i_lire
^^i_lire^^
Regjistruar: 02/08/2003
Vendbanimi: ^^__^^
Mesazhe: 1610
|
BETHOVEN (Ludvig Van) (1770-1827) kompozitor i madh gjerman.
* Babai i Bethovenit ishte tenor po jo shumë i mirë. Si pijanec dhe njeri i palidhur me punën ai kërkonte të nxirrte fitime nga djali i vogël. Prandaj nisi t'i mësonte muzikë qysh në moshën katërvjeçare. Sipas të dhënave të kohës del se Babai e paraqiti djalin dy vjet më vonë para publikut. "Sot më datën 26 maj 1776 në sallën e Akademisë së muzikës zoti Bethoven, tenor i Oborrit, do të ketë nderin të paraqesë dy nxënës të tij, zonjushën Averdonc kontralto e Oborrit dhe djalin tij 6 vjeçar, Ludovigun. E para do të ketë mirësinë të na këndojë disa arie të bukura dhe i dyti do të japë koncerte të ndryshme në piano. "Ky ishte takimi i parë i Bethovenit me publikun, për të cilin nuk dihet se çfarë përfundimi pati.
* Megjithëse me mësues diletantë dhe me muzikantë shumë të diskutueshëm, Bethoveni i vogël bëri të tillë hapa përpara në studimin e muzikës sa që, më në fund u gjend një mësues i denjë për të. Ky ishte i famshmi Neefe, njeri i ashpër i cili shpejt u zbut e u mrekullua. Ky parashikoi për të një karrierë moxartiane. Që në moshën dymbëdhjetë vjeç deshi ta kishte nxënësin e tij në organo dhe vendosi po të mungonte ai, ta zëvendësonte edhe si dirigjent në orkestrën e teatrit të operës. Kështu në atë moshë të njomë, Ludovigu i vogël mundi të mbante vetveten dhe të ndihmonte edhe prindërit.
* Bethoveni ende fëmijë shkoi në Vjenë ku Moxarti mbahej i paarritshëm. Disa miq, admirues të muzikantit të vogël të Bonit, deshën ta takonin mjeshtrin e shquar të muzikës me muzikantin e ri. Më në fund ia arritën qëllimit, po Moxarti që takonte vazhdimisht muzikantë të rinj, e pa me mosbesim. Bethoveni u ul në piano dhe improvizoi një pjesë.
"Mirë nuk është keq,mendoi me vete Moxarti po nuk më duket të jetë një improvizim.Me siguri që është fjala për një të ashtuquajtur improvizim për një copë të kompozuar me kushedi se sa mundim dhe e mësuar përmëndësh". Nuk e tha haptas, por e la të kuptohet.
Bethoveni i acaruar iu lut Moxartit t'i jepte ai vetë një temë. Moxarti ia plotësoi dëshirën dhe i dha temën. Bethoveni improvizoi një pjesë të mrekullueshme, luajti me guxim të admirueshëm, saqë Moxarti mbeti i shtangur dhe i thirri para të pranishmëve:
- Kini për të parë se ai do ta bëjë botën të flasë për të. Pastaj e përqafoi dhe i kërkoi të falur.
* Në atë kohë ishte në Vjenë një muzikant i dëgjuar, abati Genilik, që populli e pëlqeu dhe ishte entuziast për pianon e tij aq të pastër, aq të shndritshme dhe aq të bukur. Një herë në shtëpinë e një miku, tha se atë mbrëmje do të shkonte të luante në piano në publik dhe do të maste forcat me një pianist të ri të panjohur. Duke dalë, i sigurt si gjithnjë, thirri:
-E, po nuk bëjmë salsiçe!
Të nesërmen miku e pyeti se si shkoi mbrëmja muzikore.
- Aha, - thirri i ligështuar abati, - do ta kujtoj deri në varr, ai djalosh ka djallin me vete. Nuk kam dëgjuar kurrë një interpretim të tillë. Improvizioi ashtu si di të bëjë vetëm Moxarti. Nxirrte nga pianofortja efekte, që ne nuk i kemi ëndërruar kurrë.
Miku u bë shumë kurioz dhë pyeti se si quhej ky pianist i ri.
- Është një i ri me trup të shkurtër, i shëmtuar, i zi, me një fytyrë kryeneçe. Quhet Bethoven.
