Forumi Horizont Gjithsej 4 faqe: « 1 [2] 3 4 »
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Legjislacione dhe konventat ndërkombëtare mbi mjedisin. (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=366)
-- Ligji per Mbrojtjen e Mjedisit Nr.8934, dt5.9.2002 (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=14580)


Postuar nga Tulipani datë 26 Shtator 2007 - 20:18:

KREU III
 
PËRDORIMI DHE MBROJTJA E PËRBËRËSVE TË MJEDISIT
 
Neni 11
 
Mbrojtja e barabartë
 
Përbërësit e mjedisit mbrohen dhe ruhen veçmas, si dhe të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, në ndërveprimin dhe integritetin e tyre. Mbrojtja e përbërësve të mjedisit përfshin mbrojtjen e barabartë të cilësisë,  sasisë,  burimeve të secilit dhe të përpjesëtimeve ndërmjet tyre.
 
Neni 12
 
Mbrojtja e tokës
           
            1. Mbrojtja e tokës siguron mbrojtjen e funksioneve të saj natyrore në mënyrë të qëndrueshme. Ajo përfshin sipërfaqen dhe shtresën nënsipërfaqësore, dheun, shkëmbinjtë dhe mineralet, format natyrore ose kalimtare, pjellorinë dhe strukturën e tokës, bilancin ujor,  si dhe florën dhe faunën tokësore.
            2. Përdorimi i tokës për qëllime bujqësore, blegtorale, për akuakulturë, për transport mbi dhe nëntokësor, shfrytëzimi i pasurive minerare  dhe rezervave natyrore të saj, si dhe çdo veprimtari e instaluar në të, janë të detyruara të mos ndotin tokën mbi normat e lejuara, të mos shkaktojnë ndryshime të dëmshme në sasinë e cilësinë e saj dhe në ekosistemet e lidhura me të.
            3. Depozitimi i lëndëve dhe mbeturinave në tokë kryhet në mënyrë të tillë që të shmangë ndotjen dhe dëmtimin e saj.
            4. Personi fizik dhe juridik që ka përdorur tokën, pas përfundimit të veprimtarisë, është i detyruar ta sjellë atë në gjendjen e mëparshme.
 
 
 
 
 
Neni 13
 
Mbrojtja e shtresës së humusit
 
  1. Shtresa e humusit vendoset në mbrojtje të veçantë.
            2. Ministri i Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit përcaktojnë kriteret, rregullat dhe masat për mbrojtjen e shtresës së humusit.
 
Neni 14
 
Mbrojtja e ujit
 
            1. Mbrojtja e ujit përfshin ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, burimet e tyre, sasinë dhe cilësinë, shtretërit  dhe brigjet e ujërave sipërfaqësore dhe formimet akuifere.
            2. Mbrojtja e ujit siguron parandalimin e dëmtimit të cilësisë së ujërave sipërfaqësore dhe tejkalimin e normave respektive të cilësisë, përmirësimin e cilësisë së ujërave sipërfaqësore të ndotura dhe arritjen e objektivave për cilësinë e ujit, parandalimin e shkatërrimit të cilësisë së ujërave nëntokësore, rehabilitimin e ujërave nëntokësore të ndotura, përmirësimin e bilancit ndërmjet shkallës së ekstraktimit dhe ripërtëritjes natyrore të ujërave nëntokësore, mbrojtjen e florës dhe faunës ujore.
 
