanshmërisë dhe paaftësisë dëshpëruese, politikës shqiptare i kanë bërë iso edhe media të rëndësishmë shqiptare në këtë mohim të pafalshëm. Këto media duhet te ishin koshiente për figurën e zhgaravitur të shqiptarëve në perëndim, ku ata kanë emigruar. . . Por pak gjëra thuhen e shkruhen për emigrantët, kurse shteti, ashtu si edhe për shqiptarët brenda vendit, realisht nuk ka ekzistuar dhe vazhdon të mos ekzistojë për ata. . Nuk është bërë asgjë asnjeherë për të përmirësuar imazhin e njeriut shqiptar nëpër botë. Ky është një gabim historik, dhe është gjithashtu i pafalshëm, po të llogarritet që për disa bindje të të huajve ne vazhdojmë të jemi një realitet i rëndomtë, i ulët, një vend pa histori, pa vlera, pa kujtesë, ndonëse ato ekzistojnë.

Historia e emigrimit modern të shqiptarëve është vazhdimi i një drame të zezë. Duke i shtuar racizmit me cinik që ka ekzistuar ndonjëherë për një komb edhe vështirësitë e mëdha paraprirëse të një luftë të ashpër për ekzistencë, kjo është një histori midis fatalitetit dhe heroizmit, për të cilën duhet thënë e duhet bërë patjetër dicka.

është rritur më shumë se kurrë nevoja e marrjes seriozisht të imazhit të dëmtuar të shqiptarëve nëpër botë. Kjo është një këmbanë që duhet të gjëmojë një orë e më parë. Sepse ky imazh është kthyer në një katandisje që ju ka nxirre fytyrën përjetësisht jo vetëm atyre por dhe fëmijëve të tyre.

Nuk duhet harruar se, edhe pse vazhdojnë të jenë të persekutuar nëpër arenat e luftës së tyre për integrim në vendet ku jetojnë dhe civilizohen, emigrantët tanë janë një pasuri gjigante kombëtare. (që fatkeqësisht nuk mund të llogaritet nga pushtetarët tanë). Ingranimi në shoqeritë evropiane i ka ngritur ata në një kulturë dhe në një civilizim ku e ku më të lartë nga ajo e mardhënieve njerëzore në Shqipëri. Për të gjithë është e qartë se në dhe të huaj, edhe pse jetimë, të parëndësishëm, të heshtur, shqiptarët janë një fuqi e madhe e konsoliduar falë punës titanike që kanë bërë në civilizimet përkatëse. . Ata janë realisht të evropianizuar e te qytetëruar në nivelin që kërkohet dhe janë komunitete pjesë përbërëse të Evropes ku duam të shkojmë. Komunitetet e emigrantëve kanë rritur mjaft kualitetin e demokratizimit dhe civilizimit të tyre, duke qënë në këtë mënyrë qeliza evropiane, paraprirës të ëndrrës.

Pikërisht këtu qendron absurditeti i shperfilljes. Ndersa duhet te ftohen të marrin pjesë në progresin shqiptar, të vleresohen dhe të kontribojnë në përmirësimin e sjelljes qytetare në Shqipëri, ata janë të shpërfillur…. . Emigrantët janë krahasues objektivë dhe janë në gjendje të gjykojnë realisht c'ka duhet ndryshuar, në vendin e tyre ku shumë gjëra nuk shkojnë mirë. Mungesa e politikave për trajtim të tyre tyre i ka privuar Shqipërisë një investim të rëndësishëm. Normalisht, zhvillimi ekonomik duhej të provokonte kthime masive të emigrantëve dhe investime të kapitaleve të tyre këtu. por kjo nuk ka ndodhur.
Nuk ka kthime vullnetare emigrantësh, sepse shteti shqiptar nuk mund tju afrojë atyre besim, bashkëpunim dhe interes, me klimën koruptive dhe politikën klienteliste;për ata, Shqipëria është ende një vend ku shpresat e pakta lindin në mjegull dhe shuhen në mjegull.

Nga Artan Mullaj

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 23 Dhjetor 2008 10:06
vogelushi nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė vogelushi Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me vogelushi (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė vogelushi't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: vogelushi Shto vogelushi nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto vogelushi nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 08:04 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Emigrantėt dhe Absurditeti i Shpėrfilljes

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.