Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Politika shqiptare ne vite > Kadare: Bisedat me Alinė nė '90-ėn
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
amoxil
I perjashtuar nga forumi

Regjistruar: 13/06/2004
Vendbanimi: •
Mesazhe: 3949

Kadare: Bisedat me Alinė nė '90-ėn

Marë nga "Shekulli"

Ky letërkëmbim midis presidentit Ramiz Alia dhe shkrimtarit Ismail Kadare, është botuar së pari në Francë, në fillim të vitit 1991, disa muaj pas vendosjes së shkrimtarit në këtë vend. Letërkëmbimi që i përket fillimit të vitit 1990, përbën pjesën e dytë të librit “Nga një dhjetor në tjetrin”, botuar njëherësh në shqip dhe në frëngjisht, nga shtëpia botuese “Fayard” në Paris


Fragmente nga letra e Ismail Kadaresë dërguar Ramiz Alisë, më 3 maj 1990, para letrës së njohur ku njofton vendimin për të lënë Shqipërinë dhe të cilës Ramiz Alia nuk iu përgjigj. Letra plotësohet nga shënime të reja të shkrimtarit që botohen për herë të parë

Letra e 1990 dhe shënimet e 2005
të Ismail Kadaresë për Ramiz Alinë


Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Tiranë

Shoku Ramiz!

(...) Po përfitoj nga ky rast për t’ju shprehur kënaqësinë dhe gëzimin me të cilin unë, ashtu si edhe gjithë intelektualët e tjerë krijues, kemi pritur masat që morën Plenumet e 9-të e të 10-të dhe veçanërisht fjalimin tuaj, për demokratizimin në ekonomi, në shoqëri dhe në politikën e jashtme. Gjithë intelektualët e ndershëm, ashtu si mbarë shqiptarët që e duan vendin e tyre, ju mbështesin plotësisht në përpjekjet tuaja, për ta ngritur mirëqenien e këtij populli e për ta demokratizuar edhe më tej jetën e tij. Këto janë momente të mëdha historike, vlera e të cilave me kalimin e viteve do të rivelohet përherë e më shumë. Do të më lejoni që në emër të kësaj dhe vetëm në emër të kësaj, t’ju shqetësoj me disa mendime e shqetësime që më kanë lindur mua si qytetar e si shkrimtar dhe që besoj se janë në mendjen e shumë njerëzve.

Kadare: Iluzioni im për Ramiz Alinë si “Gorbaçovi shqiptar”

(Në një shënim të mëvonshëm, të botuar së fundmi në librin “Letërkëmbim me presidentin”, Kadare e komenton këtë paragraf duke shkruar: Nën trysninë e ngjarjeve që po ndodhnin në botë e veçanërisht në ish-kampin socialist, në vitet 1989-1990 në dy Plenume të njëpasnjëshme, Ramiz Alia, shef i partisë dhe i shtetit komunist shqiptar, premtoi reforma të rëndësishme për demokratizimin e Shqipërisë. Ato zgjuan shpresa të mëdha si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, ç’ka bëri që Ramiz Alia të cilësohej nga shumë njerëz si Gorbaçovi shqiptar. Rrjedha e pastajme, tregon se ky nuk ishte veçse një iluzion. E ashtuquajtura përpjekje për demokratizim nuk ishte veçse një manovër, për t’i hedhur hi syve opinionit publik shqiptar si edhe botës së jashtme. Ka një hamendje të mëvonshme se në atë kohë krahu më konservator i udhëheqjes komuniste shqiptare, kishte hyrë në lidhje me puçistët e ardhshëm sovjetikë, të cilët kontrollonin ndërkaq Ministrinë e Jashtme e të Brendshme. Ka gjasa që qëndrim dyfytyrësh lidhur me demokratizimin e vendit dhe afrimin me Perëndimin, të ishte rrjedhojë e zotërimit të këtij krahu si edhe fryt i këshillave të puçistëve, të cilët nuk e donin as njërën as tjetrën. Puçistët sovjetikë shpresonin që pas marrjes së pushtetit të kthenin në kampin socialist dy “delet e zeza”: Jugosllavinë dhe Shqipërinë. Ende sot mbahet mend se si në gusht të vitit 1991, kur nga Moska u hap lajmi i parakohshëm i fitores së puçistëve, Tirana ende komuniste, përjetoi një natë ethesh ngazëllyese”.)