Neni 15
 
Kriteret mjedisore për përdorimin e burimeve ujore
 
  Kriteret kryesore mjedisore për përdorimin e burimeve ujore janë:
  1. Shpejtësia e rrjedhjes natyrore, drejtimi i rrjedhjes, qarkullimi, shtrati dhe brigjet e ujërave ndryshohen vetëm duke mbajtur raporte të përshtatshme të biocenozës ujore dhe duke siguruar kushtet për funksionimin e saj.
            2. Veprimtaritë që kanë të bëjnë me përdorimin e ujit, veçanërisht me përdorimin në vepra hidraulike dhe hidroteknike, sigurojnë që ujërat:
            a) të mbeten një faktor peizazhformues, të mos shkaktojnë   asnjë rënie të tyre dhe të ruajnë ekosistemet ujore;
            b) të jenë në gjendje të rrisin faunën dhe florën ujore dhe tokësore dhe të  mbrojnë speciet e rralla;
            c) të sigurojnë, nga pikëpamja sasiore dhe cilësore, kushte për të  mundësuar përdorimin e tyre të mëtejshëm.
            3. Për burimet natyrore që furnizojnë sistemet e ujit të pijshëm, për ujërat që përdoren në industrinë ushqimore, për ujërat minerale  dhe mjekësore, për ujërat që janë të rëndësishme për ruajtjen e natyrës, si dhe për ujëra të caktuara për çlodhje, sporte dhe përdorime mjekësore kurative, sigurohet mbrojtje e veçantë. Ministri i Mjedisit, në bashkëpunime të veçanta me Ministrin e Shëndetësisë, me Ministrin e Industrisë dhe Energjetikës, me Ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit, me Ministrin e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, miraton kriteret për kategorizimet e mësipërme të ujërave, si dhe përcakton rregullat, procedurat dhe masat e përdorimit dhe të mbrojtjes së tyre mjedisore.
            4. Përdorimi i ujërave, shkarkimet në ujëra, si dhe shkarkimi i ujërave të përdorura, të përpunuara ose jo, bëhen në mënyrë të tillë që të mos rrezikojnë kushtet e proceseve natyrore dhe ripërtëritjen sasiore e cilësore të tyre.
            5. Tërheqja e ujit, kthimi i tij në ujërat mëmë dhe transferimi ndërbasenal, të mos cenojnë rezervat, të mos ndryshojnë në mënyrë të pafavorshme cilësinë dhe pasuritë biologjike të burimit ujor e të mjedisit pritës,  si dhe të mos rrezikojnë vetëpastrimin e ujit.
            6. Veprimtaritë industriale, që shkarkojnë ujëra të përdorura, të parashikojnë gjatë projektimit dhe të ndërtojnë para fillimit nga puna, stacione të trajtimit të ujërave të ndotura.
 
Neni 16
 
Mbrojtja e ajrit
 
            1. Mbrojtja e ajrit përfshin atmosferën, proceset, përbërjen e saj dhe klimën. Mbrojtja mjedisore e ajrit rregullohet me ligj të veçantë.
            2. Mbrojtja e ajrit siguron mbrojtjen e shëndetit të njeriut, të kafshëve  dhe të bimëve, bashkësive dhe habitateve të tyre, vlerat, natyrore dhe kulturore, nga ndikimet negative të ajrit të ndotur; parandalimin e dëmtimit dhe kërcënimit të shoqërisë nga cilësia e përkeqësuar e ajrit atmosferik, nga pakësimi i shtresës së ozonit dhe nga ndryshimet klimatike që rrjedhin nga veprimtaritë njerëzore; mbrojtjen e cilësisë së ajrit atmosferik në zonat ku nuk është dëmtuar dhe përmirësimin e tij në zonat e tjera.
 
Neni 17
 
Pajisjet ozonholluese
 
1. Importimi dhe prodhimi i pajisjeve që përdorin lëndë ozonholluese është i ndaluar.
2. Lista e pajisjeve që ndalohen të prodhohen e të importohen, sepse përdorin lëndë ozonholluese, si dhe rregullat e procedurat e zëvendësimit të lëndëve ozonholluese në pajisjet ekzistuese, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin  e Ministrit të Mjedisit.
 
Neni 18
 
Mbrojtja e biodiversitetit
 
            1. Mbrojtja e biodiversitetit përfshin të gjithë organizmat e gjallë, biocenozat dhe habitatet e tyre.
2. Flora dhe fauna mund të përdoren vetëm nëse nuk dëmtohen proceset natyrore, kushtet e biocenozës dhe biodiversitetit, si dhe nuk rrezikohen funksionet e tyre për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të popullatave në mjedisin e tyre natyror.
 
