Forumi Horizont Gjithsej 4 faqe: « 1 2 3 [4]
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Legjislacione dhe konventat ndërkombëtare mbi mjedisin. (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=366)
-- Ligji per Mbrojtjen e Mjedisit Nr.8934, dt5.9.2002 (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=14580)


Postuar nga Tulipani datë 26 Shtator 2007 - 20:22:

Neni 58
 
Regjistrat e ndotësve
 
1. Ministria e Mjedisit harton regjistrin kombëtar për shkarkimet në mjedis, për çlirimet dhe transferimet e ndotësve në mjedis, për përdorimin e ujit, të energjisë elektrike dhe burimeve natyrore e minerare.
2. Regjistri kombëtar hartohet në mbështetje të raportimit të rregullt nga personat fizikë e juridikë, nga organet e caktuara për grumbullimin dhe prodhimin e të dhënave mjedisore.
3. Regjistri kombëtar administrohet nga Ministria e Mjedisit dhe është i hapur për publikun.
4. Të dhënat e regjistrit kombëtar paraqiten në formën që siguron identifikimin e kontributeve të shkarkimeve, të çlirimeve dhe të transferimeve në mjedis, për çdo instalim e ndotës, vendndodhjen dhe vendmbërritjen e tyre në ajër, ujë e tokë.
5. Forma, përmbajtja, afatet dhe mënyra e plotësimit, organi që e administron dhe rregullat e përdorimit e të bërjes publike të tij përcaktohen me urdhër të Ministrit të Mjedisit.
6. Personat fizikë e juridikë shënojnë rregullisht të dhënat në regjistra të veçantë, të miratuar nga Ministria e Mjedisit. Në mbështetje të këtyre regjistrimeve, ata raportojnë në agjencitë rajonale të mjedisit dhe i botojnë të dhënat mjedisore çdo 3 muaj.
 
KREU  VIII
 
KONTROLLI MJEDISOR
 
Neni 59
 
Kontrolli për gjendjen e mjedisit
 
1. Kontrolli për gjendjen e mjedisit qëndron në mbikëqyrjen e elementeve dhe të faktorëve natyrorë e njerëzorë të mjedisit, në vëzhgimin dhe regjistrimin e ndryshimeve të tyre dhe në mbikëqyrjen e burimeve e të shkaqeve të këtyre ndryshimeve.
2. Të dhënat e mbledhura nga kontrolli shërbejnë për verifikimin e zbatimit të legjislacionit mjedisor, për të prodhuar të dhëna për gjendjen e mjedisit, për rishikimin ose heqjen e lejeve të mjedisit dhe për marrjen e masave të përcaktuara në këtë ligj.
3. Kontrolli ushtrohet në mënyrë të përhershme e të vazhdueshme, të përsëritshme, në përputhje me parametrat, burimet dhe shkaqet e ndotjes ose të dëmtimit të mjedisit.
 
Neni 60
 
Organet që ushtrojnë kontroll për mjedisin
 
1. Kontrolli për gjendjen e mjedisit është detyrë e Inspektoratit të Mjedisit, e punonjësve të caktuar nga Ministri i Mjedisit dhe e agjencive rajonale të mjedisit.
2. Policia Pyjore, Policia e Ndërtimit, Inspektorati Sanitar, Inspektorati i Mbrojtjes së Bimëve, Inspektorati i Peshkimit, Inspektorati i Hidrokarbureve, Inspektorati Zooveterinar, inspektorati dhe organet e kontrollit të qeverisjes vendore, sipas njësive territoriale përkatëse, ushtrojnë kontroll për gjendjen e përbërësve të veçantë të mjedisit, në mbështetje të akteve normative që rregullojnë veprimtarinë e organeve përkatëse.
 
