Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Letersia Moderne Shqiptare > Dritėro Agolli > Ne shtėpinė e Agollit...!
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr
Autori
Titulli Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
i_lire
^^i_lire^^

Regjistruar: 02/08/2003
Vendbanimi: ^^__^^
Mesazhe: 1610

Ne shėpine e Agollit...!

DRITËRO AGOLLI: “AUTOBIOGRAFIA IME”
Shkrimtari ka nisur të rrëmojë në kujtimet, shënimet e fletët e ditarit për të shkruar librin e jetës së tij.


Dritëro Agolli ka nisur të shkruajë të vërtetat e jetës së vet. Një libër autobiografik ku do të rrëfehet. Këtë vendim e ka marrë prej më shumë se dhjetë vjetësh, por përgatitjet për të nisën pesë vjet të shkuara dhe vazhdojnë ende. Dhjetëra fletorka, blloqe shënimesh, albume fotografish, artikuj shtypi, fletë ditari... Në arkivin e shtëpisë së tij ka filluar prej kohësh rrëmimi për dokumente dhe shënime. Korrespondenca intime me Sadijen, impresionet dhe suveniret e periudhës së studimeve në Rusi... Nga dhjetëra albume fotografish, që i ka sistemuar të gjitha vetë në bibliotekën e dhomës së gjumit, tek dosjet e trasha plot me shënime nga periudha të ndryshme të jetës, i duhet t’i lexojë edhe një herë të gjitha dhe të rrëmojë për ato interesantet, duke ngjallur boll kujtime prej të tjerave. Por jo vetëm aty, në arkivën e shtëpisë. Një pjesë e rëndësishme e shënimeve kanë mbijetuar nga arkivat e gazetës “Zëri i Popullit” ku shkrimtari pati punuar për 15 vjet. Por arkivi më i rëndësishëm për librin autobiografik që sapo ka nisur është kujtesa e tij. Kështu thotë ai vetë. “Por më shumë, mua m’i sjell ndër mend ngjarjet kujtesa. Pse i vë rëndësi kujtesës? “Sepse ato gjëra që i kam harruar, nuk kanë qenë të rëndësishme dhe rreth atyre që më kanë mbetur në mendje është më mirë të flas. Më ka mbetur në mend, për shembull, një detaj që e kam si lajtmotiv: lumi i fshatit. Ai gjithnjë më gurgullon në vesh, edhe në ëndërr më del. Edhe kur jam jashtë, mua nuk më del në ëndërr Misisipi apo të tjerë lumenj, po lumi i Devollit, ay më gurgullon gjithnjë. Kjo është një gjë e rëndësishme që më kam mbetur në mendje që nga fëmijëria, sepse rreth atij lumi jam rritur”, - na tregon Dritëroi. Pra gjithçka në autobiografinë e shkrimtarit ka për të zënë fill me fshatin Menkulas të Devollit, ku edhe ka lindur. Autobiografia që ende nuk dihet sa voluminoze do të jetë dhe kur do të ketë mbaruar, siç na thotë shkrimtari ka për të qenë e plotë dhe do të përfshijë të gjitha etapat e jetës së tij. Njerëzit që ka takuar e që i kanë lënë mbresa, vendet ku ka shkelur, letërsia, politika... Veçse ka vendosur të mos i japë rrjedhë kronologjike asaj. Ndonjëherë mendon ta shkruajë fare thjeshtë, me një stil të lirë, por ende nuk e ka përcaktuar linjën përfundimtare, edhe një skicë që kishte përpiluar, tani e ka hedhur poshtë dhe është akoma në kërkim. “Një herë e pati vendosur edhe titullin, por pastaj hoqi dorë prej tij”, - na thotë Sadija, bashkëshortja.
Vështirësitë:
Si rrallë ndonjëherë, edhe një shkrimtar i madh si Dritëro Agolli është vënë në vështirësi për të shkruar një libër, sepse kësaj radhe do të thotë të vërtetën e vet aty. Ja si e shpjegon ai njërën prej vështirësive të tij: “Këto lloj librash janë tepër të vështira, duhet të jesh sa më i vërtetë, siç e thonë me një fjalë të huaj, të jesh sa më objektiv, me një fjalë të mos gënjesh dhe të mos e redaktosh biografinë tënde. Unë nuk kam dëshirë që të redaktoj jetën, jeta nuk redaktohet, ajo është jetuar ashtu dhe ashtu mbetet. Redaktoje sa të duash ti, rregulloje, e vërteta do të dalë një ditë në dritë dhe atëherë edhe pse nuk do të jesh në jetë, mund që miqve të tu, t’u vijë turp; shiko si paska gënjyer ky njeri, do të thonë”. Ai shton se duke lexuar disa libra të kujtimeve të njerëzve që njeh, sheh se një pjesë e madhe e tyre nuk janë të vërteta, prandaj thotë se i ruhet kësaj. “Që të mos thotë ndonjë kolegu im që kjo nuk është e vërtetë siç them unë tani për disa libra që lexoj, sidomos kur lexoj që shkruajnë për kohën e komunizmit, qoftë edhe për të fashizmit dhe nuk i thonë të vërtetat siç janë. Është fatkeqësi kur nuk i thotë një shkrimtar të vërtetat dhe mundohet të redaktojë jetën siç thashë. Jeta jetohet dhe mbaroi. A e redakton dot 60 -vjetorin? Këtë merak kam unë, që të mos redaktohet jeta”. Por nuk është i vetmi shqetësim i Dritëro Agollit për të shkruar autobiografinë e vet. Ai thotë se “Për ne shkrimtarët shqiptarë është e vështirë të shkruash një autobiografi dhe ndryshe është për shkrimtarët e mëdhenj të botës që janë edhe të pasur shumë. Ata kanë një sekretari të tërë, kanë njerëz që merren me grumbullimin e shtypit, ia presin artikujt, ia bëjnë gati, e regjistrojnë në manjetofon, zbardhin gjithçka dhe ai i redakton... është më e lehtë për ta. Ne duhet t’i bëjmë vetë gjithçka nga fillimi, jemi si në kohën e shkrimtarëve të shekullit XIX. Nga kjo anë është e zorshme të shkruash vetëbiografinë”. Por ai ka patur edhe vështirësi të tjera. “Meqënëse kam patur kohët e fundit sëmurë mushkëritë, kjo më pengoi, më dembelosi, u bëra më përtac dhe më ndërpreu punën. Sëmundja më shkëputi nga të shkruarit. Tani do të pres... ngjet si me një makinë që pret t’i ngrohet motori, që të fillojë të punojë, ose si televizori që duhet të nxehet pak që të dalë figura, edhe unë po pres të ngrohem që të më dalë figura. Mendoj se mund ta shkruaj këtë libër, po në qoftë se njeriut i del një e papritur, siç thotë populli i bie një damlla, atëherë nuk ka çfarë bën....” Dhe shton se “në këto kohë sa jam shëndoshë mendoj ta shkruaj librin, por ndonjëherë bëj edhe punë paralele, për t’u zbavitur, ose lexoj, përkthej ndonjë vjershë, shkruaj ndonjë tregim”.
