Forumi Horizont Gjithsej 4 faqe: [1] 2 3 4 »
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Legjislacione dhe konventat ndërkombëtare mbi mjedisin. (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=366)
-- Ligji per Mbrojtjen e Mjedisit Nr.8934, dt5.9.2002 (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=14580)


Postuar nga Tulipani datë 26 Shtator 2007 - 20:13:

Ligji per Mbrojtjen e Mjedisit Nr.8934, dt5.9.2002

 
 
       REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
 
L I G J  PËR MBROJTJEN E MJEDISIT 
 
 
Nr.8934, datë 5. 9.2002
 
 
 
Në mbështetje të neneve 59 shkronja “d” e pikës 1, 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
 
K U V E N D I
 
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
 
 
V E N D O S I:
 
KREU I
 
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
 
Neni 1
 
Qëllimi i ligjit
 
1. Ky ligj rregullon marrëdhëniet ndërmjet njeriut dhe mjedisit, mbron përbërësit e mjedisit dhe proceset mjedisore, siguron kushtet materiale për zhvillimin e qëndrueshëm, duke plotësuar kuadrin e nevojshëm për zbatimin e kërkesës kushtetuese për një mjedis ekologjikisht të pastër.
2. Ligji synon:
a) përdorimin racional të mjedisit dhe kufizimin e shkarkimeve e të ndotjeve në të, parandalimin e dëmtimit të tij, rehabilitimin dhe shëndoshjen e mjedisit të dëmtuar;
b) përmirësimin e kushteve mjedisore, që lidhen me cilësinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut;
c) ruajtjen dhe mirëmbajtjen e burimeve natyrore, të përtëritshme dhe të papërtëritshme, administrimin racional dhe të frytshëm të tyre;
 ç) bashkërendimin e veprimtarive shtetërore për të përmbushur kërkesat për mbrojtjen e mjedisit;
d) bashkëveprimin ndërkombëtar në fushën e mjedisit;
dh) nxitjen dhe pjesëmarrjen e publikut në veprimtaritë për mbrojtjen e mjedisit;
e) bashkërendimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit me kërkesat e zhvillimit të qëndrueshëm;
ë) ngritjen dhe forcimin e rrjetit institucional të mbrojtjes së mjedisit në nivel qendror dhe vendor.
 
Neni 2
 
Fusha e zbatimit të ligjit
 
Mbrojtja e mjedisit nga ndotja dhe dëmtimi përbën përparësi kombëtare dhe është e detyrueshme për të gjitha organet shtetërore, personat fizikë dhe juridikë, vendas e të huaj, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.
 
