shelgu
-
Regjistruar: 27/11/2007
Vendbanimi: EU
Mesazhe: 8928
|
Kjo qenka shume interesante. Ja nje artikull qe gjeta rreth jakov Milajt.
Jakov Milaj ka qene vertet nje figure e shquar intelektuale shqiptare. Pata deshire te shkruaj dicka rreth Jakov Milaj, sepse rastesisht kam pare nje leterkembim privat te tij me nje tjeter intelektual shqiptar.Vihet re atje nje deshire e vertete per nje Shqiperi te lire, demokratike dhe te orientuar ndaj shkqnces
Nuk e di pse quhet profesor, por qe ishte nje njeri i pajisur me dije te gjera kjo as qe diskutohet.
Atrikulli, botuar nga i nipi, i cili duhet te kete shume materiale te te gjyshit. jakovi ishte nje koleksionist shume i rregullt i korrespondences.
Enklid Milaj-Milano
Teoritë racore apo raciste
21 Qershor Letër e hapur drejtuar Muhamed Kullashit e Besnik Pulës për komentet mbi librin "raca shqiptare" të Jakov Milajt
1. "Ti gjysh do më shumë kosovarët sesa shqiptarët", i thashë një ditë tim gjyshi, ndërsa shëtisja me të dhe vëreja që përshëndeste me shumë dashamirësi disa njerëz që mbanin qeleshe kosove. Im gjysh më shkuli lehtë veshin e më shpjegoi se "nga veriu i Mitrovicës e deri në jugun e Prevezës, të gjithë ishim shqiptarë". Dhe pyetjes sime, nëse edhe Gjylja, që ishte aq e zezë, ishte shqiptare-Gjylja ishte një rome që me një thes të madh vinte e lypte në shtëpinë tonë - m'u përgjigj: "A nuk flet shqip, Gjylja?".
2. Pas reagimit emotiv ndaj artikujve tuaj, vendosa të rizbuloj gjyshin tim, jo plak 80-vjeçar siç e kisha njohur unë, por si kishte qenë në kohën kur mendoi e shkruajti "Racën shqiptare".
E duke qenë se unë nuk jam filozof, pedagog recitimi o doktorant në SHBA (pa specifikuar ku e në çfarë) e nuk mund t'i lejoj vetes të jap gjykime mbi "antropologjinë fizike", u limitova të hap enciklopedinë "Larousse" të 1923, për të parë sesa larg do të gjendej përcaktimi i "racës" së përdorur prej racistit Jakov Milaj nga përcaktimi i kësaj enciklopedie jo raciste.
Por për përcaktimin e "racës" që bën të vetin J.Milaj, "Për këtë vepër do t'ishte më i përshtatshëm përkufizimi i Martial-it që iu shmanget rrymave politike, nuk lë përjashta pajën shpirtërore dhe i jep rëndësi kryesore historisë: "Thirret racë përmbledhja e një popullsie, karakteret psikologjike të së cilës, të fshehura ose të shfaqura (posaçërisht gjuha dhe vizat athropologjike përbëjnë, brenda historisë, një njësi të dalluar", (f. 13/Botimi i vitit 1944) ishte thuajse i njëjtë me ato të Larousse-it.
Atëherë, i kënaqur me rezultatin, hapa me ndrojtje një enciklopedi bashkëkohore multimediale, "Rizzoli-Larousse 2001", me mendimin e induktuar nga ju zotërinj, se pas 60 e kusur vitesh nuk do të gjeja më një përcaktim të termit "racë" për njerëzit. Por, tekstualisht atje, "Raca" përcaktohej në rendin antropometrik si "term i përdorur shpesh për komoditet klasifikimi, për të treguar një grup njerëzish që paraqesin një omogjenitet relativ të karaktereve somatik".
