Klodel
.
Regjistruar: 10/01/2003
Vendbanimi: .
Mesazhe: 5233
|
dicka me plotesuese per kete teme
U bë kohë që tema e integrimit në Bashkimin Evropian, hapja e negociatave për Asociim Stabilizimin, ka qenë në qendër të vëmendjes si të qeveritarëve, politikanëve ashtu dhe mediave. Por sa di publiku shqiptar për këtë organizatë? Çdo të thotë të integrohemi, çfarë na pret në këtë proces, cilat janë të mirat dhe vështirësitë e tij? Është Bashkimi Evropian për shqiptarët thjesht një vizë Shengen për të emigruar, apo është diçka më shumë?
Të flasësh për Bashkimin Evropian është pak e vështirë pasi është një organizatë shumë komplekse, dhe e veçantë në llojin e saj, megjithatë do përpiqem të bëj një hyrje të shkurtër në historinë e integrimit evropian.
Si lindi ideja e integrimit?
Idetë për të bashkuar Evropën u shfaqën për herë të parë në shekullin e 14, ndërsa gjatë shekujve të mëvonshëm u shfaqën plane konkrete për bashkimin e shteteve evropiane dhe për krijimin e kushteve më të mira për popullsinë e kontinentit evropian. Megjithatë të gjitha këto përpjekje mbetën të parealizuara për një kohë të gjatë, derisa tragjedia e Luftës së Parë Botërore, e cila preku kryesisht kontinentin e vjetër në një shkallë të paimagjinuar deri në atë kohë, i dha një impuls të fuqishëm. Besimi në domosdoshmërinë e mënjanimit të përsëritjes së një katastrofe të kësaj shkalle u bë terren i përshtatshëm për rrymat që mbështetnin idenë e integrimit të të gjitha shteteve evropiane ( shpesh në bazë të principit federalist të krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës nën shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës). Shprehje e këtyre mendimeve u bë libri Pan-Evropa i kontit Richard Coudenhove- Kalergit, publikuar në 1923, nën kryesinë e të cilit mbështetësit e bashkimit të Evropës krijuan lëvizjen pan evropiane, e cila propogandonte Federatën evropiane.
Ministri i jashtëm francez i asaj kohe Briand, e zhvilloi më tej këtë ide në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve në tetor të 1929 duke dalë me thirrjen për krijimin e Unionit panevropian, i cili nuk do ishte vetëm aleancë ekonomike, por edhe një federatë politike dhe sociale e shteteve evropiane. Motivi ekonomik i Briand ishte heqja e barrierave doganore dhe forcimin e pozitës së evropës në tregun botëror dhe përballimit të tarifave të larta doganore të SHBA. Ky motiv ekonomik u përforcua edhe nga motivi politik që sistemi i atëhershëm i sigurisë në Evropë ishte i pamjaftueshëm dhe krijimi i marrëdhënieve më të forta dhe më efektive mes shteteve evropiane do të forconte sistemin e lëkundur të Versajës (sistemin e krijuar në bazë të marrëveshjeve të paqes pas përfundimit të luftës së parë botërore).
Memorandumi i Pan-Evropës i përgatitur nga Ministri i jashtëm francez Briand, që iu paraqit 27 shteteve evropiane, përbënte planin e parë konkret për integrimin e Evropës në bazë të principit federalist. Por përkeqësimi i situatës ekonomike të shteteve evropiane për shkak të fillimit të krizës ekonomike botërore, si dhe kundërshtimet politike, penguan realizimin e këtyre projekteve.
Integrimi evropian është produkt i situatës e cila lindi pas Luftës së Dytë Botërore. Kishte shumë faktorë që influencuan këtë proces. Së pari eksperienca tepër tragjike e luftës shkatërrimtare, frika e rikthimit të konfliktit të armatosur në Evropë, mësimi nga luftërat dhe përpjekjet për të krijuar njëherë e përgjithmonë një kontinent të paqes, duke hequr dorë nga lufta si mënyrë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes shteteve evropiane, kërcënimi serioz ushtarak dhe ideologjik i bllokut sovjetik për demokracitë evropiane që çonte në nevojën e veprimeve të përbashkëta. Grushti i shtetit i Pragës në 1948, Bllokada e Berlinit, ndarja e mëpasshme e Gjermanisë në dy shtete e rritën më tej tensionin. Me nënshkrimin e paktit atllantik me Shtetet e Bashkuara në 1949, Evropa perëndimore hodhi bazat e sigurisë kolektive. Megjithatë rritja e kërcënimeve nga Kremlini kontribuoi në krijimin e klimës së frikës së përhershme të quajtur Lufta e Ftohtë.