Kundër individëve të dhunshëm në pushtet

Ndërsa nga shumica absolute e popullit shqiptar, u prit me entuziasëm dhe pritet akoma demokratizimi i mëtejshëm i jetës së vendit, ka patur një grusht njerëzish që nuk e deshën dhe janë e do të jenë, ndoshta gjer në fund të jetës së tyre, kundër tij. Vetë renditja e këtyre forcave është kuptimplote:
Në radhë të parë, ata janë armiqtë e betuar të këtij kombi, të tipit Arshi Pipa, i cili deklaroi para disa ditësh se vendosja e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, është më shumë gjë e keqe se e mirë.
Së dyti, janë shovinistët serbë, për të cilët procesi i demokratizimit dhe hapat e rinj në politikën e jashtme të Shqipërisë, kanë qenë as më shumë e as më pak, një ditë e vërtetë zie. Së treti, dhe kjo ngjan më paradoksalja: janë dogmatikët dhe konservatorët shqiptarë këtu brenda, ata që, për interesa meskine, nuk duan të bëhet asnjë ndryshim. Paradoksi është se këta njerëz e paraqesin qëndrimin e tyre gjoja nga pozitat ultrarevolucionare (besnikëri ndaj vijës, etj.) dhe ndonëse, sado të trashë të jenë, e kanë kuptuar se qëndrimi i tyre koinçidon me armiqtë e Shqipërisë, vazhdojnë të këmbëngulin në këtë qëndrim. Kjo tregon se ata janë krejtësisht të pasinqertë, pra e kanë humbur edhe shansin e fundit; të konsiderohen budallenj (...)