Neni 3
 
Përkufizimi i termave
 
Në kuptim të këtij ligji:
1. “Mjedis”  është bashkësia e ndërveprimeve të përbërësve biotikë dhe jobiotikë që nxisin dhe ushqejnë jetën e gjallë në tokë, duke përfshirë mjedisin biofizik natyror të ajrit, të tokës, të ujërave, larminë e ekosistemeve biologjike, shëndetin e njeriut, vlerat dhe trashëgimitë kulturore, shkencore, fetare e shoqërore.
2. “Mbrojtja e mjedisit”  është veprimtaria që synon parandalimin dhe kufizimin e ndotjes, të degradimit të mjedisit, përtëritjen, ruajtjen dhe përmirësimin e tij.
3. “Ndotja e mjedisit” është futja e drejtpërdrejtë ose  e tërthortë e lëndëve, vibracioneve, energjisë, nxehtësisë, rrezatimit, zhurmës e faktorëve biologjikë në ajër, në ujë e në tokë, të cilat mund të ndryshojnë cilësitë e mjedisit dhe të dëmtojnë cilësinë e jetës.
4. “Dëmtimi i mjedisit” është prishja e karakteristikave fiziko-kimike dhe strukturore të ekosistemit natyror, ulja e prodhimtarisë biologjike dhe shumëllojshmërisë së ekosistemeve natyrore dhe antropike, prishja e ekuilibrit ekologjik dhe cilësisë së jetës të shkaktuara kryesisht nga ndotja e ujit, ajrit, tokës prej veprimtarive njerëzore ose fatkeqësive natyrore, si dhe nga mbishfrytëzimi i burimeve natyrore dhe minerare.
5. “Shkarkimi në mjedis” është çlirimi dhe dalja në mjedis, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e lëndëve të gazta, të ngurta, të lëngëta, si dhe energjisë, vibracioneve e zhurmave, nga një ose disa burime të palëvizshme, në lëvizje ose të shpërndara.
6. “Lëndë të rrezikshme” janë ato lëndë, prodhimi, transporti, ruajtja, përdorimi e shkarkimi i të cilave në mjedis, si rezultat i vetive të tyre, dëmtojnë ose mund të dëmtojnë shëndetin e njeriut, cilësitë e mjedisit, florën, faunën, biocenozat dhe biotopet.
7. “Mbetje” janë lëndët, objektet ose pjesë të tyre, që përcaktohen nga autoriteti përgjegjës, të cilat nuk përdoren më ose që pronari do t’i largojë. Mbetjet vlerësohen si të tilla, për sa kohë që materialet e nxjerra prej tyre ose energjia e prodhuar nuk përfshihet në procesin e prodhimit.
8. “Mbetje të rrezikshme” janë mbeturinat toksike gërryese, ngacmuese, shpërthyese, të përflakshme, kancerogjene, infektive dhe radioaktive, që kanë vetinë të prishin gjendjen natyrore të ujit, tokës dhe ajrit, me pasoja negative për shëndetin e njeriut dhe për ekosistemet natyrore.
9. “Treguesi mjedisor” është një ndryshore që jep në mënyrë të përmbledhur dhe të thjeshtë të dhëna për një dukuri mjedisore, duke e bërë atë të perceptueshme nëpërmjet dhënies së një vlere numerike, matjes dhe komunikimit. Dukuritë mjedisore lidhen me cilësitë e mjedisit e të përbërësve të tij, shkarkimet në mjedis, ndotjen e mjedisit e dëmtimin e tij, biodiversitetin dhe shkallën e dëmtimit ose të ruajtjes së tij dhe masat e marra për mbrojtjen e mjedisit.
10. “Monitorimi i mjedisit” është grumbullimi, vlerësimi dhe përgjithësimi i të dhënave mjedisore me anë të vëzhgimit, të vazhduar ose periodik, të një grupi treguesish mjedisorë, cilësorë dhe sasiorë, që karakterizojnë përbërësit e mjedisit dhe ndryshimet e tyre nga ndikimi i faktorëve natyrorë dhe njerëzorë.
11. “Veprimtari që ndikon në mjedis” është çdo veprimtari ekonomike e shoqërore, që përdor mjedisin ose përbërës të tij ose që shkarkon në mjedis lëndë dhe energji, duke ndryshuar cilësitë e tij.
12. “Ndikimi në mjedis” është çdo ndryshim i mjedisit fizik, përfshirë  pasojat shëndetësore, ekonomike, shoqërore, estetike, natyrore dhe fizike.
