Vizioner
...ne Timon
Regjistruar: 23/11/2007
Vendbanimi: Frankfurt
Mesazhe: 6857
|
Mero Baze, nje rrefim per marredheniet mes Azem Hajdarit dhe Sali Berishes
Rreshtat e meposhtem, jane nje deshmi e rendesishme per të rikonfirmuar çfare ka nen lekuren e personazhit qe sot eshte Kryeminister dhe qe ka dominuar skenen politike te ketyre viteve; kete skene oklokratesh te mbushur me burra te vegjel e te ndotur, qe hyjne e dalin, me damken e hajdutit te pandeshkuar ne shpine.
Nga Mero Baze
-pjese nga libri "1997"-
Prill 1996 - PD-ja jopolitike e 26 majit
...Nëse ka pasur ndonjëherë në historinë politike të një partie më shumë intelektualë dhe më pak politikanë, ky ka qenë Kuvendi dhe garnitura politike e dalë nga zgjedhjet e 26 majit. Pas kokëçarjesh të gjata me fraksione brenda PD-së dhe figura politike që e kontestonin vazhdimisht, Sali Berisha u mbyll i vetëm në vilën nr. 4 në Pallatin e Brigadave, për t'i dhënë PD-së një ekip të ri, që thuajse nuk kishte lidhje me politikën.
Prej ikjes së Neritan Cekës në vitin 1991 e më pas Pashkos, Zogajt, Imamit, Kalakulës, Baletës dhe kulmimit të rrjedhjeve me kryetarin karizmatik të partisë, Eduard Selamin, Sali Berisha dukej se po mendonte për një parti pa politikanë. Lista e gjatë që shkruante dhe rishkruante vetë, nxirrej nga lista pedagogësh, artistësh dhe intelektualësh të njohur të vendit, shumica e të cilëve as që kishin ndonjë ide se po hynin në politikë. Me siguri që ka qenë afër fundit kur, një mbrëmje, më thirri për kafe në vilën nr. 4. Ndihej qartë që ishte i kënaqur me vizat e panumërta që kishte hequr mbi dengun e listave që kishte përpara.
-Do t'i lexoj një herë emrat, - tha. - Kam gjetur ekipin më të shkëlqyer që kemi pasur ndonjëherë për zgjedhjet!
Po i dëgjoja. Gjysmën i kisha dëgjuar jo si politikanë, gjysmën tjetër as si politikanë dhe as si intelektualë.
- Si të duken? - më tha.
Ishte një pyetje që donte përgjigjen që duhej ta dëgjonte ai. Qoftë dhe për rutinë.
- Janë shumë, - i thashë, - s'di të them për të gjithë. Disa emra janë shumë të njohur dhe ndoshta bëjnë punë. A ke folur me ta?
- Me cilët? - tha.
- Për shembull, me Ndriçim Xhepën, Xhevdet Ferrin apo këta pedagogët.
- S'ka problem për ata, flasim. Po si të duket lista?
Donte doemos një përgjigje entuziaste.
- E mirë më duket, - i thashë. - Do të kesh pak problem me këta të partisë.
- Partisë... hë, ç'probleme do të kem? Ua kam thanë: "Më të shquarit, te zonat më të vështira." Ja, për shembull: Agron Musarajn e kam çue në Berat, Sadik Bejkon dhe Blerim Çelën në Tepelenë, Fatos Bejën në Gjirokastër, Leonard Demin në Sarandë, Genc Pollon në Përmet, Dashamir Shehin në Vlorë, Ridvan Boden në Korçë... se këta të Jugut ke merak ti...
Nuk i bëra asnjë koment. Po përpiqesha t'i mbaja mend, se ndoshta më duheshin për raportin e mëngjesit te "Zëri i Amerikës".
- Mirë e paske Jugun, - i thashë instinktivisht. - Këtë Boden nuk e njoh, por këtë Shehin pse në Vlorë?