Ja si shkelen të drejtat e njeriut nga Ministria e Brendshme

Unë nuk kam ndonjë obsesion pseudo-intelektualist kundër Ministrisë së Brendshme dhe Policisë... Është tjetër gjë që më shqetëson: fryma, psikoza që po krijohen në Ministrinë e Brendshme kohët e fundit. Është e hidhur ta them, por unë mendoj se ju si kryetar i këtij shteti të rëndësishëm, ndonëse të vogël, duhet ta dini të vërtetën. Pra, fryma që po krijohet është më shumë e sëmurë se e shëndoshë. Një frymë që nuk premton asgjë të mirë dhe që, në qoftëse nuk do të merren masa, do të çojë në pasoja fatale. Kohët e fundit në Ministrinë e Brendshme, disa kuadro po autosugjestionojnë veten e tyre dhe pastaj sugjestionojnë edhe të tjerët, se janë ata që e mbajnë këtë shtet në këmbë, se shteti pa ta do të rrokulliset, se ata janë shpresa, shpëtimi, etj. (...) Njerëzit acarohen për disa shkaqe: ekonomike, të strehimit, të problemeve të përditshme, etj. Por më të papranueshme se këto, janë shkelja e të drejtave njerëzore: rrahjet, arrestimet pa shkak, kërcënimet dhe fyerjet. Atë që nuk kuptojnë organet e Punëve të Brendshme është se këto shkelje që mund të jenë duruar disi më parë, tani janë bërë absolutisht të padurueshme për arsye që dihen. Ndaj vazhdimi i tyre s’mund të jetë veçse me pasoja tragjike. Organet e diktaturës kërkojnë t’i përligjin këto duke patur duar të lira edhe më tej. Ata kanë përhapur madje kudo formulimin se ‘Për veprime të tilla na e ka dhënë të drejtën Ramiz Alia”. Gjithë Shqipëria flet për rrahjet që bëhen në degët e brendshme dhe në polici, por jehona e kësaj është vështirë të mbërrijë në përmasat e vërteta tek ju, sepse ata që e kanë në dorë ta sjellin atë, nuk janë të interesuar ta sjellin ashtu siç është. Ata kujtojnë se duke i kërcënuar njerëzit e rrahur për t’i detyruar të mos tregojnë, e kanë mbyllur burimin e përhapjes të së vërtetës. Mirëpo e vërteta ndërkaq ka marrë dhenë. Dhe ajo është tepër e trishtueshme. Si nënkryetar i Kryesisë së FDSH-së, unë jam në dijeni të dhjetëra ankesave të bëra nga qytetarët, të drejtat njerëzore të të cilëve janë shkelur në mënyrë flagrante. Po ju rendis këtu vetëm disa emra të sferave që janë afër krijimtarisë artistike: Hektor Pustina dhe Reis Çiço, të dy asistentë-operatorë në Kinostudio si edhe Ylli Beqiraj, piktor, janë rrahur dhe keqpërdorur nga organet e Punëve të Brendshme pa asnjë faj. Ata e kanë denoncuar këtë në mbledhje publike, përpara sekretarit të KP-së së Tiranës, por nuk është ndërmarrë asgjë, qoftë edhe për t’u kërkuar ndjesë, përkundrazi janë vazhduar të quhen rrugaçë.
Kur Fatmir Musaj, piktor në Kavajë, ka protestuar për rrahjen e vëllait të tij muzikant, është thirrur në degë të brendshme dhe është fyer e kërcënuar për ta mbyllur gojën. Ilir Adili, ekonomist në Transships, është mbajtur 36 orë në arrest të paligjshëm, është rrahur, kërcënuar dhe pas dhunës fizike i është nënshtruar dhunës psikike. Nuk do të vazhdoj me këtë listë të hidhur. Do të ndalesha vetëm tek ky rast i fundit. Midis shfryrjeve histerike të punonjësve të Drejtorisë së Brendshme të Tiranës gjatë keqtrajtimit të Ilir Adilit, kanë qenë edhe sharjet kundër “shkrimtarëve dhe intelektualëve të tipit I. Kadare, që duan ta shesin Shqipërinë te imperializimi amerikan”. Këto formulime janë bërë prej punonjësve të sigurimit Hodo Hodaj dhe Gëzim Bejko.