* Një ditë në parkun e Vjenës, Bethoveni po shëtiste lart e poshtë me Kramerin pianist i dëgjuar, duke dëgjuar koncertin për piano në do minor të Moxartit. Një çast Bethoveni u ndal, ndali edhe shokun duke i tërhequr vëmendjen për motivin që dëgjohej gjithnjë e më e bukur. Kur po afrohej fundi, Bethoveni thirri me entuziazëm:
Kramer, ne nuk do të jemi kurrë të zot të bëjmë diçka të ngjashme me këtë.
* Një organist i ri, dëshironte vetëm një gjë: të takohej me Bethovenin. Ai siguroi të hollat dhe u nis për në Vienë. Atje nisi të kërkonte, nëpër rrugët e qytetit për të gjetur shtëpinë e mjeshtrit. Në një rrugicë hasi një karro të ngarkuar më thasë me gurë,së cilës i kishte dalë rrota nga boshti. Disa qytetarë po ndihmonin karrocierin dhe po ngarkonin sërishmi thasët që kishin rrëshqitur nga karroja. Organisti nisi t'i ndihmonte.Një nga të pranishmit e mori vesh se edhe ai vinte për herë të parë në Vjenë dhe i premtoi, t'i tregonte disa nga monumentet e qytetit. Organisti i tha se i interesonte vetëm një gjë, të takohej me Bethovenin.
- Po Bethoveni jam unë! - thirri dikush që ishte aty pranë. Ishte vetë muzikanti i madh. U përqafuan të dy dhe Bethoveni e ftoi në shtëpi mikun.
* Midis admiruesve të Bethovenit më entuziasti dhe më i arsyeshmi ishte ndoshta princi Linhovski, i cili i bënte vizitë dy herë në javë. Ai nuk e shqetësonte fare për punën tij. Kur shërbëtori i shtëpisë, që ishte rrobaqepës, rrinte në paradhomë duke qepur dhe i thoshte se mjeshtri ishte në shtëpi, ai hynte ne majë të gishtave, ulej në një divan që ishte më i ngushtë nga të tjerët dhe qëndronte atje për gati një orë pa lëvizur nga vendi, ndërsa Bethovenit, as nuk i binte fare ndërmënd për të. Ai vazhdonte në qetësi të shkruante. Princi ishte i lumtur që qëndronte atje, ndërkohë që lindte një vepër e re e Bethovenit "të tij". Nganjëherë princit i kishte takuar që të rrinte me orë të tëra pranë rrobaqepësit, i cili punonte pa çarë kokën për praninë e princit.
* Betina Bretanos, që kishte shkuar për ta takuar Bethovenin, i tha:
- Muzika është një krijim më i fortë se filozofia. Eshtë si vera që të deh. Kush arrin të kapë domethënien e muzikës sime, duhet që ta ndjejë veten të mërguar nga çdo mjerim ku të tjerët zvarriten në vuajtje!
- Kur po e shoqëronte për në shtëpi rrugës vazhdoi t'i fliste me emocion të madh dhe në mënyrë aq të çuditshme; sa që Betma harroi fare se ishin në mes të rrugës, me shumë njerëz përreth, që ndalonin e i vështronin me habi.
* Disa herë Bethoveni kthehej në qytet nga ekskursioni vetëm me këmishë, sepse i harronte rrobat në pyll. I ndodhte që kthehej edhe pa kapelë në kokë. Një herë në Nojshtab e,gjetën të veshur aq keq, sa e arrestoi policia si vagabont. Askush nuk besonte se ishte muzikanti i shquar dhe i mirënjohur. Mund të mbetej në burg ndoshta për shumë kohë, po të mos shkonte për ta liruar drejtori i orkestrës.
* Simfonia e nëntë pati sukses të madh. Kur u ndanë çmimet mjeshtrit i dhanë për të drejtën e autorit vetëm treqind lira. Që të nesërmen kritika e sulmoi Bethovenin padrejtësisht. Mjeshtri i zhgënjyer dhe i pikëlluar se nuk pati mundësi ta dëgjonte vetë veprën e tij, sepse ishte shurdhuar me kohë, u mbyll për dy javë brenda në shtëpi. Më në fund miku i tij Shlindler e nxori jashtë dhe e çoi në një restorant. Atje, kur vera nisi t'i marrë mendjen, Bethoveni bëri skandal. E shtyu jashtë mikun e tij dhe bërtiti me të madhe:
- Ju gënjeni... ju më fyeni... Unë jam Ludovik Bethoveni, kam shkruar sifmoninë e nëntë. Lermëni vetëm. Unë nuk mund të flas me njerëzit. Flas vetëm me zotin.