- Nuk e njeh Boden... i shkëlqyem! Ka mbarue në Francë, e kemi pas drejtor Dogane, superkorrekt, financier i zoti. Ndërsa Vlora ka shumë rëndësi, - tha. - Do një figurë të fortë, s'bëhet pa një figurë të fortë.
Në të vërtetë, krisja mes Dashamir Shehit dhe Berishës kishte nisur. Aleksandër Meksi, që historikisht nuk duronte dot asnjë zëvendëskryeministër, për shkak se i dukeshin të gjithë të Berishës, po ashtu kishte probleme me të, por nuk kuptohej kurrë nëse i kishte me të apo me Berishën.
- E ke mbyllur, me një fjalë? A mund ta citoj unë ndonjërin nesër në radio?
- Jooo! - tha. - Se nuk e di njeri. Nuk duhet të dalë asgjë. Kam edhe ca probleme në Shkodër. Duhet me e mbyllë dhe atë. Më ka mbet ky Koleci, s'di ku ta çoj...
- Në Shkodër, ku tjetër? - i thashë.
- S'e di. Fola me Aliun... ai thotë se kemi një kandidaturë tjetër atje, një grua shumë e zonja thotë, po burri i saj qenka fis me Kolecin.
- Kush është kjo?
- Është një pedagoge... për matematikë më duket, nuk e di... ose për juridik, juridik më duket. Ja, të pyes Aliun.
Foli me Ali Spahinë. Toni i shtruar i Ali Spahisë dhe serioziteti që u kushtonte raporteve njerëzore e bënin atë figurën më të palëkundur të PD-së dhe njeriun më të qëndrueshëm nga pikëpamja politike për Berishën, edhe pse shpesh e xhindoste me kufijtë që u vendoste përpjekjeve të tij të përhershme për ta përdorur për çdo gjë.
- Është e shkëlqyer, thotë Aliu. Jozefina Topalli quhet. Qenka kancelare në fakultet. Nuk e di, po ky thotë se është më mirë ajo se Koleci në Shkodër, pasi ajo paska familje shumë të njohur nga baba i vet... Ku ta çoj këtë Kolecin, ku ta çoj.... - Filloi të hidhte sytë sërish mbi hartën elektorale. - Ah, po, e gjeta, - tha. - Në Mirditë e kam një vend. Të pyes një herë Aliun.
Foli sërish me Ali Spahinë: "Paska qenë mësues atje, në Mirditë? E po, shumë mirë atëherë... aty po e çoj. Shumë mirë, u mbyll kjo punë. E shkëlqyer! Mos fol me njeri."
- U mbyll, - m'u kthye mua. - Në Mirditë. Aliu thotë se paska qenë dikur mësues aty... ose i internuar, ose mësues, nuk e dinte mirë, por më tha që ka lidhje atje.
Përfytyrova Kolecin, një burrë i matur, i urtë dhe flegmatik, që kishte drejtuar me durim dhe përkushtim administratën e Presidencës për katër vjet. Nuk e njihja nga afër, por me siguri që ishte i çliruar nga ideja se po ikte nga ajo ndërtesë.
I vetmi kuriozitet që kisha për kandidaturat e Shkodrës ishte Azem Hajdari. Berisha nuk po ma përmendte emrin e tij, ndërsa Azemi kishte dy ditë që më kërkonte ta zhbiroja se ku kishte ndërmend ta çonte. "Më duhet një fije informacion, shqipe, - tha Azemi, - pastaj di vetë unë se ç'bëj."
- Po Azemin? - i thashë papritur.
- Azemin? Hëm, atij ia kam gjet vendin. Ai, kudo që ta çosh, fiton. Kemi një zonë shumë të vështirë, që bashkon Çermenikën e Librazhdit, Martaneshin dhe Tërnovën e Dibrës. Aty e kam çue. Vetëm ai mund ta fitojë këtë.
- Mos nuk e pranon, - i thashë me gjysmë zëri.
- Jo, mo, e pranon, - tha, - mos ki merak. Shiko, kam ndjekur një parim: figurat politike në zonat më të vështira, intelektualët në qytete të sigurta, se ata më duhen në Kuvend mue, s'mund t'i hedh në mes të detit menjëherë.
