Tulipani
< ArtHolic >

Regjistruar: 12/01/2007
Vendbanimi: Secret Garden
Mesazhe: 4717
|
Neni 25
Tarifat dhe taksat mjedisore
1. Përdorimi i përbërësve të mjedisit për plotësimin e nevojave vetjake është falas, me përjashtim të rasteve ku me ligj shprehet ndryshe.
2. Përdorimi i përbërësve të mjedisit, për qëllime fitimi, i nënshtrohet pagesës së tarifës për përdorimin e burimeve natyrore ose pasurive minerare, siç është parashikuar në ligje të veçanta.
3. Për përdorimin e produkteve me fuqi të lartë ndotjeje dhe për shkarkimet në ajër, ujë dhe tokë, personat fizikë dhe juridikë u nënshtrohen taksave mjedisore.
4. Produktet dhe ndotësit, për të cilët zbatohet taksa mjedisore, lloji dhe masa e saj, procedurat dhe rregullat e vjeljes e të përdorimit të saj për mbrojtjen e mjedisit rregullohen me ligj të veçantë.
KREU IV
VLERËSIMI I NDIKIMIT NË MJEDIS
Neni 26
Procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis
1. Projektet publike dhe private të personave fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që mund të ndikojnë në mjedis, i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në mjedis, përpara miratimit dhe zbatimit të tyre.
2. Personi fizik ose juridik që synon të realizojë një projekt ose veprimtari, fillimisht komunikon me organet e qeverisjes vendore, me publikun dhe organizatat jofitimprurëse mjedisore vendore, të cilave u paraqet, në jo më pak se dy variante, llojin e veprimtarisë që do të zhvillojnë, kapacitetin, teknologjinë, ndikimet në mjedis dhe masat për zbutjen e tyre. Këto komunikime dhe qëndrimet paraprake të organeve të qeverisjes vendore, të publikut e të organizatave jofitimprurëse, kërkuesi i pasqyron në dokumentet që shoqërojnë kërkesën e tij.
3. Dokumentacioni që shoqëron kërkesën për miratimin e projektit përmban: përshkrimin e projektit, të dhëna për zonën, projektin teknik, përshkrimin e masave për të shmangur, pakësuar dhe rehabilituar pasojat negative në mjedis, të dhënat e nevojshme për identifikimin dhe matjen e ndikimeve që mund të kenë ndaj mjedisit, variante të ndryshme, të dhëna të tjera të kërkuara nga organi përgjegjës. Kërkuesi mban përgjegjësi për vërtetësinë e dokumentacionit që ka paraqitur.
4. Pas shqyrtimit paraprak të kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues, organi përgjegjës, kur e sheh të nevojshme, kërkon plotësimin e tyre nga propozuesi dhe e pranon zyrtarisht për shqyrtim, vetëm pasi është bindur se dokumentacioni përkatës është në përputhje me kërkesat e ligjit.
5. Projektet që i nënshtrohen procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, kriteret e përzgjedhjes së tyre, procedurat e kërkimit dhe të realizimit të tyre, procedurat e shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur, marrja e vendimeve dhe ndjekja e zbatimit të projekteve të miratuara, përcaktohen me ligj të veçantë.
Neni 27
Vlerësimi i ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar
1. Kur projektet, që i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në mjedis, mund të kenë ndikim në mjedisin e një vendi fqinj, Republika e Shqipërisë zbaton parimet e Konventës së Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën për vlerësimin e ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar, ku ajo është palë, si dhe çdo parim tjetër të përgjithshëm dhe norma të së drejtës ndërkombëtare mjedisore.
2. Procedurat e kryerjes së vlerësimit të ndikimit në mjedis në kontekst ndërkufitar rregullohen me ligj të veçantë.
Neni 28
Vlerësimi strategjik mjedisor
Politikat, strategjitë dhe planet e zhvillimit të transportit, të energjisë, bujqësisë, turizmit, industrisë, shërbimeve, të rregullimit të territorit e të zhvillimit ekonomik e shoqëror në tërësi, i nënshtrohen vlerësimit strategjik mjedisor, procedurat e të cilit miratohen me ligj të veçantë.