Copëra kujtimesh:
Nga Shkodra në Gjirokastër, shënimet që ka mbajtur si gazetar dhe që i ruan në dosje të posaçme, tani me shumë kujdes, pasi ua di mirë vlerën, janë për të një arkiv i vërtetë kujtese për ngjarjet, njerëzit dhe vendet që ka parë në atë kohë, duke filluar nga 1957 kur nis punën si gazetar tek “Zëri i Popullit”. Shumë shënime nga krahina e Matit, të cilën thotë se e ka vizituar shumë, personazhe dhe miq që ka takuar atje, tregime interesante, në këtë fazë të përzgjedhjes, gjithçka i hyn në punë shkrimtarit. Por më shumë vend në libër do të gjejë, pa dyshim, vendlindja. “Nuk më harrohen shtëpitë e fshatit. Ato unë i njihja të kujt ishin që me erën. Kjo shtëpi bie erë qepë, ata e kishin qejf qepën. Ata të tjerët pinin raki kumbulle dhe prandaj shtëpia e tyre binte këtë erë. Kjo shtëpi bie erë kafe, njerëzit e asaj shtëpie pinin kafe dhe unë i njihja. Shtëpia që binte erë kafe ishte e Batos, ata kishin një dyqan në fshat që në kohën e Zogut, tregtonin kafe. Kjo shtëpi bie erë hudhra se banorët e saj kishin qejf të hanin hudhra. Nga kjo anë, me nuhatjen si një langua, unë i njihja shtëpitë dhe jetën e tyre. Me një fjalë, në librat autobiografikë, duke vënë edhe detaje të tilla, elementë të jetës së përditshme, ato bëhen të vërtetë dhe interesantë. Kështu mendoj, se po të flasësh që unë kam qenë i zoti, unë kam qenë trim i madh, gjatë fëmijërisë ziheshim dhe unë i mundja të gjithë, të gënjesh pra kështu, këto gjëra nuk kanë asnjë vlerë”, - rrëfen shkrimtari.
Proces:
Në atelienë e Dritëro Agollit
As kompjuter, as makinë shkrimi. Zakonisht ai shkruan me dorë dhe kjo mënyrë i duket më e përshtatshme. Nuk mbyllet në studio. Librat e tij lindin në sallonin e pritjes, aty ku nuk rreshtin vizitat që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Por koha e tij e të shkruarit është natën vonë, kur në shtëpinë e madhe bie qetësia. Dritëroi ulet në divan dhe mbështet dyert në tryezën e madhe rrumbullake, nxjerr fletoren më të rehatshme për të shkruar dhe nis nga puna. Do të kishte preferuar që librat të botoheshin si dorëshkrime, që të ishin sa më të vërteta dhe thotë: “Që kur dolli Gutenbergu, kur filluan të shtypen librat, filloi të humbë pak ana reale. Tani libri do të kalojë nëpër duar redaktorësh, korrektorësh dhe nuk do të mbajë erë bojë. Një dorëshkrim është shumë më i vërtetë. Dikush tjetër para meje e ka thënë se që kur doli Gutenbergu, humbi e vërteta. Unë shkruaj me dorë, me makinë shkrimi shkruaj gjëra të thjeshta, ndonjë artikull por jo krijimtari dhe shumë shokë të mi bëjnë kështu.
Rrëfimi:
Si vendosa ta shkruaj librin?
“Nga fundi i viteve 60 të jetës sime, pas moshës 60 e ca vjeçare, mendova të shkruaja një libër për jetën time, për vendet ku kam jetuar, për raportin me njerëzit e afërmit e mi, që kur kam filluar të mendoj i pavarur, kur kam qenë në ndërgjegje, me një fjalë që kur mbaj mend. Për marrëdhëniet me shokët, me miqtë, me gjithçka që është e shtrenjtë për njerinë, që kur fillova të shkruaj, çfarë rruge kam bërë gjatë jetës sime, për shkrimtarët, kritikat e mia dhe të kritikuarin, unë vetë, pikëpamjet e mia për jetën, fillozofinë, politikën... Përpara moshës 60 -vjeçare nuk kam menduar të shkruaj një libër të tillë. Mendoj se pas kësaj moshe, si ta shohë edhe gjendjen shëndetësore, njeriu mund të shkruajë një libër, vetëm atëherë ai pothuajse e ka kryer më shumë se treçerekun e jetës së tij dhe ka se ç’kujton. Jeta e tij është e pasur. Po grumbulloj materiale prej 5-6 vjetësh. Shënimet e mia që kam pasur gjatë jetës, kam mbajtur shumë fletorka për krahina të ndryshme ku kam shkuar dhe kam jetuar, që nga Shkodra deri në Gjirokastër. Janë shënime për njerëzit, si biçim ditari. Kam një fat, sepse kam shkruar shumë artikuj nëpër gazeta dhe ato më kujtojnë jetën, pavarësisht që unë i kam botuar dhe mund të mos jenë plotësisht të vërteta. Gjatë këtyre 12 vjetëve unë kam shkruar shumë artikuj nëpër gazeta dhe ato më kujtojnë gjithë zhvillimet demokratike të vendit tonë, kështu edhe duke i shfletuar ato, shënimet apo të botuarat, ato më kujtojnë një jetë. Në këtë fazë që jam, merrem edhe me vogëlsira, blej fletore të trasha, me format të vogël dhe pastaj them se dua të gjej një tjetër më të madhe që të shkruaj më rehat. Pata bërë edhe një skicë. Lufta më e madhe që bën një shkrimtar, është lufta kundër dembelizmit. Një ndër shkrimtarët e mëdhenj italianë të shekullit të shkuar, për të luftuar dembelizmin e detyronte të ëmën që ta lidhte për karrigeje me rripa që të detyrohej të shkruante”.

