Forumi Horizont | Gjithsej 31 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 [9] 10 11 12 13 14 15 16 17 18 » ... E fundit » Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shkrimtare te huaj (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=296)
-- "Shqipëria një dhe njëmijë." Indro Montanelli (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=13596)
FAMILJA
Duke strehuar një familje dhe duke pasur vetëm marrëdhënie të pakta me familjet e kullave të tjera, çdo kullë kuptohet si bërthama e vërtetë e organizmit social ose si familja.
Ajo është një organizëm i ngjeshët, moralisht i shëndoshë, i mbajtur bashkë nga autoriteti i gjithëfuqishëm i kreut që ngjan aty si despot. Regjimi i saj është patriarkor. Dhe, sikurse ndodh në të gjitha regjimet patriarkore të popujve burrërorë, gruaja ngre mjaft peshë dhe urdhëron shumë, krejt në të kundërt të regjimeve nordike matriarkore të popujve të femërsuar në të cilat gruaja ka vetëm një iluzion legalitar të urdhëruari. Doemos në Shqipërinë e veriut këtë e kupton vetëm duke jetuar aty. Përshtypja e parë është që pozita e gruas qenkësh aty siç është në të gjitha vendet me qytetërim të llojit musliman. Me të mysafiri i huaj nuk jep e merr, ngase kryefamiljari, që është sidomos burrë krenar, ia njeh vetes detyrën e politikës së jashtme. Parballë cilitdo të huaj, zotnia është ai, dhe do të ishte mungesë e rëndë korrektese t’i drejtoheshe drejtpërsëdrejti zonjës së shpÃ_s duke kapërcyer autoritetin burrëror. Por brendapërbrenda familjes është ajo që udhëron dhe drejton, është ajo deus ex machina, motori i palëvizshëm i gjithësisë së vogël që i rrotullohet qark. Ajo është e lirë, mbulesën nuk e ka mbajtur kurrë, dhe është e pagojë përballë burrit që, për traditë, duhet të ketë pamjen se urdhëron. Dhe punon. Detyrat më të mundimshme i janë lënë asaj: të bëjë dru, të bartë ujë, të punojë arat. Dhe kjo për tri arsye: pikësëpari, sepse malësori nuk mund të bëjë veçse punën e blegtorit; së dyti, ngase gruaja, duke qenë e shenjtë, mund të dalë jashtë pa drojë pritash nga ana e armiqve; së treti, ngase kjo shërben për të përforcuar konceptin tradicional të burrit-zot dhe për t’i siguruar, së paku në dukje, mbijetesën këtij koncepti.
Porse, për ta zbutur këtë doke që mund të zvetënohej më së fundi në një trajtë skllavërie të gruas, ka një marrëdhënie shumë të hollë, tejmase nazike, mes burri dhe gruaje, mes nëne dhe bijsh, marrëdhënie e padallueshme së jashtmi ngase është e pashprehur: dashuria. Të merremi vesh: është një dashuri jo si e konceptojmë ne, të lindur nga mishi, sepse shqiptari në përgjithësi dhe malësori veçanërisht janë shumë pak epshorë dhe ndjenjat e tyre janë të gjitha të përbrendshme, jo përmbi lëkurë; por një dashuri që lindet çikë-nga-një-çikë, mbas martesës, nga bashkëjetesa e ngushtë, nga simpatia e detyruar që mugullon mes dy qeniesh të cilat ndihen jo të vetëm mes të tjerëve, por të vetëm kundër të tjerëve, kundër natyrës koprace, edhe që mbrojnë e mbështesin shoqi-shoqin duke mos qenë gratë në këtë detyrë aspak më të ulta nga burrat.
Në Europën tonë, ku dashuria është një lëndë që negociohet dhe tregtohet kaq lehtë, ku jemi të prirur të pandehim se a jo qenkësh monopol i yni dhe i kohëve tona civile, rrallë kam parë një solidarësi mes bashkëshortësh të ngulitur kaq thellësisht. E, megjithëkëtë, për të nuk flitet. Nëse një poet i këtushëm (por kush këtu nuk është poet?) të këndon një këngë, dashuri aty s’të ka. Gjak po, pretime, dyluftime, rrëmbime, gjakmarrje; por dashuri jo aspak. Dhe kurrë nuk më ka qëlluar të dëgjoja të shqiptohej nga ndonjëri prej zotërve të shtëpisë ku bueja emri i së shoqes, a një lëvdatë për të, a një fjalë me ndjenjë. Kurrë. Do të ishte dobësi dhe malësori nuk mund të jetë i dobët, nuk duhet të jetë i dobët, në do të jetë burrë. Ndjenjat e tij për të shoqen i mban të varrosura në më të thellin fund të vetes, të pashprehura dhe ndoshta të pashprehshme. Por malësori e do gruan e tij, e do për gjithë jetën, nuk ia nxë mendja pabesinë në martesë, është bashkëshort mjaft i mirë dhe at mjaft i mirë. Kërkon shumë, kërkon sidomos shumë bij, por edhe jep shumë, jep sidomos shembullin. Dhe, në të vërtetë, s’ka gjë më të lidhur e të bashkuar se familja malësore, ku kreu vendos për gjithçka, edhe për martesën e bijve.
Gjithsej 31 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 [9] 10 11 12 13 14 15 16 17 18 » ... E fundit » Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.