Neni 29
Projekte të sigurisë kombëtare
1. Projektet e fushës së mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, që u nënshtrohen proceseve të vlerësimit të ndikimit në mjedis ose të vlerësimit strategjik mjedisor, përjashtohen nga këshillimi me publikun për të siguruar ruajtjen e sekretit.
2. Organi që propozon dhe zbaton projektin, përgjigjet për zbatimin e kushteve të deklaratës mjedisore ose të lejes mjedisore, me të cilën është miratuar projekti.
Neni 30
Organi përgjegjës
Ministria e Mjedisit është organi përgjegjës për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesës dhe të dokumentacionit të hartuar gjatë kryerjes së proceseve të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe vlerësimit strategjik mjedisor, si dhe për dhënien e vendimit nëpërmjet deklaratës mjedisore dhe lejes mjedisore.
Neni 31
Specialistët që shqyrtojnë dokumentacionin
1. Ministri i Mjedisit, kur e sheh të nevojshme, për shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit të proceseve të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe të vlerësimit strategjik mjedisor, cakton persona fizikë e juridikë, vendas ose të huaj, si specialistë të jashtëm, me përvojë në fushën e parashikimit dhe të identifikimit të ndikimit në mjedis, të cilët nuk kanë lidhje kontraktore me kërkuesin. Oponenca e tyre vlerësohet nga organi përgjegjës.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit dhe të Ministrit të Financave, përcakton rregullat dhe masat e shpërblimit për specialistët.
3. Ministri i Mjedisit miraton kërkesat e personave fizikë e juridikë, për njohjen e tyre si specialistë për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe auditimin mjedisor, sipas rregullave, procedurave e kritereve, që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 32
Përballimi i shpenzimeve
Shpenzimet e kryerjes së proceseve të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe të vlerësimit strategjik mjedisor përballohen nga kërkuesi.
Neni 33
Palët e interesuara
1. Në proceset e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe të vlerësimit strategjik mjedisor marrin pjesë të gjitha palët e interesuara, veçanërisht organet e qeverisjes vendore, publiku dhe organizatat jofitimprurëse mjedisore.
2. Gjatë këtyre proceseve, organi përgjegjës vë në dispozicion të publikut për këshillim, për një periudhë të mjaftueshme kohe, dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi.
3. Gjatë marrjes së vendimit, organi përgjegjës merr parasysh mendimin e organeve të qeverisjes vendore, të publikut dhe të organizatave jofitimprurëse.
KREU V
LEJA PËR VEPRIMTARITË QË NDIKOJNË NË MJEDIS
Neni 34
Detyrimi për marrjen e lejes
1. Personat fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj, janë të detyruar të marrin miratimin nga organet përgjegjëse, të caktuara në këtë ligj për zhvillimin e veprimtarive, që ndikojnë ose mund të ndikojnë në mjedis.
2. Personi fizik ose juridik paraqet kërkesën dhe dokumentacionin përkatës për të marrë miratimin.
3. Miratimi i kërkesës bëhet me paraqitjen e deklaratës mjedisore, të lejes mjedisore, me pëlqimin ose autorizimin, sipas rasteve të specifikuara në këtë ligj.
4. Deklarata mjedisore, leja mjedisore, pëlqimi dhe autorizimi, janë dokumente zyrtare, që përcaktojnë kushtet dhe rrethanat në të cilat do të zhvillohet veprimtaria e miratuar, për parandalimin dhe pakësimin e ndikimeve të saj në mjedis.
Neni 35
Deklarata mjedisore
1. Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe këshillimit me palët e interesuara për projektet, strategjitë, planet e zhvillimit, Ministri i Mjedisit shpall qëndrimin zyrtar me deklaratën mjedisore.
2. Deklarata mjedisore përmban arsyetimin teknik dhe mbështetjen ligjore, jep argumentet përkatëse dhe masat që duhen marrë për të shmangur dhe pakësuar ndikime më të mëdha në mjedis.
3. Kur deklarata mjedisore është negative, projekti, strategjia ose plani i zhvillimit nuk miratohen nga organet përkatëse vendimmarrëse. Kur deklarata mjedisore është pozitive, miratimi nga këto organe bëhet në përputhje me përmbajtjen dhe kushtet e deklaratës.