Neni 61
 
Rregullimi i veprimtarisë së organeve të kontrollit për mjedisin
 
1. Organizimi dhe veprimtaria e Inspektoratit të Mjedisit rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit. Bashkërendimi i punës me organet e tjera të kontrollit, shkëmbimi i të dhënave, kryerja e inspektimeve të përbashkëta rregullohen me udhëzim të përbashkët të ministrave përkatës.
2. Parametrat, objektet dhe mënyrat e ushtrimit të kontrollit, planet e hollësishme dhe ndërhyrjet me karakter të veçantë, përgatiten nga Inspektorati i Mjedisit e agjencitë rajonale të mjedisit dhe miratohen nga Kryeinspektori i Mjedisit, sipas udhëzimit të miratuar nga Ministri i Mjedisit.
3. Për qëllime inspektimi dhe marrje kampionesh, gjatë ushtrimit të kontrollit, inspektorët e mjedisit janë të autorizuar të hyjnë në të gjitha vendet dhe mjediset, objekte të kontrollit.
4. Personat fizikë e juridikë, gjatë kontrollit të veprimtarisë së tyre, krijojnë të gjitha kushtet për zhvillimin normal të kontrollit.
 
Neni 62
 
Shpenzimet e kontrollit
 
Shpenzimet e kontrollit për gjendjen e mjedisit, kur verifikohet ndotja ose dëmtimi i mjedisit, përballohen nga personi fizik e juridik, autor i ndotjes ose dëmtimit të mjedisit.
 
Neni 63
 
Vendimi i kontrollit
 
1. Në mbështetje të kontrollit të ushtruar, Inspektorati i Mjedisit, sipas rastit, vendos mbylljen, ndalimin ose ndërprerjen e plotë ose të pjesshme të veprimtarisë që ka shkaktuar ndotje ose dëmtim të mjedisit, duke caktuar edhe detyrat për rregullimin e gjendjes. Rezultatet dhe vendimi i kontrollit bëhen publike.
2. Rregullat për administrimin e këtij procesi caktohen nga Ministri i Mjedisit.
 
 
 
 
 
KREU  IX
 
DETYRAT E ORGANEVE SHTETËRORE PËR MJEDISIN
 
Neni 64
 
Rrjeti institucional mjedisor
 
1. Tërësia e organeve të specializuara, të ngarkuara me ligj për mbrojtjen e mjedisit në Republikën e Shqipërisë, përfaqëson rrjetin institucional mjedisor shqiptar.
2. Rrjeti institucional mjedisor përbëhet nga Ministria e Mjedisit, nga agjencitë rajonale të mjedisit, nga Inspektorati i Mjedisit, nga organizmat mjedisorë, në përbërje të organeve qendrore e vendore dhe nga organizmat ndërministrorë, të miratuar nga Këshilli i Ministrave për të ndjekur probleme të rëndësishme të fushës së mjedisit.
3. Organet shtetërore, qendrore dhe vendore, si administruese të ligjshme të pjesëve dhe përbërësve të ndryshëm të mjedisit, realizojnë mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet zbatimit të këtij funksioni.
 
Neni 65
 
Përcaktimi dhe ndarja e përgjegjësive
 
Organet shtetërore kryejnë detyrat për mbrojtjen e mjedisit në bazë të përcaktimit të përgjegjësive dhe të ndarjes së qartë të tyre ndërmjet organeve qendrore dhe vendore, duke zgjeruar në vijimësi detyrat e organeve të qeverisjes vendore.
 
Neni 66
 
Ministri i Mjedisit
 
Veç përgjegjësive të përcaktuara në Kushtetutë, Ministri i Mjedisit ushtron edhe këto detyra në fushën e mjedisit:
a) i kërkon kryeministrit pezullimin e miratimit të strategjive e të planeve sektoriale, kur ato nuk janë në pajtim me deklaratën mjedisore;
b) cakton, në bashkëpunim me ministrat përkatës, fondet për mjedisin në çdo ministri dhe për përdorimin racional të tyre në shkallë vendi;
c) përfaqëson vendin në veprimtaritë ndërkombëtare, në organizatat dhe programet ndërqeveritare dhe ndërshtetërore;
ç) miraton metodat dhe metodologjitë mbi të cilat zhvillohen veprimtaritë bazë të mbrojtjes së mjedisit.
 
