Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Politika shqiptare ne vite > Marredheniet nderkombetare te Shqiperise ne 1948
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
tresh
.

Regjistruar: 16/11/2003
Vendbanimi: .
Mesazhe: 2752

Marredheniet nderkombetare te Shqiperise ne 1948

Disa fakte mbi marredheniet nderkombetare te Shqiperise ne 1948 me Jugosllavine e BRSS e me gjere ne Ballkan si dhe si perceptohej ne arenen nderkombetare gjendja politike Ballkanike si dhe komplotet e ndryshme qe luheshin ne te.
Artikull i marre nga gazeta Shekulli
3SH




Stalini: Kosova bumerang kundër Titos, dhe jo bashkim me Shqipërinë!
Dr. Stavri J. DAJO

Mbështetja e kursit të Stalinit pa rezerva nga E. Hoxha dhe dënimi i tradhtisë jugosllave nga ana e tij e ndërlikonte së tepërmi problemin. Nuk është e rastit që Stalini, në korrik të vitit 1948, për herë të parë ftoi një përfaqësi të Partisë Komuniste Shqiptare në një forum komunist ndërkombëtar duke i dhënë fund izolimit katërvjeçar të Shqipërisë, imponuar, pa asnjë dyshim, nga jugosllavët. Në takimin e Varshavës, pra, në fund të korrikut, E Hoxha, duke shfrytëzuar rastin në takimin me Molotovin, i foli për komplotet dhe shantazhet jugosllave dhe për rrezikun e madh që kërcënonte Shqipërinë. Situata është vërtet shqetësuese, i tha lideri shqiptar. Ε. Hoxha i vuri në dukje Molotovit, se dy letrat e njohura të Kremlinit ishin anija e shpëtimit për Shqipërinë, në pranverë të vitit 1948, dhe se kërcënimi jugosllav ishte tani po aq i pranishëm sa ai grek. Molotovi miratonte qëndrimet shqiptare të Ε. Hoxhës dhe i premtoi më shumë ndihmë sovjetike dhe përkrahje në takimet ndërkombëtare. Ε. Hoxha, nga ana e tij, e garantoi Molotovin se uniteti në Parti ishte rivendosur dhe se gjendja e përgjithshme në vend ishte tashmë e shëndoshë. Jugosllavët, theksoi me kuptim ai, na akuzuan gjatë luftës për pozita shoviniste, për shkak të qendrimeve tona ndaj çështjes së Kosovës. Tek e mbramja, Molotovi kërkoi nga E. Hoxha, të dënojë vetvrasjen e N. Spirut dhe, pa humbur kohë, Shqipëria të vendoste ose të përmirësonte marrëdhëniet e saj me shtetet e tjera, në mënyrë që të dilte nga izolimi, i cili ishte pasojë e tradhtisë jugosllave. Molotovi theksoi se udhëheqja sovjetike miratonte qendrimet shqiptare dhe vet Kremlini shqetësohej për fatin e Shqipërisë në periudhën pas-Jugosllave, ngaqë politika e Beogradit ishte përnjëmend koloniale dhe e dënueshme. Në takim nuk u tha farësendi për ashpërsimin e politikës ndaj Beogradit dhe vendosjen e sanksioneve ndaj regjimit titist. Në këto kushte, E. Hoxha nuk mund të ngrinte kurrsesi çështjen e Kosovës në një kohë që vet Shqipëria rrezikohej seriozisht.
Pas Kongresit të Parë të Partisë Komuniste Shqiptare, më 7 dhjetor, Kryetari i Kuvendit Popullor, Omer Nishani, në takimin me ambasadorin sovjetik në Tiranë i shprehu edhe një herë po ato shqetësime dhe shënoi se Shqipëria tashmë merrte frymë lirisht dhe se Bashkimi Sovjetik kishte shpëtuar Shqipërinë nga një katastrofë e sigurt historike.
Në verë, me qëllim që Shqipëria të integrohej plotësisht në koalicionin e vendeve lindore, Stalini organizoi një takim të E. Hoxhës në Bukuresht me pjesëmarrjen e Vyshinski-t, të Dezhi-t etj. në të cilën dy ditë më vonë u shtua dhe vet Molotovi. Qëllimi i takimit ishte bashkërendimi i luftës kundër Titos dhe afrimi i mëtejshëm i partive komuniste pas tradhtisë jugosllave. Stalini ka shumë gjasë që të besonte se ekzistonin mjete dhe mënyra për përmbysjen e regjimit titist, në verë të vitit 1948. E para, sipas planeve të tij, tij, ishte provokimi artificial i çështjes maqedonase, në suazë të Luftës Civile Greke dhe nxitja e çështjes shqiptare në Kosovë për një rebelim të përgjithshëm dhe të bashkërenduar kundër Titos. Këto veprime, besonin në Moskë, do të ngjallnin trazira dhe, për pasojë, mund të binte regjimi i Beogradit. Sipas alternativës së parë, do me thënë ringjallja e çështjes maqedonase, Stalini mendonte se një gjë e tillë duhet të bëhej në marrëveshje me komunistët grekë dhe me miratimin e tyre, prandaj kërkoi nga ata dhe nga vet Nikos Zahariadhis, udhëheqësi i Partisë Komuniste Greke, që çështja të shtrohej në Plenumin e 5-të të KQ të Partisë Komuniste Greke, në fund të janarit 1949 që do të mbahej në Korçë. Dhe vërtet Plenumi pranoi pikëpamjen për vetvendosjen e Maqedonisë. Madje, në mars të 1949, NOF bënte thirrje për bashkimin e Maqedonisë në një komb të pavarur dhe të barabartë brenda Republikës Popullore Federale të popujve të Ballkanit. Nismat dhe planet e Stalinit, ndërkaq, mund të shkaktonin ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të aleatëve perëndimorë dhe ndoshta dhe pushtimin e vet Shqipërisë nga forcat ushtarake greke në bashkëpunim me ato perëndimore. Alternativa tjetër që kishte të bënte me Kosovën, konsiderohej nga Kremlini rast shumë i volitshëm për të nxitur trazira dhe për të destabilizuar Federatën Jugosllave, çka do të vështirësonte regjimin titist të Beogradit. Dhe me të vërtetë, Kosova ishte rast i përshtatshëm për të tilla eksperimente dhe për të nxitur mëritë e vjetra, sepse vendosja e komunizmit dhe dogma titiste për zgjidhjen e çështjes nacionale në Jugosllavi nuk kishin përmirësuar aspak gjendjen, përkundrazi, vazhdimisht pas vitit 1945 krahina shndërrohej në koloni të serbeve, që sundohej, lihej pas dore dhe shfrytëzohej sistematikisht nga Beogradi. Është fakt se Bashkimi Sovjetik as pas vitit 1948 nuk e mbështeti bashkimin e krahinës me trungun-amë, Shqipërinë, por Stalini përpiqej ta shndërronte çështjen kosovare në bumerang kundër Titos dhe në interes të tij. Moska e dinte mirë se gjatë gjithë katërvjeçarit të mjaltit në marrëdhëniet mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Jugosllavisë, gjuha shqipe nuk ishte e barabartë me serbokroatishten, ndalohej përdorimi i simboleve kombëtare dhe ngritja, sipas traditës, e flamurit kombëtar shqiptar në raste festash, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe dhe i historisë së popullit shqiptar, i traditave dhe i letërsisë shqiptare, konsiderohej shkarrje nga ideologjia sunduese dhe dënohej rëndë. Në thelb, një ndryshim i status quo-së në Jugosllavi nuk ishte në interes as të vet liderit shqiptar, i cili besonte se do të kishte rrjedhoja e do të shkaktonte reaksione zinxhir çka do të kishte si pasojë destabilizimin e vendit. Nga ana tjetër, do të nxiste reaksionin e jashtëm shqiptar për të shtuar më tej përpjeket e tij për realizimin e ambicjeve të njohura. Prandaj, pa ndonjë zell të veçantë, Zëri i Popullit dënonte politikën nacionaliste të Beogradit në dëm të bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës, duke i nxitur të përmbysnin regjimin titist. Porse, në realitet, udhëheqja komuniste shqiptare e kufizoi kritikën e saj ndaj regjimit titist në plan thjesht ideologjik, sepse ky ishte dhe orientimi i Moskës. Tirana dëshironte rënien e Titos, por edhe shpërbërjen e Federatës çka do të mundësonte bashkimin e Kosovës me pjesën tjetër të Shqipërisë. Bashkimi Sovjetik, nga ana e tij, nuk dëshironte shpërbërjen e Federatës Jugosllave, e cila, e shpërbërë, mund të përfundonte më lehtë në duart e aleatëve perëndimorë, por nuk dëshironte as bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Stalini mjaftohej me rënien e Titos dhe zëvendësimin e tij me një udhëheqës prostalinist, i cili do t’u bindej urdhrave dhe diktatit të Kremlinit, pra, interesave të Bashkimit Sovjetik. Për këtë arsye, vet Stalini nuk nxiti nacionalistët shqiptarë në realizimin e ambicjeve të tyre dhe asnjëherë nuk foli për bashkimin e krahinës shqipfolëse të Kosovës me Shqipërinë. Paralelisht, në Beograd u vunë re lëvizjet e para të mefshta të regjimit titist për afrimin me perëndimin. Këto lëvizje u shoqëruan me deklarata të ashpra të udhëheqësit jugosllav kundër Informobyrosë. Kësisoj, më 21 korrik, në Kongresin e 5-të të Partisë Komuniste Jugosllave, Titoja shpalli vijën e vet politike dhe ideologjike të pavarur nga Moska dhe bëri të ditur se nuk pranonte diktatin e Moskës. Fjala e tij tetorëshe ngjalli interes të veçantë në rrethet diplomatike perëndimore, por në perëndim besonin se ende nuk qenë pjekur kushtet për një afrim real me Beogradin dhe me Titon. Në të njëjtën kohë, në gusht të vitit 1948, aleatët perëndimorë kishin arritur në përfundim se rritja e pranisë së tyre në Adriatik dhe Mesdhe ishte e pamundur pa shkëputjen e Shqipërisë nga orbita sovjetike.




SHEKULLI
05/06/2004

__________________
il primitivismo e la non cultura sono forme eterne!! CHI CREO LE DONNE??!!DIO E STATO UN GENIO

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 06 Qershor 2004 10:16
tresh nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė tresh Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me tresh (me Mesazh Privat) Kėrko mesazhe tė tjera nga: tresh Shto tresh nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto tresh nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 04:54 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Politika shqiptare ne vite > Marredheniet nderkombetare te Shqiperise ne 1948

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.