4. Nëse projekti nuk fillon të zbatohet brenda dy vjetëve nga data e miratimit, deklarata mjedisore bëhet e pavlefshme dhe procedura e aplikimit fillon nga e para.
5. Nëse zbatimi i projektit kryhet në përputhje me deklaratën mjedisore dhe lejen e ndërtimit, organi përgjegjës e pajis me lejen mjedisore përkatëse, në përputhje me kërkesat e këtij ligji.
6. Deklarata mjedisore bëhet publike.
Neni 36
Leja mjedisore
1. Shfrytëzimi i pasurive minerare e i burimeve natyrore, vënia në punë e instalimeve për shfrytëzimin dhe përpunimin teknologjik të tyre dhe veprimtaritë e tjera që ndikojnë në mjedis, për të cilat kërkohet leje mjedisore, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit.
2. Me leje mjedisore pajisen edhe zgjerimet dhe rikonstruksionet, nëse këto përfaqësojnë ndryshime themelore të kushteve gjatë veprimtarive, si dhe mbyllja dhe çmontimi i veprimtarive e instalimeve. Ministri i Mjedisit propozon veprimtari të reja, që duhet të pajisen me leje mjedisore.
3. Leja mjedisore jepet, hiqet, rishihet e ndryshohet nga Ministri i Mjedisit, vetëm në kushtet e parashikuara në këtë ligj. Leja mjedisore hiqet nga Ministri i Mjedisit me propozimin e Kryeinspektorit të Mjedisit.
4. Nëse veprimtaria nuk fillon brenda një viti nga data e miratimit të lejes, ajo bëhet e pavlefshme dhe procedura e aplikimit fillon nga e para.
Neni 37
Dokumentacioni për leje mjedisore
1. Dokumentacioni për të kërkuar leje mjedisore dhe elementet që përmban leja mjedisore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Përcaktimi i kushteve dhe i kërkesave që vendosen në lejen mjedisore, mbështetet në normat e shkarkimeve, në normat e cilësisë dhe në teknikat më të mira të mundshme, që sigurojnë sasi më të vogla të shkarkimeve në mjedis, përdorime të frytshme të burimeve dhe të energjisë dhe mbrojtje më të mirë të mjedisit.
Neni 38
Afatet e shqyrtimit të kërkesës për leje mjedisore
1. Leja mjedisore jepet brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës dhe është e vlefshme që nga koha kur fillon veprimtaria derisa kushtet, mbi të cilat është dhënë, nuk ndryshojnë.
2. Organi përgjegjës mund ta zgjasë kohën e dhënies së lejes deri në 6 muaj, kur del e nevojshme kryerja e ekspertizave tepër të kualifikuara. Nëse organi që miraton lejen mjedisore, nuk jep përgjigje brenda afatit të mësipërm, leja quhet e miratuar.
3. Shtyrjet e afatit për shkak të mangësive në dokumentacionin e paraqitur nuk llogariten për efekt të pikave 1 dhe 2 të këtij neni.
Neni 39
Palët në proces
1. Procesi i shqyrtimit të kërkesës për dhënien e deklaratës dhe të lejes mjedisore është i hapur për të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë edhe shtete, në rast ndikimi ndërkufitar në mjedis.
2. Ministria e Mjedisit njofton dhe siguron mundësi të barabarta, gjatë një muaji, për të gjitha palët e interesuara të procedurës së aplikimit, që të njihen me dokumentacionin, deklaratën dhe lejen mjedisore.
3. Vendimi për miratimin ose jo të kërkesës bëhet publik.
4. Personat fizikë dhe juridikë, publiku dhe organizatat jofitimprurëse mjedisore, mund të ankohen në gjykatën e rrethit brenda 10 ditëve nga shpallja e vendimit.