 
 
Neni 67
 
Ministria e Mjedisit
 
Si institucion qendror i specializuar për mbrojtjen e mjedisit dhe si mbështetëse teknike e Ministrit të Mjedisit, Ministria e Mjedisit kryen edhe këto detyra kryesore:
a) bashkëpunon me institucionet qendrore, me organet e qeverisjes vendore, me publikun dhe organizatat jofitimprurëse mjedisore e profesionale, për të rritur shkallën e zbatimit të legjislacionit mjedisor;
b) përgatit projektet e marrëveshjeve, të protokolleve e programeve të bashkëpunimit dy e shumëpalësh, me shtete, organe dhe organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe ndjek zbatimin e tyre;
c) studion nevojat e vendit për specialistë për mbrojtjen e mjedisit dhe bashkërendon  me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për kualifikimin e specializimin e tyre;
ç) mbështet projekte për punë kërkimore-shkencore, për përmirësimin e gjendjes së mjedisit, për futjen e teknologjive ekologjikisht të pastra, për nxitjen e veprimtarive të organizatave jofitimprurëse mjedisore;
d) ndihmon organet e qeverisjes vendore për mbrojtjen e mjedisit dhe për hartimin e zbatimin e planeve vendore për mjedisin.
 
Neni 68
 
Këshillat e specialistëve
 
1. Për të mbështetur veprimtarinë e Ministrit të Mjedisit, pranë tij ngrihen e funksionojnë si organe këshillimore:
a)      Këshilli Kombëtar i Mjedisit;
b)      këshillat për politika mjedisore sektoriale.
2. Këshillat përbëhen nga personalitete të fushës së mbrojtjes së mjedisit të institucioneve kërkimore-shkencore e arsimore, të ministrive, të institucioneve qendrore dhe të organizatave jofitimprurëse.
3. Si organ këshillimor pranë prefektit, për të mbështetur administrimin dhe mbrojtjen e mjedisit në nivel qarku, ngrihet këshilli rajonal i mjedisit.
4. Përbërja, detyrat dhe funksionet e këtij këshilli, si dhe shpenzimet për ngritjen e funksionimin e tij, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit.
 
Neni 69
 
Agjencitë rajonale të mjedisit
 
1. Agjencitë rajonale të mjedisit janë organe të specializuara për mbrojtjen e  mjedisit, që varen nga Ministria e Mjedisit dhe organizohen e veprojnë  në nivel qarku.
2. Në zbatim të përparësive dhe objektivave të Ministrisë së Mjedisit, agjencitë rajonale:
a) realizojnë zbatimin e ligjshmërisë për mbrojtjen e mjedisit në nivel vendor;
b) ndihmojnë organet e pushtetit vendor për administrimin dhe mbrojtjen e mjedisit që kanë në juridiksion, bashkëpunojnë për hartimin dhe zbatimin e planeve vendore të veprimit për mjedisin;
c) nxisin përdorimin e teknologjive të pastra dhe futjen e sistemeve të administrimit mjedisor;
ç) marrin pjesë në procesin e miratimit të lejes dhe të deklaratës mjedisore, duke përmbushur detyrat që përcakton Ministri i Mjedisit me udhëzim të veçantë. Japin pëlqimin dhe autorizimin mjedisor për veprimtari vendore;
d) hartojnë dhe paraqesin për miratim në këshillin e qarkut raportin  dyvjeçar të gjendjes së mjedisit të qarkut. Pas miratimit, ky raport i bëhet i ditur publikut nëpërmjet mediave të shkruara dhe elektronike;
dh) ndërmarrin veprimtari ndërgjegjësuese për mjedisin, bashkëpunojnë  me bashkësitë, me organizatat jofitimprurëse mjedisore dhe profesionale të biznesit.
3. Rregullat e hollësishme për organizimin, funksionimin dhe sistemimin e agjencive rajonale të mjedisit caktohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit.
 