Pas disa ditësh, lista iu lexua Këshillit Kombëtar.
Përpara mbledhjes, në mëngjes, piva kafe me Azem Hajdarin në Rogner. Ia thashë pak a shumë se ku mund të ishte.
- Po në Shkodër, - tha, - kush është?
- Ka futur një grua, - i thashë. - Jozefina Topalli quhej, më duket se ishte kunata e Kolecit.
- Të ka mashtruar, - tha. - Koleci s'ka kunatë pedagoge.
- Nuk më tha "kunatë", por e mora me mend nga mbiemri... diçka e kishte burrin e saj.
- E di unë kush është, - tha Azemi. - Lene se e rregulloj vetë tani. Po e ftoj për një drekë në Vahinë, ta shikoj njëherë se ç'është. Nejse, shqipe, ti mos thuaj gjë për këtë muhabet, se di unë si e zgjidh.
Në mbledhje, Berisha foli gjatë për qeverisjen katërvjeçare dhe për parimet mbi të cilat kishte ndërtuar listën. Përsëriti pak a shumë faktin që politikanët do të shkonin në zona të vështira dhe intelektualët në zona të sigurta. Shtoi se, si risi, Kuvendi do të kishte një "boom" për gratë. Lexoi edhe emrin e Azemit në zonën përkatëse. Pati reaksion. Azemi u ngrit nga vendi dhe kërkoi të sqarohej më qartë: për se ishte sajuar një zonë për të?
28 maj 1996
Arrita dhe u futa te hotel "Tirana". Azem Hajdari ishte ulur në një tryezë në cep të kafenesë, në katin e parë dhe, i nxirë në fytyrë, shihte nga sheshi. Njësoj si në pjesën tjetër të bulevardit, ku kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm sodisnin masakrën, me shpresë se do të rrëzohej rivali i tyre, ashtu dhe njeriu që ishte përballur me diktaturën, shpresonte që përplasja e opozitës me policinë do ta rrëzonte atë që ia kishte zënë "hisen e diellit" në njëfarë mënyre. Por Sali Berisha nuk ishte as në hotel "Tirana", as te hotel "Dajtit", por në Pallatin e Brigadave. Nuk komunikonte me askënd. Në kohë të ndryshme, e kam pyetur disa herë për ato çaste dhe më ka dhënë të njëjtën përgjigje: "S'kam pasur komunikim. Dija vetëm se do të silleshin si me një miting të paligjshëm të partive të vogla".
Në këtë përgjigje shfajësuese kishte plot nuanca të dijes dhe mosdijes së tij për atë që do të ndodhte. Por Azem Hajdari mendonte ndryshe. Ai kishte frikë se dëmi që po bëhej do ta tejkalonte dëmtimin e Berishës dhe, si zakonisht në raste të tilla, ai i shtonte sulmet mbi njerëzit që i urrente vërtet dhe ata ishin Agim Shehu dhe Bashkim Gazidedja. Ma stërholloi skenarin e tij plot paranoja, se si ata të dy donin që të nxirrnin nga loja të gjitha palët dhe ta merrnin vetë komandën.
- Ky është skenar, - tha. - Duan të na nxjerrin jashtë loje.
Zemërimi i tij me njerëzit e ShIK-ut dhe të Policisë kishte kohë që i kishte kaluar kufijtë.
Dola me vrap jashtë dhe u futa mes turmës. Ndeza mikrofonin.
Ndërkohë që flisja me Azemin, një ofshamë e madhe erdhi nga sheshi. S'e dalloja dot mirë se kush kishte rrëmbyer një megafon, por më ngjasonte me zërin e Neritan Cekës, që këlthiste: "Kjo është diktaturë!".