Neni 40
Përtëritja e lejes mjedisore
1. Leja mjedisore për shfrytëzim mineralesh dhe burimesh natyrore përtërihet çdo tre vjet.
2. Leja mjedisore për veprimtaritë e tjera përtërihet jo më vonë se 5 vjet nga koha e lëshimit të saj.
Neni 41
Ndryshimi i lejes mjedisore
1. Organet që japin lejen mjedisore e rishohin, e ndryshojnë ose e heqin atë në çdo kohë nëse:
a) shfaqen elemente të reja ekologjike të panjohura në kohën e dhënies së saj;
b) dalin dispozita të reja për mjedisin, që e kërkojnë shprehimisht ndryshimin e saj;
c) vërtetohet ndotje tej normave të lejuara;
ç) ka ndryshime themelore të veprimtarisë;
d) ka përparime në fushën e teknikave më të mira të mundshme, që lejojnë pakësimin e rëndësishëm të shkarkimeve në mjedis dhe që nuk kërkojnë shpenzime të mëdha;
dh) ndryshohet kërkesa e sigurimit teknik, duke përdorur teknika të tjera më të mira.
2. Personit fizik dhe juridik që nuk ka zbatuar kërkesat e një vendimi të Inspektoratit të Mjedisit, nuk i përtërihet leja mjedisore, për sa kohë që këto kërkesa nuk plotësohen prej tij.
Neni 42
Ndryshimi i pronësisë
Kur veprimtaria e pajisur me leje mjedisore kalon në pronësi ose në përdorim të një personi tjetër fizik ose juridik, ky i fundit zbaton kërkesat e lejes ekzistuese të mjedisit.
Neni 43
Tarifa e shërbimit
1. Personat fizikë e juridikë që pajisen me leje mjedisore, paguajnë një tarifë shërbimi, që caktohet nga Ministri i Mjedisit. Tarifa derdhet në llogarinë e organit që ka dhënë lejen.
2. Projektet dhe nismat, që kryhen për mbrojtjen e mjedisit ose që jepen si ndihmë për Shqipërinë, përjashtohen nga tarifa e shërbimit për dhënien e lejes mjedisore dhe u krijohen lehtësi fiskale. Këto veprimtari dhe kriteret e përfitimeve të tyre përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Mjedisit dhe Ministrit të Financave.
Neni 44
Detyrimi i lejes mjedisore
1. Veprimtaritë dhe instalimet që ndikojnë në mjedis nuk mund të fillojnë të ushtrohen ose të vihen në punë pa marrë lejen mjedisore.
2. Personat fizikë dhe juridikë nuk mund ta ushtrojnë veprimtarinë veçse në përputhje me kushtet dhe kërkesat e vendosura në lejet mjedisore.
3. Veprimtaritë që ndikojnë në mjedis, kur ushtrohen pa leje mjedisore, sipas rastit, pezullohen, mbyllen ose ndërpriten plotësisht ose pjesërisht nga Inspektorati i Mjedisit.
Neni 45
Pëlqimi dhe autorizimi
1. Veprimtaritë me karakter vendor, që ndikojnë në mjedis, por që nuk përfshihen në vendimin e Këshillit të Ministrave, të përmendura në pikën 1 të nenit 36 të këtij ligji, miratohen nga agjencitë rajonale të mjedisit, në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore. Miratimi për këto veprimtari jepet në formën e pëlqimit ose të autorizmit.
2. Ministri i Mjedisit miraton sipas këtij neni listën e veprimtarive, formatin e aplikimit dhe rregullat e procedurat e dhënies së pëlqimit ose të autorizimit nga agjencitë rajonale të mjedisit.
Neni 46
Detyrime të përgjithshme
1. Gjatë vënies në punë të veprimtarive dhe instalimeve, personat fizikë e juridikë sigurojnë:
a) zbatimin e të gjitha masave që parandalojnë shkarkimet mbi normë dhe ndotjen e mjedisit;
b) shmangien dhe pakësimin e mbetjeve dhe, aty ku përdorimi i tyre nuk është i mundur teknikisht ose ekonomikisht, neutralizimin e tyre, duke shmangur dhe pakësuar ndikimin në mjedis;
c) parandalimin e aksidenteve industriale dhe kufizimin e pasojave të tyre;
ç) kthimin e vendit në kushte të kënaqshme mjedisore pas përfundimit të veprimtarisë;
d) njoftimin për çdo ndryshim të planifikuar të linjës teknologjike;
dh) respektimin e kërkesave dhe të kushteve të lejes mjedisore;
e) njoftimin e agjencive rajonale të mjedisit, jo më rrallë se një herë në 3 muaj, për rezultatet e vetëmonitorimit dhe, në çdo kohë, për aksidentet ose emergjencat me ndikim negativ në mjedis;
ë) plotësimin e kërkesave të Inspektoratit të Mjedisit gjatë kryerjes së kontrollit të veprimtarisë së tyre;
f) njohjen e publikut me gjendjen e mjedisit dhe profilin mjedisor të veprimtarisë së tyre;
g) mbajtjen e regjistrave për shkarkimet në mjedis, për përdorimin e ujit dhe të energjisë, si dhe për teknikat e përdorura.