Neni 70
 
Inspektorati i Mjedisit
 
1. Pranë Ministrisë së Mjedisit funksionon Inspektorati i Mjedisit, si organ i specializuar kontrolli për mjedisin.
2. Inspektorati i Mjedisit përbëhet nga Kryeinspektori, nga inspektorët në Ministrinë e Mjedisit dhe nga inspektorët e agjencive rajonale të mjedisit. Inspektorët në Ministrinë e Mjedisit e ushtrojnë veprimtarinë kontrolluese në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ndërsa inspektorët e agjencive rajonale të mjedisit veprojnë brenda territorit të qarkut.
3. Veprimtaria e Inspektoratit të Mjedisit drejtohet nga Kryeinspektori i Mjedisit, i cili emërohet nga Ministri i Mjedisit.
4. Me propozimin e Kryeinspektorit, Ministri i Mjedisit përcakton kriteret për emërimin e inspektorëve.
5. Kryeinspektori emëron dhe shkarkon inspektorët.
6. Për vështirësitë e detyrës, inspektorët marrin si shpërblim mbi pagë një përqindje të gjobave që vjelin, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit dhe të Ministrit të Financave.
 
Neni 71
 
Detyrat kryesore të Inspektoratit të Mjedisit
 
1. Inspektorati i Mjedisit:
a) ushtron kontroll të vazhdueshëm mbi mjedisin dhe ndaj veprimtarive ndotëse, për të siguruar mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet zbatimit të legjislacionit mjedisor dhe kërkesave të vëna në lejen dhe në deklaratën mjedisore. Kontrollet kryhen nga grupe inspektorësh ose nga një inspektor i vetëm;
b) kërkon pjesëmarrjen e organeve të qeverisjes vendore, të përfaqësuesve të bashkisë, të organizatave jofitimprurëse mjedisore dhe të mediave në kontrollet mbi veprimtaritë ndotëse;
c) krijon dosjen mjedisore për çdo veprimtari të pajisur me leje mjedisore. Rregullat e hollësishme për formën, përmbajtjen, administrimin e dosjes mjedisore, përcaktohen nga Ministri i Mjedisit;
ç) ndihmon personat fizikë e juridikë për të realizuar vetëmonitorimin, verifikimin dhe zbatimin e sistemeve të integruara të administrimit dhe kontrollon zbatimin e tyre;
d) urdhëron masa të detyrueshme për zbatim për përmirësimin e gjendjes së mjedisit, për pakësimin e ndotjes dhe të dëmtimit të mjedisit;
dh) vë në dijeni rregullisht pushtetin vendor për gjendjen e mjedisit, për veprimtaritë, projektet dhe instalimet e miratuara, sipas kërkesave të këtij ligji;
e) kontrollon regjistrat e ndotësve, rregulloret e brendshme, teknike e teknologjike, dhe dokumentet e tjera që lidhen me veprimtarinë dhe rrezikun e ndotjes;
ë) vendos sanksione, sipas këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore që mbrojnë përbërës të veçantë të mjedisit;
f) bën publike rezultatet për çdo kontroll të ushtruar.
2. Veprimtaria kontrolluese e Inspektoratit të Mjedisit pasqyrohet në dokumente standarde të miratuara nga Ministri i Mjedisit.
3. Rregullat e hollësishme për funksionimin e Inspektoratit të Mjedisit përcaktohen nga Ministri i Mjedisit.
 