Duke mos patur ndonjë obsesion për Ministrinë e Brendshme, dëshiroj t’ju them se unë s’kam patur gjithashtu, ndonjë respekt për të, ngaqë prej vitesh e kam ditur qëndrimin e saj të keq dhe absurd ndaj meje. Ka njëzet vjet për shembull, që letrat e mia hapen rregullisht prej kësaj Ministrie, por kjo s’më ka shqetësuar asnjëherë. ... Dhe kjo, jo për ndonjë rasye trimërie të pazakontë, por thjesht sepse di të dalloj një mekanizëm të shtetit nga shteti në përgjithësi dhe di gjithashtu se, në punët e mekanizmave shtetërore, sado të përparuar të jenë shtetet, ka përherë gjëra absurde. (...) Unë nuk e njoh zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizin, por për të flitet më zi se kudo. Është e mundur që populli shqiptar të ketë humbur sensin e bonsensin politik sa të bëjë akuza të plota, me fjalë të tjera, të urrejë pa arsye dhe të dojë pa arsye? (...) Është një bisedë e përgjithshme në Shqipëri se Zylyftar Ramizi merr pjesë edhe vetë, me një zell të shquar, në rrahjet e njerëzve, se është frymëzuesi kryesor i kësaj psikoze të sëmurë për të cilën fola më lart, se është një nga acaruesit kryesorë të njerëzve. (në një shënim të mëvonshëm që i shtohet librit të sapobotuar, Kadare shkruan: Zylyftar Ramizi, shef i Sigurimit famëkeq të Shtetit. I shkarkuar katër muaj pas kësaj letre. Në procesin gjyqësor pas rënies së komunizmit, ku u dënua me burg të përjetshëm, u përpoq të hakmerrej kundër autorit të letrës, duke përhapur shpifje për të, shënim i vitit 2005).
Kam patur rastin ta njoh mirë drejtorin e përgjithshëm të policisë Dilaver Bregasin, i cili sapo ka mbaruar e ka reklamuar punimin e tij “shkencor”, “Përdorimi i policisë për shpërndarjen e turmave”. Jam habitur gjithmonë se si ky falsifikator ordiner, i cili kur ka qenë kryetar i hetuesisë së Tiranës, është përpjekur të kurdisë një proces kundër meje, ka bërë një karrierë kaq të shpejtë dhe i është besuar një post kaq delikat. (...) Për një kohë të gjatë me mbrojtjen e ligjshmërisë në Presidiumin e Kuvendit Popullor, është marrë Spiro Koleka. Kam qenë deputet në atë kohë dhe kur ka qenë fjala për mbrojtjen e të drejtave të njërëzve, ai jo vetëm nuk bënte asgjë, por shpesh bënte të kundërtën. Dhe kjo, në njëfarë mase, ishte e logjikshme përderisa djali i tij, që punonte si hetues në Ministrinë e Brendshme, shquhej si një kriminel sadist, kundër të cilit më kot ishin bërë ankesa. (Një vajzë studente krejtësisht e pafajshme, e rrahur me shkop hekuri prej tij, jeton ende në Tiranë me jetën e shkatërruar përgjithmonë, ndërsa ky farë kuadri, nuk di për ç’merita, punon tani në Ministrinë e Jashtme). Rita Marko që ka zëvendësuar S/Kolekën, gjithashtu nuk ka asnjë koncept për drejtësinë. Është kjo, një nga arsyet që njerëzit nuk i duan këta tipa drejtuesish... Unë ju kërkoj ndjesë, madje shumë, që po ju shqetësoj me gjëra kaq të hidhura. Por ju i keni hapur një horizont të ri kombit shqiptar, dhe në emër të këtij horizonti, që ai të mos errësohet, të mos ngushtohet, të mos mbyllet, ne të gjithë, të gjithë qytetarët e këtij vendi, kemi për detyrë t’ju ndihmojmë e t’ju mbështesim. (...)
Kombi shqiptar është me ju, sepse me ju është e ardhmja. Ky komb kupton shumë gjëra dhe në gjërat themelore është i pagabueshëm. Ashtu siç e shpërblen me mosdashuri mosdashurinë, ashtu në kujtesën e tij dhe në zemrën e tij të madhe, di t’i ruajë përherë ata që e deshën, që punuan për të, që punuan jo për ta mërzitur, jo për ta sfilitur, por përkundrazi për ta shëndoshur, për ta gëzuar, për ta bërë të lirë. Ju e keni këtë fat. Me ju është e ardhmja. Me ju është Shqipëria.