2. Kërkesat e këtij neni zbatohen si më poshtë:
a) për veprimtaritë dhe instalimet e reja, 1 vit pas hyrjes në fuqi të ligjit;
b) për veprimtaritë ekzistuese, jo më shpejt se 2 vjet dhe jo më vonë se 5 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit.
3. Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me ministritë e linjës, ndërmerr fushata ndërgjegjësimi për njohjen me kërkesat e këtij ligji.
Neni 47
Sistemet e certifikuara të administrimit mjedisor
1. Shteti nxit dhe përkrah zbatimin nga personat fizikë dhe juridikë të sistemeve të certifikuara të administrimit mjedisor.
2. Personave fizikë dhe jurdikë, që zbatojnë sisteme të certifikuara të administrimit mjedisor, u krijohen lehtësi procedurale në procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe në marrjen e lejes mjedisore, lehtësi që përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Mjedisit.
Neni 48
Vlerësimi mjedisor
1. Personat fizikë dhe juridikë kryejnë me shpenzimet e veta vlerësimin mjedisor të veprimtarive që ushtrojnë jo më rrallë se një herë në tre vjet. Vlerësimi mjedisor realizohet sipas metodologjisë së miratuar nga Ministri i Mjedisit.
2. Në përfundim të vlerësimit mjedisor të veprimtarisë së vet, personi fizik ose juridik bën publike rezultatet dhe njofton organet e qeverisjes vendore dhe agjencinë rajonale të mjedisit.
3. Kur një veprimtari e pajisur me leje mjedisore ndot ose dëmton mjedisin, organet shtetërore, qendrore dhe vendore, publiku dhe organizatat jofitimprurëse mjedisore, i kërkojnë Ministrit të Mjedisit të urdhërojë kryerjen e vlerësimit mjedisor.
4. Ministri shpall qëndrimin e vet brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës. Kundër këtij qëndrimi mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit brenda 10 ditëve nga shpallja e tij.
KREU VI
PARANDALIMI DHE KUFIZIMI I NDOTJES SË MJEDISIT
Neni 49
Parandalimi i aksidenteve industriale
1. Personat fizikë dhe juridikë, që në veprimtaritë e tyre përdorin lëndë të rrezikshme, detyrohen të ngrenë sistemin e parandalimit dhe të kontrollit të aksidenteve, për të shmangur pasojat për jetën, shëndetin e njeriut dhe për mjedisin.
2. Identifikimi i veprimtarive gjatë të cilave përdoren lëndë të rrezikshme, kriteret e ngritjes së sistemeve të parandalimit dhe të kontrollit të aksidenteve, masat që duhen marrë, detyrimet e personave fizikë e juridikë, organet kontrolluese dhe përgjegjësitë e tyre, rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e përbashkët të Ministrit të Mjedisit, Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Ministrit të Shëndetësisë dhe Ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.
Neni 50
Normat mjedisore
1. Për të kontrolluar dhe parandaluar ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit, vendosen normat e përdorimit të mjedisit, normat e cilësisë së mjedisit dhe normat e shkarkimeve në mjedis.
2. Në varësi të karakteristikave të mjedisit që duhet mbajtur, të natyrës së ndotjes, përballimit të rasteve të emergjencës dhe mundësisë praktike për t’i respektuar, normat mjedisore janë kombëtare, të veçanta, për zonat që kërkojnë mbrojtje të veçantë, dhe të përkohshme.
3. Normat e cilësisë së mjedisit, të shkarkimeve në mjedis dhe të përdorimit të mjedisit, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit dhe Ministrit të Shëndetësisë.
4. Normat e veçanta, për zona që kërkojnë mbrojtje të veçantë, vendosen nga Ministri i Mjedisit, në bashkëpunim me ministrat përkatës dhe organet e qeverisjes vendore.
