Forumi Horizont Gjithsej 31 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 9 10 11 12 13 14 15 » ... E fundit »
Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shkrimtare te huaj (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=296)
-- "Shqipëria një dhe njëmijë." Indro Montanelli (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=13596)


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:06:

KANUNI

Kur i kisha kujtuar mos qe e udhës të merrnim me vete së paku një pisqollë, Kristoja më qe përgjigjur: “Nuk hyn në punë. Le që për ju janë pushkët e malësorëve”. Aty për aty mbeta ligsht, ngase fjalia m’u duk së paku dykuptimshe. Mandej, në rrugë e sipër, udhërrëfyesi qe shpjeguar më mirë. “Miku është i shenjtë, - më tha, - dhe shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e shtegtarit. Askush nuk mund të të bëjë gjë, sepse çdo dëmtim që mund t’i bëhet mikut paguhet me jetë”. Nuk tha pikërisht kështu, por pothuajse: italishten e fliste keq, por me stilin madhështor, që mandej e kuptova se ishte karakteristik i gjithë Malësisë.
Ligji simbas të cilit “miku është i shenjtë” dhe “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e shtegtarit” është një ligj tradicional ose më mirë një doke e kodifikuar nga Lekë Dukagjini, bashkëkohës dhe këshilltar i Skënderbeut: diçka mes poemës, digjestit dhe një përmbledhjeje fjalësh t’urta popullore. Ky kod, i quajtur Kanun, u njoh edhe nga Qeveria turke dhe është i rrënjosur prej shekujsh në ndërgjegjet, aq i rrënjosur sa të sfidojë ngadhënjyeshmërisht konkurencën e reformës legjislative, moderne dhe perëndimore, të Shqipërisë së re. U orvatën ta asgjësonin edhe Turqit e Rinj. Dhe rrjedhojë e parë e kësaj orvatjeje qe anarkia; rrjedhoja e dytë qe kryengritja, një kryengritje që shenjoi fillimin e mbarimit të Perandorisë osmane të Europës. Besnikëria ndaj Kanunit është për çdo malësor të mirë çështje nderi kombëtar dhe vetjak. Me ardhje prej fiseve dukagjinase të krahut të majtë të Drinit, Kanuni mandej u shtri në mbarë Shqipërinë. Dhe mbeti gjithnjë gojor, i bartur nga ati te biri. I vetmi tejshkrim prej tij është shumë i vonët, i botuar në një revistë të Shkodrës.
Mbi atë mbështetet organizimi i fisit, i fisit patriarkor shqiptar, mbajtur në këmbë prej këshillit të pleqve, depozitues të drejtësisë, vendimet e të cilëve jepen në vende të shenjta. Edhe nuk ka gjë më magjepsëse se ajo gjykatë e lartë pleqsh, të cilëve Kanuni u beson rolin e rregulluesve të jetës dhe të dokeve të Malësisë. Kam qenë i pranishëm, në Rjoll, në një prej këtyre mbledhjeve edhe asnjë gjyq e asnjë gjykatore nuk më ka bërë ndonjëherë aq përshtypje: rituali, shumë i lashtë, seç kishte diçka homerike, dhe me ëndje të plotë harrova që kriteret, në bazë të të cilave gjyqtarët e paapelueshëm gjykonin e urdhëronin, mund edhe t’ia shpifnin një ndërgjegjeje moderne e perëndimore. Tekefundit, më vonë, këtë opinion ndjellakeq mbi kriteret e drejtësisë ndjekur prej gjykatoreve që zbatojnë këtë ligj m’u desh ta rishikoj disi dhe ta qortoj.
Kanuni buron drejtpërsëdrejti prej adetit, d.m.th. prej dokes së Malësisë; është e drejtë ndëshkimore dhe civile njëherësh dhe bazohet mbi institucionin e gjakut, d.m.th gjakmarrjen, që është ndëshkimi i parashikuar jo vetëm për vrasjen, por edhe për shumë fyerje të tjera lloji të ndryshëm. Është detyrë që i bie fisit bashkërisht, atëherë kur njëri prej anëtarëve të tij të jetë cenuar në nder, edhe ka rreze veprimi dhe mënyrë zbatimi të ndryshueshme simbas llojit të dëmit të pësuar. Më i rëndi i këtyre dëmeve është vrasja e një miku. Rregullimi me të holla ose, gjithsesi, nëpërmjet pajtimit të gjakut, që disa herë pranohet, në një rast të tillë përjashtohet: detyra e marrjes së gjakut të mikut është kategorike dhe mund të ushtrohet, përpos se mbi vrasësin, edhe mbi të afërmit e tij meshkuj deri te fëmijët tre vjeç. Disa vite më parë në një fis, më duket se të Toplanës, kundër një familjeje, një prej anëtarëve të së cilës kishte vrarë mikun, u ngrit në luftë e tërë bashkësia duke lënë për truall shtatëdhjetë e katër të vrarë.