E atëherë, me më tepër guxim shfletova edhe një enciklopedi amerikane "Encarta 2002", e cila e përshkruan "Racën" si më poshtë: "Term i përdorur historikisht për të dalluar një popullsi nga një tjetër mbi bazën e elementeve biologjike. Të gjithë njerëzit i përkasin species homo sapiens. Koncepti i racës rrjedh nga ideja që speciet njerëzore mund të ndahen në grupe të ndryshme biologjike. Sidoqoftë, shkenca ka provuar që njerëzit nuk mund të ndahen në raca të pastra. Shumë shkencëtarë, sot e hedhin poshtë idenë e racës së ngurtë biologjike dhe e shikojnë njeriun si një proces në vazhdimësi. Pavarësisht nga kjo, raca persiston si një koncept i fuqishëm social e kultural, që përdoret për të karakterizuar njerëzit në bazë të diferencave fizike të dukshme e të sjelljes".
Mora frymë thellë. Përcaktimi i fjalës "racë" për njerëzimin vazhdoka të merret në konsideratë edhe sot e kësaj dite; nuk është, sigurisht, i njëjtë me atë që përdori, Jakov Milaj mbi 60 vjet më parë, por sidoqoftë nuk qenka herezi e, pavarësisht nga evolimi i saj, nuk qenka diametralisht i kundërt.
Nga leximet e mëpastajme arrita të kuptoj, që nga një anë ekzistojnë teoritë racore, e në anën tjetër ekzistojnë ato raciste. Që teoritë racore flasin për tipin, llojin e specien. Që teoritë racore janë shpesh keqkuptuar e keqpërdorur. Që nga keqpërdorimi i teorive racore ka lindur racizmi. E që "teoritë raciste" flasin për superioritetin e domosdoshëm të një race ndaj një tjetre dhe legjitimojnë shfarosjen e asaj inferiore.
Me këtë background, e rilexova librin e Jakov Milajt, por në fund nuk e ndjeva aspak veten t'i përkisja një race më superiore se ajo e serbëve dhe e grekëve, zotërinj, e nuk mu ringjall asnjë lloj përbuzje për vllehët, jevgjit apo romët. Aq më tepër kjo, kur autori shkruan se "Çështja e racave superiore dhe e racave inferiore, që është rrahur aq fort dhe vënë në mënyrë gjenerike, nuk ka kuptim". (F.24, Botimi 1944).
Dëshpërimi im ishte i madh kur pashë se Muhamedin Kullashi, nga një anë përmend ndër emrat që kanë frymëzuar "racistin" Jakov Milaj, "racistët" Eugen Fiscer, F.Gall, Guenther e G.V. De Lapouge, që autori nuk i citon në librin e vet, nga ana tjetër, harron të shkruaj që "autori racist" ka përmendur në vitin 1944 edhe çifutin Norbert Jokl të vrarë prej nazistëve në vitin 1942 (f.44, Botimi 1944).
Por kritika juaj nuk mbaron me kaq. Në vazhdim theksoni se "Milaj nuk bën asnjë vërejtje ndaj kësaj politike shfarosëse, veç konstatimit se nuk është e sigurt se do të përfundojë me sukses".
U habita! Këtë vërejtje, Milaj e ka botuar në janar të 1944, kur nazismi kishte zaptuar Shqipërinë. Nuk e di ku keni jetuar e sa zemërluan keni qenë ju, Muhamedin Kullashi apo paraardhësit tuaj gjatë diktaturave, por të jeni i sigurt që vënia në dyshim e realizimit të "objektivit madhor", konsiderohej nga nazismi si krim, e për këtë ndëshkohej.
E së fundi, harroni qëllimisht, o nuk keni arritur të kuptoni, që Jakov Milaj nuk kishte marrë "racën e pastër" si premisë të punimit të vet, por kishte parapëlqyer të mbetej nxënës i Pittard-it, duke e cituar këtë të fundit thuajse 40 herë në veprën e tij.