5. Përcaktimi i vlerës së normave, si kufi i lejuar për përdorimin e mjedisit ose të përbërësve të tij, sasia, cilësia, përqendrimi i lëndëve dhe i energjisë që shkarkohen në mjedis, mbështeten në udhëzimet e Bashkimit Europian, në objektivat e politikës shtetërore mjedisore dhe në teknikat më të mira të mundshme.
Neni 51
Normat e përkohshme për instalimet ekzistuese
1. Për instalimet ekzistuese, personat fizikë e juridikë paraqesin në Ministrinë e Mjedisit, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e normave mjedisore, programin që do të zbatojnë për plotësimin e tyre.
2. Në mbështetje të programit, Ministria e Mjedisit vendos afatet për zbatimin e normave të miratuara, të cilat nuk mund të zgjasin më tepër se 5 vjet nga hyrja në fuqi e normave mjedisore.
3. Për personat fizikë e juridikë, që nuk e paraqesin programin, afati për zbatimin e normave mjedisore është 2 vjet pas hyrjes së tyre në fuqi.
4. Gjatë këtyre periudhave personat fizikë e juridikë zbatojnë normat mjedisore të përkohshme, të cilat çojnë në përmirësime në rritje të zbatueshmërisë.
5. Nëse personat fizikë e juridikë nuk zbatojnë kushtet dhe kërkesat e këtij neni, veprimtaria e tyre pezullohet derisa të arrihet zbatueshmëria.
6. Normat e përkohshme dhe mënyrat për vendosjen e tyre miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit.
7. Nëse pas zbatimit të normave të përkohshme vërehen dukuri që rrezikojnë shëndetin dhe dëmtojnë rëndë mjedisin, Inspektorati i Mjedisit vendos pezullimin ose mbylljen e përhershme të veprimtarisë ose të impiantit ndotës.
KREU VII
MONITORIMI DHE TË DHËNAT
Neni 52
Monitorimi i mjedisit
1. Monitorimi i mjedisit, i cili përfshin monitorimin e cilësive të tij, të ndotjes dhe të dëmtimit, të biodiversitetit, të dukurive natyrore dhe të shkarkimeve, është i detyrueshëm.
2. Monitorimi i cilësisë së mjedisit, i ndotjes dhe i dëmtimit të tij dhe biodiversitetit përfshin tokën, ujin, ajrin, florën e faunën dhe lidhjet e tyre me shëndetin.
3. Monitorimi i dukurive natyrore përfshin dukuritë meteorologjike, hidrologjike, të errozionit të tokës, sizmologjike, rrezatuese dhe dukuri të tjera gjeofizike natyrore.
4. Monitorimi i shkarkimeve përfshin të gjitha llojet dhe tipat e shkarkimeve, të shkaktuara nga veprimtaritë e ndryshme të personave fizikë e juridikë.
Neni 53
Programi kombëtar i monitorimit
1. Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me organet qendrore dhe vendore, harton programin kombëtar të monitorimit, si dhe bashkërendon e kontrollon punën për zbatimin e tij. Në mbështetje të të dhënave të nivelit të ndotësve, Ministria e Mjedisit propozon masa konkrete për mbrotjen e pastërtisë së ajrit, të ujit, të tokës dhe fondit gjenetik të vendit.
2. Monitorimi i mjedisit realizohet në përputhje me programin kombëtar të monitorimit, i cili përcakton treguesit e cilësisë së mjedisit, të shkarkimeve, të ndotjes dhe dëmtimit, të dukurive natyrore, të biodiversitetit, metodikat e marrjes së kampioneve, të matjeve, të përpunimit të të dhënave, si dhe raportimin e publikimin e tyre.
3. Monitorimi i dukurive natyrore dhe i cilësisë së mjedisit është detyrë dhe përgjegjësi e organeve shtetërore dhe përballohet nga Buxheti i Shtetit.
4. Rrjetet kombëtare të monitorimit ndërtohen në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.
5. Matjet dhe testet laboratorike kryhen nga laboratorë të akredituar.
6. Monitorimi i shkarkimeve, i ndotjes e dëmtimit të mjedisit për shkak të veprimtarive njerëzore dhe kur është e nevojshme edhe i dukurive natyrore që rezultojnë prej tyre, realizohet dhe përballohet nga personat fizikë e juridikë, të cilëve u përkasin veprimtaritë dhe instalimet, në përputhje me lejet mjedisore.
