Forumi Horizont | Gjithsej 16 faqe: « E parë ... « 7 8 9 10 11 12 13 14 15 [16] Trego 16 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=256)
-- Te perndjekurit politike-Post Komunizmi... (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=4210)
për herë të parë një letër e Pjeter Arbnorit shkruar në Burgun e Burrelit
Veprat e veta i shkroi që nga qelitë e burgut. Në fshehtësi, futur mes kapakut të trashë të veprave politike të Enver Hoxhës, i dërgonte te familjarët e tij bashkë me letrat që i shkruante në ato ditë... Sot disa prej këtyre letrave zbulohen për të parën herë dhe rrëfejnë Pjetër Arbnorin në vitet e rinisë së tij.
Nuk bëhet fjalë për ndonjë vepër të botuar (megjithëse edhe kjo është në plan), por për një pjesë të intimitetit të Arbnorit, besuar Muzeut të Artit dhe Personaliteteve të ideuar nga Novruz Shehu.
Pikërisht dy letra të Arbnorit bashkë me një stilograf të tijin atij i janë dhuruar nga gruaja e Pjetrit, Suzana, dhe motra e tij, mikeshë e Musine Kokalarit, që ashtu si vëllai kaloi vite të tëra në burgjet e komunizmit. Por nuk janë vetëm letrat, “pasuria” që ruhet me dashuri nga gruaja e tij. Një ditar i Pjetrit, që i ngjason më së shumti një libri folklori, është pjesë e koleksionit. Vetëm se një ditar jo i thjeshtë, por “i koduar”, i cili fatkeqësisht është “dënuar” të qëndrojë në memecërinë e vet pa u deshifruar, pasi vetë Pjetrit i kishin humbur kodet për ta lexuar atë. “Megjithëse ai shkoi në Francë për të deshifruar këtë ditar, ngeli në memecërinë e përjetshme, vetëm duke dëshmuar se dikur ishte shkruar në burgjet e Spaçit dhe Burrelit”, - nënvizon Shehu sipas të dhënave të mbledhura nga familjarët e tij. Me vlerë është edhe korrespodenca e Arbnorit me personalitete të letërsisë dhe politikës botërore, që shumë lehtësisht mund të bëhet pjesë e veprës së plotë të tij, ende të pabotuar.
Për herë të parë ne po botojmë një letër të tij shkruar në burgun e Burrelit në fillim të vitit 1973...
Burrel 1.2. 1973
Shumë e dashuna Nanë Netë e Margeritë,
Me keqardhje të madhe mësova lajmin për sëmundjen e randë të hallës. Ka ditë që ma ndiente zemra këtë të keqe, sepse asnjiherë s’kishte ndodhë mos me dërgue halla urime për Vit të Ri. Edhe kësaj rradhe isha i sigurtë se s’e ka lënë prej harresës ose prej pritesës, por ndonji e keqe e madhe do ta kishte pengue.
Sado plak me qenë njeriu yt, ai të dhimet njilloj si me qenë në mushën ma të mirë, sidomos kur e ke dashur e të ka dashë. E unë prej hallës kam kujtime shumë të mira. Ju e dini se si i kemi pasë marrëdhaniet me ta në fillim.
Kishim nji ftohtësi që e kishin krijue rrethanat: jeta larg tyne, vdekja e babës, qëndrimi i tyne mënjanë kur ishim në vështirësitë e mëdha etj, etj. Afëria jonë me ta kishte përfundue te nji vizitë në vit a në gjashtë muej që shkëmbenim sa për njerëzi. Në këto rrethana jeta e solli që unë të largohem nga Shkodra e të kërkoj punë e jetesë në Durrës. Nuk e besoni se sa të randë e kam pasë në fillim me shkue te halla. Më dukej njilloj si me i zanë derën nji njeriu të largët. Doemos ma me qef do të kisha dashë me banue në hotel po të kisha të holla. Vitin e parë shkoja të shtunave e të dielave. Sa me u la e me u shlodhë. Mundohesha me i bezdisë sa ma pak, me ndejë sa ma pak, me ua diftue hallet vetëm kur s’kisha rrugë tjetër. Po tue kalue koha e tue u ngrohë zemra. Halla e Simoni, ç’asht e drejta, nuk më pritën aspak keq. Po njeriut nuk i mjafton kjo. Unë kisha nevojë për dashuninë e nanës e të motrave të cilat i kasha larg e i shifja krye disa muejsh. Dalëngadalë halla erdh tue m’u ba si nanë e dytë: më lante, më shpërlante, më gatuente, më flitte fjalë të mira, kjante halle me mue. Gjatë pesë vjetëve s’mbaj mend që të kemi shkëmbye asnjiherë qoftë edhe nji fjalë të keqe, s’di të më ketë ndejë nji herë me hundë, të më ketë dhanë me kuptue se po i randohem. Edhe Simoni më ka dashtë njilloj e nuk ma ka prishë zemrën asnjiherë. Vetëm se atij i mbette pak hatri se nuk çohesha heret në mëngjes për me thanë uratë me ta. Të dielave ajo më hekuroste rrobat e mundohej me më qitë sa ma mirë, me ato që kisha.