* Në Vienë, në një prej mbrëmjeve të shumta muzikore, Bethoveni ekzekutoi një prej veprave të tij të mëdha.
Kur mbaroi, vështroi rreth tij dëgjuesit që ishin turbulluar, mallëngjyer dhe me sytë gjithë lot. Atëherë u tha gjithë ëmbëlsi:
- Jo! Lotët janë dobësi. Artistët duhet të jenë prej zjarri, nuk duhet të qajnë.
* Bethoveni ishte shumë bujar. Zemërohej shumë po qe se miqtë e tij kishin ndonjë nevojë dhe nuk shkonin tek ai për ndihmë.
Kur vdiq i vëllai ai e ndihmoi kunatën me të gjitha mënyrat, edhe pse ajo me sjelljen e saj të ulët i kishte sjellë shumë shqetësime.
Ai vazhdimisht thoshte:
-Virtyti më i lartë është të jesh bujar.
Kohët e fundit të jetës, sidomos gjatë sëmundjes vdekjeprurëse, Bethoveni jetoi në kushte shumë të vështira.
Midis atyre që u ndodhën pranë mjeshtrit të madh ishte edhe miku i tij Rreungin, i cili merrej vesh me Bethovenin duke shkruar në një fletore. Në një prej këtyre shënimeve është shkruar: "Sot Pashë se çimkat të shqetësonin shumë dhe në çdo çast zgjoheshit.
Me që keni nevojë të madhe për gjumë, do t'ju dërgoj diçka për të zhdukur çimkat."
* Bethoveni ishte mik i familjes së piktorit Kramolini, i cili kishte një djalë që quhej edhe ai Ludovik. Atë Bethoveni e donte shumë. Nëna e Ludovik Kramolinit mburrte zërin e të birit.
- Një ditë mund të bëhet edhe ai muzikant, - thoshte ajo.
- Për atë qiell jo! - thirri Bethoveni. Ludoviku juaj do të bëhet piktor si babai i tij. Kështu mund t'i marrë mendjen gjithë botës, duke përdorur nga të gjitha bojërat. Po muzikant... jo se do të ngordhë për bukë.
* Një ditë Ludovik Kramolini i vogël i kishte gjetur dhe i kishte sjellë një bllok me shënime që atij i kishte humbur. Bethoveni për mirënjohje, deshi t'i jepte një sold, por djaloshi nuk e pranoi.
- Je një kokëfortë i vogël edhe ti si gjithë Ludovikët. Më vonë Kramolini u bë një këngëtar i shquar dhe kërkoi të takohej me mjeshtrin e famshëm. Ai e priti me dashuri të madhe me këto fjalë:
- Ky është pra, - tha duke e parë bashkë me të fejuarën; - ai Ludoviku i vogël e kokëngjeshur i dikurshëm. Edhe qenka fejuar? Mirë, mirë. Të lumtë! Po këndona diçka.
Ai nisi të këndojë Adelajdën e Bethoveni dhe pianisti u ul për ta shoqëruar. Me që po këndonte para muzikantit të madh Kramolini u impresionua, nuk e nxori mirë zërin e tij dhe i kërkoi shoqëruesit të fillonte edhe njëherë nga e para. Bethoveni pyeti se çfarë po ndodhte dhe kur pianisti ia shpjegoi ai i tha duke qeshur:
- Po këndo pa u druajtur i dashuri im Ludovik, unë tashmë nuk dëgjoj asgjë dhe dua vetëm të të vështroj duke kënduar.
Kështu Kramolini mori vesh se mjeshtri ishte shurdhuar, Një ditë Luis Spor e takoi në një kafe, dhe, me që kishte kohë pa e parë, i tha:
- Ku ke humbur kështu?
- Jo unë, - iu përgjigj Bethoveni, - po këpucët e mia. Kam vetëm një palë, ndaj kam qenë i detyruar të rri në shtëpi pa dalë fare.