7. Ministria e Mjedisit kontrollon cilësinë e monitorimit, të matjeve, zbatimin e metodikave, kualifikimin e specialistëve që marrin pjesë, pajisjet e përdorura dhe vërtetësinë e rezultateve.
8. Rregullat dhe procedurat për hartimin e programit kombëtar të monitorimit dhe për zbatimin e tij, për ngritjen e rrjeteve të monitorimit, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit.
Neni 54
Të dhënat për mjedisin
1. Të dhënat për gjendjen e mjedisit përfshijnë:
a) të dhënat për gjendjen e përbërësve të mjedisit;
b) të dhënat për zhvillimin e sektorëve të ekonomisë, që ndikojnë në mjedis dhe faktorët e drejtpërdrejtë, që ushtrojnë trysni në mjedis;
c) të dhënat për ndikimin në mjedis;
ç) të dhënat për veprimtaritë e ndërmarra për mbrojtjen e mjedisit;
d) të dhënat për gjendjen e shfrytëzimin e burimeve natyrore, bilologjike, minerare dhe të energjisë;
dh) të dhënat që përftohen nga zbatimi i programit kombëtar të monitorimit;
e) të dhënat për shkarkimet në mjedis, për cilësinë e mjedisit dhe dukuritë natyrore.
2. Të dhënat shoqërohen me shpjegime rreth pasojave negative të mundshme, me veprim të vonuar mbi mjedisin dhe shëndetin, si dhe me rekomandimet për mënyrën e veprimit të shtetasve, në rast vërtetimi të pasojave negative.
Neni 55
Grumbullimi i të dhënave
1. Të dhënat për gjendjen e mjedisit grumbullohen nga Ministria e Mjedisit dhe agjencitë rajonale, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore dhe organet e qeverisjes vendore.
2. Të dhënat mjedisore kërkohen, hartohen dhe paraqiten sipas rregullave të caktuara nga Ministri i Mjedisit. Personat fizikë e juridikë paraqesin të dhënat brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës.
Neni 56
Bërja publike e të dhënave
1. Organet shtetërore që grumbullojnë të dhëna mjedisore, i bëjnë publike ato në media dhe shtyp ose mjete të tjera të përshtatshme, në një formë të kuptueshme për publikun.
2. Organet shtetërore dhe personat fizikë e juridikë sapo vërejnë ndotje ose dëmtim të mjedisit, njoftojnë popullsinë për ndryshimet mjedisore negative, për masat e marra për kufizimin ose mënjanimin e tyre dhe për mënyrën e veprimit të shtetasve për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e tyre.
3. Personat fizikë e juridikë njoftojnë blerësit ose konsumatorët, në kohën e shitjes ose të kryerjes së shërbimit, me shkrim ose me gojë, për përbërësit e rrezikshëm të mallrave e të shërbimeve dhe për ndikimet negative në mjedis dhe në shëndet.
4. Të dhënat me karakter sekret për sigurimin kombëtar ose të konfidencialitetit tregtar kombëtar, administrohen sipas kërkesave të ligjit nr.8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”.
Neni 57
Sistemi kombëtar i të dhënave
1. Për të siguruar grumbullimin, përpunimin dhe bërjen publike të të dhënave mjedisore, Ministria e Mjedisit krijon sistemin kombëtar të të dhënave mjedisore. Ndërtimi dhe funksionimi i tij rregullohen me ligj të veçantë.
2. Sistemi kombëtar i të dhënave mjedisore është i hapur për publikun.
3. Ministria e Mjedisit përgatit çdo 2 vjet raportin për gjendjen e mjedisit, i cili i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave. Raporti i miratuar bëhet publik përmes botimit në shtyp ose përmes sistemeve elektronike.
4. Ministria e Mjedisit boton periodikisht buletinin e vet zyrtar dhe realizon botime të tjera për mjedisin.
__________________
"Sono gli altri le strade, io sono una piazza, non porto in nessun posto, io sono un posto"
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|