Neni 72
 
Mediat publike
 
Mediat publike ndihmojnë në:
a) mbrojtjen e interesave kombëtarë në fushën e mjedisit;
b) rritjen e dijeve dhe të kulturës bashkëkohore për mjedisin;
c) realizimin e së drejtës të publikut për të marrë të dhëna për gjendjen e mjedisit;
ç) përhapjen e arritjeve teknike dhe shkencore në fushën e mjedisit dhe të veprimtarive kombëtare në këtë fushë.
 
Neni 73
 
Organet e qeverisjes vendore
 
Organet e qeverisjes vendore përfaqësojnë strukturën më të rëndësishme shtetërore për administrimin dhe mbrojtjen e mjedisit, që kanë në juridiksion, duke zbatuar përgjegjësitë, të drejtat e detyrat që u jep ligji nr.8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Në mbrojtje të mjedisit, ato kanë për detyrë:
a) të realizojnë zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit;
b) të hartojnë plane vendore për mbrojtjen e mjedisit dhe planet e rregullimit të territorit;
c) të bëjnë publike programet dhe masat për mbrojtjen e mjedisit;
ç) të njoftojnë publikun për gjendjen e mjedisit dhe për veprimtaritë vendore, subjekte të vlerësimit të ndikimit ndaj mjedisit;
d) të nxisin e të mbështesin veprimtaritë e organizatave jofitimprurëse për mjedisin, duke tërhequr mendimin e tyre në vendimmarrjet për mjedisin;
dh) të përcaktojnë vendet e grumbullimit e të përpunimit të mbeturinave prodhuese dhe jetësore, në përputhje me kriteret mjedisore dhe planet e zhvillimit;
e) të organizojnë depozitimin e mbetjeve dhe të lëndëve të rrezikshme dhe ruajtjen e zonave të gjelbra në qendrat qytetëse dhe rreth tyre;
ë) të administrojnë mbeturinat qytetëse, impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura dhe të mbeturinave të ngurta;
f) të disiplinojnë transportin dhe ndërtimet në mjediset qytetëse.
 
Neni 74
 
Detyrat e institucioneve qendrore për mjedisin
 
Në zbatim të këtij ligji, institucionet qendrore kanë për detyrë:
a) të integrojnë mbrojtjen e mjedisit në politikat e strategjitë sektoriale, duke marrë, përpara miratimit të tyre, edhe mendimin e Ministrisë së Mjedisit;
b) të bashkëpunojnë me Ministrinë e Mjedisit për hartimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor mjedisor, për futjen e teknologjive të pastra dhe më të mira të mundshme, për hartimin dhe zbatimin e strategjisë së mjedisit e planit përkatës të veprimit, për rehabilitimin e zonave të ndotura dhe të dëmtuara dhe për shkëmbimin e të dhënave për gjendjen e mjedisit;
c) të publikojnë të dhënat që kanë për mjedisin;
ç)  të bashkëpunojnë me organet e qeverisjes vendore për zgjidhjen e        
problemeve të mjedisit;
d) të organizojnë zbatimin e programit kombëtar të monitorimit të mjedisit për personat juridikë në varësi të tyre.
 
Neni 75
 
Organizmat mjedisorë në organet shtetërore
 
1. Në ministritë e linjës dhe në organet e qeverisjes vendore ngrihen strukturat e mbrojtjes së mjedisit.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrive të linjës dhe të Ministrit të Mjedisit, miraton organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre organizmave.
 
Neni 76
 
Komitetet dhe grupet ndërsektoriale kombëtare
 
1. Për hartimin dhe zbatimin e strategjive, të programeve dhe planeve kombëtare të veprimit për mjedisin ngrihen komitetet dhe grupet ndërsektoriale, me përfaqësues të organeve qendrore, vendore, të institucioneve kërkimore-shkencore, të organizatave jofitimprurëse mjedisore dhe të organizatave profesionale të biznesit.
2. Ndërtimi, funksionimi dhe përgjegjësitë e komiteteve dhe grupeve caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 
 
 
 KREU  X
 
ROLI I PUBLIKUT
 
Neni 77
 
E drejta për marrjen e të dhënave mjedisore
 
1. Publiku dhe organizatat jofitimprurëse njoftohen për gjendjen e mjedisit nëpërmjet publikimit të të dhënave nga organet shtetërore dhe nga personat fizikë e juridikë, si dhe duke kërkuar të dhëna pranë organeve shtetërore.
2. Ministri i Mjedisit përcakton rregullat dhe procedurat për bërjen publike dhe shpërndarjen e të dhënave mjedisore nga organet e mbrojtjes së mjedisit.
 