* Bethovenin e lutën njëherë që të jepte një mendim për Bahun (Bah në gjermanisht do të thotë përrua).
- Nuk është përrua, - tha mjeshtri, - është det.
* Bethoveni hyri një ditë në një restorant të Vjenës dhe i kredhur thellë në përsiatjet e tij, po ia vinte veshin kamerierit, që e kishte pyetur disa herë se çfarë dëshironte. Pas rreth një ore heshtjeje, Bethoveni thirri kamarierin për të paguar.
- Po nuk keni porositur asgjë, - i tha kamarieri. Tashti më thoni se çfarë doni që t'ju sjell?
- Sill çfarë të duash! - thirri Bethoveni, - po të lutem më ler të qetë një copë herë.
* Më 1807 apo 1808 Bethoveni u takua me Gëten në Karlshtad.- Sapo u njohën me njëri- tjetrin bënë një shëtitje me karrocë. Kur kalonin rrugës gjatë kësaj shëtitjeje, shumë njerëz përuleshin me respekt herë ndaj njërit dhe herë ndaj tjetrit.
- Është e bezdisshme, - tha Gëtja, - të jesh kaq i shquar. Të gjithë më salutojnë.
- Shkëlqesia juaj mos u shqetësoni dhe aq shumë se ndoshta më përshëndesin edhe mua e jo vetëm ju, - ia priti Bethoveni.
* Bethoveni nuk ishte i pashëm, madje ishte pothuaj i shëmtuar. Megjithatë në piano dukej madhështor dhe shumë tërheqës. Improvizonte, duke i detyruar të pranishmit të derdhnin lot. Ndonjëherë ia kriste të qeshurit dhe, duke u tallur me të pranishmit, thoshte me të madhe:
- "Arti, ky është art!? Juve nuk jeni veçse budallenj".
* Njëherë në një pritje princore, kur po i binte pianos, dëgjoi që një i ftuar po bisedonte me zë të lartë e po i bënte komplimenta një dame. Atëherë e ndërpreu interpretimin, u - ngrit menjëherë dhe iku rrëmbimthi, duke i lënë të pranishmit të shtangur.
* Një ditë po luante në piano Riz ,ish- nxënës i tij, të cilit Bethoveni i rrinte prapa në këmbë për t'i kthyer faqet e pentagramit. Në një çast nxënësi bëri një gabim dhe Bethoveni e goditi lehtë me gisht në kokë. Mbasi mbaroi pjesa i tha:Të lumtë, ke luajtur shumë bukur. Ajo që të godita lehtë ishte për të treguar se me sa vëmendje të ndiqja. Pastaj u ul vetë në piano. Për t'i kthyer faqet e pentagramit ndenji prapa princesha Linhovski. Bethovenit i shpëtoi një gabim. Princesha menjëherë e qëlloi me të tre a katër pëllëmbë jo dhe aq të lehta në zverk dhe i tha:
- Më falni, por në qoftë se për gabimin nxënësi duhet goditur me gisht, për mësuesin duhet përdorur gjithë pëllëmba e dorës.
Të gjithë qeshën me shpirt dhe Bethoveni më shumë se të tjerët. Pastaj nisi nga e para interpretimin, po kësaj here, luajti në mënyrë të mrekullueshme.
* Tashmë Bethoveni ishte bërë i shquar në të gjithë botën. Një ditë, duke biseduar me nxënësin e tij, Cerni, i tha:
- Qysh kur isha fëmijë kam pasur një edukatë muzikore të keqe. Por për muzikën kam njëfarë prirje.
Këto fjalë ia tha me aq seriozitet, që të mos i merrte si shaka. Pastaj i vuri në dukje se ai tashmë ishte muzikant që kishte fituar lavdi të pafund në të gjithë botën. Po Bethoveni ia preu:
- Budallallëqe! Nuk më ka shkuar kurrë në mendje të shkruaj për famë dhe nderime. Ajo që kam në zemër kërkon të gjejë shpërthim dhe prandaj unë shkruaj muzikë.
* Kur Napoleoni ishte thjesht konsull i parë, Bethoveni kishte admirim të pakufishëm për të. Atëherë po kompozonte simfoninë e tretë, të cilën e kishte titulluar "Bonoparti".