Eshtë e vërtetë që autori përmend togfjalëshin "racë e pastër", por e përkufizon këtë togfjalësh duke thënë se, "asnjë popull evropian nuk është i pastër nga pikëpamja e racës. Luftërat mijëvjeçare midis fiseve, migrimet e popujve prej një vendi në një vend tjetër, përpjekjet e të fuqishmëve për të futur në dorë pasuritë natyrore që zotëronin popujt më të dobët, kanë shkaktuar gjatë shekujve përzierje kaq të shumta racash, saqë sot është e pamundur të flitet për pastërtinë e tyre të plotë. Por se përdorim me këtë kuptim përkufizimin e "racës së pastër", mund të themi me plot gojën se raca shqiptare është e pastër", (f. 141, Botimi 1944).
Për më tepër, ndërsa flet për racën shqiptare, Jakov Milaj, jo vetëm nuk mohon ekzistencën e minoriteteve, por arrin deri aty, sa shkruan që ato nuk kanë asnjë ndryshim prej tipit dinarik; dallohen prej nesh vetëm për gjuhën. Hyjnë në grupin e tyre malazesët, bullgarët, grekët e kuçovllehët. (f.126/ Botimi 1944)
3. Ndërsa ju, Besnik Pula, pohoni që autori i "Racës shqiptare" ishte fashist, pa i bërë pyetjen vetes çfarë do të thotë të jesh fashist. Përgjigjen nuk mund tjua jap unë zotërinj, por mund ta gjeni në shtypin e kohës, ku Jakov Milaj shkruante herë me emrin e vet e herë me pseudonimin Horus.
Unë vetëm po limitohem t'ju kujtoj që Branko Merxhani, kryeredaktori i revistës "Përpjekja shqiptare", pas 7 prillit 1939, u largua nga Shqipëria, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Jakov Milaj, që u emërua kryeredaktor i revistës pas largimit të Merxhanit, arriti të botojë vetëm një numër të kësaj reviste, se pastaj fashistët ia mbyllën.
Po zotërinj, Jakov Milaj ka qenë ministër i Bujqësisë së qeverisë së Maliq Bushatit në vitin 1943. Por para se të njollosni emrat, duhet të paktën të verifikoni se cili ka qenë konteksti historik në të cilin veproi kjo qeveri, cili ishte programi i saj. Pastaj për hir të së vërtetës, z.Pula duhet të shkruani se pas tre muajsh, ministri Jakov Milaj dha dorëheqjen. (A nuk është edhe ky një akt i guximshëm për kohët e fashizmit?). Dhe motivi i dorëheqjes ishte refuzimi i nënshkrimit të dhënies me koncension të pyjeve shqiptare italianëve. Faleni kësaj here Jakov Milajn, zotërinj, ai si ministër bujqësie nuk mund të bënte më tepër se të emëronte 30 zoteknikë e veterinerë të lartë të Shqipërisë në Kosovën djerrë, por pjellore.
E mos harroni, se në vitet '40, dy ishin kampet që ndesheshin me njëra-tjetrën. Nga njëra anë, nacionalistët, që duke shfytëzuar situatën e kohës, për herë të parë arritën të shihnin një Shqipëri të shqiptarëve, edhe pse nën hijen e rëndë të fashizmit, e nga ana tjetër, komunistët të themeluar nën kujdesin e Miladin Popoviç, të cilët që në projektet e tyre fillestare donin që kjo e fundit t'i bashkangjitej shtetit jugosllav.
E mos harroni zotërinj, nëse jeni seriozë e pragmatikë, që një Shqipëri e shqiptarëve në ato kohë të vështira, ishte e mundur vetëm duke rinunçuar diçka e duke paguar një çmim tepër të madh, d.m.th. duke bërë kompromise me njërin kamp.
A nuk duhet të paguajmë një çmim shumë të lartë e të bëjmë shumë kompromise edhe sot, që komuniteti ndërkombëtar të njohë pavarësinë e Kosovës?
Nuk e di, nëse me fjalët e mia ju kam mbushur mendjen që Jakov Milaj nuk ka qenë fashist e racist në vitet '30 e '40, por di që, në ato vite, shqiptaromadhi Jakov Milaj ishte mik i "malazesit" Migjeni e bujti në shtëpinë vet në Torino "internacionalistin" Asim Vokshi, që ishte nisur për në Luftën e Spanjës.