Neni 78
 
Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje për çështjet e mjedisit
 
1. Organet vendimmarrëse sigurojnë pjesëmarrje dhe rol aktiv të publikut dhe organizatave jofitimprurëse gjatë procesit të vendimmarrjes.
2. Ministri i Mjedisit miraton rregullat e procedurat, që realizojnë pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjet e organeve të mjedisit.
3. Kushdo ka të drejtë të ankohet tek organet shtetërore të mjedisit për çdo veprimtari që përdor, kërcënon, dëmton dhe ndot mjedisin dhe të kërkojë mbylljen e saj në rast rreziku. Përveç marrjes së masave, këto organe i përgjigjen kërkesës brenda 1 muaji nga marrja e saj.
4. Në kushtet e parashikuara nga ligji nr.7866, datë 6.10.1994 “Për referendumet”, publiku dhe organizatat jofitimprurëse kanë të drejtë të kërkojnë organizimin e referendumeve të përgjithshme ose të pjesshme për çështje të mjedisit.
 
Neni 79
 
Organizatat jofitimprurëse për mbrojtjen e mjedisit
 
1. Organizatat jofitimprurëse mjedisore gëzojnë të drejtat e oponencës dhe të bashkëpunimit me organet e mbrojtjes së mjedisit.
2. Ministri i Mjedisit përcakton rregullat dhe procedurat e detyrueshme për organet mjedisore, për të realizuar të drejtat e organizatave jofitimprurëse, sidomos:
a) në hartimin e politikave, të strategjive, planeve të zhvillimit, si dhe programeve për mbrojtjen e mjedisit;
b) në hartimin dhe zbatimin e planeve të menaxhimit të zonave të ndryshme;
c) në hartimin dhe zbatimin e programeve të monitorimit;
ç)  në kontrollet mjedisore;
d) në procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe të miratimit të lejes mjedisore;
dh) në hartimin e projektakteve normative mjedisore.
Përfaqësues të organizatave jofitimprurëse marrin pjesë si anëtarë në këshilla e komitete, që krijohen për administrimin dhe mbrojtjen e mjedisit.
3. Ministria e Mjedisit mbështet projektet e organizatave jofitimprurëse për mbrojtjen e mjedisit, sipas rregullave të miratuara nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Mjedisit.
 
 
Neni 80
 
Organizatat profesionale të biznesit
 
1. Organizatat jofitimprurëse profesionale të biznesit paraqesin pikëpamjet e veta në rrugë institucionale për administrimin dhe mbrojtjen e mjedisit. Ato marrin pjesë në hartimin dhe zbatimin e programeve të zhvillimit, të administrimit e të mbrojtjes së mjedisit.
2. Ministri i Mjedisit përcakton rregullat dhe procedurat për komunikimin e organeve publike mjedisore me organizatat profesionale të biznesit.
 
Neni 81
 
E drejta për padi gjyqësore
 
Në rast kërcënimi ndaj mjedisit, ndotjeje dhe dëmtimi të tij, qytetari, publiku dhe organizatat jofitimprurëse kanë të drejtë:
a) t’u kërkojnë organeve shtetërore përkatëse marrjen e masave të duhura brenda afateve dhe në përputhje me autoritetin që u jep ligji;
b) të ngrenë padi në gjykatë, në kushtet e parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, kundër organit publik ose personit fizik e juridik, që ka sjellë dëme në mjedis ose që rrezikon ta dëmtojë atë.
 
