Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Mediat Shqiptare > Ah, kjo gazetaria shqiptare!!!
Gjithsej 9 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 [9]   Tema e mëparshme   Tema Tjetër
Autori
Titulli Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
robert
Veteran ne forum

Regjistruar: 08/05/2010
Vendbanimi: Gjermani
Mesazhe: 863

Mihalët dhe mbikalët

Ngjarja e pak ditëve më parë nxorri edhe një herë sheshit ato fenomene negative që kanë mbuluar këtë vend, e të cilat po i marrin frymën, duke mos e lënë të zhvillohet. Këto fenomene burojnë jo vetëm thjesht nga zona rurale dhe fshatare, këto fenomene janë jo vetëm tregues i arsimimit dhe kulturës së ulët të banorve të ardhur nga këto zona, por këto fenomene negative tregojnë edhe një herë, që në këtë vend nuk respektohen ligjet në fuqi dhe as ka kush ti mbrojë këto ligje. Fatkeqësi e këtij vendi, tragji-komedi e këtij populli, është për të ardhur keq!
Në radhë të parë kjo ngjarje na rrezaton si një skenar i kurdisur më parë, pak a shumë po si ai i ndodhur para nja 10 vjetësh me ministrin shqiptar të kulturës, Ylli Pangon, ku i gjithë opinioni pa vetëm ato sekuenca të filmit të fshehtë, që tregonin joshjen seksuale të tij ndaj një vajze të re, duke dënuar kështu njëzëri shpërdorimin e detyrës nga an’ e tij, ndërkohë që më vonë doli se kish qenë vetë vajza e paguar nga struktura të tjera në joshjen seksuale të ministrit! Në rastin e tanishëm, atë të kontaktit midis pronarit të restorant-hotelit në Qeparo, Mihal Kokëdhimës, dhe guidës turistike të udhëhequr nga dy shqiptarë, shohim po ashtu disa mangësi dhe manipulime në transmentimin e lajmit nga mediat, po ashtu shohim disa rrjedhime që lenë mjaft për të dyshuar, se e gjithë ngjarja ka qenë e piksynuar më parë.
Në filmin e hedhur në youtube dhe të transmentuar nga disa televizione më 17 gusht, ne nuk shohim se si ka nisur ky konflikt. Nga lajmet e TV-ve dhe gazetave të ndryshme marrim vesh tre lajme jo të njëjta. Njëri thotë, se klientëve turistë të huaj u ishte vonuar porosija e bërë. Ndërsa një lajm tjetër fliste për ardhje të tepërt të asortimenteve të porositur. Gjithashtu jepej edhe një lajm i tretë, se peshku i serivirur nuk ishte i egër, siç e përmbante menyja, por i rezervatit! Lajmi i parë ishte më i përdorur, ndërsa lajmi i dytë dhe i tretë më pak të përdorur nga mediat.
(Po shtoj tani më mbrapa, se edhe në lajmet e sapo-para në youtube të datës së djeshme dhe sotme, 22+23 gusht, tek Report-TV, ku pretendohet të jepet më i saktë shkaku i i nisjes së konfliktit, jepen tre variante të tjerë të nisjes së këtij konflikti. Njëri nga tashmë i arrestuari, Mihali, dhe dy variante të tjerë nga guida turistike, nga shqiptarët udhëheqës dhe spanjollët. Vetkuptohet, sipas variantit të Mihalit, fajtorë dalin dy guidistët shqiptarë me grupin e tyre turistik, ndërsa sipas variantit të guidistëve fajtori kryesor është Mihali me sjelljen e tij arrogante dhe agresive. Varianti i vajzës spanjolle dhe të afërmëve të saj e rëndon më pak Mihalin, por në deponimin e spanjolles nuk kemi fillimet e këtij konflikti. Një deponim tjetër, i një të njohuri të Mihalit, i cili pretendon se ishte aty atë kohë ku u zhvillua fillimi i ngjarjes, na flet për diçka akoma më tjetër, na flet për sharje të dy udhëheqësve të grupit në adresë të Mihalit, duke i rënduar kështu shumë më tepër guidistët shqiptarë, po dhe turistët spanjollë. Në mes të gjitha këtyre deponimeve deri diku jo të njëjta për fillimin e konfliktit, ne nuk mund të bazohemi në as edhe njërin prej tyre, por nxjerrim vetvetiu një të mesëm, i cili nuk përputhet me variantin mediatik dhe opinionin dënues të mijra komentuesve.)