4. Për sa i përket rehabilitimit prej komunizmit, Jakov Milaj nuk ka nevojë për mëshirën e askujt. Jakov Milaj e kishte për nder të ishte lidhur në të njëjtat pranga me "fashistin" At Anton Harapi apo Bahri Omarin dhe jo vetëm i kishte falur me kohë persekutuesit e tij, por i mësoi edhe fëmijëve e nipërve të vet të falin, por mos të harrojnë.
5. Jakov Milaj e përdori "racën" në librin e tij, jo për të bërë klasifikime raciste, (më citoni një fragment në të cilin shkruhet se jemi superior ndaj grekëve e serbëve (f.126 botimi 1944), por për të bërë një diversifikim. E diversifikimi është pasuri.
Jakov Milaj e përdori "racën" për të bindur labin kokëfortë, që kosovari është po aq shqiptar sa ai, për t'i thënë shqiptarit të Mitrovicës që himarioti nuk është grek, për t'i mbushur mendjen të krishterëve me ortodoksë e integralistë, që edhe pse Muhamedin Kullashi e Mehmet Kraja kanë një emër që tingëllon aq turk, sa emri i një turku Stambolli, janë shqiptarë.
Jakov Milaj e përdori racën në librin e tij, për ti thënë shqiptarit anakronik të djeshëm e të sotshëm, që të ketë besim te vetja e të njohë vetveten në një kuptim të ri. Patjetër, "Raca shqiptare" është një vepër që pasqyron edhe filozofinë, shkencën e terminologjinë e kohës së vet e të gjitha limitet e saj; që ka një titull që të sjell menjëherë ndërmend "racizmin"; që me relativitetin e kohëve të sotme shumë prej tezave të shkruara në të nuk janë më bashkëkohore e ndonjë edhe e gabuar.
Për fat të keq, teoritë mbi racën u degjeneruan, u keqpërdorën dhe u shndërruan shpeshherë në racizëm, duke prodhuar tragjedinë më të madhe të shekullit të kaluar. A mos vallë edhe doktrinat e shenjta si krishtërimi e islamizmi, kur janë keqpërdorur nuk kanë pjellë dhunë?
Sidoqoftë, sado dashakeqës o sipërfaqësor të jeni zotërinj, sado mos ta keni lexuar librin e të keni marrë guximin të gjykoni prej titullit të tij apo parathënies, nuk e keni të drejtën morale të gjeni "racizmin shqiptar aty ku nuk është" e ta radhisni emrin e Jakov Milajt mes atyre që kanë realizuar shfarosjen e çifutëve. Ndër reliket që ndodhen në shtëpinë ku banonte Jakov Milaj, është edhe një "hanuchia". Dhuratë, që miqtë çifutë të "racistit" Jakov Milaj, i bënë familjarëve pas vdekjes së këtij të fundit.
6. Një miku im çam, pasi lexoi shkrimet tuaja këto ditë, më tha: "Për sa kohë kosovarëve u duhej bashkim dhe identitet e ndryshmëri nga serbi, ata e kishin librin ungjill (fjalë të prof.A.Cetës, thënë në Fier, 1992). Tani që nevoja e do të hapen e të njihen nga bota e shkelen menjëherë".
Jo, - i thashë mikut tim, - nuk e shkelin kosovarët Jakov Milajn, pasi e dinë se, nëse Jakovi do të ishte gjallë e do të kishte edhe më të voglin dyshim, se libri i tij do të bëhej në çfarëdolloj mënyre pengese për njohjen e pavarësisë së Kosovës, do të ishte ai i pari që krijesën e vet të viteve '40 do ta kishte braktisur në hauret e harresës".
7. Kur nisa t'ju shkruaj këtë letër, isha i tronditur e druhesha se ajo do të dilte thjesht emotive. Por tani që e mbarova, vura re se më shumë se unë, ka folur Jakov Milaj.
I dua kosovarët i thoshte Jakov Milaj nipave të vet pasi pa kosovarët, Shqipëria nuk do të ekzistonte.
Enklid Milaj
Jurist pranë Studios Legale Internacionale "Lovells", Milano
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|