Forumi Horizont | Gjithsej 29 faqe: « E parë ... « 20 21 22 23 24 25 26 27 28 [29] Trego 29 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Ceshtja kosovare dhe me gjere (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=162)
-- Kosova e Pavarur! Si e presin Shqiptaret e Kosoves dhe ata te Shqiperise kete...? (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=13881)
Shkrimtari i njohur Ismail Kadare flet për situatën në Shqipëri dhe çështjen e fesë
Zoti Kadare, Kosova ndodhet sot më pranë se kurrë më parë, realizimit të aspiratës së saj për pavarësi. Bashkimi Evropian, ndonëse jo i unifikuar, si dhe Shtetet e Bashkuara, janë shprehur në favor të njohjes së pavarësisë. Por, ndonëse vëmendja sot është përqendruar tek zhvillimet e ditës, duket se sfida më e madhe për Kosovën do të jetë periudha që do të pasojë. Si e shikoni ju mbarë këtë proces?
Natyrisht, që problemi i Kosovës po shkon drejt zgjidhjes përfundimtare. Duhet të jetë njeriu i verbër, që mos e shikojë këtë gjë, ose që mos jetë normal që mos e kuptojë. Problemi i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë problem administrativ, politik, fetar, e aq më pak, çështje sentimentale, siç është paraqitur disa here. Ai ka qenë problem i madh i lirisë; liria është problemi numër një i çdo populli dhe problemi i Kosovës, mund të trajtohet edhe vetëm si i tillë, pra si problem vetëm i lirisë; dhe ai u trajtua si i tillë. Kur Evropa Atlantike, e nxitur nga shqiptarët e Kosovës vendosi t'i ndihmonte ata, ajo nderoi vlerat e saj dhe nderoi në radhë të parë, konceptin e lirisë. Zgjatja që ndodhi, ishte një fare tërheqjeje. Ne e kemi përjetuar në sytë tonë këtë, nën një presion të madh të propagandës serbe dhe pastaj asaj ruse, u bë një përpjekje për simetrizim të krimit, dmth, për një ngatërrese, një mjegullim midis xhelatëve dhe viktimave, për të paraqitur Serbinë si viktimë, për të zgjuar keqardhje për të, për të harruar çka ndodhur. Unë jam një europianist i vendosur, dhe gjithmonë kam theksuar dhe theksoj që mirënjohja shqiptare për Evropën Atlantike, për Evropën, për Shtetet e Bashkuar, duhet të jetë në jetë të jetëve, do të jetë e pandryshueshme; por kjo s'do të thotë aspak, që ne, të mos themi mendimin tone, kur ka gjëra, kur ne nuk jemi dakord me qëndrimet që mbahen.
Në qoftë se do të kihen parasysh për shembull, e vërteta, çka ndodhur në Kosovë, në qoftë se do t'i bëheshin të njohura botës krimet që kanë ndodhur atje, masakrat, shpërnguljet e shqiptarëve, vrasjet e foshnjeve dhe sidomos një krim i madh, për të cilin është folur shumë pak, ose nuk flitet ende, përdhunimi në masë i grave dhe i vajzave të reja në Kosovë, vizioni për atë që ka ndodhur do të ishte shumë më i qartë dhe zgjidhja do të kishte qenë, për mendimin tim, më e shpejtë. Këto nuk i them aspak për revansh, askush nga ne nuk i thotë për revansh, përkundrazi, i them, meqë problemi zgjidhet vërtet në rrënjët e tij, në thellësinë e tij, që të mos ketë dilema më, se dilemat janë shumë të këqija, kur ka probleme të tilla madhore; unë jam për atë, që sytë t'i mbajmë nga e ardhmja, në kërkim të paqes, të mirëkuptimit me popujt fqinj, duke përfshirë, natyrisht edhe popullin serb; por kjo nuk mund të ndodhi me anë të harresës. Populli shqiptar nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë, sepse kështu mund të trajtohet vetëm një popull i dorës së dytë. Për të ardhur tek pyetja juaj, tek sfidat më të mëdha që do të ketë Kosova. Kosova, është, do të jetë dhe ka marrë dhe po merr qysh tani, konturet e një zone shqiptare, evropiane, me të gjitha standardet humaniste të kontinentit evropian. Ai është dhe do të jetë atdhe i të gjithë njerëzve që banojnë dhe jetojnë në të, duke zbatuar të gjitha standardet më të larta në këto norma që ka arritur njerëzimi dhe qytetërimi. Në qoftë se thuhet dy shtete shqiptarë në Ballkan, nganjëherë kjo është një pyetje që zgjon pak habi. Si do të ekzistojnë dy shtete shqiptare në Ballkan? Natyrisht, që nuk është një zgjidhje e shkëlqyeshme, por natyrisht, që është një zgjidhje kompromisi, e vetmja që ngelet tani për tani.
Dhe çfarë marrëdhëniesh mendoni që do të kenë mes tyre këto dy shtete, ai i Kosovës dhe ai i Shqipërisë?
Unë them se këto do të kenë marrëdhënie krejtësisht të veçanta, dmth nuk them se do të kenë marrëdhënie si dy fqinj, këto janë më tepër se dy fqinjë. Këto janë dy shtete, që kanë një lidhje të brendshme, një lidhje tektonike të brendshme, sepse janë dy shtete të përbëra nga i njëjti komb, sepse janë një komb i ndarë në dy shtete; prandaj dhe do të kenë marrëdhënie korrekte, në radhë të parë, marrëdhënie të standardeve të larta demokratike, evropiane, dhe marrëdhënie siç ka një pjesë e një kombi, me pjesën tjetër të një kombi, njëkohësisht. Nuk mund të konceptohet ndryshe kjo gjë...
Gjithsej 29 faqe: « E parë ... « 20 21 22 23 24 25 26 27 28 [29] Trego 29 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.