Më tej, Servet Pëllumbi ngjante si një statujë e ngrirë nga pamja që kishte para syve. Një fotoreporter spanjoll, i gjakosur në përpjekje për të mbrojtur aparatin e tij fotografik dhe një truprojë e tij i gjakosur me lopatë xheniere, ishin mbështjellë rreth tij, sikur të gjenin mbrojtje te profesori i vjetër i marksizmit. Ishte një skenë që turpëron çdo shoqëri që e prodhon. Muskujt e palëvizur të Servet Pëllumbit dhe njerëzit e ngjeshur përreth tij, ishin imazhi më i dhimbshëm njerëzor që prodhoi dhuna e 28 majit.
Dhëmbët e thyer të Arben Imamit, tërheqja zvarrë e tij, dhunimi i Gramoz Pashkos dhe Blendi Gonxhes, përplasja me Pandeli Majkon, ishin brutale dhe të egra, kurse ballafaqimi i dhunës me një njeri paqësor dhe me një portret të heshtur e qortues si Servet Pëllumbi, ishte i dhimbshëm. Turma e policisë e humbi kontrollin dhe filloi të godiste kë të mundte. U afrova sa munda të merrja disa zëra për në radio. Për fat, mikrofoni më kishte regjistruar zërin e Neritan Cekës dhe Kastriot Islamit. Mblodha të gjithë zërat dhe u ula të shkruaja raportin.
Në orën 15.00 ishte emisioni te "Zëri i Amerikës". Montova fillimisht atmosferën e protestës, ku dëgjohej në sfond kënga "Eja mblidhuni këtu, këtu!", pastaj Neritan Cekën, Kastriot Islamin dhe në fund Azem Hajdarin. Pjesa e Azemit ishte më shumë si balancë ndaj tre opozitarëve. "Policia po bën detyrën, - tha ai. - Ky është një miting i paligjshëm. Asgjë më shumë". Ishin krejt e kundërta e asaj që bluante me vete në hollin e hotelit.
Zëri i tij ishte i pasigurt dhe sapo e mbaroi fjalinë, uli kokën dhe filloi të shante përsëri "ata që kishin futur në skemë PD-në". Brenda çdo minute ai jetonte dramën e të qenit themelues i Partisë Demokratike, të cilën duhej ta mbaronte, si dhe adhurues i betejës që bëhej para syve të tij dhe kundër partisë që ai kishte themeluar gjashtë vjet më parë për lirinë e fjalës dhe votës, që bëhej tashmë nga ajo parti që kishte trashëguar historinë e Partisë së Punës. Azem Hajdari e vuante këtë dilemë të madhe si një fat që nuk e meritonte. i luftuar me egërsi brenda partisë së tij nga grupi i Berishës dhe i mbetur më këmbë falë aftësive të tij populiste dhe makinacioneve shpeshherë banale, në mesditën e 28 majit ai ishte njeriu më i rrahur i politikës shqiptare, edhe pse mbi kurrizin e tij nuk u vërtit asnjë shkop. Ai ndiente lakmi për ata njerëz që kishin lirinë të bënin një betejë të re kundër atij që po e izolonte dhe po e zvogëlonte pak e nga pak brenda partisë që themeloi vetë. Ai ndiente makth, mes të tjerash, për mungesën e lirisë së tij për të thënë atë që mendonte, si gjashtë vjet më parë. Atë ditë ai mendonte se partia e tij po tradhtohej nga disa fanatikë që po e çonin në greminë dhe detyrohej të fliste publikisht në favor të një gjëje që nuk e besonte. E bënte këtë me shpresën që të mbetej ende brenda asaj partie, me shpresën se mund t'i vinte sërish dita për një betejë që mund ta fitonte brenda saj.
Qeveria e re, një ndjellëse fatkeqësish
Ndërsa vera e vitit 1996 po tërhiqej zvarrë mes sherreve të socialistëve dhe nxjerrjes jashtë loje të shumicës së emrave politikë të PD-së, në horizont po shfaqeshin probleme të reja, që buronin nga politika personale që kishte diktuar elitën e re politike në pushtet, nga larja e hesapeve mes palëve dhe pamundësia e pushtetit për t'i dhënë një përgjigje krizës së fajdeve, që pas zgjedhjeve shpërtheu edhe te fondacionet e quajtura bamirëse, si "Populli" dhe "Xhaferri".