Sidomos në kohën e studimeve për universitet ajo më ka ndejë vazhdimisht te kryet. Rrinte deri në mesnatë me mue, kur më zente gjumi më shkundte lehtë e më jepte lapsën në dorë e më thonte: Çou, laj faqet e freskou nji herë se ke provimin mbasnesër e s’duhet të na koritësh. Kur kthehesha prej Tirane më pritte në balkon e i qeshte fytyra, kur e shifte se jam i gëzuem. E unë hapsha pesë gishtat prej larg për me i diftue se kasha marrë notën ”shumë mirë”. Kur e pau se çdo gjashtë muej po jepsha nga një vit të universitetit, nisi të shqetësohej për shëndetin tim e mundohej me më ushqye sa ma mirë. Po në anën tjetër edhe krenohej me mue. Kur mbas dy vjetësh e gjysë i diftova diplomën me shënimin “shkëlqyeshëm” më përqafoi me lotë në sy e atë drekë më bani nji ambëlsinë. Kuptohet që edhe unë kam qenë i rregullt ndaj saj dhe Simonit. Sa herë që u jepsha të hollat e muejit dhe nisshe të tjerat për ju, halla më pyette: “A të teproi gja?” E unë gjithmonë i përgjigjesha: kam, kam.
Të gjitha këto më kujtohen tashti që mora vesh për sëmundjen e saj dhe dhimja që ndiej asht shumë e madhe. Po gëzohem shumë që nuk paska qenë as kancer as cerozë hepatike e sa për verdhëzën atë do ta kalojë se ka fizikun e fortë. Keni ba shumë mirë që keni shkue në Durrës me e pa. Unë i kam dërgue nji kartolinë e besoj se e ka marrë tashti.
Me shëndet jam mirë, Të gjitha letrat tuaja i kam marrë. Qymyr kam deri në fund të marsit prandaj mos bini këtë rradhë, po rradhën tjetër. Edhe sakë kam mjaft. Vojin e peshkut do ta pi, veç kam frikë mos ngrohet koha derisa ta nisi vetë. Madje ju shënova në nji kartelë që të ma nisni me postë, po s’di a e keni marrë. Në prufshi lakna, ma bini nji gjysë kile mish thiu të njomë. Këndej nga na ka ba të ftohtë i vazhdueshëm, të premë e acar, por pa erë. Moti ka mbajtë i mirë. Tashti janë tue na rregullue nji dhomë ku me hangër bukë e në të ardhshmen na kanë thanë se do të shqyrtojnë furnizimin tonë me qymyr briket, me pagesë ose pa pagesë, si të vendoset. Do të ishte mirë shumë se do të shpëtojshi prej thesit të qymyrit që barni gjithnji. Tezes Lizë s’ka pse i mbetë hatri pse s’ja kam përmendë emnin në kartolinë. Hatri duhet të na mbesë ne prej saj. Kam nji pardesy të bukur për Netën, ishalla po i bjen e po i pëlqen. Më vjen keq që s’e paska marrë kartolinën Margerita. Ishte nji pamje shumë e bukur familjare. Florën e vogël e puth. Ju përqafoj të gjithëve.
Hallës shumë të fala. Të fala edhe Mihalit familjarisht.
Jueji Pjetri
Gjithsej 16 faqe: « E parë ... « 7 8 9 10 11 12 13 14 15 [16] Trego 16 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.