Rimëkëmbja e ekonomisë gjermane ishte problemi kryesor, pasi pa të rimëkëmbja e ekonomisë së Evropës ishte e pamundur. Shtetet e Bashkuara donin rimëkëmbjen sa më të shpejtë të vendit që qëndronte në zemër të ndarjes së kontinentit dhe kishin hedhur edhe idenë e riarmatimit të fuqisë së mundur në luftë. Diplomacia franceze ishte e ndarë nga dilemat. Përveç kësaj ekonomia evropiane, sidomos industria e celikut dukej te përjetonte një krizë të rëndë. Zgjidhja e këtyre problemeve kërkonte një rrugë tjetër përveç asaj tradicionale diplomatike. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se e vetmja rrugëdalje llogjike ishte bashkëpunimi i ngushtë mes shteteve evropiane, por mbetej e hapur mënyra se si mund të realizohej ky bashkëpunim.
Po cilat ishin drejtimet teorike që influencuan integrimin evropian?
Dy drejtimet kryesore që i dhanë impuls dhe formë integrimit evropian ishin Federalizmi dhe Funkcionalizmi.
Projekti i bashkimit të Evropës nëpërmjet krijimit të sistemit federal të shteteve evropiane, me parlament dhe qeveri të përbashkët kishte shumë mbështetës në vitet e para pas luftës. Kështu tema e Shteteve të Bashkuara të Evropës u rishfaq në fjalimin e politikanit Winston Churchill në 19 tetor 1946 në Zyrich.
Por në vitet 50 u pa që ky projekt ishte i papërhstatshëm. Shtetet Evropiane nuk ishin të gatshme tia delegonin të drejtën për të vendosur për çështjet e politikës së brendshme dhe të jashtme, një organizmi evropian që do qëndronte mbi shtetet e veçanta. Me lindjen e Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik Evropian me qëllim koordinimin e realizimit të planit Marshall për rimëkëmbjen ekonomike të Evropës së shkatërruar nga lufta, lindi ideja që më shumë se integrimi tërësor politik, të cilin shumë qeveri nuk do ishin të gatshme ta pranonin, një mënyrë më interesante do të rruga e hapave të veçantë të integrimit në fushën ekonomike. Kështu shumë tërheqës dhe i pranueshëm u tregua të jetë programi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, i cili premtonte përfitim të madh për të gjitha shtetet pjesëmarrëse.
Altiero Spinelli, federalisti italian dhe Jean Monnet, njeriu që inspiroi planin Schuman, i cili çoi në krijimin e Bashkësisë Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut (European Coal and Steel Community) në 1951, ishin mbështetësit më të shquar të dy qëndrimeve: federaliste dhe funkcionaliste, të cilat i dhanë formë integrimit evropian. Funksionalizmi në ndryshim nga federalizmi që ishte për delegimin e menjëhershëm të sovranitetit nga niveli kombëtar në nivelin komunitar, kishte në thelb transferimin gradual të sovranitetit nga niveli kombëtar në atë komunitar, duke integruar në fillim fushën ekonomike. Shprehje zyrtare e këtij qëndrimi ishte deklarata e qeverisë franceze e vitit 1950 e quajtur si deklarata e Schumanit, Ministrit të jashtëm Francez, në të cilën përmbahej projekti për krijimin e një organizate e cila në vend të shteteve të veçanta anëtare do të koordinonte dhe do të mbikqyrte industrinë e qymyrit dhe çelikut, të (ashtuquajturat industri të luftës).
. Në mënyrë që paqes ti jepet një mundësi, duhet në rradhë të parë të ketë një Evropë. Gati 5 vjet që nga dita e kapitullimit pa kushte të Gjermanisë, Franca po merr një hap vendimtar drejt ndërtimit të Evropës dhe duke e angazhuar edhe Gjermaninë në këtë ndërmarrje
. deklaroi Schuman.
ESCS guri i parë i ndërtesës evropiane
Franca i dha dorën Gjermanisë për të marrë pjesë si partner i barabartë në një entitet të ri, së pari në manaxhimin e përbashkët të industrisë së qymyrit dhe çelikut të dy vendeve, por që në një nivel më të gjerë të hidhnin gurin e parë të federatës Evropiane.
Në 18 prill të 1951 u nënshkrua Marrëveshja e Parisit, e cila themeloi Bashkësinë Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut, (ESCS) për 50 vjet nga gjashtë shtete themeluese, Franca, Republika Federale Gjermane, Italia, Luksemburgu, Hollanda dhe Belgjika ( tre të fundit nën termin Benelux), shtete që kishin interesa të drejtpërdrejta ekonomike me Gjermaninë dhe Francën. Kjo marrëveshje hyri në fuqi në 27 korrik të vitit 1952.