Pas proçesit të porositjes së ushqimit, peshqëve të përzgjedhur në guzhinë, dhe pregatitjes së këtyre peshqëve nga vetë Mihali në guzhinë, nis një proçes akoma i pazbardhur saktë, ai i prishjes së kësaj porosie. Kjo i shkon në vesh Mihalit, i cili i nxehur del (me peshqit apo pa peshqit në zgarë) dhe konfliktohet me fjalë me grupin turistik. Të indinjuar këta çohen dhe ikin. Aty konflikti përshkallohet edhe në kapje trup me trup. Spanjollët futen në mikrobuz e pas tyre edhe dy guidistët shqiptarë. Mihali i del përpara makinës dhe kapet tek skrofonti i saj përjashta. Makina niset dhe Mihali mbetet i varur përballë shoferit dhe guidistit tjetër, duke qëlluar drejt xhamit dhe thirrur për ta ndaluar maqinën. Nga ky moment ne e kemi gjithshka pastaj të filmuar nga vajza e turistit spanjoll.
Në këtë filmim ne shohim dy guidistë të papërgjegjshëm, shoferi që vazhdon ti japi mikrobuzit, ndonëse jeta e njeriut të varur përpara makinës është në rrezik, kemi dhe guidistin tjetër që shan me fjalor banal dhe qëllon tek dora ku mbahet i varuri përpara makinës. Kemi rreth 5-6 minuta filmim, ku shohim një sjellje mjaft cinike dhe çnjerëzore të dy guidistëve shqiptarë.
Kemi pra deri tani një shitje mediatike të ngjarjes krejt ndryshe nga ajo e fillimit (e pafilmuar) dhe nga ajo që është zhvilluar më tej (e filmuar dhe e parë nga të gjithë ne). Gjithashtu shohim, se guida turistike shqiptare është mjaft e papregatitur profesionalisht, për t’mos thënë e udhëhequr nga dy shtazë prehistorike. Një prokurori e pavarur me hetues profesionistë, jo vetëm duhet të hetojë edhe dy udhëheqësit shqiptarë të grupit spanjoll, por duhet të hetojë edhe në një linjë tjetër, të cilën qytetari i rëndomtë shqiptar i telenovelave nuk arrin dot ta mendojë, atë se mos i gjithë ky konflikt ka qenë i pregatitur nga dy guidistët shqiptarë, (e ndoshta edhe të tjerë më lart), për ta futur familjen e milionierit spanjoll në një ngatërresë me viktima, ku atij do i duhej pastaj të paguante disa milionë euro për të dalë pa lagur nga hetuesia shqiptare.
Çfarë na tregoi tjetër kjo ngjarje alla-shqiptare? Mbas shfaqjes së filmimit në TV dhe Internet, ne pamë nga 99% e komentuesve shqiptarë një indinjim të madh ndaj pronarit të lokalit, një zemërim patollogjik, një lançim elektronik. Edhe një herë ne pamë, se si publiku shqip-folës është mjaft i manipuluar nga mediat. Rrallë e tek vumë re ndonjë koment neutral dhe objektiv, i cili dënonte edhe sjelljen e dy guidistëve shqiptarë, apo që kërkonte më tej. Ky lloj manipulimi pa kurrfarë dhune, ky lloj vetmanipulimi i publikut, kjo lënie e vetvetes për tu manipuluar nga cilado media, është mjaft e dhimbshme, boll për tu preokupuar, tepër për tu merakosur. Sepse në (l)lumin e lançimit elektronik mund të bjerë edhe një njeri i ndershëm, fati i të cilit mund të shkojë për keq, pikërisht nga kjo lehtësi e formimit të një opinioni të caktuar. Një publik të tillë kaq naiv e budalla Shqipëria nuk e ka patur më parë, një publik të tillë kaq të paformuar dhe të paarsimuar vështirë ta gjesh në tjetër vend të botës. Kjo është një e keqe mjaft e madhe për Shqipërinë.
Në këtë histori ne pamë një resort turistik mu në buzë të detit. Si me ligj, edhe me thëniet e kryeministrit të tanishëm, Edi Rama, në buzë të detit janë të ndaluara ndërtimet çfardo. Mihal Kokëdhima jo vetëm e ka ngrejtur resortin e tij Panorma mu në buzë të detit, por pa norma fare ka bërë të vetin edhe gjithë plazhin aty pranë dhe gjiun që gjindet përballë resortit pa norma e ligje. Ky ndërtim tërësisht pa norma dhe buzë detit nuk është i vetmi në Shqipëri. Janë me dhjetra të tjerë që bëjnë të fortin dhe gëzojnë resortet e tyre buzë detit. Jo vetëm kaq, por ngritja e këtyre resorteve ka vazhduar edhe pas 2013-ës, pikërisht matanë Ujit të Ftohtë në Vlorë nga (kryesisht) radhimasit. Pikërisht, në këto vite ku ka buçitur me të madhe se nuk do të lejohen më ndërtime buzë detit, pikërisht këto vite dhe nën hundën e gjatoshit piktor janë ngrejtur sërish të tilla resorte, dhe vazhdojnë akoma aktivitetin!!! A mund të quhet shtet ky?!? Apo për disa është shtet i nënës dhe për të tjerë shtet i njerkës?!?
