Forumi Horizont Forumi Horizont > Nen-forumet e lira > Kuriozitete > Zėri i parė shqip
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
i_lire
^^i_lire^^

Regjistruar: 02/08/2003
Vendbanimi: ^^__^^
Mesazhe: 1610

Zėri i parė shqip

Dëshiroj të Ju paraqesë sot një dokument historik dhe njëkohësisht një zbulim për Albanologjinë. Eshtë fjala për inçizimin më e vjetër e gjuhës shqipe nga Ballkani. Ky dokument i rëndësishëm, nuk është paraqitur kurrë ndonjëherë para publikut. Ky zë i dobët dhe i paqartë dëgjohet për herë të parë publikisht pas një heshtjeje prej gati një shekulli në një arkiv në Austri. Them atëherë se kemi të bëjmë këtu me një ngjarje historike për ne të gjithë - paraqitja e parë publike e inçizimit më të hershëm të gjuhës së folur shqip nga Ballkani.
Së pari, kthehemi pak te historia e inçizimit në përgjithësi. Inçizimi i parë mekanik i zhurmës u realizua në vitin 1857, kurse riprodhimi i parë akustik i zërit të njeriut u realizua në vitin 1876 nga amerikani Thomas Edison (1847-1931). Fonografi i Edisonit, e ashtuquajtura ‘makina folëse’ e tij, ishtë një sensacion. Në vitin 1887, amerikani Emil Berliner (1851-1929) me prejardhje gjermane shpiku një sistem tjetër inçizimi, jo me cilindër siç e kishte Edisoni, por me anë të një disku të rrafshët, të ashtuquajtura gramafonë, që kemi njohur edhe ne para pak dhjetëvjeçarëve.
Inçizimi i parë në gjuhën angleze, i lexuar nga vetë Edisoni, ishte poezia popullore angleze Mary had a little lamb. Tridhjetë vjet më vonë u realizua inçizimi i parë në gjuhën ruse. Ishte shkrimtari i madh Lev Tolstoj (1828-1910), i cili në vitin 1905, d.m.th. pesë vjet para vdekjes së tij, lexoi në gramafonë një proklamim të shkurtër popullit rus, proklamim ky që është ruajtur në arkiv.
Gjatë atyre viteve, d.m.th, në fillim të shekullit të kaluar, u themeluan në Evropë dhe në Amerikë fonotekat e para për përdorim shkencor dhe për ruajten e inçizimeve. Ndër arkivat kryesorë të Evropës ishin ata të Berlinit, të Brukselit, të Kuvesë (Couvet) në Zvicër, të Londrës, të Parisit, të Romës, të Stokhomit dhe të Vjenës.
Pikërisht në arkivin e Vjenës ruhet akoma inçizimi i parë i gjuhës së folur shqipe, nga viti 1914. Po të kemi parasysh që nuk kishte transmetime radiofonike para 1919 dhe transmetime në gjuhën shqipe para vitit 1938, del e qartë që ky inçizim është mjaft i herët dhe i rrallë. Paraqitja e tij pas gati një shekulli është, sipas mejë, një ngjarje me interes për kulturën shqiptare. Në arkivin e Vjenës ruhet edhe një inçizim i muzikës popullore arbëreshe dhe një tekst i shkurtër në gjuhën arbëreshe nga viti 1907, por nuk e kam dëgjuar. Ky inçizim i fundit ështe kënduar dhe folur nga Domenico apo Mink Peta nga fshati Munxhifuni (Montecilfone) i provincës Campobasso. Them se mund të ketë edhe inçizime të tilla të tjera në Itali. Kurse këtu kemi të bëjmë me tekstin e parë, e njohur deri me sot, nga Ballkani.

