Forumi Horizont
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shkrimtare te huaj (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=296)
-- Komedia hyjnore e Dantes dhe letërsia muslimane (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9122)


Postuar nga Isra datë 18 Gusht 2005 - 18:13:

Komedia hyjnore e Dantes dhe letërsia muslimane

Mesazhi: Ruhuni, o njerëz!

Çështjen e lidhjes së “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligerit me letërsinë muslimane e kanë komentuar disa studiues.
--------------------------------------------------------------------------------

Përmendim studiuesin francez E. Blochet në “Les Sources Orientales de la Divire Komedie”, 1901; profesorin italian G.Gabrieli, në “Intorno alle fonti Orientale della “Divina Kommedia” 1919, si dhe po ky autor në “”Dante e l’Oriente”, 1921.

Më shkoqur e ka argumentuar këtë lidhje profesori i Universitetit të Madridit, Miguel Asin Palucies, disa mendime të të cilit jepen nëpërmjet një shkrimi të vitit 1933 në “Zani i naltë”, nr.7.
Po, përpara të shohim se ç’thotë “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit.

Dante Aligeri çmohet prej kritikës së hershme e të vonë për idetë e tij morale si nga Perendimi, ashtu edhe nga Lindja. Shumë janë studiuesit dhe kritikët e tij, po vepra “Komedia” (më vonë e titulluan me përcaktorin hyjnore), edhe pse është komentuar në shumë anë, prap mbetet për të thënë.

Me këtë që po shënojmë, nuk pretendojmë të ndalojmë komentet, po të diskutojmë për një burim frymëzim të kësaj vepre madhore. Me të drejtë italianët Danten e kanë poet kombëtar dhe veprën “Komedia Hyjnore” poemë të shenjtë. Kjo se shenjtëria qëndron te besimi në botën pas vdekjes, në besnikërisë ndaj Perendisë dhe, se, pa këtë të fundit, nuk ka zhvillim shpirtëror të njeriut. Çështjen e besnikërisë e shtrin edhe në jetën shoqërore, ku pasqyron dënimet e shpërblimet e qëndrimeve të tipave të ndryshëm njerëzorë.

Gjithçka në bisedë me njerëz të vdekshëm, kuptohet bota e dalë nga udha e Zotit dhe mësimi për udhën e së vërtetës te Zoti. Dëshmia për Zotin, drejtësisë, mëshirës e dashurisë së tij për ata që vetë i ka krijuar, jepet nëpërmjet Ferrit dhe Parajsës. Përsosmëria artistike e shprehur në stilin e tij, të quajtur, tashmë, dantesk, si hijeshia e harmonia të dhënë me simetri poetike. Vetë Danteja simbolizon vizitorin dhe shpresën intime të njeriut të të gjitha kohërave.
Nga tokësori me gabime kalon në jetën e pasosur të shpirtit. Këto të gjitha i gjejmë tek “Komedia” e Dantes. Sikur të mendosh pak më thellë, duket se titulli, kuptimi i fjalës “komedi” nuk përkon me atë çka thuhet në vepër, pasi të gjitha këto personazhe që sheh, të gjitha bëmat në tri kantinat e veprës, Danteja nuk i jep për pët t’u argëtuar, po jepet një realitet i pamë me sy.

Ne si lexues askund nuk qeshim, sikur qeshim në një vepër komike, pra askund nuk shohim komedinë. Ndoshta quan komedi këtë botë, pra një pjesë të veprës, Ferrin, me tipat e të cilit ka vend për të qeshur me atë çka njerëzit kanë vepruar në këtë botë. Po më shumë leximi i veprës të bën për t’u dridhur.

Vepra sikur thërret: Ruhuni, o njerëz!

Studiues të ndryshëm lindorë, po edhe europianë, kanë dhënë idenë e mundësisë që Dante Aligeri të jetë mbështetur te tregimet e muslimanëve, të vjershëruara që në shek. IX.

Në ketë kohë, që nga shekulli i IX e në vazhdim, krijimet janë të shumta dhe mbështeten te udhëtimet e të dërguarve të Zotit në tokë (veçanërisht të Muhamedit (a.s), te udhëzimet e mesazhet që japin këta për njerëzit. Ndër evropianët veçohet studiuesi francez E. Blochet (Les Ssources Orientales de la Divire Comedie, 1901), Prof.G. Gabrieli, italian (Intornoalle alle fonti Orientale della Divina Commedia”, 1919 dhe “Dante e l’Oriente”, 1921).

Më gjatë e shkoqur ka shkruar prof. Miguel Asin Palucies, profesor në universitetin e Madridit, në dekadën e dytë të shek. XX, i cili provon të argumentojë se shumë pjesë të shpjegueshme e të pashpjegueshme të Komedisë Hyjnore e kanë çelësin te letërsia islame. Pikërisht për ketë tezë bën një përmbledhje në “Historia de la literatura Arabigo Espanjola”, kolegu i tij Prof.Genzales Palencia, më 1928.