Kjo ngjarje na tregoi akoma më shumë! Ajo na tregoi se jo vetëm lokali-hotel i Mihalit ishte ngritur ilegalisht, pra me miqësira, që do të thotë se administrata dhe shteti kanë mbyllur njërin sy, por edhe sa e sa lokale e resorte të tjerë janë ngritur përgjatë bregdetit dhe Bregut (Rivierës) pa leje e norma, pa ligje dhe plane urbanistike! Dhe shteti i sotëm, nuk paska ditur deri më sot fare për ndërtesën pa norma të Mihalit! Dhe ky shtet, nuk di akoma se dhjetra resorte të tjerë janë pa norma, pa ligje, pa plane urbanistike. Mos duhet të ndodhë edhe tek të tjerët përplasje, si tek Mihali, që ky shtet të ndalojë ndërtimet pa leje në bregdet!?! Apo do të vazhdojë prishja e të gjitha resorteve turistikë buzë detit?..
Kjo ngjarje solli në mejdan edhe një herë sjelljen pa kulturë të shumë punonjësve në sektorin e turizmit. Duke filluar nga kamarierët e deri tek pronarët vërejmë akoma një sjellje dhe shërbim të dobët. Sapo ulesh në tavolinë, të vjen shpejt një kamarier i ri e i vrerosur, i cili fshin tavolinën me një leckë të lagur e mavi! Shpesh merr njëbon me pagesë më të lartë nga sa kanë kushtuar porositë! Nervozizmi dhe grindja e punonjësve të një lokali tranmentohen hapur e pa kokçarje deri tek klienti i ulur në tavolinë. Pa i përmendur me dhjetra detaje të tjera të parregullta, mund të thuash i qetë, se nëpër lokale dallon ashiqari papregatitja profesionale e personelit shërbyes. (Ngaqë kam punuar vetë rreth 20 vjet në gastronomi, ngaqë kam marrë një kulturë të caktuar në familje, shkollë e shoqëri në lidhje me komunikimin, shërbimin, gatimin, etj., ngaqë nuk le emision televiziv pa parë në lidhje me kulinarinë, gastronominë, hotelerinë, etj., jam ndalur vetë tek disa lokale duke folur me shefin dhe punëtorë të çastit, dhe ua kam vënë në dijeni gabimet spontane dhe ato të shërbimit të përditshëm; jam falenderuar dhe nuk kam rënë as edhe një herë në konflikt me ndonjërin për kritikat dhe këshillat e dhëna.)
Si përmbledhje them edhe një herë, kjo ngjarje nxorri për të miliontën herë në dritë problemet e mëdha që ka ky vend dhe kjo shoqëri. 1) Ngjarja duket e sajuar dhe e parapregatitur për të shkuar në konflikt, si shumë ngjarje të tjera. 2) Media shqiptare vazhdon të duket e varur nga struktura të caktura të qeverisë dhe shtetit, si e tillë është e painteresuar të kërkojë të vërtetën e një ngjarje. 3) Në guidat shqiptare të turistëve gjinden fshatarë harbutë e pa shkollë, pse jo edhe kriminelë. 4) Publiku shqip-folës ka një formim të ulët intelektual, është mjaft i manipulueshëm nga mediat, e karakterizon banaliteti, –si i tillë ai nuk e kërkon kurrë të vërtetën. 5) Në Shqipëri ekzistojnë me dhjetra resorte me gurë e beton mu buzë detit, dhe ç’ka është më keq, ato kanë vazhduar të ngrihen edhe përgjatë viteve të fundit, –ky fakt tregon se në Shqipëri nuk ekziston shteti, por mafiozë drejtues të shoqërisë. 6) Shërbimi në shumicën e lokaleve turistike buzë dhe pranë detit çalon akoma shumë.
Kjo ngjarje tregoi edhe shumë më shumë. Por mendoj se këto më sipër ishin mjaft të dallueshme. E keqja më e madhe është se një shumicë njerëzish në Shqipëri dhe diasporë e kanë humbur shpresën, se ky vend do të rregullohet ndonjëherë.
22+23 gusht 2019
(gjindet edhe tek website im: fjale cimbuese, tek rubrika 2019)