Me respekt
Ismail Kadare
Tiranë, 3 maj 1990

(Titujt dhe mestitujt janë të gjithë redaksionalë)


Fragment nga përgjigjia e ish-presidentit Ramiz Alia për Ismail Kadarenë, në maj të vitit 1990, ku i tërheq vëmendjen pse nuk përmend fjalën “parti”, për komplimentat superlativë në drejtim të tij, dhe ku e akuzon si inatçi. Perceptimet e reja të shkrimtarit për tërheqjen e Ramiz Alisë nga roli historik i “shpëtimtarit” si Gorbaçovi në Rusi, dhe replika e fundit me Ramiz Alinë për “Koncert në fund të dimrit”


Kadare: E vërteta për bisedat e
mia “të hapura” me Ramiz Alinë


I dashur Ismail,

Mora letrën tënde të datës 3 maj 1990. I zënë me punë nuk pata mundësi të të shkruaja më shpejt. Jo se ti prisje përgjigje, por se unë kisha disa gjëra për të thënë. Unë kam folur gjithnjë hapur me ty. Edhe tani kështu do të flas.

Kadare: E vërteta për bisedat e
mia “të hapura” me Ramiz Alinë

(këtu Ismail Kadare shton një shënim të botuar në librin ‘Letërkëmbim me presidentin” duke shkruar: Presidenti në krye të letrës së tij, përmend diçka që nuk mund të quhet e pavërtetë, por aq sa s’mund të quhet e vërtetë plotësisht. Është e dëshmuar shumë herë se rrahja e mendimeve dhe e temave tabu me Ramiz Alinë, bëhej e mundur edhe për shkak të natyrës së tij. Në rrethin e njerëzve që e njihnin zotëronte mendimi se, ndryshe nga shumica e udhëheqësve, që ishin të pagdhendur, të pabesë ose shpirtkazmë (e së shumti i kishin të trija bashkë), presidenti pranonte kësi bisedash, pa e tradhëtuar bashkëbiseduesin. Por, siç u tha më lart, kjo nuk ishte dhe kurrsesi nuk mund të ishte, veçse në një farë shkalle e vërtetë. Askush nuk mund të ishte aq naiv sa të priste një sinqeritet të plotë prej një presidenti komunist, i cili edhe sikur të mos donte, ishte i detyruar të mbronte krimet e regjimit, në rastin më të paktë t’i mbulonte e në rastin më të keq, t’i vazhdonte ato. Ndërkaq, s’duhet harruar se një pjesë e “bisedave të hapura” kishin ndodhur në vitet 1988-1989, përpara rënies së murit të Berlinit. Në atë kohë, gjithë bota i kishte kthyer sytë nga Gorbaçovi, ndonëse edhe ai nuk ishte veç presidenti i një regjimi të bazuar në krim. Në këtë sfond iluzioni për Ramiz Alinë si një “Gorbaçov shqiptar”, ishte kërkesa pozitive që bota shqiptare i drejtonte atij, si e vetmja shpresë imediate në horizont. Është thënë disa herë se nëse Ramiz Alia do të pranonte këtë rol, fati i Shqipërisë do të ndryshonte kryekëput. Falë asaj që Shqipëria s’kishte asnjë lidhje e asnjë detyrim ndaj kampit sovjetik, ajo, sado paradoksale të dukej, kishte shansin të afrohej e para me botën prerëndimore. Dihet tashmë që rolin e afrimit më 1988 e mori Gjermania Federale, e cila duhet të jetë tmerruar nga dyfytyrësia e komunistëve shqiptarë, ata që nga një anë bënin sikur e donin afrimin e nga ana tjetër e prishnin pabesisht.
Është ende i pasqaruar roli vendimtar që ka luajtur në këtë histori KGB-ja ruse, gjithmonë e pranishme në Tiranë, me misionin kryesor: ndalimin e afrimit të Shqipërisë me Evropën. Mendohet se kjo prani dhe ky mision vazhdojnë ende sot në Shqipëri, më aktivë se kurrë.
Vitet e fundit nuk ishte sekret për askënd se në zyrën e Ramiz Alisë, të gjitha bisedat regjistroheshin. Nuk është sqaruar ende, se ky rregull ka qenë vënë prej atij vetë, apo është kërkuar prej atij “krahu konservator” (herë të vërtetë, e herë virtual), që pasi e kishte akuzuar si liberal, e kontrollonte për ta mbajtur në fre. Fakti që mikrofonin për regjistrimin e bisedave, presidenti e vinte në veprim me dorën e vet, në sytë e bashkëbiseduesit, është shpjeguar, ashtu si mjaft sjellje të tij, dy mënyrash. e para negative, si një trysni ndaj tjetrit, e dyta, pozitive si paralajmërim për të qenë i kujdesshëm.
Është dyshuar, jo pa arsye, se biseda që përmendet nga të dy palët në këtë letërkëmbim, të jetë dëgjuar dhe komentuar nga të tjerët, gjë që shpjegon ndryshimin drastik të tonit në këtë përgjigje të tij, pas së cilës ,autori i letrës, e ka ndier veten parimisht të tradhëtuar. Shënim i vitit 2005)

Letra nuk më la përshtypje të mirë, jo për paragrafët “e zymtë”, por për shpërthimin inatçi ndaj atyre forcave që ti i quan konservatore dhe për lavdet superlative në adresën time. Të kuptohemi: Unë nuk marr në mbrojtje asnjë forcë regresive, nga çdo anë që të paraqitet, ashtu si nuk i ndal për zot asnjë shkeljeje të ligjshmërisë nga punonjës të ndryshëm të policisë e të çdo organi shtetëror. Këto janë të dënueshme dhe shteti ynë nuk ka hezituar as heziton në çdo kohë t’i dënojë. Për rastet që më shkruan, kam ngarkuar të hetohet. Por nga këto raste të përqendrohet tërë meraku yt vetëm tek “konservatorët’, duke harruar fare anën tjetër, reaksionin e huaj dhe të atë të brendshëm që përpiqet të na shtyjë drejt mohimit të lirisë e të pavarësisë si popull dhe të vetvetes si komunistë, e them hapur, më shqetësoi. Ndërsa konkluzionin se një “frymë e përgjithshme kundër inteligjencës është duke u përpunuar në Ministrinë e Brendshme, e quaj të gabuar, madje tendencioze.
Për sa u përket lavdeve në adresën time, mos harro një gjë, shoku Ismail, se çdo gjë që bëjmë lidhet me Partinë, me forcën e mençurinë e saj.