Neni 19
 
Mbrojtja e mjedisit të ndërtuar nga njeriu
 
            1. Mbrojtja e mjedisit të ndërtuar nga njeriu përfshin qendrat e banimit, ndërtimet individuale dhe strukturat tekniko-inxhinierike, monumentet historike e kulturore, zonat turistike, sipërfaqet e gjelbra dhe pyjore brenda dhe rreth qendrave të banimit.
2. Mjedisi i ndërtuar nga njeriu mbështetet në plane kombëtare, rajonale e vendore zhvillimi, që sigurojnë mbrojtjen e mjedisit, vlerat turistike, historike dhe kulturore, kapacitetet mbajtëse nga pikëpamja mjedisore dhe funksionet e synimet për të cilat ndërtohen.
 
Neni 20
 
Administrimi i mbetjeve
 
Administrimi i mbetjeve synon parandalimin dhe kufizimin e ndikimeve të tyre të dëmshme në shëndetin e njeriut dhe në mjedis. Administrimi i mbetjeve  synon :
1. Parandalimin e krijimit të mbetjeve dhe trajtimin e tyre, duke përdorur teknika e teknologji të përparuara që sigurojnë:
a) përdorimin e qëndrueshëm të burimeve;
b) prodhimin e produkteve, që nuk rrezikojnë me mbetje dhe ndotje;
c) depozitimin përfundimtar të përshtatshëm të lëndëve të rrezikshme, që ndodhen në mbetje, si dhe mundësitë për  riciklimin e përpunimin e tyre.
2. Riciklimin, ripërdorimin ose rigjenerimin e mbetjeve në procese të tjera.
 
Neni 21
 
Detyrimet e personave fizikë dhe juridikë për mbetjet
 
Personat fizikë dhe juridikë, veprimtaritë e të cilëve krijojnë ose përpunojnë mbetje, detyrohen të përdorin teknika dhe procese, që nuk paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut, për ujërat, ajrin, tokën, bimët dhe kafshët, që nuk shkaktojnë zhurma, ndotje shtesë ose erë të keqe dhe që nuk dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme natyrën ose qëllimin e veçantë të zonës ku veprojnë.
 
Neni 22
 
Importimi i lëndëve dhe mbetjeve të rrezikshme
 
1. Në Republikën e Shqipërisë ndalohet importimi i lëndëve dhe i mbetjeve të rrezikshme, i mbetjeve dhe mbeturinave të tjera, me qëllim ruajtjeje, depozitimi ose asgjësimi.
2. Lista e lëndëve  dhe e mbetjeve të rrezikshme, e mbetjeve dhe mbeturinave të tjera, për të cilat ndalohet importimi sipas pikës 1 të këtij neni, miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit.
3. Importimi i çdo lloj mbetjeje me qëllim përdorimi, përpunimi e riciklimi bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas rregullave, procedurave, sasive dhe afateve të miratuara prej tij, me propozimin e Ministrit të Mjedisit.
 
Neni 23
 
Transportimi tranzit
 
Transportimi tranzit i mbetjeve dhe i lëndëve të rrezikshme përmes territorit dhe ujërave territoriale e të brendshme të Republikës së Shqipërisë, lejohet vetëm nëse parashikohet në një akt ndërkombëtar, ku Republika e Shqipërisë është palë. Në këto raste, transportimi tranzit bëhet me leje të Këshillit të Ministrave, në përputhje me rregullat e sigurimit të miratuara prej tij dhe të propozuara nga Ministri i Mjedisit, në bashkëpunim me ministrat përkatës, sipas llojit të lëndëve dhe mbetjeve të rrezikshme.
 
Neni 24
 
Lëndët e rrezikshme
 
Prodhimi, përdorimi, ruajtja, transportimi i lëndëve të rrezikshme, si dhe administrimi i teknologjive të rrezikshme rregullohen me ligj të veçantë.
 
 


  Gjithsej 4 faqe: « 1 [2] 3 4 »
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.