Në planin politik, Azem Hajdari, themeluesi i Partisë Demokratike dhe i përjashtuari i madh i saj, po përgatitej për kundërsulm. Shoqëria e tij me krerët e sindikatave po rritej dhe ai po kërkonte një mandat për t'iu kundërvënë qeverisë së re Meksi.
Vetë Meksi, në të vërtetë, ishte i çudituri i madh që i kishte mbijetuar postit të tij. Komunikimi i tij me Berishën ishte vështirësuar dhe deri në minutën e fundit ai nuk kishte asnjë sinjal rikonfirmimi. Madje, një natë para se të shpallej qeveria, Berisha e çoi deri në fund humorin e zi, kur na thirri mua dhe Ylli Rakipin në zyrë dhe na la të kuptohej se kandidat mund të ishte edhe Genc Polloja. Ne e çuam deri në fund humorin e tij të zi duke e futur këtë në faqen e parë të gazetës. Por në orën dhjetë, gjithçka ishte qetësuar dhe Aleksandër Meksi ishte rikonfirmuar. Dy të zemëruar të mëdhenj kishte me këtë vendim: Bashkim Gazidedja dhe Azem Hajdari, të dy po ashtu armiq me njëri-tjetrin. Gazidedja u trondit aq shumë nga rikonfirmimi, sa nuk dinte kujt t'i hapej. Mori Ylli Rakipin në telefon dhe e ka mbajtur gati një orë duke zbrazur gjithçka kundër tij. Fliste për abuzime financiare, për lidhje të dyshimta antikombëtare, për gjithçka. Por dëshpërimi nuk i vinte nga kjo gjë, por nga fakti se, sipas tij, i kishte çuar një dosje të tërë Berishës me këto gjëra dhe se ai nuk e kishte përfillur. Këtë gjë nuk e shpjegonte dot. i vetmi që kishte një shpjegim për këtë ishte avokat Ngjela.
- Ky Gaziu s'e njohka doktorin fare, - tha. - i paska bërë dosjen sa një mal Leka Meksit dhe kërkon që ta heqë doktori. Po doktori atë do, dosjen. Ai e paska bërë me duart e tij kryeministër. i paska thënë: "Ja ku e ke dosjen e tij, tani bëje!". Se ai nuk e di që është ndryshe ekuacioni.
Por humori i Ngjelës nuk mbërrinte dhe as nuk kuptohej nga mendja e Gazidedes. Dhe ishte tejet i brengosur. Me Azem Hajdarin, po ashtu. Ky nuk e kishte me Aleksandër Meksin, por nuk guxonte ta bënte betejën direkt me Sali Berishën. Donte doemos t'i tërhiqte vëmendjen atij dhe ta thërriste për një pakt. Avokat Ngjela, që ia kishte njohur prej vitesh këtë stil, ia ngrinte nervat kur ia ilustronte gjithçka me pasqyrat që dogjën anijet e Kartagjenës.
- Kot e ke, Azem, sa bën gati anijen ti, ai të drejton pasqyrën dhe ta djeg. Mos u lodh kot! - i thoshte.
Po Azemi nuk u tërhoq kurrë. Për t'ia arritur asaj dite, që nuk ia arriti dot derisa e vranë, ai bëri gjithçka: u bë mik me armiqtë e Berishës në PD, armik me miqtë e tij, bëhej tolerant dhe radikal, antikomunist i tërbuar dhe njeriu më i moderuar. Bënte gjithçka që, një ditë, ai t'i thoshte:"Azem, çfarë do, fol..." Ai nuk ia tha kurrë dhe tashmë themeluesi i asaj partie po tretet nën dhč pa ia arritur të bëhej qoftë edhe një ditë ministër, ndërsa dhjetëra e qindra të tjerë, miq dhe armiq të tij, pa asnjë kontribut në atë parti, janë bërë gjithçka, mjaftonte që të mos kishin pretendime politike...
__________________
I am the author of my life;
unfortunalty, I'm writing in pen & can't erase my mistakes.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|