Forumi Horizont | Gjithsej 7 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 » Trego 7 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shkrimtare te huaj (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=296)
-- Guillaume Musso (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=11428)
Prologu i "Dhe pastaj..."
Dhe pastaj...
Prolog
Ishulli Nantucket
Massachusetts
Vjeshtë 1972
Liqeni shtrihej në lindje të ishullit, prapa ujërave të moçalta plot me kallamishte. Bënte kohë e butë.
Pas disa ditësh të ftohta, koha ishte zbutur dhe sipërfaqja e ujit dërgonte ngjyra vezulluese të verës indiane.
- Hej, eja shiko këtu !
Djali i vogël iu afrua bregut dhe shikoi në drejtimin e treguar nga shoqja e tij. Një zog i madh notonte në mesin e gjetheve. Puplat e bardha, sqepi i zi sterrë dhe qafa e tij e tejzgjatur i jepnin atij një pamje mahnitëse.
Një mjellmë.
Ndërsa ai nuk ishte më veçse disa metra larg fëmijëve, zogu zhyti kokën dhe qafën në ujë. Pastaj ai i nxori ato sipër ujit dhe lëshoi një klithmë të gjatë, të ëmbël dhe melodioze, që nuk ngjasonte aspak me blegërimat e mjellmave me sqep të verdhë që shërbejnë për zbukurim në kopshtet publike.
- Do të shkoj ta përkëdhel !
Vajza e vogël u afrua fare pranë ujit dhe zgjati dorën. I frikësuar, zogu shpalosi krahët e tij me një lëvizje kaq të beftë saqë vajza e vogël humbi ekuilibrin dhe ra në ujë. Një rënie e rëndë ndërsa mjellma merrte fluturimin e saj me një rrahje të mundimshme krahësh.
Përnjëherë, vajzës së vogël iu pre fryma nga të ftohtit, njëlloj sikur një morsetë të shtrëngonte gjoksin e saj. Për moshën që kishte, ajo ishte një notare e mirë. Në plazh i arrinte nganjëherë të bënte qindra metra not bretkosë. Por ujërat e liqenit ishin të akullta, dhe bregu i vështirë për tu kapur. Ajo i rrihte krahët me forcë dhe u tmerrua pastaj kur pa që nuk do t’ia arrinte të ngjitej në cep. Ajo ndjehej e vockël, e gëlltitur e tëra nga ky lëng që shtrihej aq i gjerë.
Kur ai e pa shoqen e vet në vështirësi, djali nuk nguroi : hoqi këpucët dhe u zhyt me rroba.
- Mbahu tek unë, mos ki frikë.
Ajo u kap pas tij dhe, me aq sa mundën, ato arritën deri tek bregu. Kokën nën ujë, ai e ngriti atë me të gjitha forcat e veta dhe, falë ndihmës së tij, ajo ia doli më në fund të ngjitej lart mbi anën e bregut.
Në çastin kur do të ngjitej për vete, ai e ndjeu veten të dobët, njëlloj sikur dy krahë të fuqishëm ta tërhiqnin drejt fundit të liqenit. Atij iu mor fryma ; zemra filloi t’i rrihte me shpejtësi ndërsa një ngjeshje e padurueshme i shtypte trurin.
Ai bëri përpjekje derisa e ndjeu që mushkëritë e tij po mbusheshin me ujë. Pastaj, duke mos mundur më, ai u dorëzua dhe filloi të zhytej në thellësi. Daullet e veshit iu çanë dhe gjithçka u bë e zezë rreth tij. I mbështjellur nga terret, ai e kuptoi nëpër mjegull që ky ishte padyshim fundi.
Sepse nuk kishte më asgjë. Asgjë përveç këtij terri të ftohtë dhe të frikshëm.
Terr.
Terr.
Pastaj, befas…
Një dritë.
_____
Përkthyer nga frëngjishtja:
Urim Nerguti
Gjithsej 7 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 » Trego 7 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.