Qëllimi kryesor i kësaj organizate ishte ringjallja ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës, rritja e mirëqënies së vendeve anëtare nëpërmjet një tregu të përbashkët në të cilin nuk egzistonte asnjë kufizim diskriminues i këtyre shteteve, por egzistonte kontrolli i përbashkët i dy degëve kyçe të industrisë së luftës, nxjerrjen e qymyrit dhe prodhimin e çelikut. Ajo që ishte shumë e rëndësishme ishte se në këtë organizatë për herë të parë u krijuan organet mbi-shtetërore në bazë të principit federalist, të cilave shtetet pjesëmarrëse u deleguan kompetencat e tyre në këtë fushë. Pra ESCS kishte jo vetëm qëllime ekonomike por edhe rol politik që të krijonte një armosferë të tillë në të cilën konkurrenca e mëparshme e shteteve evropiane të mos eskalonte në konflikt të armatosur. Megjithë uljet dhe ngritjet e historisë së mëtejshme procesi i përbashkët i nisur në vitin 1950 nuk do të ndalonte kurrë. Dështimi i projektit të Bashkësisë Evropiane të Sigurisë të nënshkruar në 1952, por që Asambleja Kombëtare Franceze nuk pranoi ta ratifikonte, për një thellim të bashkëpunimit mes gjashtë shteteve të mësipërme të organizatës dhe indirekt të një kontrolli ndërkombëtar të riarmatimit të Republikës Federale Gjermane, nuk e ndaloi momentin fillestar.
Krijimi i Bashkësive Evropiane
Me iniciativën e shtetarëve të vendeve të Beneluxit, Paul Henri Sppak, Jan Beyen dhe Joseph Bech, procesi u rilëshua në Mesina në qershor të 1955, me projekte të tjera për thellimin e integrimit të orientuar në fushën ekonomike. Si rezultat i bisedimeve ndër qeveritarenë vitin 1957 u nënshkruan Marrëveshjet e Romës të cilat themeluan Bashkësinë evropiane ekonomike EEC dhe Euroatomin, Bashkësinë evropiane të Energjisë bërthamore. Këto marrëveshje hynë në fuqi në 1 janar të 1958.
EEC dhe Euroatomi, të krijuara në Belgjikë dhe Luksemburg u rritën në përmbajtje dhe në numrin e pjesëmarrësve më vonë.
Qëllimi ishte shumë ambicioz, krijimi i një tregu të përbashkët nga tregjet e ndara kombëtare dhe arritja e një unioni doganor ( vendosja e tarifave të përbashkëta të jashtme doganore për mallrat). Ky treg do të realizonte në Evropë diçka që deri në arë kohë kishte qenë e pakonceptueshme, krijimin e një hapësire tregtare të gjerë pa kufij të brendshëm që do të ndihmonte në afrimin e kombeve evropiane. Kjo do të thoshte heqjen e të gjitha pengesave të cilat deri në atë kohë pengonin lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit, së bashku me vendosjen e rregullave të përbashkëta për mbrojtjen e konkurencës së tregut. Për një kohë të gjatë ky program i vështirë u realizua tërësisht vetëm sipas linjës ekonomike. Të gjitha vendet anëtare ranë dakort që të hiqen tarifat doganore, të cilat pengonin tregtinë mes shteteve, si dhe të pengesave teknike dhe të taksave. Njerëzve nga vendet themeluese iu lejua të zhvillonin aktivitet ekonomik në kë shtet të donin ose të punësoheshin në çfarëdo shteti themeltar ku kishte vende të lira pune. Institucionet financiare sidomos bankat mund të ofronin shërbimet e tyre në të gjithë bashkësinë. Gjithashtu dhe kapitali mund të investohej kudo në bashkësi pa pengesa. Tregu i përbashkët u konsolidua nga politikat e përbashkëta për bujqësinë, tregtinë, marrëdhëniet rajonale, çështjet sociale, kërkimet, ambjentin, dhe bashkëpunimin me botën e tretë.
Të treja bashkësitë për shkak të anëtarëve të përbashkët si dhe të qëllimit të përbashkët në thelb: tregut të përbashkët dhe bashkëpunimit në nivel mbi-shtetëror, filluan të shikohen si pjesë reciprokisht plotësuese të një njësie të vetme dhe kështu lindi termi Bashkësitë Evropiane. Organet e Bashkësive përjetuan ndryshime të rëndësishme në drejtim të integrimit. Megjithëse që nga viti 1958 ato kishin parlament dhe gjykatë të përbashkët, organet e tjera të Bashkësive ( Këshilli i Ministrave, Komisioni, apo këshilli i lartë tek ESCS) ishin të veçanta. Në vitin 1965 u nënshkrua Marrëveshja e shkrirjes së organeve, duke krijuar organe të përbashkëta për të gjitha bashkësitë.