13. “Ndikimi ndërkufitar në mjedis” është çdo ndikim në një zonë, që ndodhet në juridiksionin e një vendi, ku veprimtaria zhvillohet plotësisht ose pjesërisht në një zonë në juridiksonin e një vendi tjetër, ku nuk përfshihen dukuritë e ndikimit në mjedisin global (ndryshimet klimatike, ujërat ndërkombëtare, biodiversiteti, toka).
            14. “Projekt” nënkupton:
            a) zbatimin e veprave të ndërtimit, të instalimeve ose skemave;
            b) ndërhyrjen në mjedisin natyror dhe peizazh, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe të pasurive minerare.
            15. “Vlerësimi i ndikimit në mjedis” është procesi që kryhet për të identifikuar, parashikuar, interpretuar, matur, komunikuar e parandaluar ndikimin e një projekti në mjedis, sipas disa varianteve të tij, me qëllim që të përzgjidhet varianti më i mirë për parandalimin dhe zbutjen e ndikimit negativ, para se projekti të miratohet dhe të zbatohet.
            16. “Vlerësimi strategjik mjedisor” është procesi i vlerësimit të ndikimeve të mundshme  në mjedis të një politike, plani dhe programi.
            17. “Deklarata mjedisore” është dokumenti zyrtar i lëshuar nga Ministri i Mjedisit pas shqyrtimit të kërkesës për miratimin e një projekti, plani ose programi të përcaktuar në shkronjën “a” të pikës 14 të këtij neni, që miraton ose jo kërkesën, duke e shoqëruar me kushte detyrimisht të zbatueshme për propozuesin dhe organet shtetërore përgjegjëse.
            18. “Leja mjedisore” është dokumenti zyrtar i lëshuar nga Ministria e Mjedisit, pas shqyrtimit dhe këshillimit me të gjitha palët e interesuara të kërkesës dhe dokumentacionit të saj shoqërues, që miraton ushtrimin e çdo veprimtarie, që ka ndikim në mjedis, ku përcaktohen kushtet dhe rrethanat detyrimisht të zbatueshme, për të mos dëmtuar e ndotur  mjedisin mbi normat  e lejuara.
            19. “Normat e cilësisë së mjedisit” janë një grup kërkesash, që duhen plotësuar për një kohë të dhënë dhe në një të dhënë pjesë të mjedisit, për përmbajtjen e lëndëve ndotëse,  në disa pika të veçanta të ajrit, ujërave dhe tokës, vlera e të cilave nuk duhet të kalojë vlerën kufi të lejuar.
            20. “Ndotja mbi normë e mjedisit” është tejkalimi i normave të cilësisë së mjedisit.
            21. “Norma e shkarkimeve në mjedis” është vlera më e madhe e lejuar e përmbajtjes së lëndëve ndotëse në shkarkimet për një periudhë kohe të dhënë. Normat e shkarkimeve zbatohen në pikat ku shkarkimet dalin nga instalimi pa u holluar.
            22. “Burime natyrore” janë elementet biotike dhe jobiotike, që përdoren ose që mund të përdoren nga njeriu për plotësimin e nevojave të tij.
            23. “Burime të përtëritshme” janë burimet natyrore, që përtërihen në mënyrë natyrore ose që mund të përtërihen plotësisht ose pjesërisht me rrugë të tjera. Të gjitha burimet e tjera janë të papërtëritshme.
            24. “Dëmtimi historik i mjedisit” është ndotja  me lëndë të rrezikshme dhe mbetje e zonave industriale dhe e rrethinave të tyre, e shkaktuar nga veprimtaritë e ndërmarrjeve, të cilat sot mund të jenë në gjendje pune, të mbyllura, të braktisura, të privatizuara ose të dhëna me koncesion dhe që vazhdojnë të kërcënojnë shëndetin dhe mjedisin.
            25. “Zhvillimi i qëndrueshëm” është zhvillimi që plotëson nevojat e së tashmes dhe të së ardhmes pa shtrënguar ose prekur mundësitë dhe kapacitetet që edhe brezat e ardhshëm të plotësojnë nevojat e tyre.
            26. “Përdorimi i qëndrueshëm” i burimeve natyrore e minerare siguron plotësimin e nevojave të sotme, pa cenuar nevojat e brezave të ardhshëm për këto burime.