KREU  XI
 
SANKSIONET
 
Neni 82
 
1. Kur shkeljet e këtij ligji përbëjnë vepër penale, Inspektorati i Mjedisit bën kallëzim për ndjekje penale.
2. Shkeljet e mëposhtme, që nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative në fushën e mjedisit:
a) transportimi tranzit, pa leje, i mbetjeve dhe lëndëve të rrezikshme përmes territorit dhe ujërave territoriale e të brendshme të Republikës së Shqipërisë;
b) importimi i mbetjeve dhe lëndëve të rrezikshme për ruajtje, depozitim ose asgjësim;
c) shkelja e rregullave të caktuara të sigurimit gjatë transportimit tranzit të mbetjeve e të lëndëve të rrezikshme;
ç)  mosdërgimi ose mosparaqitja në afat e të dhënave për gjendjen e mjedisit;
d) mosshoqërimi i të dhënave për gjendjen e mjedisit me rekomandimet për mënyrën e veprimit të shtetasve në rast parashikimi të pasojave   negative për mjedisin;
dh) mosnjoftimi i popullsisë nga personat fizikë e juridikë për   shkaktimin e ndotjes ose dëmtim të mjedisit prej tyre, për masat e marra për kufizimin ose zhdukjen e ndotjes, si dhe për mënyrën e veprimit të shtetasve;
e) mosnjohja e blerësve ose e konsumatorëve me të dhënat përkatëse për mallrat dhe shërbimet që janë të rrezikshme dhe për pasojat ose ndikimet negative të mundshme;
ë) kundërshtimi ose shmangia e personave fizikë e juridikë për kryerjen e verifikimit mjedisor, kur ky është urdhëruar nga Ministri i Mjedisit;
f) shkelja nga specialistët e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis;
g) ushtrimi pa leje mjedisore i veprimtarive ekonomike e shoqërore, që mund të ndikojnë në mjedis;
gj) shkelja e rregullave dhe udhëzimeve të caktuara nga Ministri i Mjedisit për zona me mjedis veçanërisht të rrezikuar;
h) tejkalimi i kufijve të lejueshëm të lëndëve ndotëse;
i) shkelja e rregullave për grumbullimin, depozitimin, ruajtjen, transportimin dhe sistemimin e mbetjeve dhe të lëndëve të rrezikshme, të caktuara nga Ministri i Mjedisit; 
j) braktisja e veprimtarive, instalimeve, impianteve dhe mosbërja e  rregullimeve për të sjellë në gjendjen e mëparshme mjedisin ose mossigurimi i kushteve për rehabilitimin e mjedisit, pas përfundimit të veprimtarisë;
k) mosrespektimi i detyrimeve gjatë vënies në punë të instalimeve dhe të  veprimtarive.
 
Neni 83
 
1. Për kundërvajtjet administrative të parashikuara në nenin 82 të këtij ligji, jepen dënime me gjobë si më poshtë:
a) për shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “i” nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë;
b) për shkronjat “g”, “gj”, “h”, “j” dhe “k” nga 300 000 deri në 500 000 lekë;
c) për shkronjat “ç”, “d”, “dh”, “e”, “ë” dhe “f”, nga 10 000 deri në     300 000 lekë.
2. Krahas dënimit me gjobë, vendoset edhe sekuestrimi i mjeteve e lëndëve që shkaktojnë ndotje dhe dëmtim të mjedisit dhe, në varësi nga ndotja dhe dëmtimi i shkaktuar, vendoset edhe heqja e përhershme ose e përkohshme e lejes mjedisore. Në çdo rast kundërshtimi për zbatimin e masave të mësipërme, Inspektorati i Mjedisit bashkëpunon me Policinë e Shtetit.
 