Këto tre Bashkësi Evropiane ESCS, EEC dhe Euroatom, përbëjnë themelin e Bashkimit të sotëm Evropian, dhe marrëveshjet themeluese përbëjnë bazën e kuadrit ligjor evropian.
Në vitin 1972 Britania e Madhe, Irlanda dhe Danimarka, shënuan valën e parë të zgjerimit, dhe gjatë këtij procesi lindën dy principe kryesore për çdo zgjerim të mëtejshëm: detyra e anëtarëve të rinj të pranonin principet e Bashkësive evropiane dhe të akteve ligjore dhe politike të nxjerra deri në atë kohë ( në terminologjinë e Bashkësive i njohur si Acquis Communautaire), si dhe ndryshimet e domosdoshme të institucioneve të vetë bashkësive.
Në vitin 1981 Greqia u bë anëtarja e dhjetë e Bashkësive Evropiane ndërsa Spanja dhe Portugalia u pranuan në vitin 1986. Ndërkohë vazhduan përpjekjet për integrimin e mëtejshëm dhe për realizimin e tregut të brendshëm të përbashkët dhe në vitin 86 u pranuan edhe dy dokumente të rëndësishme.
Libri i Bardhë për masat e nevojshme për realizimin e tregut të përbashkët deri në vitin 1992, dhe Akti i përbashkët Evropian, i cili përbënte rishikimin e parë të marrëveshjeve të Romës për themelimin e Bashkësive evropiane, duke rregulluar bazën ligjore në mënyrë që të lejoheshin ndryshimet e mëvonshme.
Me rënien e Murit të Berlinit në 3 tetor të 1990, i ndjekur nga bashkimi i Gjermanive dhe demokratizimi i vendeve të Evropës qëndrore dhe Lindore, të cilat u çliruan nga kthetrat e ish Bashkimit Sovjetik, sollën një ndryshim radikal në strukturën politike të kontinentit. Edhe njëherë vendet evropiane u përballën me dilemën nëse duhet të fokusoheshin në politikat kombëtare mbi interesat immediate apo të përqafonin një vizion të përbashkët për manaxhimin e një të ardhmeje të përbashkët.
Nga Mastrikti në Amsterdam
Duke zgjedhur dhënien prioritet të respektimit të zotimit të tyre evropian dhe duke pranuarn nevojën e inkorporimit të një perspektive të përbashkët, vendet anëtare të Bashkësive Evropiane e zotuan vetveten në një proces të konsolidimit të tyre në Bashkimin Evropian, duke negociuar një marrëveshje të re, e cila njihet në histori si Traktati i Mastriktit i nënshkruar në vitin 1992. Ky traktat shënoi lindjen e Bashkimit Evropian i cili hyri në fuqi në nëntor të 1993, dhe përmbante në vetvete një kalendar të realizimit të qëllimeve kryesore: Bashkimi monetar deri në 1999, politika të reja të përbashkëta, qytetarinë evropiane, politikën e përbashkët të sigurisë dhe marrëdhënieve me jashtë, si dhe politikën e përbashkët të brendshme dhe të drejtësisë.
Në vitin 1995 u anëtarësuan në Bashkimin Evropian Finlanda, Austria dhe Suedia.
Në vitin 1997, traktati i Mastriktit u rishikua duke u negociuar një marrëveshje e re, e cila rregullonte dhe përforconte politikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe burimet, sidomos në fushat e bashkëpunimit ligjor, të lëvizjes së lirë të personave, politikën e jashtme dhe shërbimin shëndetësor publik.Parlamenti Evropian, shprehja direkte e demokracisë së Bashkimit u pajis me kompetenca të reja dhe me përgjegjësi të reja si bashkëlegjislator.
Me zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian me 10 vende të Evropës Qëndrore dhe Lindore në vitin 2004, si dhe me hapjen e mundësive për integrimin e kandidatëve të tjerë, mbetet të shihet nëse trashëgimtarët e baballarëve themelues, sot përgjegjës për fatin e popujve të të gjithë kontinentit që nga Lisabona deri në Talin, nga Dublini deri në Varshavë, do të ndjekin mesazhin e fundit të Jean Monnet,
është një proces ndryshimesh
Komuniteti evropian në vetvete është thjesht një hap drejt rrugës së botës së organizuar të së ardhmes
, dritën udhëheqëse të bashkësisë së parë, e cila i nxit ata të adoptojnë vizionin e tij në të ardhmen.
Le të shohim se si do ti përballojë Bashkimi Evropian sfidat jo të lehta të shekullit të 21.
pergatiti J.SH.
__________________
It takes just as much courage to express your love when it's right, as it does to walk away when it's wrong.
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|