Si u realizua inçizimi i parë i gjuhës së folur shqipe nga Ballkani? Norbert Jokl (1877-1942), gjuhëtar dhe indoevropianist austriak, ishte, bashkë me Gustaf Majër (Gustav Meyer, 1850-1900), Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) dhe Maksimilian Lamberc (Maximilian Lambertz, 1882-1963), ndër albanologët më të spikatur të fillimit të shekullit njëzet. Në vitin 1908, Jokli ishte në Universitetin e Vjenës duke i mbaruar studimet e gjuhësisë indoevropiane, dhe në mënyrë të veçantë e sllavistikës, kur profesori i tij, Vratoslav Jagiq, i këshilloi që të merret edhe me një gjuhë tjetër ballkanike, me shqipen. Në vitin 1911, Jokli filloi punë si bibliotekar në bibliotekën universitare dhe në vitin 1913 ai u pranua nga Universiteti i Vjenës si pedagog përgjegjës për gjuhën shqipe dhe për gjuhët sllave dhe baltike. Dihet edhe nga raporti paraprak për studimin e dialekteve gege të veriut, të cilën Jokli hartoi në vitin 1914 për Akademinë e Shkencave, që ai ishte i interesuar për dialektologjinë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për dialektet e veriut. Por për të kryer një studim dialektologjik n’atë kohë duhej edhe kontakt i drejtpërsëdrejtë me folësit të dialekteve të shqipes. Ku ti gjejë në Vjenë?
Në pranverë të vitit 1914, Jokli kishte dëgjuar për një grup shqiptarësh, bozaxhinj dhe pastiçierë, të cilët ndodheshin për tregti dhe për punë në jug të Hungarisë. Pa humbur kohë, Jokli udhëtoi aty për t’i takuar dhe për të hulumtuar gjuhën e tyre. Me miratimin e Komisionit Ballkanik të Akademisë së Shkencave të Austrisë, të kryesuar nga Jagiq, Jokli arriti të ftojë një shqiptar tridhjetë-e-tetë-vjeçar në Vjenë për një muaj për të vazhduar studimin e tij dialektologjik. Gjatë tridhjetë takimeve që zgjatën sëcili nga pesë deri në gjashtë orë, Jokl dëgjoi me vëmendje dialektin e shqiptarit dhe bëri shumë shënime. U transkriptua një sasi tekstesh, ndër të tjerat 11 përralla, 16 anekdota, barcaleta të ndryshme dhe paradigma, të cilat Jokli i shfrytëzoi për botime të tij të mëvonëshme. Ishte gjatë këtyre takimeve në pranverë të vitit 1914 që u inçizuan për herë të parë në histori disa tekste të shqipes nga Ballkani. Këto inçizime, të bëra me anë të një aparati me një diskë dylli, u realizuan në Arkivin Fonogramik të Akademisë së Shkencave në Vjenë më 4 prill 1914, tre muaj para se Austria i shpalli luftë Serbisë, d.m.th. mu para fillimit të Luftës së Parë Botërore i cili ndërpreu gati çdo veprim shkencor të mëtejshëm.

Inçizimi eksistues, që zgjatet gjithsej 5 minuta dhe 30 sekonda, përbëhet nga tri pjesa: një pjesë e përrallës shqiptare "Pela dhe Ujku", 34 fjala të ndryshme të përsëritura dy herë, dhe shifrat shqipe nga një deri njëzet.
Cilësia e inçizimit, për fat të keq, është shumë e dobët. Me gjithë përpjekjet e ekspertëve të Arkivit në Vjenë, të cilët më bënë një kopje të inçizimit për herë të parë pas digjitalizimit të fondave dhe të cilëve jam shumë mirënjohës, ka mbetur ende shumë zhurmë, kështu që duhet qetësi të plotë dhe shumë vëmendje.


[DËGJIMI I PARË]

Paska një pelë një vakët. E pela dalka e shkuaka prej shtëpisë, e shkuaka e kullotka. Kullotka e ardhka në shtëpi. Prej shtëpisë del e shkon në fushë. Prej fushe vjen e vjen në shtëpi. Prej shtëpisë del e shkon në fushë. E kulloten. Si kulloten, shkon në fushë. Si shkon në fushë e u çuaka pela e mbajtka katërmbedhjetë muaj. Katërmbedhjetë muaj i ardhka vakti me pjell. Pjellka e u bëka mazi. Si u bëka mazi, kana rrit. Si kana rrit, shkuaka pela e kullotka në fushë. E kullotka e ardhka në shtëpi, e del prej shtëpisë e shkon në fushë. Prej fushe kulloten e vjen në shtëpi. Si vjen në shtëpi e i thotë mazit: kur të dalë prej derës unë e ta më çelish derën. Thotë, e del e shkon në fushë. E vjen në fushë. Prej fushe e thotë: ”Pelo, pelo çilma derën, se të kam pru barë, kashtë, taxhije.” Pela, mazi e çelën. Hyn brenda. Si hyn brenda, bëhët: ditë kana, natë kana bërë.

0.
1. shtrungë
2. mollë
3. pemë
4. pesë
5. verë
6. sy
7. vesh, vesha
8. katund
9. borë
10. brymë, bryma
11. punë
12. dëllënjë
13. me u rrit
14. unë e shkruaj
15. vorbë, vorba
16. mollë, molla
17. prej truallit
18. zot, zoti
19. të afrohesh
20. ethe
21. shteg
22. unë e bëj
23. zdrohët
24. mjeli
25. luaj
26. muaj
27. buz, dy buza
28. di
29. ne e dimë
30. ju dini
31. diell
32. shat
33. kur
34. me lidh



Zëri i parë shqip, ky zë i largët dhe i zbehtë është ai i shqiptarit Mustafa Abdyli, një bujk dhe tregtar ëmbëlsirash, lindur në vitin 1876. Ky Mustafa Abdyli ishte me prejardhje dhe me banim nga Vrapçishta e Gostivarit.

Robert Elsie

*********

C'mendim keni ju forumista per kete material?

__________________
s...._d._m... says: for nothing that happened this time...!!

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 13 Shtator 2003 21:18
i_lire nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė i_lire Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me i_lire (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė i_lire't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: i_lire Shto i_lire nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto i_lire nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 13:35 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Nen-forumet e lira > Kuriozitete > Zėri i parė shqip

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] nuk lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.