            27. “Teknikat më të mira të mundshme” përfaqësojnë fazën më të përparuar dhe me nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit, të zhvillimit të një veprimtarie dhe që janë plotësisht të zbatueshme nga pikëpamja praktike dhe ekonomike.
            28. “Parimi i kujdesit” është marrja e vendimeve dhe e veprimeve të nevojshme për të pakësuar rrezikun mjedisor, për të parandaluar dhe pakësuar në kohën e duhur çdo dëmtim të ardhshëm të mjedisit.
            29. “Parimi i parandalimit” është përzgjedhja dhe miratimi i variantit më të mirë, që në fazën fillestare të vendimmarrjes, për të shmangur ndikimet e dëmshme të një veprimtarie në mjedis.
            30. “Parimi i riaftësimit” është domosdoshmëria për të riparuar dëmet mjedisore të shkaktuara nga vetë personat fizikë e juridikë dhe për të përtëritur dhe riaftësuar mjedisin e dëmtuar.
            31. “Parimi “Ndotësi paguan”” nënkupton koston që paguan ndotësi për përmirësimin e një mjedisi të ndotur dhe për kthimin e tij në një gjendje të pranueshme. Kjo pasqyrohet në koston e prodhimit, të konsumit të mallrave dhe të shërbimeve që shkaktojnë ndotjen.
            32. “Instalimi” është  një njësi teknike e palëvizshme, ku kryhen një ose më shumë veprimtari ndotëse dhe veprimtari të tjera shoqëruese, që kanë lidhje teknike me veprimtaritë që kryhen në këtë zonë dhe që mund të kenë një ndikim në shkarkimet dhe ndotjet në mjedis. Instalimi ose veprimtaria është ekzistuese kur:
            a) vepron në përputhje me legjislacionin ekzistues përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji;
            b) është në procesin e dhënies së lejes mjedisore përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji;
            c) është dhënë leja mjedisore dhe pritet të vihet në punë jo më vonë se një vit nga marrja e lejes mjedisore.
            33. “Hedhje në mjedis” është çdo  derdhje, përhapje, pikim, rrjedhje, nxjerrje, shfryrje, shkarkim, zbrazje, injektim nëntokësor, rrëshqitje, shpërlarje, avullim, depozitim, duke përfshirë edhe braktisjen ose flakjen e fuçive, tankerave dhe pajisjeve të tjera të mbyllura, mbartëse ose ambalazhuese.
            34. “Transferim” është lëvizja e ndotësve jashtë vendit të prodhimit ose vendit ku mbahen, e kryer për përdorim, ripërdorim, magazinim, përpunim, rifitim energjie, riciklim ose depozitim.
            35. “Burime të shpërndara” janë një grup burimesh të vogla, që çlirojnë ndotës në tokë, ujë dhe ajër, ndikimi i kombinuar i të cilave është i rëndësishëm në mjedisin pritës.
            36. “Vlerësimi  mjedisor” është rivlerësimi periodik i administrimit të mjedisit dhe mbrojtjes së tij, që bëjnë personat fizikë e juridikë për instalime ose veprimtari të pajisura me leje mjedisore.
            37. “Sistemi i administrimit mjedisor” përmbledh kuadrin institucional, politikat, planet e veprimit dhe masat tekniko-administrative për mbrojtjen e mjedisit, i certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë ISO dhe EMAS.
            38. “Autoriteti publik i mbrojtjes së mjedisit” është Ministria e Mjedisit me organet dhe strukturat e veta, organet mjedisore në institucionet shtetërore, qendrore  dhe vendore, si dhe çdo organ qendror dhe vendor që krijohet në vijim të tyre.
            39. “Autoritete publike të administrimit të mjedisit” janë institucionet qendrore dhe organet e qeverisjes vendore, të cilat ngarkohen me ligj për administrimin e mjedisit dhe të përbërësve të tij.
 