Për ta zbutur këtë rregull ka përjashtime të ndryshme: besa për shembull, d.m.th. pushimi i armëve që në përgjithësi vendoset për një vit dhe realizohet me ndërmjetësi miqsh të të dyja palëve. Fyes dhe i fyer puthen dhe fyesi shkon në shtëpinë e të fyerit me qengja dhe deshinj për dhant_. Shtrohet një drekë e madhe, si vulosje paqeje. Dhe më në fund vepron bamirësisht gruaja, e cila gëzon njëfarë bese përjetë dhe, nën mburojën e kësaj paprekshmërie, ushtron në shumë raste funksionet e pajtuesit
E gjitha kjo pasqyron doket homerike dhe kalorësiake të Shqipërisë së Veriut, të organizuar në fise, simbas ligjesh të sajat, shumë të lashta, me të cilat ligjet e sunduesve të ndryshëm, që erdhën një-mbas-një në kohë, bashkëjetuan pa iu mbivendosur njëri-tjetrit. Është një organizim i thjeshtë, aristokratik, me një këshill të pleqve që mban autoritetin absolut, një organizim patriarkor në të cilin pleqëri e përvojë ngrenë peshë më shumë se çdo tjetër cilësi censi ose lindjeje edhe që ka një bazë të tijën morale, sociale e ekonomike, një arsye të tijën ekzistimi ende sot kur kushtet nuk janë krijuar për një revolucion ose për një evolucion në kuptim modern. Merret vesh që ky regjim është i paracaktuar të zhduket; por merret vesh edhe që kjo zhdukje nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë para se të dhënat sociale që e përligjin të mos jenë zhdukur edhe ato.
Janë kund pesëdhjetë fiset e veriut, të mbledhura çdonjëri rreth një bajraku ose flamuri, me një bajraktar ose flamurmbajtës. Fisi është një organizëm mjaft autonom, në kujtim të kohës kur tribuja nuk qe përbërë ende në njësi. Por brenda fisit, ende sot, martesat ndalohen. Nga fisi zbritet në organizma edhe më fillestarë, që janë mëhallat apo grupshtëpitë.
Fisi është shprehja më e lartë e ndijes sociale të malësorëve që, përtej fisit, nuk shohin asgjë. Bajraktari, këshilli i pleqve dhe kuvendi janë të vetmet autoritete në përkim me të cilat malësori përshtat të vepruarit e tij. Janë bajraktarët ata që vendosin për luftë dhe për paqe, që përpunojnë doket simbas normave të traditës dhe gjykojnë simbas atyreve të Kanunit. Vetë turqit që, nga të gjithë sunduesit e huaj, patën qenë ata që në Shqipëri zgjatën më shumë e ndikuan më thellë, nuk mund ta kapërcenin autoritetin e këtyre krerëve duke iu sjellë drejtpërsëdrejti malësorëve. Duhej t’i drejtoheshin bylykbashit, njëfarë ministri fuqiplotë i deleguar i përhershëm i bajraktarëve pranë qeveritarëve osmanë të qyteteve të ndryshme, ngase çdo urdhër, prej cilësdo anë që të vijë, nuk është i vlefshëm në Malësi pa dorëzaninë e pleqve. Ata janë konsuj dhe kapedanë, me një autoritet që mbështetet sidomos në meritat e tyre vetjake dhe, pra, ndryshon nga njëri te tjetri. Ata kanë si sovranë flamurmbajtësit e çdo fisi dhe si vasalë krenët që janë kryetarët e mëhallave dhe që përbëjnë në paqe këshilltarët e tyre ndërsa në luftë mëkëmbësit e tyre; dhe kanë gjobarët si përmbarues të vendimeve të tyre1. Vetëm në raste të jashtëzakonshme thirret kuvendi, d.m.th. këshilli i përgjithshëm i fisit, në të cilin marrin pjesë, nën dënim me gjobë, tërë kryefamiljarët e armatosur.
E gjitha kjo ngjan e largët në kohë, një mbetëz feudale, një tepricë antikiteti e ruajtur artificialisht si një eshtërmbajtës mermernash në një nekropol. Kurse në të vërtetë është një realitet ende i sotëm, i gjallë, i ngërthyer në jetën malësore. Shumë pak orë nga Tirana dhe pak orë nga Italia është një botë që jeton me këtë regjim, me këto ligje, një botë poetike e mbetur gjallë përanash progresit. Kujtimi që ruaj nga kjo botë është më i bukuri nga të gjitha kujtimet që, edhe ato shumë të bukura, ruaj prej Shqipërie.


  Gjithsej 31 faqe: « 1 2 3 4 5 [6] 7 8 9 10 11 12 13 14 15 » ... E fundit »
Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.