__________________
Kush i ben qejfin vetes, eshte
budall!

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 01 Shtator 2019 17:37
robert nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të robert Kliko këtu për të kontaktuar me robert (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: robert Shto robert në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto robert në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
robert
Veteran ne forum

Regjistruar: 08/05/2010
Vendbanimi: Gjermani
Mesazhe: 863

Memorialet do te vazhdojne
Ne, Bashkia e Tiranës, në piksynim për ta prezantuar popullin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë si një masë amorfe pa formë e ngjyrë, siç edhe është kthyer në fakt në shumicë të saj, vendosëm që në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës dhe në pjesë të tjera të kryeqytetit të ngremë përkujtimore për të gjitha ngjarjet dhe palët e konflikteve të ndryshme nëpër botë, siç edhe kemi nisur në fakt tashmë, teksa krahas Ernest Telmanit dhe Marsel Kashenit ngrejtëm edhe përkujtimore për ushtarët e Hitlerit, krahas dëshmorve të rënë në çlirimin e atdheut përgjatë L2B kemi nisur të ngremë edhe përkujtimore për bashkpunëtorët e nazistëve. Tash së fundi ngrejtëm edhe një përkujtimore për të rënët në filmat e ndryshëm, që miku ynë Erdogan bën në Turqi. E kështu roma për toma, veshja t’ia veshim, futja se për t’na i futur kanë, kemi në plan për të ardhmen të ngremë përkujtimore edhe për Ten Siao Pinin e Kinës, ai që shtypi me tankse demostratat paqësore në sheshin Tien An Men në qershor të 1989-ës. Por një përkujtimore do të ngremë edhe për demostrantët e vrarë nga policia e Kinës në këto protesta të 1989-ës.
Do ngremë një përkujtimore për presidentin e tanishëm kinez, Xi Jinping, që kujdeset për edukimin e kinezve myslimanë nëpër kampet e përqëndrimit në krahinën e uigurve; gjithashtu do të ngremë një përkujtimore për uigurët e vdekur nga raprezaljet e policisë kineze. Për kmerët e kuq dhe liderin e tyre, Pol Pot, do ngremë një përkujtimore, siç do të ngremë edhe për viktimat e tij, por këtë të fundit pa emra njerëzish, sepse janë mbi 1 milion emra, për të cilët nuk ka një vend aq të madh në Tiranë.
Edhe për mbretin e her pas hershëm të Kamboxhias, Norodom Siahnukun, do ngremë një bust, për më tepër që ky na ka bërë edhe një vizitë modeste në mesin e viteve ’70. Por nuk do të lemë pa përkujtimore edhe forcat komuniste të Vietnamit të veriut me një bust të Ho Shi Minit, siç nuk do të lemë pa përkujtimore edhe ushtarët e rënë të Vietnamit të jugut, me një bust të Bao Dait.
Ushtarët japonezë të rënë në Kinë do të kenë në Tiranën tonë gjithashtu lapidarin e tyre përkujtimor, siç do ta kenë edhe ushtarët e Kuamindongut me bustin e Çan Kaj Shisë, dhe pranë tyre do të ngrihet edhe lapidari i ushtarve të ushtrisë së kuqe të Mao Ce Dunit, me një bust të këtij të fundit.
Komunistët e Indonezisë, një pjesë e të cilve jetuan dhe punuan në Tiranë nga viti 1967 e deri më 1990, do të përkujtohen nga popullsia jonë me një përkujtimore, ku do të shkruhen emrat e tyre. Por, edhe ai që i vrau dhe përzuri nga vendi i tyre këta majtistë, gjeneral Suharto, të cilin Enver Hoxha e shante në çdo kongres partie, edhe ai do të ketë bustin dhe pllakën e tij përkujtimore në Tiranën tonë.