Neni 4
 
Parimet bazë të mbrojtjes së mjedisit
 
 Mbrojtja e mjedisit mbështetet në këto parime:
            a) parimi i zhvillimit të qëndrueshëm;
            b) parimi i kujdesit;
            c) parimi i parandalimit;
            ç) parimi “ndotësi paguan”
            d) parimi i riparimit të dëmeve mjedisore, përtëritjes e riaftësimit të mjedisit të dëmtuar;
            dh) parimi i përgjegjësisë ligjore;
            e) parimi i mbrojtjes në shkallë të lartë;
            ë) parimi i integrimit të mbrojtjes së mjedisit në politikat sektoriale;
            f) parimi i ndërgjegjësimit dhe i pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrjen mjedisore;
            g) parimi i transparencës në vendimmarrjen mjedisore.
 
 
Neni 5
 
Elementet e mbrojtjes së mjedisit
 
 
            Elementet kryesore strategjike të mbrojtjes së mjedisit janë:
            a) parandalimi dhe ulja e ndotjes së ujit, ajrit, tokës dhe ndotjeve të tjera të çdo lloji;
            b) ruajtja e shumëllojshmërisë biologjike sipas bazës natyrore,  biogjeografike të vendit;
            c) përdorimi  racional i burimeve natyrore e minerare  dhe shmangia e mbishfrytëzimit të tyre;
            ç) riaftësimi ekologjik i zonave të dëmtuara dhe të ndotura nga veprimtaria e njeriut dhe dukuritë natyrore shkatërruese;
            d) ruajtja e ekuilibrit ekologjik dhe përmirësimi i cilësisë së jetës.
 
Neni 6
 
Rregullimi me dispozita të veçanta
 
  Mbrojtja e ajrit, e burimeve natyrore dhe e pasurive minerare, e ujërave, e tokës dhe e pyjeve me ekosistemet përkatëse, e kullotave, e zonave të mbrojtura, administrimi i lëndëve dhe mbetjeve të rrezikshme, i mbetjeve të ngurta dhe të lëngëta, i zonës bregdetare dhe mjedisit detar, ruajtja e natyrës dhe biodiversitetit, rregullohen me ligje të veçanta.
 
 
KREU II
 
POLITIKAT MJEDISORE
 
Neni 7
 
Politika shtetërore për mjedisin
 
            1. Politika shtetërore për mbrojtjen e mjedisit synon zbatimin e kërkesave të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë për mjedisin. Në hartimin dhe zbatimin e saj angazhohen të gjitha organet shtetërore, secili në linjën e vet.
            2. Strategjia kombëtare, strategjitë e veçanta sektoriale ose për përbërës të mjedisit, planet kombëtare e vendore të veprimit për mjedisin, janë dokumentet e politikës shtetërore për mjedisin.
            3. Organet shtetërore të ngarkuara me ligj për administrimin e përbërësve të mjedisit në politikat sektoriale, kombëtare e vendore, si transport, energji, bujqësi, turizëm, industri, shërbime, rregullim territori e zhvillim ekonomik e shoqëror, në tërësi, sigurojnë harmonizimin e zhvillimit ekonomik e shoqëror me mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
 
Neni 8
 
Strategjitë dhe programet  mjedisore
 
1. Strategjia dhe plani kombëtar i veprimit për mjedisin dhe për përbërësit e tij miratohen me vendim të Këshillit te Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit. Strategjia për mbrojtjen e mjedisit hartohet për një periudhë të paktën dhjetëvjeçare.
            2. Në fund të çdo viti, Ministri i Mjedisit paraqet për shqyrtim në Këshillin e Ministrave raportin vjetor të zbatimit të strategjisë dhe të planit të veprimit për mjedisin.
 
Neni 9
 
Strategjitë sektoriale
 
            1. Strategjitë sektoriale dhe planet e veprimit me karakter kombëtar hartohen në përputhje me parimet dhe përparësitë e strategjisë kombëtare të mjedisit.
            2. Strategjitë, planet dhe programet për zhvillimin e ekonomisë dhe të degëve të saj  në nivel kombëtar, rajonal, qarku ose bashkie, sigurojnë integrimin e kërkesave të mbrojtjes së mjedisit,  në përputhje me strategjinë kombëtare të mjedisit.
            3. Miratimi i dokumenteve të pikave 1 dhe 2 të këtij neni bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse deklarata mjedisore është pozitive.
 
 
 
 
 
 
Neni 10
 
Planet vendore për mjedisin
 
            1. Organet e qeverisjes vendore hartojnë plane veprimi për mjedisin, në përputhje me përparësitë dhe kërkesat e strategjisë kombëtare të mjedisit.
            2. Ministritë e linjës ndihmojnë në hartimin dhe zbatimin e planeve vendore për mjedisin, duke paraqitur të dhënat e nevojshme dhe ekspertizën teknike.
            3. Në hartimin dhe miratimin e planeve dhe të programeve mjedisore, organet e qeverisjes vendore angazhojnë publikun dhe organizatat jofitimprurëse mjedisore dhe profesionale të biznesit.
            4. Kryetarët e bashkive, në fund të çdo viti, raportojnë në këshillin e qarkut  për zbatimin e planit vendor për mjedisin.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 


  Gjithsej 4 faqe: [1] 2 3 4 »
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.