__________________
s...._d._m... says: for nothing that happened this time...!!

Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar

Mesazh i vjetėr 08 Shtator 2003 22:59
i_lire nuk po viziton aktualisht forumin Kliko kėtu pėr Profilin Personal tė i_lire Kliko kėtu pėr tė kontaktuar me i_lire (me Mesazh Privat) Vizito faqen personale tė i_lire't! Kėrko mesazhe tė tjera nga: i_lire Shto i_lire nė listėn e injorimit Printo vetėm kėtė mesazh Shto i_lire nė listėn e monitorimit Ndrysho/Fshij Mesazhin Pėrgjigju Duke e Cituar
Ora tani: 10:57 Hap njė temė tė re    Pėrgjigju brenda kėsaj teme
  Tema e mėparshme   Tema Tjetėr

Forumi Horizont Forumi Horizont > Tema Shoqėrore > Letėrsia > Letersia Moderne Shqiptare > Dritėro Agolli > Ne shtėpinė e Agollit...!

Pėrgatit Kėtė Faqe Pėr Printim | Dėrgoje Me Email | Abonohu Nė Kėtė Temė

Vlerėso kėtė temė:

Mundėsitė e Nėn-Forumit:
Nuk mund tė hapni tema
Nuk mund ti pėrgjigjeni temave
Nuk mund tė bashkangjisni file
Nuk mund tė modifikoni mesazhin tuaj
Kodet HTML nuk lejohen
Kodet speciale lejohen
Ikonat lejohen
Kodet [IMG] lejohen
 

 

Kliko pėr tu larguar nese je identifikuar
Powered by: vBulletin © Jelsoft Enterprises Limited.
Materialet qė gjenden tek Forumi Horizont janė kontribut i vizitorėve. Jeni tė lutur tė mos i kopjoni por ti bėni link adresėn ku ndodhen.