Genzales Palencia, duke iu referuar veprës së Miguel Asin, jep paralelizma të letërsisë së hershme arabe me atë të “Komedisë Hyjnore”, duke i vënë të parat bazë, model për të dytën.

Si Danteja edhe tregimet arabe kanë në qendër përsosmërinë morale të njeriut në tokë. Në të dy rastet, duke përdorur shoqëruesit, shkëputjen e tyre e zevendësimin me të tjerë, moskalimi në shtresën a rrethin më të lartë, flasin për simbolizimin e jetës njerëzore, e cila s’mund të lumturohet pa besimin te Zoti (xh.sh.).

Një numër i madh skenash te Komedia Hyjnore përkojnë edhe me tregime të ndryshme të lerërsisë arabe, pasi numri i krijimeve të tilla në bazë të tregimeve pejgamberiane është i madh. Kështu, trupat qiellorë dhe rrathët engjëllorë, Danteja i ka siç i ka paraqitur Ibn-al-Arabi (1164-1240), në veprën “Futuhat”, katër volumshe e me skica e piktura të vendeve të përtejvarrit.

Shënojmë se ky autor është një ndër mistikët e shquar të botës arabe, i cilësuar si mistiku i Marcias, që ka dhënë figura të përsosura topografike sa edhe sot nuk gjendet asnjë gabim. Studiuesit na tregojnë edhe të tjera analogji të Komedisë së Dantes me përshkrues e poetë arabë. Kështu, sipas Asin, përshkrimet e Ibn Al-Arabiut, në Arafi Islamik duket se është tipi i Limbes së Dantes.

Më të qarta duken analogjitë e Xhehenemit me Ferrin, të Siratit me Purgatorin, ndërsa trëndafili mistik modelohet me pemën e lumturisë (Tubá). Tjetër, analogji është klasifikimi i banorëve dhe dënimeve. Si tiranët te Danteja në liqenin e Limbes (e Koçit), ashtu janë dënimet edhe në Araf. Tradhëtarët vuajnë dënimin, ashtu edhe në Zamharir te tregimet islame.
Atëhere mendojmë për lidhje mes tyre, apo imitim. Të ketë imituar Danteja tregimet e botës së përtejme të Islamit?

Sigurisht kjo nuk mund të thuhet prerazi. Po edhe nëse është kështu, kjo nuk ia ul vlerat veprës së Dantes, përkundrazi ia rrit vlerat, jo vetëm artistike e moralizuese, po edhe ato të mendjes kërkuese të tij. Ka studiues që e lidhin krijimtarinë e Dantes me mësuesin e tij Brunetto Latini, i cili kishte shkuar disa herë në Spanjë dhe kishte lidhje me mësuesit e Seviljes. Ketë njoftim e jep Asini duke e treguar se mësuesit e shkollës së Toledos i redaktuan dhe përkthyen disa libra të tij.

Sigurisht që vepra e Dantes “Komedia” është një origjinalitet i një mendjeje të mprehtë. Dhe mendja e mprehtë nuk bën dallime kulturash, përkundrazi. Po të kemi parasysh influencën e kulturës islame në ato kohë, s’mund ta përjashtojmë as mësuesin e Dantes, as vetë Danten të marrë sadopak nga ajo kulturë. Vetëm duhet thënë se Danteja e ngriti lart në art, me qartësi intelektuale nga rrëfenja për botën e përtejme në vepër të plotë artistike. Ai, në fakt, u flet njerëzve të tokës kudo që janë me mënyrat e sjelljes së tyre, me mësimet e besimit në Zotin, duke mos kursyer gjitha shkallët e hierarkisë shoqërore. Nuk kursen as Papën, as shërbëtorët e tjerë të besimit, kur ata shkelin në udhëzimet e Krijuesit. Një vepër që duhet lexuar e komentuar, se mëson atë që duhet të bëjë e të veprojë njeriu.

Danteja u mëshon më tepër personaliteteve historike, atyre që kanë patur në dorë të bëjnë diçka për së mbari, ashtu siç mëson Zoti, po nuk kanë bërë, veçse mëkate.

Mëkatarët më të mëdhenj janë ata që janë vënë në krye të fesë për drejtësi, po veprojnë ndryshe; ata që ka zgjedhur populli për t’i prirë për së mbari, por që sjellin mbrapështi, duke menduar vetëm për veten e tyre. Mesazhi është i qartë në gjithë veprën e Dantes:

Ruhuni, o njerëz! Kështu, pra, edhe pse kanë kaluar qindra vjet, vepra mbetet aktuale, së pari, se bazohet në tregimet fetare, të cilat mbartin drejtësi, së dyti u drejtohet gjithë njerëzimit duke dhënë shembuj konkretë. Pra, ruhuni, o njërëz!


 
Trego 1 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.