Kadare: Ndrojtja e Ramiz Alisë

(Kadare ndërhyn sërish me një shënim të kohëve të fundit, për të sqaruar këtë paragraf, duke shkruar: Në këtë pasazh ndihej droja e presidentit për iluzionin që kanë vënë njerëzit mbi të. Kjo droje shprehet si shqetësim për harrimin ose nënvleftësimin e rolit të Partisë. Por edhe kjo fsheh një frikë edhe më të madhe: harrimin ose nënvleftësimin e diktatorit të vdekur. Ka gjasë që Ramiz Alia të jetë akuzuar drejtpërdrejt ose tërthorazi se po ndërton kultin e vet në dëm të ish-diktatorit. Krahu më konservator i udhëheqjes komuniste nën drejtimin e vejushës së tiranit, kishte krijuar një përgjim e një psikozë të sëmurë kundër gjithçkaje që mund të kërkonte një shmangie nga vija e Enver Hoxhës. Për t’i kujtuar gjithkujt se nuk do të ketë asnjë zbutje në vijë, u shtua represioni bashkë me dënimet, ridënimet brenda në burg dhe pushkatimet. Kështu, nën drejtimin e drejtëpërdrejtë të familjes Hoxha dhe sipas traditës së mirëfilltë staliniste, u shpik i ashtuquajturi ‘grup armiqësor i inxhinerëvë të naftës”. Inxhinierë si Vasil Xhaçka përfunduan në burg, kurse inxhinieri Enriko Veizi që ishte njëkohësisht shkrimtar e intelektual i shquar, u pushkatua. Me këtë dënim regjimi dha një mesazh të qartë: nuk do të ketë asnjë shmangie nga vija e Enver Hoxhës. Thënë ndryshe: do të derdhet përsëri gjak. Nga gjithë letra e presidentit, por sidomos nga pasazhe si ky, kuptohet qartë se ai refuzon, madje me nervozizëm e tmerr, rolin që i propozohet si zbutës i represionit, shënim i vitit 2005”

Partia na mësoi, ajo na frymëzoi, ajo na dha guximin të mos trembemi nga asnjë furtunë. Unë e çmoj vlerësimin e popullit: (kam marrë shumë letra e telegrame, kolektive e personale). Si edhe vlerësimin tënd, por personalisht nuk bëra ndonjë gjë të veçantë, as në Plenumin e 9-të të KQ-të Partisë, as në të 10-tin. (...) U ndala në këtë çështje jo për t’u treguar “parimor”, por sepse më tërhoqi vëmendjen fakti që në letrën tënde me mbi 3 mijë fjalë, nuk ndesha asnjëherë fjalën Parti... Kjo gjë më ra në sy edhe në intervistën që para disa kohësh i dhe “Zërit të Rinisë”. Mundet të jetë përpjekje për të mos qenë formal, mund të jetë thjesht harresë! Po në këto kohë, reaksioni (jo konservator) sugjeron mohimin e Partisë Komuniste, aq sa nën këtë presion po ndryshohen edhe emrat e Partive dhe emërtime te Republikave, as harresa, as kujdesi për të mos qenë formal nuk i shërben luftës sonë për mbrojtjen e pavarësisë, nuk i shpërben as procesit të revolucionarizimit të jetës e demokratizimit të gjithanshëm të saj. Pa Partinë, pa socializmin, s’mund të ketë Shqipëri të lirë e sovrane. Pra, as demokraci për popullin.
Lexova këto ditë me shumë vëmendje intervistat që mjaft shokë tanët u dhanë korrespondentëve të huaj. Pyetjet e të huajve orientoheshin vetëm te liria e shprehjes, e botimit, tek ekzistenca ose jo e përçarjes në udhëheqje, te vazhdimësia apo shkëputja nga trashëgimia e Enver Hoxhës, etj, etj. Synimi i tyre është i qartë. Por në përgjigjet e shokëve tanë (që në tërësi ishin korrekte), sipas mendimit tim, në raste të tilla, më shprehimisht duhet të evidentohet vija dhe qëndrimi i Partisë, pa fshehur ekzistencën e sja. Mund të duket formale, por në këto kohë, jo. (...)
Vepra jote i është kushtuar mbrojtjes së atdheut, lirisë e pavarësisë së tij. Luftës heroike të Partisë sone të shokut Enver Hoxha, për të ruajtur sovranitetin tonë (kujtoj “Gjeneralin”, “Kështjellën”, “Dimrin e Madh”, “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Koncert...”- të falenderoj për botimin frëngjisht që më dërgove, etj, etj.) Mos harro as atë ç’ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favorin tënd. Madje, nëse të shkruaj kështu hapur, pa shumë “diplomaci”, kjo ka lidhje me ato marrëdhënie miqësore që ekzistojnë mes nesh, por edhe i nisur nga ai kujdes që Partia vazhdimisht ka treguar për Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam shkrimtar të madh, po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e Partisë e të popullit.

