Enri
Student
Regjistruar: 07/07/2003
Vendbanimi: Athens
Mesazhe: 80
|
Gjykata Penale dhe mardhėniet SHBA-BE
Nga Franko Egro
Vështirë se mund të vihen në dyshim vlerat dhe aftësitë negociuese të zyrtarëve europianoperëndimorë dhe amerikanë. Por, kur bëhet fjalë për gjetjen e kompromiseve lidhur me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë duket se hendeku është tepër i gjerë dhe i thellë. Dhe ajo që të bën më shumë përshtypje është se ai po vjen gjithnjë duke u zgjeruar dhe thelluar. Si për ta konfirmuar vërtetësinë e këtij konstatimi, administrata e Bushit e akuzoi direkt Bashkimin Europian se po i saboton përpjekjet e saj për të mbrojtur ushtarët amerikanë prej ndjekjeve penale nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve. Por, jo gjithçka përfundon këtu. Toni i ashpër u eskalua më tej kur Brukseli u paralajmërua hapur se vetë e ardhmja e marrëdhënieve transatlantike është në rrezik në rast se nuk frenohet ky proces, që realisht ka fare pak gjasa të ndodhë. Pozicionet tashmë janë konsoliduar dukshëm dhe të dyja palët e kanë të vështirë të dalin nga llogoret për të gjetur kompromisin. Ky mesazh, ndoshta më i preri dhe më i ashpri deri më sot, qysh prej përfundimit të konfliktit të Irakut, u bë nëpërmjet një letre që administrata amerikane u dërgoi qeverive europiane anëtare të BE-së. Kjo ndodhi në një kohë kur zyrtarët amerikanë parashtruan në Kombet e Bashkuara një tjetër rezolutë, e cila e shtynte edhe për një vit imunitetin e ushtarëve të saj që shërbejnë në forcat ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se ata kanë imunitet nga kjo Gjykatë. Kundërshtimi amerikan ka qenë konstant. Zyrtarët e lartë asnjëherë nuk i kanë ndërprerë përpjekjet për të arritur marrëveshje individuale me shumë qeveri në të gjithë botën. Dhe deri më tani Uashingtoni ka nënshkruar jo pak, por 37 pakte imuniteti, ndonëse kryesisht me vende të vogla në të gjitha kontinentet. Një pakt të tillë Uashingtoni e lidhi edhe me Tiranën. Vetëm pak javë më parë, kryeministri Fatos Nano e nënshkroi atë me shefin e diplomacisë amerikane Kolin Pauell. Nuk ishte e vështirë të dallohej kënaqësia dhe mirënjohja amerikane. Të njëjtin hap e hodhi edhe Maqedonia. SHBA po i vazhdon negociatat edhe më disa shtete të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore. Por tashmë është fakt se përpjekjet amerikane kanë hasur në rezistencën e fortë të europianëve. Brukseli e interpreton atë si përpjekje që synon jo vetëm minimin qysh në embrion të rolit të gjykatës, por edhe politikën e saj europiane. Nuk janë të rastësishme apelet e liderve të kontinentit që u kërkojnë europianëve të rinj më shumë respekt për linjën që del nga Brukseli. Ditët e fundit vetë numri një i Këshillit të Europës Peter Shidler i kërkoi Bullgarisë të jetë më e kujdesshme në vendimin që do të ndërmarrë, i cili pritet të jetë i shpejtë. Po ashtu, diplomatët amerikanë i kanë intensifikuar akuzat sipas të cilave, europianët po ushtrojnë presion në rritje ndaj dhjetë kandidatëve të ardhshëm që presin të anëtarësohen në radhët e tyre për të mos nënshkruar traktate individuale me SHBA-në. Janë pikërisht këto zhvillime, që pasojnë me shpejtësi njera-tjetrën që të krijojnë përshtypjen se e ashtuquajtura detantë që po përjetojnë marrëdhëniet transatlantike mund të dëmtohet rëndë. Më konkretisht akoma, mosmarrëveshja ka të bëjë me një nen të Statutit të Romës të vitit 1998, i cili e vendosi dhe e legalizoi vetë Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve. Ai u lejon shteteve që e kanë ratifikuar atë, të kërkojnë imunitet për trupat e tyre të dislokuara jashtë vendit, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale të njohura si Neni 98. Ndërkohë Britania e Madhe, Franca, por edhe disa qeveri të tjera europiane e kanë nënshkruar individualisht marrëveshjen me Afganistanin, duke i siguruar kështu mijëra paqeruajtës të vet. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se ata nuk mund tu dorëzohen autoriteteve afgane, për tu transferuar më pas në Gjykatën e Hagës, ekzistenca e së cilës është miratuar në parim nga 90 shtete. Por, vetë autoritetet europiane botuan udhëzimet e tyre vitin e kaluar, që përcakton kufizime që mund tu ofrohen individëve që shërbejnë në misione ushtarake ndërkombëtare në vende të ndryshme. Shqetësimi i amerikanëve mori përmasat e alarmit pas një letre të botuar nga zyrtarët europianë në muajin prill. Nëpërmjet saj u kërkohet të gjithë anëtarëve të respektojnë udhëzimet e 30 Shtatorit 2002, të cilat u propozuan nga një avokat i njohur që punon për Shoqatën e të Drejtave të Njeriut Human Rights Watch, me seli në Nju Jork. Nga ana e tyre amerikanët insistojnë se janë europianët, ata që po ushtrojnë presion. Sipas tyre, administrata e Uashingtonit nuk po bën gjë tjetër, veçse po respekton rregullat e Traktatit. Në deklaratën e fundit thuhet shprehimisht se udhëzimet e fundit të Brukselit nuk janë në përputhje me Statutin e miratuar në Romë. Ne vazhdojmë të këmbëngulim dhe të mbrojmë idenë se qeveria jonë po punon në përputhje të plotë me ligjet ndërkombëtare dhe me Traktatin e nënshkruar në Romë për marrëveshjen e themelimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve.
Marre nga e perditshmja shqiptare "Shekulli"
__________________
FEJA E SHQIPTARIT ESHTE SHQIPTARIA
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|