Ne nuk mund të lëmë pa buste dhe përkujtimore edhe disa nga ngjarjet e bujshme të Afrikës së shek. XIX dhe XX. Mes disa prej tyre, po veçojmë: do të ngremë një përkujtimore për koloniziatorët anglezë në Afrikë, një për ata francezë, e kështu me radhë, për ata hollandezë, gjermanë, portugezë, etj., në Afrikë. Por do tu ngremë disa përkujtimore edhe popujve afrikanë, të shfrytëzuar nga koloniziatorët perëndimorë, përkujtimore këto në ngjyrën e kuqerremtë të dheut afrikan.
Në lidhje me Afrikën, nuk mund të lemë pa përmendur ngritjen e një përmendore gjeneralit anglez të luftës së dytë botërore, Montgomerit, i cili mundi gjeneralin e ushtrisë naziste, Romelin. Por do ti ngremë një përmendore edhe gjeneralit të ushtrisë gjermane, Ervin Romel, për guximin dhe qëndresën e tij në Afrikë ndaj Montgomerit. Natyrisht, këto me shpenzimet e qeverisë angleze dhe gjermane, ose në formë kredie të butë nga Brukseli.
Një bust dhe përmendore do ti ngremë presidentit të parë të Kongos aë pavarur, Lumbubës. Aty pranë do të vendosim edhe bustet e puçistëve të mëpasëm, të cilët hoqën njëri-tjetrin nga radha. Në fillim mjaft i dëgjuari Mobuto, pastaj një bust edhe për Kabilën dhe të birin, që zevëndësoi të atin.
Nuk do të lemë pa përkujtuar edhe luftrat civile të zhvilluara në Angola, Volta e Sipërme (Burkina Faso), Liberi, Bregun e Fildishtë, Nigeri, Ruanda, Burundi, Xhibuti, e sa e sa të tjera, ku sejcila palë do të ketë përkujtimoren e saj në Tiranën tonë zemër-gjerë. Këtu do të jenë edhe përkujtimoret e Apartejdit Sudafrikan me në krye Botha-n, ashtu dhe Kongresit Afrikan të kryesuar nga Mandela. Tek ne do të jenë gjithmonë të përkujtuar Lëvizja Polisario, që ka luftuar për panvarsinë e Saharasë Perëndimore, ashtu dhe mbreti Hasani II që e ka luftuar Lëvizjen Polisario. Tek ne do të gjindet lapidari për nder të fiseve Hutu dhe Tuxi, të cilët masakrojnë njëri-tjetrin çdo 20 vjet në Ruanda dhe Burundi. Çdo palë do të ketë tek ne përkujtimoren e saj. Edhe firmat e ndryshme industriale, që ndihmuan klikat dhe diktatorët e ndryshëm nëpër botë, do përkujtohen tek ne. Në Tiranën tonë përfaqsohet kushdo. Si ai që ngre shpatën përpjetë, ashtu dhe ai i cili nuk ka shpatë e të cilit i pritet koka. Ne jemi mjaft tolerantë.
Si?... Çfarë?... A do ti ngrihet edhe një përkujtimore Oçalanit dhe kurdëve të rënë për panvarsinë e Kurdistanit? Ah, vetëm për këtë nuk dimë ç’të themi tani për tani, sepse disa gjëra i caktojnë të tjerët më lart! Ju faleminderit për dëgjimin!
5.9.2019

__________________
Kush i ben qejfin vetes, eshte
budall!

Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetër 05 Shtator 2019 12:25
robert nuk po viziton aktualisht forumin Kliko këtu për Profilin Personal të robert Kliko këtu për të kontaktuar me robert (me Mesazh Privat) Kërko mesazhe të tjera nga: robert Shto robert në listën e injorimit Printo vetëm këtë mesazh Shto robert në listën e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Përgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 09:26 Hap një temë të re    Përgjigju brenda kësaj teme
Gjithsej 9 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 [9]   Tema e mëparshme   Tema Tjetër

Forumi Horizont Forumi Horizont > Media dhe Politika > Mediat Shqiptare > Ah, kjo gazetaria shqiptare!!!

Përgatit Këtë Faqe Për Printim | Dërgoje Me Email | Abonohu Në Këtë Temë

Vlerëso këtë temë:

Mundësitë e Nën-Forumit:
Nuk mund të hapni tema
Nuk mund ti përgjigjeni temave
Nuk mund të bashkangjisni file
Nuk mund të modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko për tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.