- Ishte Riz, i pari që i solli lajmin se Napoleoni ishte shpallur perandor. Me të dëgjuar këtë, Bethoveni u bë si i tërbuar dhe thirri.
- Edhe ai nuk është gjë tjetër, vetëm se një njeri fare i zakonshëm. Tani do të nisë të shkelë të gjitha të drejtat e njeriut, do të plotësojë vetëm ambicjet e tij dhe do të ngrihet lart mbi të tjerët. Kështu do të bëhet një tiran i vërtetë.
Pastaj e vuri simfoninë në tryezë e shkiti ballinën e dorëshkrimit, e grisi copë- copë, e hodhi në tokë dhe e shkeli me këmbë. E shkroi sërishmi ballinën, në të cilën vuri titullin "Heroikja".
* Pas betejës së Jenës Bethoveni shkoi me vrap te miku i tij Krumpholz, të cilin e donte shumë. E pyeti se ç'gjë të re kishte.
- Gjë e re, - u përgjigj miku, - është lajmi, i mbërritur tashti, se Napoleoni i ka vënë përpara edhe një herë prusianët në Jenë. Bethoveni ia priti menjëherë:
- Mjerisht nuk marr vesh nga arti i luftës! Do të kisha dëshirë të madhe t'i jepja vetë një mësim të mirë atij dhe ta shkatërroja fare.
* Princi Linhovski këmbënguli për ta ftuar Bethovenin për disa javë në kështjellën e tij. Atje kishte të ftuar edhe disa oficerë francezë të Napoleonit. Princi shfaqi dëshirën që Bethoveni të luante diçka në piano në praninë e tyre. Bethoveni u largua vjedhurazi nga salla pa u ndjerë fare.
Princi e kërkui në të gjitha anët dhe e gjeti Bethovenin në dhomën e tij. Bethoveni kur e pa, për pak sa nuk e goditi me karrike.
- Një herë Bethoveni ishte në shtëpinë e një mikut të tij dhe po luante një marsh në piano, me katër duar, bashkë me nxënësin e tij Ferdinand Riz. Këtë pjesë e kishte shkruar me porosi të princit Linhovski.
Kur po interpretonte, dëgjoi një kont të ri të dashuruar, që i pëshpëriste pak si me zë të lartë bukuroshes që kishte pranë.
Atëherë Bethoveni u ngrit, largoi duart e Rizit nga pianofortja dhe thirri me zë të lartë:
-Për këta derra unë nuk luaj në piano. Pastaj doli nga salla dhe s'u fut më brënda.
* Kur Bethoveni dirigjoi për të parën herë, simfoninë e nëntë, mjeshtrit e muzikës u treguan shumë të kënaqur.
Seler tha:
- Është gjeni që zbukuron një derr me xhufka dhe me lulka.
* Feliks Mendelsoni tha që është një muzikë për sarhoshë. Përkundrazi publiku u entuziazmua dhe i bëri një përshëndetje të nxehtë. Në heshtje Bethoveni i ktheu kurrizin publikut. Kjo gjë u muar si mospërfillje. Mikja
e tij, këngëtarja Karolina Ungre e kuptoi shpejt se muzikanti shurdh nuk i dëgjoi brohoritjet, prandaj iu afrua mjeshtrit, e kapi nga shpatullat dhe e ktheu nga spektatorët. Vetëm duke parë publikun dhe lëvizjet e tij të gjallërishme, Bethoveni e kuptoi triumfin e tij dhe u mallëngjye.
* Kur vdiq Bethoveni, mijëra vetë u mblodhën rreth kortezhit të përmotshëm. Prapa arkivolit ecnin ushtarët, pastaj ishin njerëzit e shquar të qytetit.
Një i huaj, i çuditur prej madhështisë dhe prej numrit të madh të njerëzve, pyeti një plakë:
- Kush paska qenë ky gjeneral, të cilit po i bëhen gjithë këto nderime të mëdha?
Plaka e pa e hutuar, pastaj buzëqeshi lehtë dhe i tha:
- Ka vdekur gjenerali i të gjithë muzikantëve.
__________________
s...._d._m... says: for nothing that happened this time...!!
Denonco kėtė mesazh tek moderatorėt | IP: e regjistruar
|