Kadare: Ramiz Alia, jo
serioz kur flet për veprat e mia

(këtu sërish Ismail Kadare ndërhyn me një shënim të kohëvë të fundit duke shkruar: Për ta kuptuar se sa pak serioz është presidenti kur flet për vlerësimin që u është bërë disave prej këtyre veprave e sidomos për frymën e tyre “militante, edukuese, patriotike, komuniste”, etj, mjafton të përmendim fatin e shembullit më të fundit të cituar, romanin “Koncert në fund të dimrit”. Në një denoncim të fshehtë që mban datën 17 korrik 1983, shkruar nga ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, Dritëro Agolli, dhe dërguar Komitetit Qendror (pra Enver Hoxhës dhe vetë Ramiz Alisë) midis të tjerash thuhet: “Romani është një satirë dhe përqeshje me komunizmin dhe idetë e tij, është një ironi dhe tallje nga pozitat e një liberali evropian. Bashkë me ironinë përzihet zymtësia e gjendjes, shkarkime, arrestime, burgosje. Ky është një cinizëm i ngjashëm me atë që përmendin gazetarët e huaj, që i lexojnë në buletinë te verdha. Ironizohen edhe dokumentet e Partisë dhe veprat e shokut Enver. Romani jo vetëm që është i pabotueshëm dhe i pandreqshëm, por thellësisht i gabuar ideologjikisht”. Ky denoncim, i miratuar nga Komiteti Qendror, pra nga vetë Ramiz Alia, e ndaloi romanin ”Koncert në fund të dimrit”, për pesë vite të tjera, shënim i vitit 2005)

Nuk e kuptova polemikën tënde me Arshi Pipën nëpërmjet “Zërit të Amerikës”. Ishte e dobët dhe nga pozita mbrojtëse. (...) Të shkrova hapur, sepse e di që edhe ty të pëlqen më mirë që gjërat të thuhen pa doreza. Por kam edhe një arsye tjetër: dëshiroj që kushdo, populli e intelektualët tanë, si dhe opinioni publik jashtë, tek Ismail Kadareja të mos shohin një njeri që herë bën një kritikë për sigurimin ose sistemin gjyqësor e herë për dogmatikët e mediokrët në fushën e arteve, por të shohin një shkrimtar komunist që në këto kohë të vështira, lufton bashkë me Partinë për mbrojtjen e lirisë së atdheut dhe zhvillimin e socializmit në Shqipëri. Për askënd nuk duhen lënë akuivoke.

Shumë të fala

Ramiz Alia
Tiranë, më 21 maj 1990

__________________
Nė faktin se jemi askushi dhe nuk kemi me tė vėrtetė kurrgja. Sa mė pak kemi, aq ma tepėr mundemi me dhan. Duket diēka e pabesushme, por kjo ashtė llogjika e dashunis.

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 23 Korrik 2005 03:42
amoxil nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė amoxil Vizito faqen personale tė amoxil't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: amoxil Shto amoxil nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto amoxil nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 08:31 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Politika Shqiptare > Politika shqiptare ne vite > Kadare: Bisedat me Alinė nė '90-ėn

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.