Forumi Horizont Gjithsej 16 faqe: « E parë ... « 5 6 7 8 9 10 11 12 13 [14] 15 16 »
Trego 16 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=256)
-- Te perndjekurit politike-Post Komunizmi... (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=4210)


Postuar nga AIR-FORCE-ONE datë 23 Shtator 2007 - 14:50:

Mehmet Shehu: Ja si duhet të pushkatojmë jashtë ligjeve në fuqi

U desh shpërthimi i një bombe në një legatë të huaj, dhe pikërisht në atë të ish-Bashkimit Sovjetik, që shteti komunist shqiptar i asaj kohe të shpërthente në një valë të egër spastrimesh. Viktimat e radhës ishin ata për të cilët mendoheshe se ishin kontingjent i politikës anti-staliniste e cila po aplikohej gjërësisht nga Partia e Punës.

Më shumë se 56 vjet mё parё, pikёrshit mbrёmjen e 19 shkurtit 1951, forca tё shumta policore, hetues e prokurorё mbёrritёn nё Legatёn Sovjetike të Tiranës, pas zhurmёs sё krijuar nga njё shpёrthim i fuqishёm nё brendёsi tё ambienteve tё saj. Dёmet nga ky shpërthim, pikërisht nё garazhdin e makinave tё Legatёs Sovjetike, nё rrugёn e Durrёsit, atje ku sot ndodhet Ministria e Arsimit, ishin tё papёrfillshme. Pёrveç disa xhamave tё thyer, nё pjesёn e pasme tё ndёrtesёs, ishte shtrembёruar edhe dera e jashtme e garazhdit, qepeni dhe shinat e saj. Vetёm kaq mjaftoi pёr ndёrmarrjen e kombinacioneve apo masave tё ashpra tё represionit ndaj kundёrshtarёve imagjinarё tё regjimit, mbёshtetur mbi tё dhёnat e Sigurimit tё Shtetit. Ngjarja u mor me shumё zell nga Tirana zyrtare. Menjëherë u mblodh plenumi i KQ dhe më 20 shkurt Byroja Politike e PPSH.
Shkelja e ligjeve
Mehmet Shehu, atëherë ministër i Brendshëm, bëri ekspozenë e kësaj ngjarjeje dhe theksoi se “kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”. Mehmet Shehu kërkoi masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi, meqenëse sipas tij “edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte”.
Përvoja nga vrasja e Bardhok Bibës
Me sa dukej, sa herë që e ndjente veten ngushtë, kupola komuniste e Partisë së Punës i shkelte me të dyja këmbët ligjet që kishte miratuar po vetë. Këtë e vërtetoj dhe fjalë e ish ministrit të Brendshëm të asaj kohe Mehmet Shehu, i cili vetëm dy vite më pas do të emërohej në krye të ekzekutivit. “Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, domethënë kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi”, citohet Mehmet Shehu nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të datës 20 shkurt 1951, vetëm pak orë nga shpërthimi i bombës enigmë në oborin e brendshëm të Legatës Sovjetike në Tiranë. Me të gjitha masat e konsideruara si të marra, ishin dakord jo vetëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike por dhe vetë Enver Hoxha, i cili ishte dakord me spastrimin që do të bëhej nëpërmjet levave të Ministrisë së Punëve të Brendëshme.
Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike
Seanca e mbrëmjes e datës 20 shkurt dhe mbeten vetëm anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror
SHOKU KOMANDANT. – Tani të shohim një propozim të Mehmetit në lidhje me masat që duhet të marrim për atë që na ngjau në Legatën Sovjetike
SHOKU MEHMET SHEHU. – Çështja qëndron këtu. Mbrëmë në orën 7 e 47 minuta nga rrugica që është mbrapa Legatës Sovjetike është hedhur një dinamit i mbështjellë në letër dhe i lidhur me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr dhe ka plasur e ka thyer derën, penxheret dhe ka bërë një zhurmë të fortë. Me një herë kanë vajtur forcat për ndjekje por nuk kanë gjetur gjë. Pastaj kanë rënë pas shenjave dhe kanë kapur disa njerëz që ishin atje. Dyshimet tona rreth kësaj ngjarje janë se mund të jenë vazhda e një procesi, po pavarësisht në se është ndonjë nga ata që mendojmë ne apo jo ne duhet ta zbulojmë pa tjetër burimin dhe njerëzit e këtij atentati. Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë por një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht qe ne të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, domethënë kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se këto masa që do të marrim duhet të jenë në një shkallë të tillë që elementi të përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kacaruho etj, sonte t i arrestojmë. Të arrestojmë rreth 200 ose 250 vetë nga të cilët nja 10 ose 15 prej tyre t i pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët, mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet terrorit t i përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni dhe ju dakord veprojmë që sonte. Qysh mbrëmë ne kemi marrë masa për rruajtjen e të gjithë njerëzve sovjetikë që ndodhen këtu si këshilltarë, profesorë duke ju vënë nga njerëzit tanë për ti shoqëruar. Pjesa kryesore e tyre do të armatosen, pastaj kemi menduar të vemi rroje edhe në të gjitha objektet ku punojnë e banojnë këta, rrotull këtyre do të bë bëjmë pastrimin që të heqim familjet e dyshimta si dhe njerëz të tjerë që punojnë afër tyre, pse kemi vënë re që janë futur tek ata njerëz të poshtër dy shoferë jo të mirë. Këto masa mendojmë t i marrim kudo ku ka sovjetikë që janë këtu rreth dyqind veta prej tyre. Do të marrim gjithashtu masa me këtë rast, pra dhe disa masa më të mira për mbrojtjen e legatave të demokracive popullore, të cilat sot për st kanë vetëm një rroje. Me gjithë se në këto masa do të bëhen edhe mjaft harxhime po ne do të bëjmë se janë masa të domosdoshme dhe duhet t i marrim.
TË GJITHË ANËTARËT E BYROSË. – (Një zëri) Të gjithë jemi dakord me këto masa.
SHOKU MEHMET SHEHU. – Do të ishte mirë që ne si byro politike ti bënim një telegram shokut Stalin ku t i tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe më mirë dhe ti premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundra armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë akoma më me ashpërsi.
TË GJITHË SHOKËT ANËTARË TË BYROSË POLITIKE. – (Aprovojnë edhe këtë propozim të dytë të shokut Mehmet Shehu).
SHOKU BEQIR BALLUKU. – Po për çështjen e atyre që do të pushkatojmë ne duhet të gjejmë edhe një motivacion.
SHOKU MEHMET SHEHU. – Këtë gjë e lidhim me atë që donin të bënin në 8 shkurt.
SHOKU KOMANDANT. – Motivacioni të mos thuhet për atentat.
SHOKU MEHMET SHEHU. – Për këtë gjë duhet të flitet pak edhe me gjykatën dhe prokurorinë ushtarake.
(Mbyllet seanca e datës 20.2.1951)
Gjykimi rekord
Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të datës 20 shkurt 1951, shihet qartësisht se vendimi u mor në Byronë Politike, dhe në këtë rast kemi të bëjmë me një masakër politike të bërë me vendim partiak. E vetmja gjë që u bë nga Sigurimi i Shtetit kishte të bënte me përzgjedhjen e personave që do të pushkatoheshin apo burgoseshin. Nga listat e përgatitura me kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u zgjodhën dhe u shënuan me kryq ata të cilët cilësoheshin“më të rrezikshmit” për momentin. Arrestimi, akuza dhe gjykimi u bë në një kohë rekord, ndërsa pushkatimi i 22 personave u krye më datë 26 shkurtit 1951, pra vetëm një javë nga dita e shpërdhimit të bombës në oborrin e Legatës Sovjetike.
Përgjunja shtetërore
Nuk ishte rasti i parë dhe as i fundit kur qeverisë shqiptare i duhej të servilosej përpara një fuqie të mëdha. Por në rastin konkret, përgjunja bëhej ndaj Bashkimit Sovjetik. Përveç shprehjes: “Qysh mbrëmë ne kemi marrë masa për rruajtjen e të gjithë njerëzve sovjetikë që ndodhen këtu si këshilltarë, profesorë duke ju vënë nga njerëzit tanë për t i shoqëruar”, që në fund të fundit ishte një detyrim i shtetit shqiptar, ajo që të bën më shumë përshtypje janë fjalët e tjera të shqiptuara nga Ministri i Brendshëm Mehmet Shehu: “Do të ishte mirë që ne si byro politike ti bënim një telegram shokut Stalin ku t i tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe më mirë dhe ti premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundra armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë akoma më me ashpërsi”. Të gjitha këto tregonin se në fund të fundit epoka e miqësisë me Jugosllavet kishte përfunduar, dhe miqësia me sovjetikët po konsolidohej gjithnjë e më shumë.


  Gjithsej 16 faqe: « E parë ... « 5 6 7 8 9 10 11 12 13 [14] 15 16 »
Trego 16 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.