Neni 84
 
1. Të drejtën e gjobës për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në nenin 83 të këtij ligji, e ka Inspektorati i Mjedisit.
2. Kundër vendimit të dënimit mund të bëhet ankim, brenda 10 ditëve nga njoftimi i tij, te Ministri i Mjedisit, i cili duhet t’i përgjigjet ankimit brenda 15 ditëve nga depozitimi i tij.
3. Kundër vendimit të Ministrit të Mjedisit ose kur ky i fundit nuk përgjigjet brenda afatit 15-ditor, mund të bëhet ankim, brenda 30 ditëve, në Gjykatën e Rrethit të Tiranës.
 
Neni 85
 
Gjobat për kundërvajtjet administrative, sipas këtij ligji, derdhen në llogarinë e të ardhurave të Buxhetit të Shtetit dhe likuidohen brenda 30 ditëve nga dita e vendimit të formës së prerë. Për çdo ditë vonesë, pas plotësimit të këtij afati dhe deri në një afat prej 30 ditësh, kundërvajtësi detyrohet të paguajë, përveç gjobës, një shumë të barabartë me 10 për qind të gjobës.
 
 
Neni 86
 
1. Ndaj subjektit që nuk zbaton tërësisht dhe në afatet ligjore masat dhe sanksionet e vendosura nga Inspektorati i Mjedisit, si dhe ndaj subjektit që, brenda vitit kalendarik, përsërit të njëjtën shkelje, Kryeinspektori ose Ministri i Mjedisit urdhëron pezullimin ose mbylljen e përhershme të veprimtarisë, në varësi të rrezikshmërisë që paraqet për mjedisin dhe shëndetin.
2. Kundër vendimeve për pezullimin dhe mbylljen e veprimtarisë nga Kryeinspektori ose nga Ministri i Mjedisit, mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit.
 
Neni 87
 
Fondet e mjedisit
 
1. Të ardhurat nga gjobat përdoren si mbështetje financiare për veprimtaritë e mëposhtme:
a)  për zhdukjen e burimeve të ndotjes dhe dëmtimit;
b) për hartimin e projekteve të riaftësimit në zonat ekologjikisht të dëmtuara dhe të ndotura;
c) për punë kërkimore-shkencore, për kryerjen e studimeve dhe kualifikimin e personelit;
ç) për shpërblimin e punonjësve të mjedisit, të specialistëve dhe institucioneve të fushave përkatëse, që kryejnë shqyrtimin e dokumentacionit të vlerësimit të ndikimit në mjedis;
d) për të përballuar shpenzimet administrative për kontrollin, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe programet e monitorimit.
            2. Të ardhurat nga tarifat e shërbimeve përdoren sipas udhëzimit të përbashkët të Ministrit të Financave dhe Ministrit të Mjedisit.
 
Neni 88
 
Akte të tjera të nevojshme
 
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 17 pika 2, 22 pika 2, 31 pika 2, 36 pika 1, 53 pika 8, 68 pika 4, 69 pika 3, 70 pika 6, 75 pika 2, 76 pika 2 dhe 79 pika 3 të këtij ligji.
2. Ngarkohet Ministri i Mjedisit që të nxjerrë urdhrat dhe udhëzimet në zbatim të neneve 13 pika 2, 15 pika 3, 43 pika 2, 47 pika 2, 50 pika 4, 55 pika 2, 63 pika 2, 71 pikat 2 dhe 3, 77 pika 2, 80 pika 2 dhe 87 pika 2 të këtij ligji.
 
Neni 89
 
Shfuqizime
 
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligjet nr.7664, datë 21.1.1993 “Për mbrojtjen e mjedisit”, nr.8364, datë 2.7.1998 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7664, datë 21.1.1993 “Për mbrojtjen e mjedisit””, nr.8825, datë 5.11.2001 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7664, datë 21.1.1993 “Për mbrojtjen e mjedisit””, si dhe çdo akt tjetër normativ, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
 
Neni 90
 
          Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


  Gjithsej 4 faqe: « 1 2 3 [4]
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.