Forumi Horizont
Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shkrimtare te huaj (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=296)
-- "Shqipëria një dhe njëmijë." Indro Montanelli (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=13596)


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 18:54:

"Shqipëria një dhe njëmijë." Indro Montanelli

Ju do te mendoni se kete liber e kam lexuar une . Me vjen keq t'ju them se situtata nuk eshte e tille madje une do te kisha deshire te dija nqs ky liber i ka rene ne dore ndonjerit nga ju ketu dhe e ka lexuar, nese po atehere cilat jane pershtypjet. Dhe nqs. jeni te interesuar ta lexoni ketu do te gjeni disa kapituj te librit.

U ndesha me keto shkrime  krejt rastesisht ne gazeta botashqiptare dhe duke patur parasysh qe shume artikuj interesante nuk gjenden me kur i kerkojme mora insiativen per ti bashkengjitur ketu.

Keto qe do te lexoni me poshte jane te pergatituar nga Aurel Plasari i cili i ka perkthyer sipas origjinalitetit "Albania una e mille", G.B. Paravia & C, 1939.

Ju mirepres per reagimet tuaja!


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 18:56:

Dy fjalë për këtë libër dhe për autorin e tij

Që Shqipëria një dhe njëmijë është libër i një shkrimtari kontrovers, aq më mirë. Aq më mirë edhe ngase ky shkrimtar kontrovers është vetë Indro Montanelli zëmadh: gazetar ndër më të zotët, historian ndër më të shquarit jo vetëm italianë, por edhe europianë. Ai është shkrimtar kontrovers posaçërisht në këtë libër: jo vetëm për nga fryma e një agjit-propi të caktuar ideologjik që fryn kur-e-kur faqeve të tij, por edhe për nga ato lajthime të tij historike që mund të na ngjajnë neve sot qesharake; për ndonjë, ose më shumë se ndonjë, punë-pa-mend që formulon lidhur me çështjen e besimeve të shqiptarëve, për shembull për krishterizmin orthodhoks apo Islamin shqiptar; po ashtu për një përmasë gati monomaniake kolonializmi ekonomik e kulturor të cilën, me sa kuptohet, në kohën kur shkruante për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e ka përmbajtur dot.
Së paku prej 1937-s, kur shkruante për lexuesit italianë një numër “korespondencash” dhe “reportazhesh” që ia bënë emrin të njohur si gazetar: nga Spanja, nga Finlanda, nga Polonia, si dhe nga Shqipëria (Shqipëria e vjetër dhe e re, shënime udhëtimi, në “Nuova Antologia”, 1939, fasc. 1610, ff. 366-385 etj., shënime që do të shndërroheshin në këtë libër këtu), Montanelli ishte “fashist i thekur” (fascistissimo), sikurse kolegët e tij e quanin. Mbase për këtë arsye më vonë një pjesë të këtyre “korespondencave” dhe “reportazheve” ai nuk donte t’i kujtonte. Për shembull: ato për fushatën famëkeqe në Greqi. Por edhe këtë libër për Shqipërinë dhe shqiptarët, me sa dukej, ai donte ta fshinte nga kujtesa. Le më një novelë që e pati fshehur thuajse xhelozisht, Lukë Preka, dy bejlerët (1942), për të cilën as donte të dëgjonte. Mbas 1993-shit, kur nga Shqipëria u interesuan të merrnin prej tij një lejë për botimin në shqipe të këtij libri, Shqipëria një dhe njëmijë, ai refuzoi në heshtje, me ngulm. Më 1997-n, mandej, shkroi për Shqipërinë dhe shqiptarët pohime që i zbrisnin ata poshtë thuajse për të njëjtat veti për të cilat i pati ngritur lart, madje duke u kënduar himn, te Shqipëria një dhe një mijë. Dukeshin punë-pa-mend, nga ato për të cilat ai njihej. Nga ato që pati formuluar, fjala që vjen, edhe për “revolucionin hungarez”, duke mos e kuptuar aspak pozicionin e kardinalit Mindszenthy si mbrojtës i kurorës së Shën Stefanit. “Zoti e di kush ia shtiu në mend Montanellit një marr_ të tillë”, do të ngrinin supet vonë kolegët e tij. Një monarkist që pa-gjë-të-keq tradhton monarkinë? Një fashist që pa-gjë-të-keq gdhihet komunist? Kur në vitin 2000 një lexues në “Corriere” e pyeti në pati shkruar artikuj mbi fushatën italiane të 1941-shit kundër Greqisë, ai i ra mohit me qetësi, duke iu përgjigjur se qe fjala për ndonjë “korespondencë të rastit”, kur çështja qe për plot 28 artikuj, pra për një libër të rërë! Mirëpo i tillë qe Montanelli. Ose, më sak, e tillë duket të jetë tipologjia e personazheve si ai: shkrues tejmase të aftë, por me një aftësi që u shërben edhe për të mbuluar e përligjur në mënyrë polemike, madje duke ngulmuar se vetëm ata kanë të drejtë, shpërdredhimet e tyre politike, historike, institucionale, të cilat i bëjnë që të shpenzojnë beau style dhe maîtresse për të shkruar njëherësh gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje.
Të merremi vesh: të njëjtën tipologji do të kishte përfaqësuar Montanelli edhe sikur më 1938-n, ndërsa shkruante “korepondencat” për Shqipërinë dhe shqiptarët, të kishte qëlluar jo fashist, por komunist. Pozicionimi i shkrimtarit që vjen në gazetari nga fusha e historisë e vuan këtë rrezik: vetë të shkruarit e historisë, gjithsesi, një trajtë idelogjie është, sado të duket befasues ky pohim. Ideologjitë – më shumë fatmirësisht se fatkeqësisht - ndryshojnë dhe, rrjedhimisht, ndryshon edhe historia që historiani shkruan. Kështu ka ndryshuar ajo gjithmonë, sikurse na mësonte Finlay në leksionet e tij të Cambridgeit: do të mjaftonte të kujtonim vetëm prej antikitetit varganin Herodot- Tuqidid- Tit Liv- Tacit- Kas Dion etj. Dhe po kështu do ta ndeshnim këtë të vuar, si ndryshim hipostazash ideologjike, thuajse pa përjashtim tek e gjithë sëra disashekullore e atyreve që i quajmë “udhëtarë në Orient”, prej të cilëve, meqë ra fjala, nuk kemi shijuar ende sa do të duhej piktoreskun mbi Shqipëri dhe shqiptarë. Nëse i pari syresh prej Gadishullit italik pati qenë një Pietro della Valle (1672), Indros i bie të jetë njëri ndër të fundmit trashëgimtarë të zhanrit magjepsës. Edhe, nëse udhëtarët e qëmoçëm, të kohës së Della Valles e mbas tij, lakmonin aq fort bizaritë dhe tuhafëritë, deri edhe duke shkruar udhëpërshkrime të rrejshme për vise që kurrë nuk i patën shkelur dhe popuj që kurrë nuk i patën parë, Montanelli padyshim mund të cilësohet si ndër shkrimtarët më realistë sa u përket pikërisht njohjes, studimit dhe përshkrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo atij nuk mund t’i mohohet.
Për këtë arsye, me gjithë pasaktësitë e aty-këtushme që në këtë libër të tijin ndeshen, me gjithë traditën e bizarive apo tuhafërive prej të cilave as ai, si bir i denjë i udhëtarëve të qëmoçëm italikë, nuk ka hequr dorë plotësisht, librin e tij është më mirë ta njohim sesa t’ia lëmë pluhurit të bibliotekave italiane. Duke e zhveshur prej leskrave të ideologjisë së kohës, me siguri mjaft gjëra do të na mbeten prej leximit të tij: do përfundime që qëndrojnë ende në fuqi dhe që dëshmojnë mprehtësinë e vrojtimit, njëherësh të analizës dhe sintezës, të gazetarit shumë të aftë që ai ishte. Rrjedhur prej tyre, edhe një varg të vërtetash gjithnjë të pazvenitura nga kalimi i kohës, madje befasueshmërisht të pazvenitura, që për mendimin tim ndodhen në pikëprerjen e asaj çfarë është historike me atë çfarë është e përpjetshme te shqiptarët. Duke qenë se të vërteta të tilla nuk ndodh të nxirren në dritë prej çdofarë gazetashkruesi të huaj, ato i bëjnë nder zbuluesit dhe formuluesit të tyre duke vërtetuar se “montanellët” nuk mbijnë në gazetari oreçast, mbrapa çdo kioske gazetash.
Për mua, si përkthyes, ka përbërë përjetim kërshëror marrja dhe dhënia me një tekst të këtillë, të një inteligjence aspak të zakonshme, sikurse janë tekefundit e shumta e teksteve montanelliane. Mbas përkthimit të Fallacit (2000) dhe të Malapartes (2003), me emrin e Montanellit kam provuar kënaqësinë të bashkërendis ngjitmas njëri-tjetrit, në përkthimet e mia, tre emrat madhorë të gazetarisë, përkatësisht shkrimtarisë dhe historisë, italiane.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 18:58:

1. Nga Durrësi në Shkodër

Durrësi është një lagunë pa Venecie, siç janë tekefundit nga pak të gjitha portet shqiptare. Ngrihet mbi një ishull të vogël mbrojtur mirë nga ernat prej një shpinoreje të lartë gati dyqind metrash dhe që i bashkohet bregut me dy mbetje rripash toke mes të cilëve dremit laguna. Në fund të fundit, nuk është një qytet, por tri qytete vendosur shtresë-shtresë njëri mbi tjetrin: Durrësi roman – Dyrrhachium, - ai venedikas e bizantin dhe ai shqiptar. Të kaluarën e ka ndoshta më të shkëlqyer se të ardhmen: ajo zë fill në antikitetin grek, ngase të parët që i pikasën epërsitë që ofronte ky stacion qenë korqyrasit të cilët ngulitën aty, gjashtë shekuj para Krishtit, koloninë Epidamnos, një koloni tregtare e caktuar për tregtinë mes Greqisë dhe Ilirisë. Mandej, kur Iliria u bë provincë romane, ushtarët e Republikës zëvendësuan reshperët epirotë dhe, nga qendër e madhe shkëmbimesh, Durrësi u shndërrua në një kështjellë të armatosur. Rrënojat e kësaj kështjelle përbëjnë edhe sot murin rrethues të qytetit që ngjan se ndihet ende i mbrojtur prej tij. Kështjella përbënte një mburojë të tillë që u rezultoi e papushtueshme edhe vetë romanëve që e kishin ndërtuar: kjo ndodhi në vitin 48 para Krishtit, kur Qesari, që pati ngujuar aty një ushtri të Pompeut, nuk ia doli ta detyronte të dorëzohej.
Gjithsesi, pikërisht me mbërritjen e legjioneve romane zë fill epoka e artë e Durrësit, stacion i ushtrive të caktuara për të shtruar ilirët dhe maqedonët zevzekë dhe pikënisje e asaj Via Egnatia që romanët, të cilët rrugët i patën gjithnjë dobësi, ndërtuan përmes luginës së Shkumbinit nëpër Ohër, Manastir, Vodenë dhe Pelë, deri në Thesalonikë, dhe që idealisht lidhej në Brindisi me Via Apian. Dhe, në të vërtetë, fatet e qytetit, sidomos mbas bjerjes përparuese të Apolonisë rivale, mbetën të lidhura ngushtë me ato të kryeqytetit të Perandorisë: me të lulëzoi – dhe rilulëzoi mbas tërmetit gjëmëmadh të 314-s mbas Krishtit – dhe me të u bor në kohën e dyndjeve barbare. Por është e sigurtë që teposhtja e Romës shenjoi teposhtjen jo vetëm të Durrësit: ajo shenjoi teposhtjen e gjithë kësaj Lindjeje të afërme për të cilën marrëdhëniet me Italinë donin të thoshin marrëdhënie me Perëndimin dhe qytetërimin. Rasti i Durrësit është shembullor: ai nuk e kapi kurrëmë shkëlqimin që pati mbërritur nën zotërimin roman. Veith-i, si gjerman i mirë, i ka kushtuar një studim serioz, të ndërgjegjshëm dhe shumë të dokumentuar qytetit në epokën e tij të artë dhe rrugës Egnatia që aty dilte.
Me rënien e Romës ose, së paku, kur Roma u bë e paaftë t’i mbante të ngjeshura radhët e Perandorisë së saj të paanë, Durrësi jetoi vetëm si shtojcë e Brindisit. Dhe, kur Brindisi u pat përmbysur nga konkurimi i Venedikut, kriza u ashpërsua. Jo se tregtarët venedikas – dhe as ata amalfitanë – e lanë krejt mbas dore, por nuk ndiheshin të sigurtë aty për shkak të rivalitetit me bizantinët, normanët dhe angjevinët. Tekefundit ndikimi venedikas mbizotëroi aty vetëm shumë më vonë, mbas sundimeve të Robertit Guiscard dhe të angjevinëve dhe mbas tërmetit të tmerrshëm që bëri aty kërdinë më 1273. Vetëm në fund të shek. XIV Venediku qe aty sovran duke shpënë aty një mirëqenie që nuk u kufizua as te qyteti, as te veprat e rimëkëmbjes urbane, por që u shtri në mbarë provincën duke e tërhequr atë në një pjesëmarrje aktive me jetën e Perëndimit. Më se një shekull vijoi hegjemonia venedikase që e mbresoi thellë jetën e gjithë vendit: ende sot Shqipëria ruan shumë tipare të një province venedikase në leksik, në disa doke e tradita, në emrat e shumë prej familjeve të saj kryesore. E tëra kjo bëhet gjithnjë më e qartë dora-dorës që jetohet në vend dhe analizohen karakteristikat dhe anët e ndryshme të tij.
Vetë Durrësi ka më shumë pamjen e një magazeje te madhe venedikase se të një pazari, ndonëse sundimi osman ka qenë aty më i gjatë nga ai vendikas. Por ky sundim osman shenjoi teposhtjen e qytetit bashkë me atë të gjithë vendit. Durrësi u thjeshtua pak-nga-pak në përpjesëtimet e një katundi të madh. Nisi të rilindet vetëm në kohën e luftërave ballkanike, kur serbët mëtuan ta bënin stacionin e tyre adriatik, ndërsa princi Wied kryeqytetin e tij. Erdhi mandej Lufta e madhe dhe italianët përqendruan aty forcat e tyre tokësore e detare së pari për t’i mbrojtur, mandej për t’i bartur në gadishull mbetjet e ushtrisë serbe. Tani është një qytezë prej rreth gjashtëmijë banorësh, një qytezë e ndershme lagunore që e di se nuk mund të bëjë shumë, porse atë pakëz që mundet do që ta bëjë mirë e bukur. Ka arkivin e saj të mirë historik në rrënojat e qytezës romane dhe në kështjellën e saj mesjetare, ndërsa mbi mbetjet e getos së vjetër, që kazma shkatërrimtare po e rrënon, lulëzojnë lagje të reja europiane të pastra, të rehatshme, higjienike. Ngrihet aty, mbrapa kështjellës, pallati mbretëror. Sa për portin, ai nuk është shumë i mbrothët dhe, si mundësi natyrore, ka shumë më pak se Vlora. Por Durrësi është pranë kryeqytetit, me të cilin e lidh një rrugë e rehtatshme karrocash dhe me të cilin do ta lidhë së shpejti një autorrugë tanimë e filluar. Për më shumë, ai sundon luginën e Shkumbinit, rrugë klasike për në brendësi të vendit, dhe ka mbas shpine trevën me popullsi më të dendur të Shqipërisë, ndoshta edhe më aktiven, me siguri më reshperuesen, si trevë që ka marrëdhënie më të vijueshme dhe më të shpeshta me Perëndimin italian; njëherësh edhe më të mirëniveluarën nga ana sociale mbi një borgjezi tregtare që domosdoshmërisht do të duhet të përbëjë shtyllën kurrizore të vendit.
Ja përse mbi Durrësin është përqendruar përpjekja më e madhe e Qeverisë italiane. Vizitova punimet e portit: skelën e madhe gati gjashtëqind metrash që i vjen përanash, molin e madh në ndërtim e sipër prej njëmijë e pesëqind metrash, sharrnajën valëthyese. Janë si eshtrat e një nofulle: mbetet një gojë dyqind metrash, radë e qetë për çdo mjet lundrimi, edhe të madh. Vendos Qeveria, ka financuar SVEA (Shoqëri për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë), kanë punuar triestinët. Dhe kanë punuar si triestinë, d.m.th. rëndshëm dhe mirë.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:01:

Shoferi që më shoqëronte quhej Ahmet, por, në kundërshtim me sa emri mund të linte të kuptohej dhe, siç ndodh rëndom në Shqipëri, ishte katolik. Katolik dhe malësor, diku nga Mirdita, mandej i zbritur në qytet e i bërë mekanik. Djalë i pashëm, lloj i pastër shqiptari, i gjatë, korrozi, me flokë të shndritshëm, hundë kërrute, i veshur në kostum kombëtar, kostum që binte në sy, i larushitur: plisi i bardhë, setra e zezë, këmisha e kuqe me stolisje të çuditshme ngjyrëçelëta në shtrat të pantallonave të zeza e të gjata. Është, pak-a-shumë, kostumi i të gjithë shqiptarëve të veriut, që quhen gegë. Ahmeti ishte fjalëpak dhe kjo fjalëpakësi bënte pjesë në një qëndrim të tijin të veçantë, që ishte shumë hijerëndë e i përkorë, i denjë për një ish-student t’Oxfordit ose Cambridgeit që të paskësh humbur vesin e të dehurit. E pranoj se më trembte paksa ai të shkëputur i tiji prej sendeve, ai të shërbyer i tiji pa u sjellë si shërbëtor. Kishte qenë në Romë disa vite dhe fliste një italishte të rreptë e të përkryer, pa ndotje dialektore. Ndërsa vrojtoja nga skela e madhe punimet e molit, Ahmeti më shtiu në mend që, nëse doja të isha në Shkodër para mbrëmjes, ishte më mirë të shpejtonim. U habita pakëz, për shkak të udhës jo kushedi çfarë, por mandej m’u desh të bindesha që Ahmeti kishte të drejtë.
Rruga që morëm ishte ajo – e vetme – që përshkon për së gjati Shqipërinë nga kufiri grek i Veriatit tek ai jugosllav i Hanit të Hotit, mbi rrafshultën e dystë dhe të shkretuar që ndan detin nga malet: një rrugë që, në pati qenë e vështirë të ndërtohej sikurse është e vështirë të rrihet, mundime të mëdha duhet t’u ketë kushtuar ingjenierëve edhe punëtorëve. Shtrihet në një gjatësi gjithë-gjithë treqind e pesëdhjetë kilometrash dhe në trungun e saj ngulen degët anësore që shpien në perëndim drejt detit dhe në lindje drejt maleve. Në Vorë, ku mbërritëm mbas njëzet kilometrash dhe pesëdhjetë minutash, shartohet rruga për Tiranë që mban dhjetë milje.
Nga Durërsi në Vorë pata nge (ndoshta “nge” është e tepërt me thënë; të themi se pata kohë) të vrojtoja kryemotivin gjeologjik që përbën bazën e gjeografisë, të historisë, të ekonomisë shqiptare: luftën për tokë mes shkëmbit dhe ujit. Toka shkridhet ngadalë dhe në krye të herës është amfibe: një llucë e shpërbërë, pa bimësi, nëpërduket, duket dhe riduket; dhe kjo pavendosmëri zgjat për disa kilometra para se lënda e gurtë të dallohet prej së lëngshmes. Teknikët e zanatit e quajnë këtë një dukuri “rinie gjeologjike”. Lumenjtë e shumtë dhe tekanjozë që zbresin nga lindja, duke mbërritur me vrull për fushë mbas shtrëngimit të pësuar në grykat e ngushta malore, e tërheqin lëndën e ngurtë në masa të mëdha lyshtrore drejt derdhjes dhe e fundërrojnë aty. Kështu që i gjithë rripi bregdetar që qëndis Shqipërinë prej Shëngjinit të Medues në Vlorë nuk është veçse një shkarkim dherishteje grumbulluar aty prej këtyre rrjedhash të padisiplinuara uji ende tepër të reja për t’u shtruar në shtretrit e vet.
Pamja e peizazhit përmirësohet dora-dorës që lihet bregu dhe hyhet në brendësi: bëhet më e larmishme, më e pasur, më e hareshme. Bimësia del përfaqe, në fillim rakitike dhe e padiferencuar, – ferrmanza dhe shkurrishte, – mandej vjen e rritet në tone, në shtat, në ngjyra. Lëndina të buta, mbujake dhe të epshme, shërbejnë për kullota grigjash dhe kopesh shtegtare: së largmi ngjajnë si fusha të mëdha bilardoje me gjithato bila sedefi të bardhë. Kur bie shi – siç ndodhi asaj dite, por fatmirësisht për pak – uji e bën lloç tokën e pasigurtë dhe mbetet aty pa mundësi kullimi. Së këndejmi edhe malarja që bën kërdinë në zonë. Mëkat i madh, sepse këto vise – jo të gjitha, por pjesa më e madhe e tyre – po të mos ishin kaq të rrezikuara nga ethet, mund të përbënin një rezervuar prodhimi të aftë të plotësonte nevojat bujqësore të gjithë vendit. Por për këtë mundësi dhe për projektet për realizimin e saj, që tanimë po studiohen në Tiranë, do të flasim më tej.
Kaluam Prezën, kaluam Gjazën, kaluam Mamurasin dhe Milotin. Në Milot u ndala të përftoja një ide për një katund shqiptar të fushës. Pak gjë për të thënë: janë katunde të mbyllura, të nyjëtuara përgjatë rrugës, me një kishë ose një xhami për qendër. Por prej Preze e më tej filluam të ndesheshim me kodrën dhe me pyllin, një pyll i dendur lisash që, duke u shembur prej së lartit, rrëshkisnin deri brenda moçalishteve të amullta mes Ishmit dhe Drinit. Mbi çdonjërin prej këtyre lumenjve ngrihen ura mjaft të mira. Shumë e bukur ajo mbi Mat. Derisa mbërritëm në Lezhë, ku respekti për historinë më shtrëngoi të bëja ndalesë.
Në Lezhë vdiq Skënderbeu më 18 janar 1468, Skënderbeu: poeti i madhe i politikës shqiptare. Si të mos ndalesh mbi varrin? Por varri i tij është zhdukur, nuk dihet si, as pse. Ishte, duhet të jetë varrosur në kishën e Shën Kollit, përbri pazarit në bregun e majtë të Drinit. Drini është, pazari është, kisha është, sa për varrin: mister. Por ndoshta ka më shumë poezi në këtë mister se në çfarëdo përmendoreje që mbasardhësit do të kishin mundur të ngrinin në kujtim të heroit: Skënderbeu është ushtari i panjohur i Shqipërisë.
U kacavara – dhe është një sipërmarrje aspak e thjeshtë - nëpër kodrën ku ndodhen grumbull rrënojat e qytezës venedikase, që pati qenë e papushtueshme. Në antikitet dhe në Mesjetë ajo i bënte rojë kalimit të detyruar mes fushës së Matit dhe Zadrimës. Sot qendra ka humbur në rëndësi dhe në banorë, që janë pak më shumë se mijëshja. Dremit në hijen e kalasë së saj të vranët dhe të rrënuar, në një vis të pashëndetshëm. Ndonëse komunikacionet i ka të mira, - ndodhet në gjysmudhë mes Shkodre dhe Durrësi dhe stacion fillestar i një tërthoreje që mbas shtatë kilometrash mbërrin në Shëngjin të Medues, - nuk më duket e pasur me të ardhme. Por është me interes ta shëtisësh si shembull tipik të një katundi shqiptar, jo më fshat dhe ende jo qytet, me jetën e tij ngalakaqe përmbledhur në pazarin ngjyra-ngjyra ku zhvillohet në qiell të hapët tregtia e artikujve ushqimorë dhe të nevojës së parë. Mandej, përreth sheshit, një gjarpërim rrugicash, njëfarë getoje me gjeometri të çuditshme ku ngrihen njëra mbi tjetrën shitoret e paluajtshme, aq sa mund të jetë i paluajtshëm një çardak i dalë jashtë një shitoreje të ngushtë ku janë grumbulluar pirg në një mbështjellim piktoresk sendet më të larmishme.
Ka diç orientale në gjithë këtë, si dhe në atë jep-e-merr të gjatë, të ndërlikuar nga një ceremonial i hollësishëm, me fjali riti dhe gjeste sakramental. Por diç orientale zhveshur prej çdo ngulmimi të mërzitshëm, prej çdo përunjeje servile. Kur jep e merr me klientin shqiptari ruan një ton gjithë sqimë e korrektësi dhe kam pasur përshtypjen që hilja dhe mashtrimi të qenkëshin të huaja për doket e këtyre njerëzve. Për të blerë një qilim të vogël mirditor ia lashë në dorë Ahmetit: ndenjëm ulur, unë, ai dhe tregtari, një gjysmë ore të mirë. Ata kuvendonin qetshëm, me pushime të gjata mes një pyetjeje dhe një përgjigjeje; unë tymosja duhan dhe pija kafen me të cilën më kishte qerasur pronari. Ndonjë kalimtar ndalej, por nuk merrte pjesë në kuvendim veçse po ta ftonte njëri prej dy negociuesve. Mua nuk më drejtoheshin thuajse asnjëherë; kur më drejtoheshin, e bënin me një mirësjellje pa tepr_ dhe me një nderim që të bën të ndihesh ngushtë. I përmbaheshin një etikete të shuguruar, por një etiketë e përkorë dhe me shije të mirë. As një milanez nuk do ta kishte ndier veten ligsht. Kur çështja e mundimshme u përfundua, tregtari u ngrit, më dha dorën, më tha “falemnderit, zotëri” në italishte dhe më shoqëroi deri në skajin e çardakut.
Ahmeti dhe unë ia mbajtëm nëpër rrugicat e ngushta. Me gjithë pamjen time perëndimore, - që një çast, kushedi pse, m’u duk qesharake, - nuk vura re të isha bërë shenjë e asnjë kërshërie të mërzitshme: çfarë është, ndër të gjithë, dëshmia më bindëse e edukimit të mirë të një populli, do të guxoja madje me thënë e qytetarisë të tij. Digjesha nga dëshira për të hulumtuar një mjedis të brendshëm, por për këtë nuk dilte koha. Mbërritëm në hanin ku kishim lënë makinën, dhe që është një tjetër koeficient i detyrueshëm i qendrës urbane shqiptare: një ndërtesë në përgjithësi më e madhe se kulla, me një oborr në qendër, që shërben për strehë kafshësh dhe përreth të cilit hapen kthina të vogla ku shtegtarët, në rast nevoje, mund të shkojnë natën. Hyra në njërën prej këtyre kthinave: kishte vetëm një qilim shtruar mbi një rrogoz dhe, në këndin lart, një fener.
Mbas pak u nisëm, duke marrë bregut të djathtë të Drinit dhe anës së majtë të një liqeni gjator, mbetje – me sa dukej – e një fundosjeje të vonë. Por, tekefundit, i gjithë peizazhi përreth ishte moçalor. Moçalor dhe i begatë, gjithë miazma tharmuese, i rrafshët nën një kupë qielli të ulët, të rëndë e të butë si lymishte. Është Zadrima, që shtrihet për më se njëzet kilometra nga njëra anë dhe tjetra e rrugës, Zadrima e pasur me tokën e zezë më të vyer se ari.
Në Shkodër mbërritëm ndërsa ishte errur.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:04:

2. Shqipëria e veriut

Bekoj çastin kur më tha mendja të shtyhesha në Malësi. Po ta kisha përjashtuar nga itineraret e mia këtë etapë të lodhshme dhe rrëmbyese, nuk do ta dija ç’është Shqipëria. Ngase ç’është Shqipëria e shpjegon më shumë një kullë malësore se të gjitha bulevardet e kryeqytetit.
Nuk do të tregoj tani për fije e për pe udhëtimin që bëra, edhe sepse, me thënë të drejtën, nuk e mbaj mend itinerarin dhe as emrin e fshatrave që vizitova. Shpesh emrin e atyre fshatrave nuk më ra në mend as ta kërkoja dhe, sa për itinerarin, si kisha programuar një të tillë, ndoqa një tjetër të ndryshëm, siç e diktonin rrugët dhe trilli i fatit. As mund të shtie në punë bllokun e zakonshëm të shënimeve. Bllokun e mora me vete, nga zakoni i gazetarit, por në të nuk shkrova asgjë, i bindur se nga sa shihja dhe dëgjoja do të mbaja mend gjithçka.
Ajo që vizitova është “Shqipëria e vjetër”. Kështu e quajnë të gjithë. Por unë do ta quaja më fort një Shqipëri jashtë kohe, as e vjetër dhe as e re, një Shqipëri që këtu e dhjetë shekuj të shkuar, kur ishte njëzet vjeçe, i tha ndal diellit dhe historisë edhe qysh atëherë nuk është rritur më. Jeton qysh atëherë në patëkeqësinë e rinisë së saj të lume duke shpërfillur gjithçka, përplot me virtytet e me të metat e përbashkëta për çdo rini në të cilën edhe të metat janë virtyte.
Doemos Malësia rëndon në jetën praktike të Shqipërisë së sotme, prirë ndaj rindërtimit të vetvetes në kuptim modern e perëndimor. Rëndon si elementi më tradicional dhe i pabindur ndaj programit të përtëritjes, rëndon me padepërtueshmërinë e saj fizike edhe rëndon me padepërtueshmërinë e saj psikologjike. Në të vërtetë, me të mbërritur në ato bjeshkë – dhe të mbërriturit aty nuk është sipërmarrje e lehtë – e ndien veten të bartur në një tjetër botë, ku masa e vlerave është e ndryshme dhe i ndryshëm është boshti në të cilin vërtitet jeta e përditshme.
Edhe peizazhi të befason, jo aq me bukurinë e tij sa me veçanësinë e kësaj bukurie. Nuk dallohet prej rrafshultës për kalim të butë, si gjetiu. Ai teptis befasisht, me maja të ashpra, me mure të mëdha kineze që u shërbejnë si ledh “bijve të shqipes”: shkëmbinj të bardhë ose të përhimë mbërthyer mes luginash të gjelbra si perla mes smeraldesh. Por më kot do të orvateshe ta mësyeje drejtazi, nga jugu, atë brofje kas të maleve. Lypset t’i biesh qark me durim nga perëndimi dhe të kërkosh shtigje të mistershme që vetëm udhërrëfyesit i njohin, shtigjet e mistershme që përbëjnë etiketën me të cilën këta masivë viganë mbrojnë prestigjin e vetmisë së tyre hijerëndë. Dhe besoj të ketë në këtë mister një gjësend me dashje, njëfarë ruajtjeje të qëllimshme të tij nga ana e malësorëve. Qysh në Shkodër plani për t’u ngjitur atje lart nuk kishte ngjallur veçse nënqeshje skeptike: jo këshilla ose sugjerime, por vërejtje të dyshimta dhe heshtje shkurajuese: “Duhet një udhërrëfyes, duhen mushkat… shumë kasavete… është udhëtim i gjatë e i mundimshëm… udhërrëfyesi do zgjedhur me kujdes…”.
Udhërrëfyesin e zgjodha me kujdes, domethënë ma zgjodhi Ahmeti, shoferi: një mik i tiji me ardhje që andej së larti, i krishterë ortodoks, aq ortodoks sa quhej Kristo. Dhe qe kjo e para herë në jetën time që pashë Krishtin dhe Muhametin të shkonin krah-për-krah duke kuvenduar paqësisht mes tyre. Por në Shqipëri kjo ndodh rëndom.
Kështu u nisëm, biblikisht: Kristoja, dy mushkat dhe unë, për të pushtuar Malësinë.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:06:

KANUNI

Kur i kisha kujtuar mos qe e udhës të merrnim me vete së paku një pisqollë, Kristoja më qe përgjigjur: “Nuk hyn në punë. Le që për ju janë pushkët e malësorëve”. Aty për aty mbeta ligsht, ngase fjalia m’u duk së paku dykuptimshe. Mandej, në rrugë e sipër, udhërrëfyesi qe shpjeguar më mirë. “Miku është i shenjtë, - më tha, - dhe shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e shtegtarit. Askush nuk mund të të bëjë gjë, sepse çdo dëmtim që mund t’i bëhet mikut paguhet me jetë”. Nuk tha pikërisht kështu, por pothuajse: italishten e fliste keq, por me stilin madhështor, që mandej e kuptova se ishte karakteristik i gjithë Malësisë.
Ligji simbas të cilit “miku është i shenjtë” dhe “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e shtegtarit” është një ligj tradicional ose më mirë një doke e kodifikuar nga Lekë Dukagjini, bashkëkohës dhe këshilltar i Skënderbeut: diçka mes poemës, digjestit dhe një përmbledhjeje fjalësh t’urta popullore. Ky kod, i quajtur Kanun, u njoh edhe nga Qeveria turke dhe është i rrënjosur prej shekujsh në ndërgjegjet, aq i rrënjosur sa të sfidojë ngadhënjyeshmërisht konkurencën e reformës legjislative, moderne dhe perëndimore, të Shqipërisë së re. U orvatën ta asgjësonin edhe Turqit e Rinj. Dhe rrjedhojë e parë e kësaj orvatjeje qe anarkia; rrjedhoja e dytë qe kryengritja, një kryengritje që shenjoi fillimin e mbarimit të Perandorisë osmane të Europës. Besnikëria ndaj Kanunit është për çdo malësor të mirë çështje nderi kombëtar dhe vetjak. Me ardhje prej fiseve dukagjinase të krahut të majtë të Drinit, Kanuni mandej u shtri në mbarë Shqipërinë. Dhe mbeti gjithnjë gojor, i bartur nga ati te biri. I vetmi tejshkrim prej tij është shumë i vonët, i botuar në një revistë të Shkodrës.
Mbi atë mbështetet organizimi i fisit, i fisit patriarkor shqiptar, mbajtur në këmbë prej këshillit të pleqve, depozitues të drejtësisë, vendimet e të cilëve jepen në vende të shenjta. Edhe nuk ka gjë më magjepsëse se ajo gjykatë e lartë pleqsh, të cilëve Kanuni u beson rolin e rregulluesve të jetës dhe të dokeve të Malësisë. Kam qenë i pranishëm, në Rjoll, në një prej këtyre mbledhjeve edhe asnjë gjyq e asnjë gjykatore nuk më ka bërë ndonjëherë aq përshtypje: rituali, shumë i lashtë, seç kishte diçka homerike, dhe me ëndje të plotë harrova që kriteret, në bazë të të cilave gjyqtarët e paapelueshëm gjykonin e urdhëronin, mund edhe t’ia shpifnin një ndërgjegjeje moderne e perëndimore. Tekefundit, më vonë, këtë opinion ndjellakeq mbi kriteret e drejtësisë ndjekur prej gjykatoreve që zbatojnë këtë ligj m’u desh ta rishikoj disi dhe ta qortoj.
Kanuni buron drejtpërsëdrejti prej adetit, d.m.th. prej dokes së Malësisë; është e drejtë ndëshkimore dhe civile njëherësh dhe bazohet mbi institucionin e gjakut, d.m.th gjakmarrjen, që është ndëshkimi i parashikuar jo vetëm për vrasjen, por edhe për shumë fyerje të tjera lloji të ndryshëm. Është detyrë që i bie fisit bashkërisht, atëherë kur njëri prej anëtarëve të tij të jetë cenuar në nder, edhe ka rreze veprimi dhe mënyrë zbatimi të ndryshueshme simbas llojit të dëmit të pësuar. Më i rëndi i këtyre dëmeve është vrasja e një miku. Rregullimi me të holla ose, gjithsesi, nëpërmjet pajtimit të gjakut, që disa herë pranohet, në një rast të tillë përjashtohet: detyra e marrjes së gjakut të mikut është kategorike dhe mund të ushtrohet, përpos se mbi vrasësin, edhe mbi të afërmit e tij meshkuj deri te fëmijët tre vjeç. Disa vite më parë në një fis, më duket se të Toplanës, kundër një familjeje, një prej anëtarëve të së cilës kishte vrarë mikun, u ngrit në luftë e tërë bashkësia duke lënë për truall shtatëdhjetë e katër të vrarë.
Për ta zbutur këtë rregull ka përjashtime të ndryshme: besa për shembull, d.m.th. pushimi i armëve që në përgjithësi vendoset për një vit dhe realizohet me ndërmjetësi miqsh të të dyja palëve. Fyes dhe i fyer puthen dhe fyesi shkon në shtëpinë e të fyerit me qengja dhe deshinj për dhant_. Shtrohet një drekë e madhe, si vulosje paqeje. Dhe më në fund vepron bamirësisht gruaja, e cila gëzon njëfarë bese përjetë dhe, nën mburojën e kësaj paprekshmërie, ushtron në shumë raste funksionet e pajtuesit
E gjitha kjo pasqyron doket homerike dhe kalorësiake të Shqipërisë së Veriut, të organizuar në fise, simbas ligjesh të sajat, shumë të lashta, me të cilat ligjet e sunduesve të ndryshëm, që erdhën një-mbas-një në kohë, bashkëjetuan pa iu mbivendosur njëri-tjetrit. Është një organizim i thjeshtë, aristokratik, me një këshill të pleqve që mban autoritetin absolut, një organizim patriarkor në të cilin pleqëri e përvojë ngrenë peshë më shumë se çdo tjetër cilësi censi ose lindjeje edhe që ka një bazë të tijën morale, sociale e ekonomike, një arsye të tijën ekzistimi ende sot kur kushtet nuk janë krijuar për një revolucion ose për një evolucion në kuptim modern. Merret vesh që ky regjim është i paracaktuar të zhduket; por merret vesh edhe që kjo zhdukje nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë para se të dhënat sociale që e përligjin të mos jenë zhdukur edhe ato.
Janë kund pesëdhjetë fiset e veriut, të mbledhura çdonjëri rreth një bajraku ose flamuri, me një bajraktar ose flamurmbajtës. Fisi është një organizëm mjaft autonom, në kujtim të kohës kur tribuja nuk qe përbërë ende në njësi. Por brenda fisit, ende sot, martesat ndalohen. Nga fisi zbritet në organizma edhe më fillestarë, që janë mëhallat apo grupshtëpitë.
Fisi është shprehja më e lartë e ndijes sociale të malësorëve që, përtej fisit, nuk shohin asgjë. Bajraktari, këshilli i pleqve dhe kuvendi janë të vetmet autoritete në përkim me të cilat malësori përshtat të vepruarit e tij. Janë bajraktarët ata që vendosin për luftë dhe për paqe, që përpunojnë doket simbas normave të traditës dhe gjykojnë simbas atyreve të Kanunit. Vetë turqit që, nga të gjithë sunduesit e huaj, patën qenë ata që në Shqipëri zgjatën më shumë e ndikuan më thellë, nuk mund ta kapërcenin autoritetin e këtyre krerëve duke iu sjellë drejtpërsëdrejti malësorëve. Duhej t’i drejtoheshin bylykbashit, njëfarë ministri fuqiplotë i deleguar i përhershëm i bajraktarëve pranë qeveritarëve osmanë të qyteteve të ndryshme, ngase çdo urdhër, prej cilësdo anë që të vijë, nuk është i vlefshëm në Malësi pa dorëzaninë e pleqve. Ata janë konsuj dhe kapedanë, me një autoritet që mbështetet sidomos në meritat e tyre vetjake dhe, pra, ndryshon nga njëri te tjetri. Ata kanë si sovranë flamurmbajtësit e çdo fisi dhe si vasalë krenët që janë kryetarët e mëhallave dhe që përbëjnë në paqe këshilltarët e tyre ndërsa në luftë mëkëmbësit e tyre; dhe kanë gjobarët si përmbarues të vendimeve të tyre1. Vetëm në raste të jashtëzakonshme thirret kuvendi, d.m.th. këshilli i përgjithshëm i fisit, në të cilin marrin pjesë, nën dënim me gjobë, tërë kryefamiljarët e armatosur.
E gjitha kjo ngjan e largët në kohë, një mbetëz feudale, një tepricë antikiteti e ruajtur artificialisht si një eshtërmbajtës mermernash në një nekropol. Kurse në të vërtetë është një realitet ende i sotëm, i gjallë, i ngërthyer në jetën malësore. Shumë pak orë nga Tirana dhe pak orë nga Italia është një botë që jeton me këtë regjim, me këto ligje, një botë poetike e mbetur gjallë përanash progresit. Kujtimi që ruaj nga kjo botë është më i bukuri nga të gjitha kujtimet që, edhe ato shumë të bukura, ruaj prej Shqipërie.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:08:

MALËSORI

Malësori i veriut është burrë fizikisht i bukur, i bukur pa spitullime: shtatlartë, i prerë në tiparet e gjalla, mashkullor në të gjitha shprehjet e tij, i drejtpërdrejtë; insktinkti dhe veprimi i shkrehen thuajse njëkohësisht pa diafragmën e të menduarit. Është burrë i ashpër, shkëmbor, i dalluar vetëm paksa nga flora dhe nga fauna që e rrethojnë. I vobegtë shumë dhe zotëri i madh, ka një prerje të vetën gjithë hijeshi, një denjësi edhe fizike të pacenuar aspak prej varfërisë së petkave të tij dhe prej përkorjes së jetës që çon. Për nga tradita është blegtor, ndërsa për nga instinkti dhe nga natyra, fjalëpak.
Shqetësimi i tij kryesor është t’i mjaftojë vetvetes, dhe kjo shpjegohet po të mbahet parasysh ngadalësia e lidhjeve sociale. Për një pjesë të mirë të ekzistimit të tij, ai është i vetëm, i vetëm si person ose si kryefamiljar, përpara Zotit.
Në dimrat e gjatë, kur dëborat zënë qafat malore, çdo marrëdhënie mes njerëzve bëhet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Malësori i plotëson vetë të gjitha nevojat e jetës, robinson i përjetshëm, por robinson më shumë i plogët se kërkues. Bën dru dhe qymyr, farkëton vetë kazanin për të zier misrin, ushqim i tiji kryesor, ngre me mur oxhakun e vet, e ndërton vetë shtëpinë, e pasjis atë vetë me orendi në mënyrë shumë të thjeshtuar, por jo pa një kriter estetik: të shpeshta janë punimet e gdhendjes ose të argjendarisë që takon në këto banesa dhe shpesh janë punime me vlerë, të punuara me durim vitesh nga duar artizane të prira vetvetishëm drejt bukurisë, një bukuri e qashtër, njomëzake, gjithë ndjesi, pa aspak tru, pikërisht si i shkon përshtat bukurisë së vërtetë. Mbeta i befasuar dhe i tronditur para do përdorësesh blegtorire që stolisnin banesat e mirditorëve: gjethe fiku me lakuriqësi spartane. Do të kisha dashur të blija disa syresh, por kur ua kërkova këtë zotërve të shtëpisë, ata u nxituan të m’i bënin dhuratë, dhe atëherë m’u desh të heshtja. Sepse ky shqiptar i veriut, ky bari mjeran është, në mjerimin e tij, zotëri i madh. Është estet, jo tregtar. Nuk e kupton paranë dhe, tekefundit, nuk do të dinte çfarë të bënte me të: ai nuk shet, dhuron. Dhe ti, borgjez perëndimor, mbetesh i druajtur e plot nderim para kësaj bujarie krejt të vetvetishme, të çiltër, pa kurrfarë dëshire për t’u dukur. Edhe të vjen turp që je njeri i qytetëruar.
Një jetë e këtillë, vetmitare dhe e ashpër, e zhvillon tejmase personalitetin vetjak të këtyre njerëzve. Çdo njeri ka një botë dhe në këtë botë është despot absolut. Tek i qasesh pranë, ndien menjëherë, ti europiani i zvogëluar nga shoqëria, gjigantizmin e kësaj njerëzie parake, edhe i nënshtrohesh asaj pa mundësi të maturi apo të gjykuari. Vetëm si të jesh kthyer në Europën tiranase, në të cilën e gjen së rishti kuptimin e jetës moderne, mund të bësh bilancin e një shoqërie me malësorët dhe t’ia përvijosh asaj një skicë të pashtrembëruar ngashërie. Për sa kohë të qëndrosh me ta, kësaj ngashërie nuk i ikën: ajo t’i përmbys të gjitha kriteret e gjykimit moral dhe civil mbas të cilave truri yt deri më tani qe mbajtur ngërthyer, koncepti i së mirës dhe i së keqes të kthehet kokëposhtë, ti vë në dyshim progresin, qytetërimin, ligjet, bota malësore të magjeps me padepërtueshmërinë e saj, me misterin e saj të thellë, me mohimin e saj goditës të gjithçkaje që deri aty më parë përbënte botën tënde.
Shqiptari i veriut ka virtytet e tij të veçanta, që janë virtytet homerike të kurajës dhe trimërisë. Ashtu si te grekët e vjetër, për malësorët fuqi dhe mirësi janë e njëjta gjë, si edhe dobësi dhe ligësi. Simbas kodit të tyre moral, cubnia ndaj të tjerëve, vrasja e armikut, pretimi janë gjeste shoqërisht të vlerësuara, si përforcime të mëtejshme të këtyre virtyteve. Luftëtarë dhe poetë nga prirja natyrore, çdo heroizëm është lëndë për këngë dhe çdo këngë është nxitje për heroizmin e kuptuar kësisoj. Aspirata e madhe e çdo malësori është të kujtohet edhe mbas vdekjes si protagonist aventuarsh të rrezikshme, të bëhet objekt i një kënge popullore. Çdonjëri prej tyre, me t’u lindur, vë kandidaturën për pavdekësi.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:11:

SHTËPIA DHE FSHATI

Jetojnë në shtëpi rudimentare, por me muraturë, të quajtura kulla.
Një kohë, çdo fis kishte vetëm një ose pak kësi kullash, të caktuara për të shërbyer si fortesa. Pjesa tjetër e banesave përbëhej prej kasollesh, prej staneve, thurima kallamash të mbushura me droçka balte, ndërtuar prej vetë atyre që banonin në to. Muratorë të specializuar këtu lart nuk ka, ngase malësori e ka zët kriterin e profesionizmit, të zanatit. Bën punën e blegtorit, sepse blegtoria është art, një art i palëvizshëm, art i lirë, që nuk e mban peng mendimin duke e shtrënguar mbas ndonjë rregulloreje. Malësori është gjithë fantazi. Ata ta jugut nxënë dhe ushtrojnë zanate, ata të Dibrës dhe të Korçës bëjnë punën e muratorëve. Ata, në shtegtimet e tyre, sollën edhe në male vesin e tullës e të llaçit dhe atë të gjeometrisë. Por malësorët edhe kësaj shpikjeje të borgjezëve jugorë i kanë vënë një mbresë të tyren, luftarake, duke ua përshtatur arkitekturën ndërtimore shijeve dhe nevojave të tyre të veçanta. Kulla ka formë katrore, më shumë e lartë se e gjerë, me mure të trasha, me një derë të ngushtë e të rëndë, të mbathur në hekur, ndërsa përreth me një mur të thatë që të shërbejë si ledh mbrojtës. Çatia është një rreshpe pa tjegulla; dritare ka pak e edhe ato ta pakta ndodhen në katin e parë dhe janë të vockëla fare, më shumë frëngji se dritare. Ka vetëm dy kate: përdhesin dhe të parin, të errëta për shkak të hapjeve të pakta dhe shpesh të tymosura për mungesë të oxhakut. Dhe shpesh aty jetohet, në harmoni biblike, bashkë me kafshët, që janë pjesë përbërëse e familjes. Orenditë janë më shumë ndërmendje se orendi: rrogozë për të ndenjur dhe për të fjetur. Vetëm kaq.
Por, të merremi vesh, ky është vetëm një përshkrim skematik, një lloj ideal i kullës. Në të vërtetë ajo ndryshon simbas pikës ku ngrihet dhe nevojave që duhet të përmbushë. Kështu, simbas mundësive ekonomike të pronarit, ka përbri kullës edhe stalla e magaze që lejojnë tanimë një dallim të qartë mes jetesës së njerëzve dhe asaj të shtazëve. Ka mandej kulla me dy kate dhe atëherë kati përdhes shërben si magaze materialesh, ndërsa pjesa tjetër, kur është fjala për banesa muslimane, ndahet në selamllëk dhe haremllëk. Ka më në fund edhe kështjella, kështjella të vërteta e të mirëfillta, si ato që kam parë në Dibër: castrae të njëmendëta, të përforcuara mirë, me një gjerdan kullash përqark, brenda cakut të ledhit rrethues: ajo për shërbëtorët, ajo për kafshët, ajo për magazet, ndërsa në qendër ndodhet saraji, i vangti i vranti i frikti saraj.
Katundi ka lindur kështu: nga takimi i rastësishëm i disa kullave që në një çast të caktuar u ndodhën, nuk po them të bashkuara, por më pak të hapërdara nga të tjerat në një territor të dhënë. Më shumë kulla formuan mëhallën, më shumë mëhalla formuan një katund. Mos u kërkoni këtyre katundeve një plan rregullues. Plani rregullues parakupton një program, programi parakupton një pikësynim, ndërsa katundet malësore janë jashtësynimore, d.m.th. banorët e tyre kanë dëshirë për gjithçka, përpos se për jetë sociale. Në të vërtetë, përbrenda këtyre lidhnive çdo kullë është pjesë më vete dhe, e skajuar, i bie ndesh lidhnisë brenda pritës së murit të saj të thatë, në qendër të hinterlandit të saj, me ekonominë e saj, ligjin e saj moral, kreun e saj, kafshët e saj, tokën e saj, misrin e saj. Katundi është një organizim ideal, abstrakt, i përbërë nga shuma e këtyre mikrobotëve të padepërtueshme, që shkoklohen, duke fyer rëndshëm logjikë e gjeometri, me largësi të stërmëdha. Do ta kërkoje më kot një qendër, gjithçka është jashtëqendrore, rrethinore, përfshi kishën dhe xhaminë të cilat gjithashtu jetojnë të mënjanuara, të mbyllura në korracën e tyre prej muri të thatë: janë kisha dhe xhami luftarake, sikurse qenë Krishti dhe Muhameti këtu e njëmijë vjet të shkuar. Pasiguria e shkaktuar nga të luftuarit pritash dhe të ndeshurit e vijueshëm fis me fis, burrë me burrë i ka bindur malësorët të zgjedhin për ndeja vendbanime tanimë të pajisura nga nëna natyrë me mjete mbrojtjeje: i duan shumë kreshtat e thikta, i urrejnë fundet e luginave; parapëlqejnë qafëmalet, i kanë zët pyjet. Dhe sa më larg të jetë e mundur nga deti.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:13:

FAMILJA

Duke strehuar një familje dhe duke pasur vetëm marrëdhënie të pakta me familjet e kullave të tjera, çdo kullë kuptohet si bërthama e vërtetë e organizmit social ose si familja.
Ajo është një organizëm i ngjeshët, moralisht i shëndoshë, i mbajtur bashkë nga autoriteti i gjithëfuqishëm i kreut që ngjan aty si despot. Regjimi i saj është patriarkor. Dhe, sikurse ndodh në të gjitha regjimet patriarkore të popujve burrërorë, gruaja ngre mjaft peshë dhe urdhëron shumë, krejt në të kundërt të regjimeve nordike matriarkore të popujve të femërsuar në të cilat gruaja ka vetëm një iluzion legalitar të urdhëruari. Doemos në Shqipërinë e veriut këtë e kupton vetëm duke jetuar aty. Përshtypja e parë është që pozita e gruas qenkësh aty siç është në të gjitha vendet me qytetërim të llojit musliman. Me të mysafiri i huaj nuk jep e merr, ngase kryefamiljari, që është sidomos burrë krenar, ia njeh vetes detyrën e politikës së jashtme. Parballë cilitdo të huaj, zotnia është ai, dhe do të ishte mungesë e rëndë korrektese t’i drejtoheshe drejtpërsëdrejti zonjës së shp_s duke kapërcyer autoritetin burrëror. Por brendapërbrenda familjes është ajo që udhëron dhe drejton, është ajo deus ex machina, motori i palëvizshëm i gjithësisë së vogël që i rrotullohet qark. Ajo është e lirë, mbulesën nuk e ka mbajtur kurrë, dhe është e pagojë përballë burrit që, për traditë, duhet të ketë pamjen se urdhëron. Dhe punon. Detyrat më të mundimshme i janë lënë asaj: të bëjë dru, të bartë ujë, të punojë arat. Dhe kjo për tri arsye: pikësëpari, sepse malësori nuk mund të bëjë veçse punën e blegtorit; së dyti, ngase gruaja, duke qenë e shenjtë, mund të dalë jashtë pa drojë pritash nga ana e armiqve; së treti, ngase kjo shërben për të përforcuar konceptin tradicional të burrit-zot dhe për t’i siguruar, së paku në dukje, mbijetesën këtij koncepti.
Porse, për ta zbutur këtë doke që mund të zvetënohej më së fundi në një trajtë skllavërie të gruas, ka një marrëdhënie shumë të hollë, tejmase nazike, mes burri dhe gruaje, mes nëne dhe bijsh, marrëdhënie e padallueshme së jashtmi ngase është e pashprehur: dashuria. Të merremi vesh: është një dashuri jo si e konceptojmë ne, të lindur nga mishi, sepse shqiptari në përgjithësi dhe malësori veçanërisht janë shumë pak epshorë dhe ndjenjat e tyre janë të gjitha të përbrendshme, jo përmbi lëkurë; por një dashuri që lindet çikë-nga-një-çikë, mbas martesës, nga bashkëjetesa e ngushtë, nga simpatia e detyruar që mugullon mes dy qeniesh të cilat ndihen jo të vetëm mes të tjerëve, por të vetëm kundër të tjerëve, kundër natyrës koprace, edhe që mbrojnë e mbështesin shoqi-shoqin duke mos qenë gratë në këtë detyrë aspak më të ulta nga burrat.
Në Europën tonë, ku dashuria është një lëndë që negociohet dhe tregtohet kaq lehtë, ku jemi të prirur të pandehim se a jo qenkësh monopol i yni dhe i kohëve tona civile, rrallë kam parë një solidarësi mes bashkëshortësh të ngulitur kaq thellësisht. E, megjithëkëtë, për të nuk flitet. Nëse një poet i këtushëm (por kush këtu nuk është poet?) të këndon një këngë, dashuri aty s’të ka. Gjak po, pretime, dyluftime, rrëmbime, gjakmarrje; por dashuri jo aspak. Dhe kurrë nuk më ka qëlluar të dëgjoja të shqiptohej nga ndonjëri prej zotërve të shtëpisë ku bueja emri i së shoqes, a një lëvdatë për të, a një fjalë me ndjenjë. Kurrë. Do të ishte dobësi dhe malësori nuk mund të jetë i dobët, nuk duhet të jetë i dobët, në do të jetë burrë. Ndjenjat e tij për të shoqen i mban të varrosura në më të thellin fund të vetes, të pashprehura dhe ndoshta të pashprehshme. Por malësori e do gruan e tij, e do për gjithë jetën, nuk ia nxë mendja pabesinë në martesë, është bashkëshort mjaft i mirë dhe at mjaft i mirë. Kërkon shumë, kërkon sidomos shumë bij, por edhe jep shumë, jep sidomos shembullin. Dhe, në të vërtetë, s’ka gjë më të lidhur e të bashkuar se familja malësore, ku kreu vendos për gjithçka, edhe për martesën e bijve.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:16:

TEPOSHTJE DHE RILINDJE

Tani, të merremi vesh: ky regjim fisnor dhe patriarkor i Shqipërisë së veriut nuk është më aq i fortë sa njëherë, ndoshta tanimë vetëm sa ka mbetur gjallë mbas vdekjes së vet, i brejtur pak-nga-pak prej evoluimit të ngadalshëm të jetës së vendit drejt formash dhe kriteresh me të përditësuara. Tirana, dalgadalë por pamëshirëshëm, i shtyn kthetrat e saj deri këtu lart, me prefektët e saj dhe ligjet e saj, ajo tërheq, përthith, shthur, shpërbën. Malësia mbetet ende e paarritshme, por jo më si këtu e tridhjetë vjet të shkuar, në kohën e turkut. Të rinjtë, këta rabdomantë të përjetshëm të përparimit, i shkepen traditës, hapin sy e mendje ndaj ideve të reja sociale, vënë në diskutim autoritetin e bajraktarit, u vënë minat paragjykimeve dhe bindjeve që deri më tani janë vendosur si rregulla të dokeve malësore. Ata bëjnë, me një fjalë, atë që kanë bërë gjithnjë të rinjtë e të gjitha vendeve dhe të gjitha kohëve: shembin.
Ndërsa pleqtë bëjnë atë që kanë bërë gjithnjë pleqtë e të gjitha vendeve dhe të gjitha kohëve: mbajnë me pajandra. I vetmi ndryshim, ndoshta, është sot se të rinjtë e kanë një çikë më pak gabim, kurse pleqtë kanë një çikë më pak të drejtë se ngaherë. Një i huaj i çinteresuar, që ta dojë shumë Shqipërinë, siç mund të jetë një italian, edhe që beson vendosmërisht te Shqipëria dhe tek e ardhmja e saj, politikisht nuk mund të jetë veçse me të rinjtë. Por për nga ndjenjat nuk mund të jetë veçse me pleqtë, së paku në keqardhjen parandaluese për atë që deri më tani ka qenë dhe ende pjesërisht është poezia e kulluar dhe qëndrueshmëria morale e jetës malësore. Është një mësim i madh njerëzor ai i malësorëve, një mësim i madh virtytesh vatjake, që do të doja t’i shihja jo të shkatërruara në emër të një virtyti social, qoftë edhe më i lartë, por vetëm të harmonizuara me të. Ndoshta është e pamundur. Dhe, në qoftë e pamundur, është e drejtë që ato virtyte të biren. Por është gjithaq e drejtë që atij që ka jetuar pakëz mes këtyre malësorëve të rreptë e krenarë, mes këtyre kullave të hapërdara malesh që të huajit ia hapin dyert për ta mbështjellë me një afsh të ngrohtë mikpritjeje të përzemërt; që atij që ka mundur t’i masë vetë çiltërinë e këtyre shpirtrave të thjeshtë e të fuqishëm edhe flijimin e përditshëm edhe besnikërinë e papërkulshme ndaj dokeve të veta edhe lidhninë e thellë mbas familjes edhe shenjtërinë e fjalës së dhënë të malësorëve; është gjithaq e drejtë them që atij t’i vijë keq për bjerjen e tërë kësaj, për zvogëlimin e pashmangshëm të cilit Malësisë do t’i duhet t’i nënshtrohet për t’u bërë një krahinë e Shqipërisë një dhe të madhe, për të përmbushur procesin e përbashkët kombëtar tanimë në zhvillim të plotë.
Flijim edhe më i lavdërueshëm për sa malësorët, duke humbur fizionominë e tyre, do të humbin diçka përnjëmend fisnike, një shënjesë aristokratike, një stemë bujarie.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:17:

3. Tirana dhe Shqipëria e mesme

Kur mbërrita aty me avion nga Shkodra falë zyrave të mira të Ala Littorias, që ka këtu shërbime të shkëqyera, si dhe mbas ditëve të kalura me malësorët, Tirana më bëri përshtypjen e një foleje milingonash zënë me punë.
Njerëz, gjithata njerëz, tepër njerëz dhe tepër të vegjël në krahasim me viganin vetmitar të Malësisë. Dhe të gjithë këta njerëz janë në punë, qarkullojnë, reshperojnë, kuvendojnë, skajojnë qytetin – orientalizmi i të cilit është në shlyerje të plotë – për ta bërë më të bukur. Sheshi i tij i gjerë, bulevardet e tij, pallatet e mëdha ngjyrë okre dhe tulle, gati-gati më fyen mbas qëndrimit provincial, jetës së jetuar mes shkëmbinjsh e moçalesh. Tirana m’u duk qytet i tepruar dhe – të ma falin miqtë e mi tiranas – e tillë më duket ende. Të merremi vesh: e tepruar vetëm në kuptim relativ. E futur në rrugën e të bërit kryeqytet perëndimor, i duhet ende të përpiqet me të gjitha forcat për t’ia dalë – dhe pra gjithë sa aty shpenzohet në energji dhe pará është plotësisht e përligjur. Por më duket të shkaktohet aty edhe një çekuilibër, një çekuilibër që nesër mund të bëhet edhe i rrezikshëm, mes modernizmit cipëplasur të këtij qyteti dhe arkaizmit të hinterlandit të tij, që është mandej gjithë Shqipëria.
Do të doja të di çfarë mendon katundari shqiptar kur, nga kasollja e tij rrethinore në të shembur e sipër, nga bashtina e tij e mbetur n’ujë, mbërrin në këtë Tiranë, kryeqytet i tiji, fisnikëruar me vepra publike gjithë hijeshi e spikamë, që shpalosin pafytyrësisht milionet e lirave italiane, lirave tona, që kanë kushtuar. Aq më shumë që shqiptari është një njeri që, për nga instinkti dhe tradita, e urren me zemër centralizimin dhe i kupton keq të drejtat e parësisë që mund t’i takojnë kryeqytetit vetëm sepse është kryeqytet.
Kjo vlen edhe nga një pikëpamje sociale: borgjezia tiranase, që rreket – dhe ia del – ta barabisë veten me një çfarëdo borgjezie perëndimore, a është përnjëmend përfaqësuese e shoqërisë shqiptare? Kabareja që ngjan me një boîte pariziane, klubi, tenisi, çaji, xhezi, të folurit e mirësjellshëm, të puthurit e dorës, libri francez, flërti, vila e vogël, automobili luksoz, fraku, guvernantja gjermane, shërbëtori në livré: gjithë këto çikërrima të comfortit kopjuar nga Perëndimi, a janë në Shqipëri të përligjura dhe të përligjshme? Çekuilibri qëndron këtu. Edhe ndieja njëfarë brenge tek shihja tiranas të rinj që u jepnin të drejtë disa të huajve të cilët ankoheshin për comfortin e paktë të jetës së qytetit. Këto ankime janë një fyerje e të pasurit ndaj të varfërit, e të pasurit që është i pasur jo për meritë të vetën ndaj të varfërit që është i varfër jo për faj të vetin. Por zotërnjtë e huaj, të cilëve u vjen keq që automobilët e tyre nuk mund të shkojnë me njëqind në vend që me pesëdhjetë në orë nëpër rrugët shqiptare, janë shumë të lutur të kalojnë një herë nga biblioteka edhe të lexojnë një libër historie për t’u bërë me dije se si e kanë trashëguar shqiptarët vendin e tyre, më pak se tridhjetë vite më parë, nga sunduesi turk. Dhe zotërinjtë shqiptarë janë gjithaq të lutur të mos kenë turp për faje që ata nuk i kanë kryer. Për tridhjetë vjet me ndihmën e Italisë ata kanë bërë sa mund të bënin, ndoshta më shumë nga sa mund të bënin. Posaçërisht në Tiranë.
Fakti është që në Shqipëri bashkëjetojnë, ende të paafta për t’u shkrirë, lloje të ndryshme qytetërimi: ai primitiv i Malësisë, ai feudal i qendrës malore, ai komunor i jugut dhe ai modern perëndimor i Tiranës. Tirana përparon ditë për ditë, në mënyrë aktive, thuajse në ethe, evoluon nga fshati në qytezë, nga qyteza në qytet, pajiset, përkryhet, zhvillohet, stërhollohet. Por nuk vështron rreth vetes. I humb takimet me pjesën tjetër të vendit. Shoqëria e saj i bjer tiparet mesjetare dhe bejlikale, dërgon bijtë e vet për të studiuar në Perëndim, industrializohet dhe komercializohet. Dukuria është e vetvetishme dhe e lehtësuar nga mungesa e një tradite historike. Sepse Tirana është një qytet ne thelb modern, thuajse i shpikur, si një qytet amerikan që të ketë zëvendësuar qiellgërvishtësit me minaret. Koha e saj ka vetëm dy përmasa: të tanishmen dhe të ardhmen. E kaluara nuk ekziston. E kaluara përfaqësohet vetëm nga një pazar i detyruar gjithnjë më shumë të tkurret në hapësirë, shtrydhur sikurse është prej një plani rregullues të vendosur për të zhdukur çdo mbetje orientale.
Por gjithë pjesa tjetër e vendit nuk ndjek këtë përpjekje moderniste, ose së paku nuk e ndjek me të njëjtin hap. E bojkotuar nga një traditë shekullore feudalizmi turk, evoluon edhe ajo, por me një ritëm shumë më të ngadalshëm, gjithnjë më të ngadalshëm dora-dorës që largohesh nga qendra drejt periferisë. Dhe kërcënon ta lërë të veçuar Tiranën, si një metropol europian improvizuar mes një shkretëtire rërnash afrikane, si një Romë ose një Partis rënë për një mrekulli qiellore në mes të Kinës.
Është një problem politik që nuk do shpërfillur.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:19:

Tirana

ngrihet, ose më mirë shtrihet, në një fushëgropë të qetë, rreth njëqind e tridhjetë metra mbi nivelin e detit, det i cili është jo më shumë se tridhjetepesë kilometra larg: tridhjetepesë kilometra rruge të mirë për të mbërritur në Durrës, që është porti natyror i Tiranës. Kësaj rruge po i shtohet tani një autorrugë, edhe thonë se do t’i shtohet së shpejti edhe një hekurudhë. Këtë parafolje e kam lexuar në një libër italian shkruar dhjetë vite të shkuara dhe unë po e tejshkruaj besnikërisht, duke shtuar këtu urimet e mia vetjake.
Është qytet që nuk ka qenë kurrë i lashtë, sepse edhe në kohët e lashta ishte modern. Banonin aty thuajse vetëm zotërinj të mëdhenj, plutokracia e kohës, e përfaqësuar prej bejlerësh latifondistë që vinin të kërkoninn aty gjatë verës freski dhe shëndet, duke i ikur malarjes dhe vapës së Durrësit e të fushave përreth. Ishte si njëfarë Meranoje e zonës. Dhe ky karakter aristokratik, pakëz balnear dhe pakëz kolonial, i ka mbetur. Në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, me qytetet e tjera, Tirana është kopshti i Mbretërisë, kuintesenca e saj e stërholluar. Ndoshta sot, me dyndjen e madhe njerëzore që ka teptisur aty për të banuar për shkak të centralizimit të ministerializmit, ajo është borgjezuar dhe rënduar paksa. Më shumë se të bukurën, synon të madhen; më shumë se te qëllimi, e ka mendjen te rehatia. Dhe si mund të ishte ndryshe? Popullsia e saj, që dhjetë vjet të shkuar ishte tridhjetë mijë banorësh, është më shumë se dyfishuar dhe rritet përditë duke e bërë të kotë çdo statistikë që të mëtojë ta ngulisë në një shifër. Për këtë popullsi në shtim të vijueshëm qyteti është tanimë i ngushtë dhe kërkon shfryrje në lindje e në perëndim, duke u kacavarur shpateve të kodrës që lartohet mbi të nga ana e Elbasanit dhe majë së cilës po ngrihet Pallati i ri Mbretëror.
Ka një jetë të gjallë trafiqesh, të dendur nga ana sociale, ka hotele jo të këqia, ka shërbime të mira. Doemos, është një botë e shkartisur, e shkartisur në mënyrë piktoreske: gjen aty toskun, tregtar finok, që ka çalltisur në qytet për të shitur prodhimet e tij, me kostumin e tij të hijshëm bardh-e-zi, epirotin me fustanellë, mirditorin e veriut hijerëndë dhe artistokratik, ciganin, maqedonin, malaziasin, sllavin; gjen aty borgjezin e Tiranës, që është në Tiranë vetëm se e ka hedhur hera, ngase mund ta gjeje, të njëjtë, edhe në Romë ose në Milano; gjen aty zonja me qyrk, vendëse e të huaja, dhe gra fshatarake, të zbathura e të rreckosura; gjen automobilë luksi dhe karroca parahistorike që një-e-dy i bien borisë si të qenkëshin automobila edhe ato dhe vizatojnë përdredhore fantastike përgjatë rrugëve, sepse karrocierët shqiptarë kanë një gjeometri krejt vetjake dhe një armiqësi instinktive për vijën e drejtë. Mandej botën ndërkombëtare, posaçërisht atë diplomatike që është këtu, si në çdo kryeqytet tjetër, gjithmonë e njëjta, me bridget e veta dhe me çajet e veta, me çajet e veta dhe me bridget e veta, por me këtë rrethanë rënduese: që këtu, për shkak të ngushticës së mjedisit, bie shumë në sy edhe i jep tonin jetës mondane.
Tirana nuk shkëlqen aspak për dëfrime. Ka tri kinema të këqia, pa kurrfarë diskutimi të këqia. Dhe asnjëe teatër. Por Qarku italo-shqiptar që po ngrihet monumental (ndoshta paksa tepër monumental?) përbri Pallatit të vjetër Mbretëror do ta mbushë zbrazëtinë, së toku me pishinën, fushat e mbuluara të tenisit, restorantin luksoz. Është një sipërmarrje vigane, e rritur si një kërpudhë në një hapësirë pak muajsh falë veprimtarisë së patrit, magjistarit italian që ndërton në gjithë botën katërmijë e më shumë ngrehina në vit me lata druri dhe nuk e lë të vdesë gjindjen që vete e banon aty. Kështu që ky qark “Skënderbe”, lindur nën shënjesën e marrëveshjes kulturore italo-shqiptare, do të jetë një dorë e fundit për mobilimin perëndimor të Tiranës dhe do t’u lejojë jo vetëm studiuesve, por edhe sportistëve dhe viveurs-ve vendës e të huaj t’i kenë zili më pak edhe t’u ngjajnë më shumë atyreve të Romës e të Londrës.
Gjithsesi ky modernitet perëndimor i Tiranës nuk është vetëm fryt artifici, majmunërie dhe plani rregullues. Në të vërtetë, treva e Shqipërisë së mesme, së cilës Tirana i është qendër, është historikisht më e evoluara, më pak e egërsuara nga ana fizike. Është treva që, prej kodrës qendërperëndimore, zbret shkallë-shkallë drej detit duke nxjerrë përpara si karakoll Durrësin. Dhe Durrësi është, së toku me Shkodrën, kryeura e Perëndimit në Shqipëri. Duam a nuk duam, qytetërimi ndjek ende, si itinerar rrezatimi, itineraret e legjioneve romane: rrugën Apia dhe rrugën Egnatia. Nuk është ky një vrojtim i atij që shkruan, i cili nuk është amator gjeometrie: por një rreth i hequr me kompas, me qendër Romën dhe që të ketë për rreze vijën Romë-Tiranë, dhe një tjetër rreth me qendër Stambollin dhe që të ketë të njëjtën rreze, vijnë e puqen në kufijtë lindorë të Shqipërisë. Është një përkim i çuditshëm.
E sigurtë është që kjo trevë qendrore, as mal as fushë, as veri as jug, është sot më e evoluara. Ndoshta edhe më pak e pastra, nga ana etnike, sepse nuk është as toske as gege; dhe pasja e detit dy hapa pranë, e detit drejt të cilit ajo zbret ka nxitur te njerëzit që e banojnë zakone tregtare që, në përgjithësi, për shqiptarin race të pastër janë të huaja. Sidomos Venediku ka bërë shkollë. Kujtimi i magazeve të mëdha dhe i zyrave venedikase është këtu ende i gjallë. Mbetje heterogjene qytetërimesh të ndryshme dhe kundërthënëse, të shtyra nga vala e furishme e historisë prej jugut, prej veriut, prej lindjes, janë shkrirë këtu me elementin më të fuqishëm roman.
Shqiptari i Shqipërisë së mesme është më pak i dhënë mbas pretimit dhe aventurës. Nga Mati e poshtë është më pak luftëtar, është më shumë tregtar dhe katundar. Organizimi social është ende pjesërisht feudal dhe bejleror: por dashuria për fitimin dhe shpirti i nismës e kanë ngritur plebën në proletariat edhe e kanë ulur fisnikërinë në borgjezi. Ndërsa shqiptarët e veriut, thellësisht aristokratikë e konservatorë, edhe nga ana racore konservatorë, i kanë jetuar shekujt e historisë së tyre në një izolim të shkëlqyer që nuk u ka lejuar as takime, as përzierje me sllavët kufitarë, nga Mati e poshtë ndikimi helen bëhet gjithnjë më i ndjeshëm duke u ushtruar sidomos nëpërmes klerikëve të Kishës ortodokse. Këta të Shqipërisë së mesme nuk janë ende të helenizuar si ata të jugut, por ndikimi ndihet në doket dhe zakonet nëpërmes një shqise kritike më të stërholluar, një depërtueshmërie më të madhe ndaj ideve të reja dhe kërkesave të reja, një embrioni intelektualizmi. Vetë muslimanët, aq xanxarë ndaj modernes, aq të ngurtësuar nga dogma, priren të skapullohen nga shtërngesat kuranore duke bërë të vetat forma më të pajtueshme me jetën europiane nëpërmes revolucionit liberal të bektashizmit, që kishte për të qenë njëfarë “Reforme” apo “Proteste” islamike.
Sikur Tirana të ishte kryeqyteti jo i Shqipërisë, por vetëm i kësaj treve qendrore, ajo kishte për të qenë krejtësisht logjike dhe e intonuar, në ekuilibër absolut. Por është kryeqyteti i Shqipërisë dhe Shqipëria nuk është e gjitha këtu. Kujdes periferinë: atje kanë shpërthyer të gjitha kryengritjet, edhe më të fundit.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:21:

***

Porse për t’u hakmarrë ndaj këtij moderniteti cipëplasur tiranas dhe për t’u kujtuar të gjithëve sa, vendës dhe të huaj, mund ta harronin, që kryeqyteti nuk ka të bëjë aspak me Shqipërinë, pak kilometra rrugë dhe disa të katërta ore me automobil nga Tirana shqiptarët ruajnë Krujën.
Qytet i çuditshëm. Më i çuditshmi i Shqipërisë mbas Beratit, që nga ana e tij është më i çuditshmi i botës mbas Venecies. Madje, me thënë të drejtën, Kruja nuk është qytet: është një pazar i mbuluar rreth të cilit është përmbledhur një qytet. Një pazar i përtingullt i përdredhur i përthikët ku edhe radiot dhe makinat e shkrimit, po të shiteshin, do të merrnin pamjen e objekteve historike të stërvjetra. Një Zot e di kush dhe pse e ndërtoi atje lart, gjashtëqind metra pezull mbi një shpatinë të sertë: zanafilla e Krujës është e mistershme. Por themeluesit duhej të kenë qenë estetë vetmitarë dhe merakun për të bukurën ua kanë përçuar edhe trashëgimtarëve të tyre: në hijen e një kështjelle arkaike, të fisnikëruar nga kujtimi i Skënderbeut, para një panorame bukurise të ashpër dhe hapësire krenare, jetojnë të ngujuar katërmijë kopshtarë me shije toskane, të dhënë me zjarr mbas kulturës së ullirit. Griargjendi i ullinjve e zbut ashpërsinë e peizazhit duke e ngjyrosur ëmbëlsisht, thuajse me zymti. Pak minuta prej kabareve të frëngjizuara të Tiranës, këtu papritmas gjen së rishti poezinë mashkullore dhe timbrin arkaik të më të vërtetës Shqipëri.
Por Kruja nuk është veçse një episod arkaik i syrgjynosur në mes modernitetit të Shqipërisë së mesme. Ajo nuk jeton, ajo ka mbetur gjallë në një skenar që ngjan gati artificial, aq shumë ndryshon për nga madhështia prej refrenit panoramor të kësaj zone që e ka zëvendësuar malin me kodër edhe e ka zbutur eshtërinë karsike të veriut në tarraca me profil të ëmbël që zbresin shkallë-shkallë. Majat e mprehta tani rrumbullakohen, ngritjet kas të shkëmbinjve shtrihen e shtrohen. Disa kilometra pa mbërritur në det, fusha nis së rishti, duke hyrë brenda nganjëherë edhe njëzetepesë ose tridhjetë kilometra.
Duke ndjekur pikërisht këtë fushë rruga zbret drejt jugut


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:23:

SHQIPERIA E JUGUT

Dora-dorës që zbritet drejt jugut, fizionomia shqiptare shprishet nën ndikimin helen. Veriu vjen i prerë qartë në kufijtë e tij. Gjeografia i ka dhënë vendit një vijë Maginot prej muresh të mëdha bjeshkore, nën mbrurojën e të cilave raca, gjuha, doket janë ruajtur të pacenuara: dy popuj, shqiptari dhe sllavi, thellësisht të pangjashëm, të papajtueshëm, rrinë njëri përkëndej, tjetri përandej barrikadës. Dhe nëse kanë ndodhur dyndalla për të skajuar kufijtë, këto e kanë zënë fillin te përderdhja e shqiptarëve në troje serbe, jo anasjelltas: si në trevën e Kosovës, dhe paksa në gjithë brezin kufitar veri-verilindor. Por as këto dyndalla nuk kanë prodhuar shkrirje dhe përzierje gjaku. Pakicat shqiptare të truall serb kanë mbetur shqiptare. Kjo vjen nga temperamenti i dy popujve, nga një krenari e tyre racore e natyshme: serbë dhe malësorë i japin rëndësi çdonjëri qenies së vet, nuk janë të shkrishëm njëri te tjetri, nuk kolonizojnë njëri-tjetrin, nuk përthithin njëri-tjetrin. Të dyja botët mbeten të ndryshme dhe, në shumë raste, armiqësore.
E kundërta ndodh drejt jugut: tosku, më pak i qëndrueshëm si ndërgjegje raciale, ndodhet në takim, pa zgjidhje gjeografike vijimësie, me atë jargëtyrë të mirëfilltë shpërbërëse që është Geqia. Bota helene është përshkuese e asimiluese. Për nga shenjat gjithnjë më të dallueshme dhe më fort të mbresuara, Greqinë fillon ta nuhasësh nga Tirana e poshtë. E ndërkallur me gjuhën dhe kishën, ajo tërheq fuqishëm dhe – të vihet re – duke punuar së brendshmi: grekët e Shqipërisë nuk janë grekë që banojnë në Shqipëri, por shqiptarë që priren nga Greqia. Nga ana racore, ata janë shqiptarë. Shqiptarë nga ana racore janë dhe një pjesë e mirë e popullsive që banojnë Epirin, ndërsa kufiri gjeografik në përgjithësi është, edhe në jug edhe në juglindje, më në jug dhe më në juglindje se kufiri politik.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:25:

***

Ky jug është më i evoluar dhe më pak i thukët. Dallimet e para që të bien në sy janë se njerëzit, nga Shkumbini e poshtë, nuk mbajnë xhamadanin e zi si përzitje për Skënderbeun, nuk vishen me pantallonat karakteristike me këmbë leshi të bardha e shoka të zes dhe nuk janë të armatosur. Gega, gjithnjë në rrezik të gjakmarrjes, heq dorë prej këpucëve, por jo prej pushkës së tij; tosku, njeri i comfortit dhe i dhënë më fort mbas finokërisë se mbas dhunës, parapëlqen këpucët. Kanuni këtu nuk është në fuqi, sepse kanë rënë organizimi social dhe e drejta dokesore që e përligjin. Fisi nuk është i ngurtë e i rrasët, por zgjerohet në trajtë klientele, në të cilën marrëdhëniet e punëve tregtore zotërojnë mbi ato të gjakut. Zë fill kështu latifondi. Këto fise quhen farë dhe në to përzihen të krishterë e muslimanë. Një shoqërueshmëri më e gjerë, porse një mikpritje më pak aristokratike, i dallon, si dhe një shpirt tregtar që i qëndron përkundër shpirtit kalorësiak të veriut.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:27:

***

Brezi bregdetar në fillim nuk ndyshon kushedi çfarë prej atij veriorit. Nga ana panoramike të dyja peizazhet janë thuajse të njëjta: janë thesaret lënë djerrë dhe vdekjeprurëse të Shqipërisë. Është një fushë e pabesë: të josh me pjellorinë e saj dhe të vret me ethet e saj. Kush vjen këtu, shndërrohet në takim me këtë tokë të begatë e tradhtare. Në veri blegtorët luftëtarë të rënë nga malet janë bërë aty katundarë paqësorë; kanë humbur në fuqi fizike dhe kanë fituar në mendjemprehtësi. Ky shtegtim i mundimshëm filloi pikërisht në veri, aty nga mesi i shekullit të kaluar, me një mërgatë disa fisesh të Kelmendit dhe të Shkrelit drejt grykëderdhjeve të Matit. Qe një orvatje e druajtur që, e pambështetur prej një qeverie, u ndal aty. Por ata pionierë, d.m.th. ata prej atyre pionierëve që ia dolën t’u mbijetonin rreziqeve të malarjes, përbëjnë proletariatin më të pasur ose, në daçi, më të varfër të Shqipërisë. Veprimtaria e tyre për të shpëtuar tokën nga moçali është e kufizuar në hapësirë dhe fillestare për nga mënyrat e përdoruara. Por, me sakrifica të pandërprera, rezultate u mbërritën, rezultate që provojnë dy të vërteta: njëri, se toka është e bonifikueshme; tjetri, se shqiptarët mund të bëhen bujq mjaft të mirë.
Afërmendsh, përderisa do t’u lihet në dorë fiseve, përfundime të mëdha nuk kanë për t’u mbërritur: fisi është një organizëm veçantor dhe egoist, punon në emër dhe në kufijtë e interesave të vet, jo në emrin e përgjithshëm të kombit, dhe me forcat e veta, që janë gjithnjë të kufizuara. Së këndejmi mungesa e rrugëve mes një qendre të banuar dhe një tjetre. Së këndejmi shtegtimi stinor, shtegtimi karakteristik dhe piktoresk: si vërshimi i një përroi zoologjik prej maleve në det dhe ngjitja së rishti prej detit në male.
Këtu, në jug, ndeshen fshatra të pabanuar për gjashtë muaj të vitit, nekropole të heshtura vendosur shkallë-shkallë përgjatë bregut nga Buna në Vjosë, si kthina të mbyllura, çdonjëra me lumin e vet në mes dhe me gjirin e vet në trajtë gjysmëhëne prej dherishteje të sfungjertë ku pykëzohet deti: Labeatida e Drinit, Bregmatja e Matit, Ruskolli i Erzenit, Myzeqeja mes Shkumbinit, Semanit dhe Vjosës.
Kjo e fundit është e pamatë, e gjatë gjashtëdhjetë dhe e gjerë deri në pesëdhjetë kilometra, e shtrirë sa të ha syri rrëzë Tomorit legjendear, Olimpit shqiptar. Ka qenë një nga hambarët e Romës, një nga më të rëndësishmit, i caktuar për të nozualluar ushtritë që vepronin në Ilirik. E hapur si erashkë mes Durrësi dhe Vlore, ajo mund të gëzonte nesër, e bonifikuar, një gjendje të privilegjuar për tregtinë e saj jo vetëm në grurë, por edhe në oriz, kërp, pambuk, li. Braktisja e kësaj zone ka qenë, mes të shumtave, më kriminalja e moskujdesive osmane. Pamja që tani ofron kjo fushë e pamatë është e trishtueshme: e plogët, e njëtrajtshme, me stome të ulëta, e zhveshur bimësie, e tortuaruar nga shirat, e sfungjertë, në hjekë e sipër. Njerëzit që banojnë aty, të shkurajuar nga malarja e nga moçali, fizikisht të rrezikuar, nuk nxjerrin soje, nga pikëpamja bujqësore, pos se të njëmijtën e çfarë do të mund të nxirrej. Prona e madhe e tokës sundon sovrane; vetëm në pjesën më jugore një grup aroman argatësh, më veprimtar e më sipërmarrës, ia ka dalë t’ua shkëpusë ndonjë copë toke pronarëve të mëdhenj edhe të ngrejë aty bërthamat e para të një çifliku të vogël me mbarështim të drejtpërdrejtë që përbëjnë modelin që do të duhet të ndjekë pashmangësisht reforma e domosdoshme agrare. Por kushtet e punëtorëve që nuk kanë mundur të evoluojnë në këtë nivel mbeten të mjera; do banesa më mjerane se tukulë abisinas, kasolle balte të hapërdara e të veçuara njëra nga tjetra prej rërnash të lëvizshme shkretëtire. Dhe, mbi këtë pikëllim, pikëllimi i një qielli të ulët e me shira që mbruan tokën për ta përgatitur më mirë për tharmëtimin e mjazmave.
Gjatë përshkimit nga veriu në jug të kësaj ikjeje të rrafshtë fushash nuk gjen qytet, përpos Fierit, që tekefundit nuk është qytet, por vetëm një fshat më i evoluar për shkak të nyjës rrugore të cilës i ka hipur kaluarthi. Në Fier në të vërtetë rruga e karrocave bigëzohet: nga e majta shkohet në Berat, nga e djathta shkohet në Vlorë.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:29:

***

Berati është një imitim i bardhë Betleemii.
I parë së largti, të duket qytet kartoni, si do të mund ta ndërtonte një Walt Disney që të kishte zëvendësuar gjeometrinë me poezinë. Shtëpitë, të gjitha të bardha me grila të gjelbra (ndikimi grek fillon), vijnë njëra mbi tjetrën, në garë se cila të mbërrijë më parë majë një shkëmbi të tharë që rryma e fuqishme e Osumit e ka çarë më dysh. Të shfaqet papritmas, ndërsa vjen nga Fieri, në kthesën e rrugës, aty ku rrafshultës së Myzeqesë i ziret fryma në hinkën e kësaj gryke që i pllakos përsipër për ta prerë drejtazi si gijotinë. Një Urë e Vjetër pa Cellininii bashkon dy lagjet e qytetit të ulët. Por mandej vjen qyteti i lartë, i shkëputur, i huaj, një ballkon dalë përkundrejt Tomorit, Antelaoiii shqiptar: një muze i gjallë ngujuar mes shpinave të pabarabarta të majës shkëmbore, me një kështjellë, doemos, për shul. Kur ke përshkuar harkun e kësaj kështjelle, ke humbur papritmas, në mënyrë të vetvetishme, pesë shekuj historie edhe çapitesh në mes të shekullit XV, por një shekull XV i stilizuar, paksa murgor, i shndërruar në kuintesencë, gjithë i Krishtit e i popit, me kisha të vogla ortodokse të ngjashme me shtëpi të vogla, si dhe me shtëpi të vogla të ngjashme edhe ato me kisha të vogla ortodokse, të cilat janë tridhjetedy, një për thuajse çdo familje.
Nuk di si ndodh, ngase ekonomikisht kjo mbetje e shekullit XV nuk duket të jetë shumë aktive, porse gjithçka aty ka një pamje fisnike dhe të dëlirer, prej qendre të vogël aristokratike provincie, të përkorë por jo të varfër, dhe me një stil të stërholluar: rrugët e parehatshme dhe të pastra, një heshtje e madhe, mjediset e brendshme të mbajtura dritë; besimtaret veshur në të zeza; vajzat veshur në të zeza si besimtaret dhe pakëz si besimtare edhe ato vetë qysh pesëmbëdhjetë vjeçe. Burra nuk të zë syri: duhet të kenë rënë të gjithë në qytet për të bërë treg; të paktëve të mbetur aty u duhet të punojnë nëpër kthinat e tyre të zhveshura e të pastra punime të imta gdhendjeje dhe argjendarie. Fshatar nuk duhet të jetë askush, dhe as blegtor. Ma thotë mendja se do paragjykime kaste duhet t’i dënojnë këto zanate.
Kreu i kësaj San Marinoje shqiptare, që përbën një botë më vete, nuk është as një kryebashkiak, as një prefekt: është Metropoliti, një zotëri fort i shquar dhe mikpritës, me mjekër të madhe verdhane dhe me një xhybe të madhe të zezë, me sy të kaltër me fuqi hipnotike: një Rasputin pa vese, i qarkuar e i mbrojtur nga përnderimi i përgjithshëm> Një defensor fideiiv, i fides ortodokse, sikurse ka qenë gjithmonë, për mision shekullor historik, Metropoliti i Beratit.
Sepse beratasi bën vetëm dy gjëra në jetën e tij tokësore: punon dhe lutet. Lutet që të mund vijojë të punojë edhe në jetën e tij qiellore.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:32:

***

Në skajin tjetër të Myzeqesë, atë jugorin, ndodhet Vlora, kryeqytet i një treve që, në një Shqipëri të shëndoshur, kishte për të qenë nga më pjelloret, e pasur në ullinj dhe gjë të gjallë. Por, edhe pa realizimin e këtij kushti e, ndonëse i torturuar siç është nga malarja, qyteti është i lulëzuar, ngase porti i siguron trafiqe dhe shkëmbime të bollshme.
Deri më 1914 infrastruktura e saj qytetëse ishte në pikë të hallit: turqit, edhe duke e përfillur këtë si zonën më të pasur të perandorisë së tyre europiane, e lanë dalngadalë t’i bjereshin shkëlqimet e lashta që pati mbërritur në kohën e Kryqëzatave. Të parën frymë jete së re e pruri trupa e pushtimit italian, që e qëroi qytetin me kuptimin e plotë të fjalës edhe ia nisi nga e para: me një plan rregullues, shëmbjen e lagjurinave antihigjienike, një thertore, një spital, ujët e pijshëm, kanalizimin. Mendohej madje të çrrënjosej gjithçka, si të paskësh qenë një barrakë e madhe dërrase, edhe të shpihej paksa më në jug, përreth portit, ku nuk ka malarje.
Sot Vlora numëron rreth dhjetëmijë banorë, dy të tretat muslimanë, një e treta të krishterë. Është qytet tregtar dhe modern, që modernizmit politik të shndërruar në një program pavarësie ia doli në krye në vëngjille të luftës së madhe, falë sidomos familjes Vlora, një familje së cilës në mbarë Shqipërinë nuk i gjendet shoqja për atdhetar_ të paepur dhe për kompromis të zgjuar mes besnikërisë ndaj traditave e virtyteve kombëtare dhe një shijeje të zgjedhur me shtampë perëndimore. Shtëpia e tyre është një muze i shkëlqyer: kam kaluar aty orët më të këndshme të qëndrimit të tim në Shqipëri dhe kam dëgjuar aty gjërat më të zgjuara mbi çështjet shqiptare.
Monumente për t’u admiruar, përpos do kujtimesh të pushtimeve të kaluara venedikase dhe normane, aty nuk ka; por rrethinat ia vlejnë të vizitohen: tarraca të çelura mbi një Adriatik pazakonshmërisht të gjelbër, të ngërthyer në gjirin e detit si smerald në unazë; kalaja e lashtë e Kaninës, Krioneroja, maja e malit të Llogarasë. Mandej Buranoja e Vlorësv, ujdhesa e vogël e Nartës, një oaz pylli të gjelbër të errët mbi të gjelbrën e çelët të lagunës.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:35:

***

Nga Vlora, për kë të doje që të kthejë drejt jugut nga ana e detit, fillon Akrokeraunia, një buzë e thatë dhe e dalë jashtë, si buza e një Danteje, që mbyll lagunën dhe mandej rrëzohet në jug duke hyrë së rishti brenda: e shogët, e gurtë, spektrore, pa porte. Lypset lundruar dyzet kilometra para se të ndeshësh Himarën, një Siqeli gadishullore, me bimësi të harlisur, madhështore, të ngjyrshme, të larmishme në profile kodrinore. Mbas një ndalese në Porto Palermo vijohet rruga dhe, si bën edhe dyzet kilometra të tjerë lundrimi, ja se ku mbërrin në Sarandë dhe, mbas Gjirokastrës, në Butrint, që është muzeu arkeologjik shqiptar.
Jemi në polin tjetër skajor të Shqipërisë dhe kjo shihet: shtëpiza të bardha e vogëlcake, turma të vogla zejtarësh dhe tregtarësh, qendra qytetëse me shqetësime të çuditshme intelektuale. Gjirokastra është një qytet mikroborgjez i përngjitur mbas amfiteatrit të një kodrine: është një qytet klasik dhe “i dalluar”. Po thosha për ndikimin grek, por ka edhe një ndikim tjetër që në gjithë këtë zonë, deri në Korçë, ndihet qartë dhe në mënyrë të dobishme: ndikimi aroman, d.m.th. latin, me dhantitë e tij për ekuilibër, për dashurinë metodike për punë, për lidhje mbas tokës, që kundërbilancojnë prirjet shpërbërëse qendërikëse spekulative të grekërve. Është një element, ky aromani, përgjithësisht i shpërfilluar prej jetëshkruesve të Shqipërisë, por mbi të cilin Baldacci me të drejtë ka tërhequr vëmendjen në atë libër të tijin klasik – L’Albania – që mbetet më i ploti dhe më objektivi mes të gjithëve që, në cilëndo gjuhë, janë shkruar mbi Shqipërinë.
Këtu në Shqipëri këta aromanë janë një pakicë, një pakicë e qetë punëdashëse prej njëzet e pesë ose tridhjetë mijë vetësh që marrin pjesë plotësisht në jetën e vendit. Por kjo pakicë nuk është veçse cungu i prerë i një njësie etnike prej tetëqind mijë frymësh që në Pind dhe zona përreth përbëjnë një bërthamë të ngjeshur ndaj së cilës më të kotë ka vjellë vrer përpjekja për shkombëtarizim e Greqisë me sisteme për të cilët është më e udhës të heshtësh. Janë popullsitë aromane, mbetja e Vllahisë së Madhe, të pastra nga ana racore, nga ana kulturore dhjetë pëllëmbë mbi gjakpërzierët që i rrethojnë. Iu kundërvunë përdhunës turke dhe, duke derdhur gjak, mbetën të pavarur. Popullisi aromane, domethënë romane, dhe pra me sensin e së Drejtës dhe të Shetit të rrënjosur në ndërgjegjet, me dashuri kryengjeshur për tokën dhe për punën. Që janë dhe që e ndiejnë veten romanë e shprehën ata vetë më 1917 në shpalljen me të cilën pritën ushtarët italianë që pushtuan zonën dhe e përforcuan me një thirrje Marrëveshjes: “Ne, të bashkuar sot në miting solemn, shpallim lart vullnetin tonë të patjetërsueshëm për të jetuar në institucione të lira nën egjidën dhe mbrojtjen e Nënës së Madhe Itali, përhapëse e aspiratave të bijve të Romës”. Marrëveshja nuk ia vuri veshinvi.
Sot këta romanë jetojnë të hapërndarë, por është një hapërndarje vetëm gjeografike dhe e jashtme. Në të vërtetë, ata mbeten të bashkuar dhe thellësisht të lidhur mbas gjuhës së tyre dhe dokeve të tyre. Prej së gjithësh, të paktët që jetojnë në Shqipëri kanë qenë më fatlumët: kanë, në të vërtetë, katër shkolla dhe shtatë kisha, posaçërisht për ta. Kështu nuk është pa gjasë që, me kalimin e kohës dhe me përmirësimin e kushteve bujqësore të Shqipërisë, të nisin e të konvergojnë mbi të ardhje aromane nga Epiri, nga Maqedonia, nga Jugosllavia. Sepse nga gjithë Ballkani shqiptarët janë, pa asnjë dyshim, më të afërtit ndaj kësaj bote latine dhe më njerëzorët.
Këtë solidarësi dhe simpati, jo program politik por instinkt, e kuptova gjatë një qëndrimi të shkurtër në Korçë, qyteti më i ekuilibruar, më i kulturuar dhe më i stërholluar i vendit. I gjithi ky është përfundimi i një shkrirjeje mes elementit vendës dhe atij latin. Është e gjitha kjo një nxitje për forcimin e lidhjeve mes dy racave.
E çuditshme: qyteti më lindor i Shqipërisë është, në të njëjtën kohë, edhe më perëndimori. Punohet në Korçë, bëhet industri, studiohet dhe lexohet. Edhe më e çduditshme: jo në të gjitha shkollat shtetërore të Korçës studohet në gjuhën shtetërore. Në asnjë prej endjeve të mia nëpër botë nuk më ka ndodhur kurrë të gjej një qeveri që me aq lehtësi të heqë dorë nga e drejta dhe detyra për të imponuar, në shkollat që ajo paguan me paratë e popullit të saj, përdorimin e gjuhës së popullit të saj.
Të njëzetepesëmijë banorët e Korçës janë njëzetepesëmijë borgjezë dhe e kanë bërë qytetin e tyre një Milano të vockël të Shqipërisë jugore. Rrugët se saj të pastra, shtëpitë e saj të përkujdesura dëshmojnë për organizim qytetar; prodhimi artizanal i qilimave dhe fabrika e saj e madhe e birrës dëshmojnë për organizim ekonomik. Ndërsa fusha përreth, e përkujdesur gjithë zell, e krehur me dashuri, vërtetojnë lidhjen e popullit mbas tokës së tij. Të thahen më në fund kënetat e Maliqit edhe do të ngrihet këtu një hambar, sepse rrafshnalta është me klimë të ëmbël dhe brumi i njerëzve është prej cilësie të mirë.
Këtu në këtë qytet mbaroi udhëtimi im rrethepërqarkor shqiptar. Si pikë mbërritjeje, për ta ruajtur gojën t’ëmbël, nuk mund ta zgjidhja më të mirë.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:37:

4. Histori dhe politikë e Shqipërisë

Shqipëria është një vënd i ndarë kthina-kthina dhe ky realitet nuk ndihet vetëm në rrafshin gjeografik, por edhe në atë historik. Të gjithë popujt, edhe më të sprovuarit e më të bashkuarit, kanë pasur shumë histori para se të kenë një të vetme, por për Shqipërinë periudha e inkubimit mesjetar, copëzimi politik, pluhurizimi kantonal kanë vijuar përtej caqeve normale europiane, duke vepruar dhe kundërvepruar mbi kthinorizmin1 e imponuar nga gjeografia. Është një vrojtim fillestar ky, thuajse banal, por shërben si guri çelës në të kuptuarit e vendit, të zhvillimit të tij, të vetë politikës së tij të sotme. Të përpiqemi t’i përmbledhim në sintezë etapat e ngritjes së tij deri në bashkimin dhe në pavarësinë.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:39:

PREJARDHJA

Simbas një opinioni që sot nuk është më i njëzëshëm, por që mbetet megjithëkëtë mbizotërues, Shqipëria pati qenë në lashtësi një provincë ilire dhe nga Iliria në kuptim të gjerë historia e saj vetëm shumë vonë erdh e u dallua si e ndryshme. Emri i Arbërisë shfaqet për së pari në shek. II të erës së krishterë dhe pikërisht në një tekst të Ptolemeut. Fole barinjsh endacakë, luftarakë dhe të fuqishëm, njerëz me shumë të tokës se të detit – dhe karakteristika është ruajtur për shkak të punueshmërisë së pakët të brigjeve të saj. E rrethuar prej grekësh dhe maqedonësh, ajo ndjeu kur-e-kur ndikimin e tyre. Korqyrasit themeluan aty dy koloni të mbrothëta: Epidamnin në veri dhe Apoloninë në jug. E para qe bërthama e Durrësit të sotëm, e dyta, mbas një të lulëzuari të shpejtë, erdhi e mori teposhtjen për shkak të mbathjes përparuese me rërë të lagunave të saj; dhe koloni greke qenë edhe do qyteza të jugut, nyja të lidhjeve të ngushta që kjo zonë kishte me Epirin.
Mbasardhës të grekëve në ndikimin mbi vendin qenë maqedonët dhe, simbas disave, Pirroja i dha vendit një njësi të përkohshme duke themeluar një perandori dhe duke rekrutuar aty ushtarë për luftën kundër Romës. Gjithsesi, këto ndikime të jashtme nuk lanë asnjëherë gjurmë të thella në jetën shqiptare dhe nuk shkuan përtej akaparimit të çastit të disa pikave strategjike: për arsye tregëtare grekët, për arsye me gjasë ushtarake maqedonët.
Pak gjë mbetet prej këtyre sundimeve jetëshkurtra: as arkeologjia, me të gjitha fuqitë e saj të rikujtimit të së kaluarës, nuk përsaktëson dot. Shqipëria nuk iu kundërvu kurrë me gjithë mend të huajit, por nuk del as që i huaji t’ia paskësh mbërritur nga ana e tij t’i imponohet Shqipërisë, ashtu si tekefundit nuk ia dilte të imponohej pushteti qendror i mbretërive të ndryshme ilire. I ndarë në fise, në klane, në familje, ky popull i ikte çdo ndikimi për shkak të konfigurimit të tij të veçantë gjeografik dhe të strukturës së veçantë sociale, duke e izoluar armikun në një trevë dhe duke e shpërbërë aty dalngadalë. Nuk dimë as dhe sa pjesë pati Shqipëria në luftën që Iliria dhe Maqedonia ndërmorën kundër Romës për të mbrojtur pavarësinë e tyre nga pushtimi. Ka të ngjarë që edhe shqiptarët të kenë luftuar, duke pasur parasysh trimërinë e tyre në zanatin e armëve, ngulmin e tyre të njohur botërisht, kurajën e tyre. Gjithsesi, më 168 para Krishtit gjithë Iliria – dhe me të Shqipëria – iu shtrua ushtrive romane dhe Pal Emili nguli shënjesat e Republikës në tokët e Perandorisë maqedone dhe të Ilirisë aleate e saj, mbreti Genc i së cilës u hoq nga froni ndërsa mbretëria e tij bëhej provincë romane. Kjo nuk shënoi fundin e veprimeve luftarake në këtë vis: lufta guerilje vijoi mes legjionarësh e rebelësh dhe Polibi ka marrë përsipër të na e kalojë tregimin e saj. Por Roma në sundimin e saj nuk kufizohej me marrjen në zotërim të ndonjë pike bregdetare ose me një shfrytëzim tregtar. Roma romanizonte me tri mjete të pagabueshme: ushtrinë, ligjet dhe rrugët, pa ua zënë gjithsesi frymën banorëve, duke u lënë atyreve organizimin me fise, doket dhe zakonet e veçanta. Ajo i dha një organizim mbarë vendit të nënndarë administrativisht në Dalmaci, që përfshinte bregdetin nga Istria në Lezhë, dhe Maqedoni: prej Matit në Akrokerauni. Nënndarje që, nën Dioklecianin, nisi t’i përgjigjej më shumë realitetit politik të vendit kur Maqedonia u pat ndarë nga ana e saj në Praevalitana, nga Tivari në Shkumbin, dhe Epirus nova: nga Shkumbini në Akrokerauni. Kryeqytet i Akrokeraunisë qe Durrësi që romanët e rindërtuan mbi modelin e kolonisë helene Epidamn, por duke i dhënë frymëmarrje më të gjerë nga deti dhe duke i siguruar një epokë mbrothësie me bërjen e tij etapë-komandën më të organizuar të ushtrive perandorake, kryen e rrugës Egnatia që shtyhej deri në Selanik, me në fjalë nyjën e litarthit kërthizor që shpinte qytetërimin nga Perëndimi në zemër të Ballkanit të jugut. Rrjedhojat e kësaj pune qenë të pallogaritshme dhe ato i dëshmojnë jo vetëm gërmimet arkeologjike të Durrësit, të Tepelenës, të Shkodrës dhe kalldrëmet e rrugës Egnatia: në mënyrë të vetvetishme, në takimin me romanët jeta shqiptare evuluoi në kah perëndimor, shumë fise u romanizuan, latinishtja depërtoi në gjuhën shqipe, doke e zakone ndryshuan. Roma nuk qe sunduese, ajo qe atdheu i shqiptarëve që i dhanë edhe një prej perandorëve të saj më të mëdhenj: Anastasin I. Teposhtja e Perandorisë dhe çarja që shënoi kalimin e Shqipërisë nga Roma në Bizant, i dhanë fund kësaj epoke mbrothësie jo më të përtëritur.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:41:

DYNDJET BARBARE

Me dyndjet barbare të shekullit III fillon Mesjeta shqiptare. Janë pikësëpari pretime kalimtare avarësh, mandej është trusnia, më kërcënuese, e serbëve të thirur prej perandorit Herakli në ndihmë kundër avarëve. Këta perandorë bizantinë nuk meritojnë ndonjë mirënjohje të madhe shqiptare. Shqipëria luftoi për Bizantin, por Bizanti nuk bëri po aq për Shqipërinë. Përballë serbëve që përhapeshin drejt bregut dalmat dhe malazias, ku shkatërruan fiset ilire, shqiptarët mbetën të vetëm. Por kjo nuk i bëri të nënshtroheshin. Të ndërthyer mbas shkëmbinjve të tyre, çdo fis e çdo bari duke bërë luftën e vet, e ndalën suvalën serbe. U tërhoqën pak drejt jugut, por vetëm pak, dhe u kthyen shpejt në kufijtë e tyre të vjetër.
Mandej qe radha e bullgarëve, të zbritur ortek nga veri-lindja dhe të shtrirë në pushtim të Durrësit. Durrësi qëndroi, por gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë u përmbyt nga hordhitë e car Simeonit të Madh. Këtij pushtimi bullgar - që zgjati përtej vdekjes së Simeonit edhe për rreth një shekull, të dhjetit - i detyrohet çfarë ka mbetur sllave, sidomos në punë toponomastike, në Shqipëri. Por e gjithë periudha është shumë e errët: në Shkodër një principatë serbe, në Durrës një hije pavarësie nën sundimin teorik të Bizantit, në gjithë pjesën tjetër të vendit bullgarët, vënë në pusi të rebelëve dhe duke u zvetënuar pak nga pak në takim me bizantinët që me martesa dhe joshje ua borën virtytet luftarake. Erdhi një çast dhe sundimi bullgar nuk u përmbys, por ra vetiu, ndërsa ndikimi sllav u shkapërda pa i pasë lënë Shqipërisë asnjë mbresë të qëndrueshme. Qendër e qëndresës së pamposhtshme kombëtare qenë, si gjithnjë mandej në historinë e këtij populli, fiset luftëtare të veriut, që e kaluan luftën edhe në fushën fetare, duke u ngritur si kështjellë e katolicizmit perëndimor kundër ortodoksisë greke. Mbas besnikërisë ndaj Romës së cezarëve, besnikëria ndaj Romës së papëve. Ndërsa të gjitha provincat e Ilirikut të lashtë, të përmbytura nga sllavët, tërhiqen nga ortodoksia, shqiptarët e veriut mbeten të dhënë mbas besimit të tyre katolik duke e njëjtësuar atë me besimin kombëtar sot kundër serbësh, malaziasish dhe bizantinësh, nesër kundër turqve trashëgimtarë të Bizantit. Shqipëria merr përsipër prej këtij çasti rolin e saj historik: atë të fushëbetejës mes Perëndimi dhe Lindjeje.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:43:

NDIKIMI VENEDIKAS

Vetëm në këtë periudhë, që shënon ndër të tjera një rivendosje të efektshme të takimeve me Italinë, të përfaqësuar nga Amalfi, nga Napoli dhe sidomos nga Venediku, fillojnë të shfaqen në burimet historike emrat “Arbëri” dhe “arbër”. I gjejmë gjithnjë më të shpeshtë në kronikat venedikase të kohës, në kronikat e atyre ambasadorëve venedikas, mjeshtër të mëdhenj gazetarie, që e kishin zakon t’i bënin portrete të përpikta çdo vendi dhe çdo ngjarjeje. Pikërisht ata na dëshmojnë rilidhjen përparuese të Shqipërisë me Perëndimin nëpërmes rrjetës së trafiqeve që Venediku diti të thurte gjatë gjithë bregdetit adriatik deri në Vlorë dhe ndikimin shpirtëror që nisi të ushtronte së rishti Papati me dieqezën e Raguzës mbi të cilën u prir gjithë bregdeti dalmat dhe malazias dhe mbretëria e pavarur e Zetës, ndonëse kjo e fundit pati jetë të shkurtër dhe shpejt u përthith së rishti nga Bizanti. Është fakt që, ndërsa qeveritarët e Kostandinopojës (Dukasët, Komnenët etj.) këqyreshin nga vendësit si shtypës herët-a-vonë të detyruar ose për të lënë vendin ose për t’u asimiluar aty dhe sllavët mbetën gjithnjë të huaj për jetën shqiptare, Venediku përkundrazi zinte vend gjithnjë më shumë dhe gjithnjë më mirë duke akaparuar trafiqe, duke vendosur aty magaze dhe ferma në Shkodër, në Lezhë dhe paksa në gjithë veriun e vendit, dhe sidomos duke respektuar autonomitë kantonale tanimë të konstituuara, duke ndjekur tekefundit më të shkathtën e politikave: atë që anglezët do ta quajnë më vonë self-government. Veprimtaria prozelite e Arkipeshkvisë së Raguzës dhe Ipeshkvisë së Tivarit shoqëronte dhe mbështeste ndikimin venedikas që zuri të depërtonte gjithnjë më shumë përpjetë luginës së Drinit. I bënte konkurencë Amalfi, që i përqendronte përpjekjet e tij në Durrës, ku themeloi edhe një koloni autonome; dhe të dyja politikat bashkëjetuan paqësisht deri sa Amalfi u bë edhe ai feud norman dhe Roberti Guiscard, në krye të piratëve të tij nordikë, mëtoi të përuronte një politikë ekspansioni imperialist të vërtetë e të mirëfilltë në dëm të Bizantit, të Venedikut dhe sidomos të Shqipërisë.
Kjo ëndërr ambicioze, mbas disa arritjeve fillestare, pati jetë të paktë: Vlora dhe Durrësi u pushtuan, mandej Durrësi ngriti së rishti krye kundër mbretërisë së themeluar nga Roberti dhe të kaluar birit të tij Boemund. Aleksi I Komnen doli së rishti më i fortë dhe të dy normanët, at e bir, humbën njëri jetën dhe tjetri fronin. Boemundi u orvat ende të ripushtonte Durrësin, por dështoi, sikurse dështoi edhe Rugjeri II në orvatjet e tij kundër ishujve jonikë dhe Greqisë. Aleat i Bizantit në këtë konflikt qe Venediku, i cili i fitoi në të Vlorën dhe kalanë e Kaninës që mbi të ngrihet. Republika vijoi me ngulm në politikën e saj të shkathët liberale, duke depërtuar pa i mëshuar dorës, duke u mbështetur në ndjenjën katolike të popullsive dhe duke nxitur trafiqe e bujqësi (është meritë e saj, në këto kohëra, futja në vend e kulturës së ullirit, një prej burimeve të sotme më të mëdha të Shqipërisë); duke bërë me një fjalë shërbime që shqiptarët nuk i haruan, për çfarë dhanë provë kur Bizanti, që gjithashtu kishte përfituar nga ndihma e Republikës kundër normanëve më së pari dhe serbëve mandej, iu kthye kundër. Venedikasit u tërhoqën, por qe vetëm një tërheqje strategjike: fati ushtarak i Manuil Komnenit nuk qe më jetëgjatë se ai i Robertit Guiscard. Ai u bë zot i gjithë Shqipërisë, i hoqi Venedikut Shebenikun, Splitin, Raguzën; ushtritë e tij mbërritën deri në Itali. Mandej u thye, ra, dhe i vetmi përfundim i çmueshëm i luftës së gjatë kundër fuqisë adriatike të Republikës qe kthimi ngadhënjimtar i serbëve në veriun e Shqipërisë, ku themeluan një mbretëri nën dinastinë e Nemanjave që, me Shkodrën dhe Prizrenin, kontrolloi gjithë zonën e Drinit.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:46:

KOMNENËT DHE ANGJEVINËT

Me përmbysjen e shkaktuar nga rënia e Bizantit dhe krijimin e “Perandorisë latine” të Balduinit, që ndoqën Kryqëzatën e Katërt, Venediku jo vetëm ktheu në zotërimet e tij, por, si vasal i madh i Perandorisë së re, pati investiturën mbi gjithë Shqipërinë dhe Epirin. Por as kjo nuk vyejti për ta bërë të braktiste politikën e tij. Në të vërtetë, ai morri në zotërim vetëm bregdetin. Në brendësi të vendit Republika nuk ushtroi trusni, ruajti aty skelarinë politiko-sociale paraekzistuese, nuk mbajti për vete as të drejtën e vendosjes së taksave dhe vjeljes së tagrave. Autonomitë kantonale, në të cilat fiset qenë zatetur kundër të huajit, u respektuan; u respektuan princërit e vegjël serbë të veriut, që tanimë serbë kishin vetëm emrin; u respektua edhe Despotati i Epirit që një prijës guximtar shpiku me qendër në Artë dhe në Janinë. Ky despotat, i themeluar më 1204 nga Mikail Angjel Komneni, e shpalli veten trashëgimtar dhe vijues të Bizantit. Në të vërtetë elementi shqiptar aty zotëroi mbi atë grek, ndonëse Mikail Angjeli paraqiti deri kanditaturën e tij për fronin e Kostandinopojës. Por ai vetë mori për grua një shqiptare dhe shqiptarë qenë mbasardhës të tij. Kapedanë energjikë, ata hynë në luftë me fqinjët e tyre dhe fati, në një kohë të parë, u buzëqeshi. Shkodra iu pat rimarrë përkohësisht serbëve, Vlora hequr venedikasve që nuk u kundërvunë. Vëllai i Mikail Angjelit, Theodori, vijoi veprën duke i shtyrë ushtritë e veta dhe duke pohuar sundimin e vet mbi Ohr_, Prilep, Elbasan; duke u zënë vendin venedikasve në Durrës dhe markezëve të Monferatit në Thesalonikë; duke aneksuar për vete Adrianopojën; duke e kurorëzuar veten perandor. Ky varg i gjatë arritjesh e dehu deri sa ta shtynte të përftonte ëndrrën ambicioze për të rrëzuar Perandorinë latine të Kostandinopojës dhe të shpënë familjen e tij në fron.
Çatisi ndërkohë një pushtim i ri bullgar i udhëhequr nga cari Joan Asen II; Theodori u shpartallua në Klokotnicë, u zu rob dhe u qorrua. Dhe së rishti batica sllave përmbyti vendin. Shtohen këtu, për ta bërë edhe më të trazuar këtë trevë historike, ndarjet e shtëpisë së Komnenëve, ndarje që shpunë në ngritjen në fronin e despotatit të një tjetër prijësi guximtar, Mikail Angjelit II, dobiç, që e shtyu luftën deri në Niké kundër trashëgimtarëve legjitimë të Theodorit. Ky fakt ngre shumë peshë për historinë shqiptare: nga njëra anë, ai e detyroi zotin e ri t’u jepte autonomi më të madhe fiseve dhe t’i jepte despotatit një karakter gjithnjë më kombëtar për të siguruar besnikërinë e këtij populli luftëtarësh; nga ana tjetër, ai i hapi së rishti rrugën ndikimit perëndimor nëpërmjet martesës së Helenës, bijë e Mikail Angjelit, me Manfredin, mbretin svev të Napolit, ndihma ushtarake e të cilit ndikoi shumë për forcimin e despotatit. E gjitha kjo ndodhi në gjysmën e shekullit XIII. Helena pati një pajë të bollshme: Durrësin, Vlorën, Beratin dhe një pjesë të mirë të Shqipërisë jugore. Nën mbretërimin e Manfredit, Napoli niste së rishti politikën shqiptare që mbretërit normanë e kishin ngarë aq keq. Por kur, shtatë vjet mbas, Manfredi ra në Benevent dhe mbretëria e tij u kaloi angjevinëve, ambiciet imperialiste të kësaj shtëpie frënge patën dalë më të forta se kriteret e fqinjësisë së mirë dhe të harmonisë së përpiktë që principatat e ndryshme italiane u përpoqën gjithnjë të ruanin me Shqipërinë.
Karli i Angjevinëve, me cilësinë e mbasardhësit në fronin e Napolit, ngriti mëtimet e tij si mbasardhës edhe në zotërimin e provincave shqiptare, zotërim që Manfredi e kishte marrë vetëm me të drejtën e burrit të Helenë Komnenës. Është kjo në të vërtetë e para herë që në burimet historike – dhe pikërisht në ato napoletane – shfaqet shprehja “Mbretëri e Arbërisë”. Me traktatin e Viterbos Karli e mori investiturën e kësaj mbretërie prej Balduinit II, perandor i Kostandinopojës, në cilësi të vasalit të madh të Perandorisë latine; si dhe ia doli t’i njiheshin mëtimet mbi tokët e despotatit, që Balduini e përfillte fqinj tepër të rrezikshëm. Korqyra dhe Durrësi së pari, mandej Butrinti, Vlora, Himara, Berati dhe së fundi Kruja ranë në vasalitetin e Karlit që shkathtësisht ia kishte parapërgatitur terrenin sundimit të tij falë veprimtarisë së do diplomatëve napoletanë që ditën të fitonin simpatinë e popullsive. Por mandej angjevinëve ambicia e shfrenuar u qe fatale në Lindje, sikurse u qe fatale në Itali. Në vend të ndiqnin sjelljen liberale të venedikasve, që u lanë gjithnjë shqiptarëve të drejtën e të organizuarit së brendshmi si t’ua kishte ënda, angjevinët mëtuan përkundrazi t’u imponoheshin nënshtetësve të tyre të rinj dhe ti mbanin nën kontroll duke ua kërcënuar autonominë. Mirëpo shqiptarët e shekullit XIII ishin po si shqiptarët e sotëm: jo të vështirë për t’u bërë miq të një të huaji me qëllime të mira, por fort pak të gatshëm për t’iu bërë atij shërbëtorë. Diplomatët napoletanë që ia kishin parapërgatitur aq mirë terrenin Karlit duke i siguruar simpatitë e popullsisë që i njihte të ngjashëm me veten, më shumë të afërt se të huaj, u zëvendësuan prej një kapiteni të përgjithshëm frëng që mëtoi t’i nënshtronte fiset dhe kërkoi për dorëzani dorëzimin e disa anëtarëve të familjeve kryesore vendëse si pengje pranë Oborrit napoletan. Burimet historike janë shumë fjalëpaka për këtë çështje; por, duke pasur parasysh karakterin e shqiptarëve sikurse e njohim, është më së paku e dyshimtë që veprimi t’u ketë pëlqyer atyre malësorëve aq pak të prirur ndaj përdhunës së një mbreti që ata nuk e mbajtën kurrë si mbret sepse të tillë zyrtarisht nuk e shpallën kurrë. Por projektet e politikës lindore të Karlit qenë të gjera dhe më në fund e shqetësuan aq shumë Kostandinopojën sa Paleologët u vendosën për një luftë parandaluese. I mundur në Berat, Karli humbi Krujën dhe praktikisht gjithë brendësinë e vendit; mandej prej perandorit Andronik II iu hoq edhe Vlora. Vetëm Durrësi i mbeti: Durrësi i rrethuar, i çliruar, mandej i marrë nga serbët, mandej së rishti i kthyer angjevinëve. Sa për shqiptarët, ata u gjendën si thuajse gjithmonë në rrjedhën e historisë së tyre të trazuar: mes kudhrës së shtypësit angjevin dhe çekanit të shtypësit bizantin.
Për më shumë, duke përfituar nga ndarjet e vijueshme dhe nga luftrat e brendshme në të cilat qe kredhur vendi, serbët nga veriu nisën së rishti politikën e tyre ekspansioniste drejt jugut. Por dhe këtyre pushtuesve të rinj-të vjetër shqiptarët u kundërvunë taktikën e tyre të pagabueshme: me të braktisur fushën, kthyen në malësi, te mëma dhe mbrojtësja e madhe e pavarësisë së këtij populli. Të ngujuar mes shkëmbinjve, guximtarë deri në çmenduri, të paepur, i qëndruan pushtuesit duke mbrojtur në autonominë e fiseve të tyre autonominë e tyre të vërtetë dhe të mirëfilltë kombëtare; mandej, të armatosur në çeta të vogla, zbrisnin në lugina duke mbjellë tmerrin mes popullsive të huaja, posaçërisht të Thesalisë, me premtime hakmarrëse. Marin Sanudoja na ka lënë përshkrime shumë të gjalla e ngjyra-ngjyra të këtyre dërgatave ndëshkimore. Të cilat mbërritën në atë pikë sa perandori Andronik III deshi të hakmerrej ndaj përgjegjësve një herë e mirë dhe në mënyrë shembullore, duke ndërsyer kundër malësorëve sypatrembur forcat ushtarake turke. Qe kjo e para shfaqje muslimane në Shqipëri: dhe fillimi mjafton ai vetëm për të përligjur urrejtjen që do të helmojë për gjashtëqind vjet marrëdhëniet mes dy racave. Për çastin, këtë urrejtje e shtiu në punë me dinakëri mbreti serb Stefan Dushan jo vetëm për të përforcuar sundimin e tij mbi tokët shqiptare (Shkodër) tanimë në zotërim të tij, por për ta shtrirë pak-nga-pak në të gjithë Shqipërinë. Bizantinët afërmendsh që nuk mund t’i kundërviheshin këtij komandanti energjik dhe të shkathët; do të kishin mundur ta bënin këtë po të kishin pasur me vete shqiptarët. Por shqiptarët nuk donin të jepnin e merrnin më me një Bizant që përdorte forca ushtarake turke. Edhe serbët ishin të huaj dhe pushtues, por më lehtë faleshin këto cene sesa mercenarët muslimanë të Andronikut, shkatërrues fshatrash dhe hajdutë bagëtish. Stefan Dushani, zot me virtyte të mëdha civile e ushtarake, e kishte në anë të tij popullsinë e cila ishte e vetmja që mund t’i kundërvihej fuqishëm pushtimit të tij, për sa kohë që Bizanti, i përçarë mbas vdekjes së Andronikut nga luftrat partiake mes Paleologësh dhe Kantakuzenësh, ishte i shtrënguar të tkurej çdo ditë më shumë duke i lënë pa mbrojtje provincat e tij të periferisë.
Në pak vite Stefan Dushani pati Krujën, Beratin dhe Vlorën, ndërsa më 1346, në përfundim të këtyre arritjeve, u kurorëzua në Shkup “car i serbëve, i grekëve dhe i shqiptarëve”. Mandej, me trupa kryesisht shqiptare, vijoi marshimin e tij pushtimtar drejt jug-lindjes, duke nënshtruar Epirin dhe Thesalinë, ku shumë bujarë shqiptarë që kishin shërbyer si komandantë në ushtrinë e tij morën emërime dhe privilegje në vend të arhondëve grekë që fushonin aty më parë nën shënjesën bizantine dhe që popullsitë vendëse i kishin vështruar me urrejtje legjitime.
Kështu Shqipëria pësoi një të kushedisatën rindarje: Durrës, Butrint dhe Lepant u mbetën angjevinëve, ose më mirë me thënë familjeve shqiptare të lidhura ngushtë me angjevinët, si ajo e Tanush Topisë, por të kufizuara në qytetet; Shkodër dhe Celisë iu kthyen nga Stefan Dushani venedikasve që, duke ndjekur sjelljen e tyre tradicionale të mosndërhyrjes, nuk ishin lidhur asnjëherë me Bizantin në orvatjet për shkombëtarizim të vendit dhe për shkelje të së drejtave të tij për vetëvendosje. Gjithë pjesa tjetër, nën sovranitetin emëror të Stefan Dushanit, qe në të vërtetë e pavarur nën krerë vendës që në emër të tij administronin. Qe kjo në të vërtetë një epokë lulëzimi relativ: bujqësi, kulturë e drithrave dhe kulturë e ullirit u zhvilluan në atë shkallë sa, me gjithë latifondizmin mbizotërues që e poshtëronte katundarin në nivelin e bujkrobit, përpos se t’u mjaftonin nevojave të vendit, përbënë edhe mall eksportimi duke ushqyer trafiqet që venedikasit vinin duke i zhvilluar e përkryer mes njërit dhe tjetrit prej porteve të ndryshme shqiptare dhe mes këtyreve dhe botës së jashtme, veçanërisht Italisë.
Pikërisht në këtë periudhë tregtarët e së Shumëkthjelltës Republikë, duke përshkuar trevën, fusin aty kulturën e krimbit të mëndafshit dhe themelojnë zyra për blerje dhe tregtim lëndësh drusore, lëkurnash, krype të detit, sere. Qe kjo stina e madhe e Vlorës, që lëvonte prej galerash venedikase dhe raguzane. Ngase Durrësi, i goditur prej tërmetit dhe i kërcënuar prej mbathjes me rërë, rrezikonte të përfundonte si Apolonia. Por kudo që një lumë të gërryente në bregdet një zgavër a një grykajë, venedikasit bënin stacion dhe përcillnin mallra; Shën Shirgji, për shembull, te gryka e Bunës, i shërbente si port Shkodrës. ku lulëzonte tregtia e ngjalave dhe e saragave. Anijet mbërrinin me ngarkesa armësh dhe vozgash vere dalmate; niseshin së rishti me lëkura të punuara dhe mishra gjedhi. Mandej karvane mallrash të bartura me mushka kryqëzoheshin përgjatë luginave të lumenjve të mëdhenj duke i bërë të vijueshme marrëdhëniet mes Perëndimit dhe popullsive edhe të brendësisë së vendit që, ndonëse duke u qëndruar besnike dokeve dhe zakoneve të tyre të lashta, ndienin ndikimin sidomos venedikas, posaçërisht disa familje bujare që me të Shumëkthjelltën Republikë kishin ruajtur lidhje të drejtpërdrejta. Të shihen, për shembull, kishat e hapërdara mes maleve: stili i tyre është gotiku dhe romaniku i filtruar nëpërmes shijes së arkitektëve të Republikës.
Por epoka e mbrothësisë qe e shkurtër. Me vdekjen e Stefan Dushanit, që ndodhi më 1356, pushteti qendror që, në duart e këtij mbreti me dorë të fuqishme, pati qenë gjithnjë i qëndrueshëm pa u bërë tiranik, u shprish duke e fikur atë vezullim të parë njësie që nën mbretin serb kishte filluar të nëpërdukej përtej terreve mesjetare. Me vdekjen e tij, ambicje autonomiste shpërbërëse, rivalitete familjare, luftra të brendshme guerilje u përgatisin truallin pushtimesh të reja të huaja, kësaj here edhe më fillzeza se të mëparshmet për jetën shqiptare. Në veri qenë Balshët, trashëgimtarë të një qeverisësi të Stefan Dushanit me preardhje me gjasë rumune që, duke përfituar nga dobësia e mbasardhësit Urosh, prenë për vete një rriskë territori mes Shkodre dhe Prizreni me kryeqytet Shkodrën, dhe u bënë zotër të saj. Mandej, si u përforcuan, u vunë në marshim pushtimtar nëpër rrugën klasike të të gjitha pushtimeve: nga veriu në jug, nga Shkodra në Berat, në Vlorë, në Gjirokastër, duke u bërë aleatë me Dukagjinët, tjetër dinasti e vogël që nis e ngrihet mbi gërmadhat e mbretërisë serbe, zotër të Lezhës. Por edhe Muzakët rriten për nga pasuria dhe autoriteti në trevën që mban emrin e tyre, ndërsa në Durrës Topiat vasalë të Napolit; mandej Dushmanët, Spanët, Kamonat. Në veri, gjendje e njëjtë: në Ohr_ Gropat, Shpatat në Artë, Toccot në Epir. Copëzimi është i plotë, çbashkimi në kulm. Procesi unitar që nën mbretërimin e Stefan Dushanit kishte nisur të skicohej dhe që do të kishte mundur të përbënte një garanci kombëtare kundër të huajit, ndërpritet në mënyrë të beftë. Çdo fis është një krye, çdo krye është një despot, çdo despot është në luftë kundër despotëve të tjerë. Interesi i individit flijohet për interesin e fisit, por ai i fisit nuk flijohet për interesin e kombit. Gjithçka është me “kthina” të veçuara mirë, përfshi gjeografinë dhe organizimin social: çdo klasë është një kastë; çdo kastë është e mbyllur në vetvete, pa mundësi osmoze me të tjerat në interesin sipëror të vendit.
Pikërisht në këtë çast, që përkon me fundin e shek. XV jo më pak se me atë të Bizantit, pikërisht në këtë çast nga Lindja çfaqen turqit.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:48:

PUSHTIMI TURK

Me turqit Shqipëria kishte bërë të njohur, si thamë, më se gjysmë shekulli më parë për shkak të veprimit të padenjë të perandorit Andronik që i kishte marrë me pagëtyrë mes mercenarëve të tij, dhe takimi doemos nuk i pati ngazëlluar shqiptarët. Por më keq qe kur ushtarët e Muhametit dhe, më këmbë të tij, të Muratit II kthyen së rishti në rajon për llogari të tyre për të ndërmarrë aty kolonizimin kuranor. Pengesa në rrugën e tyre nuk gjetën dhe ato që gjetën ishin aq të brishta sa u patën hequr tej si ledhe kartoni. Qysh gjatë mbretërimit të Dushanit Islami kishte mbërritur në Galipojë. Ndërsa mandej, në Ballkan, posaçërisht mbas betejës së Adrianopojës (1375), ai i ra kryq-e-tërthor brendësisë së vendit duke u shtyrë deri në malet e kufirit shqiptar.
Kërcënimi i afërt i shtyu popujt e Gadishullit ballkanik të kërkonin një platformë marrëveshjeje dhe mbi këtë të ndërtonin një front të vetëm qëndrese. Qe ky bashkimi serbo-bullgaro-shqiptar, një marrëveshje luhatëse ushtarake, që më 15 qershor 1389 nuk e mbajti në Kosovë goditjen kundër armikut edhe më nuk u përtëri për t’ia vënë atij në diskutim fitoren. Gadishulli i gjithë ra në pushtet të turqve dhe mbeti në të për më shumë se pesë shekuj.
Pikërisht në këtë çast sipëran Venediku u dha shqiptarëve provën e re të madhështisë së politikës së tij. Ndërsa sundimet e ndryshme të huaja që kishin ndjekur njëri-tjetrin në vend binin nën shtytjen e pushtuesve të rinj, ndërsa shpërbëheshin qeverisjet e vogla krahinore të përftuara aty me nismën e vasalëve më të zotë, Venediku u bënte ballë osmanëve dhe, mbrojtës i krishterë i Shqipërisë së krishterë, ngrinte aty murin e madh të fuqisë së tij adriatike. Pikërisht ai e mblodhi në dorë trashëgiminë e kontëve dhe arhontëve dhe mbretërve dhe despotëve të ndryshëm që ndiqnin njëri-tjetrin në vend; ai, duke luftuar me turqit për çdo pëllëmbë trualli, u lejoi shqiptarëve të organizonin qëndresën. Prej Balshëve, të mundur e të vrarë nga muslimanët (i fundmi, Gjergji, trashëgimtar edhe i Komnenëve nëpërmjet martese, u pat zënë rob) Venediku pati Shkodrën dhe Drishtin; prej Topiave pati Durrësin. Në atë përdegëzim pushtetesh të krijuara, e Shumëkthjellta Republikë qe e vetmja që përballoi përgjegjësitë e çastit duke zëvendësuar zotërithët në shembje e sipër dhe duke mbështetur autonomitë rajonale në të cilat, për t’u mbrojtur më mirë, copëzohej kombi. Në Durrës u tërhoqën disa prej familjeve më bujare shqiptare pikërisht për t’u shpëtuar agresioneve turke duke u strehuar në hijen e flamurit të Shën Markut: Arianitë dhe Shpata, Zaharia dhe Dukagjinë. Një prej këtyre Dukagjinësh, pikërisht, ia lëshoi Lezhën Republikës që emëroi aty një qeveritar të sajin dhe e shndërroi në një fortesë-pritë të vërtetë e të mirëfilltë kundër përparimit osman drejt veriut, ku malësorët mund ta vijonin së rishti të pashqetësuar, ose pak të shqetësuar, misionin e tyre historik prej ruajtësish të autonomisë shqiptare, prej vestalësh të zjarrit kombëtar. Dhe edhe Kruja qe venedikase, në urdhrat e një vasali të Republikës, një Topia, nga familja e zotërve të Durrësit, deri më 1415.
Venediku mbronte, luftonte, punonte. Të tijat janë veprat e fuqishme të rimëkëmbjes së portit të Durrësit të cilit iu shpëtua laguna dhe rindërtua ledhi i pengesës. Deri edhe e veja e Balshës III që, duke ruajtur ende disa zotërime, kishte gjithashtu edhe ambicje, ose më mirë iluzione, dhe mëtonte t’i kundërvihej hegjemonisë vendikase, më së fundi e njohu nevojën e tij dhe atij iu drejtua për mbrojtje. Mandej, ngase masa dilte e pamjaftueshme, mendoi madje t’ia shiste së Shumëkthjelltës Republikë zotërimet e saj ose, së paku, pjesën bregdetare të tyre dhe traktativat e gjata u ndërprenë nga vdekja e mbretëreshës që i ofronte Shën Markut provincat e saj adriatike (Vlorën, Kaninën, Himarën dhe kullën e Pirgut) me çmime përnjëmend falimentimi: për 9000 dukate.
Por ishte tepër vonë. Duke i dalë përpara kalimit të zotërimit nën Venedik, kundërshtar shumë më i fortë për ta shkulur vendit në krahasim me mbasardhësit e Balshëve, turqit e pushtuan trevën dhe, duke i siguruar kështu vetes daljen në Adriatik, e bënë atë bazë të veprimit të madh që tanimë përgatisnin kundër qytetit të lagunave, kundër atij qyteti të pacipë palafitash që guxonte t’i tregonte vendin perandorisë së tyre duke e rrezikuar atë pikërisht në terrenin e vet: në det. Të vendosur në Janinë, si shtinë në dorë Artën prej nga dëbuan zotërit napoletanë Tocco që e panë veten të katandisur në zotërim vetëm të Qerfalonisë dhe të Zantës, duke u hapur dhe duke depërtuar gjithnjë më shumë brenda Shqipërisë me një varg luftrash guerilje më të përgjakshme ndoshta se një luftë e hapur, përgatiteshin për luftën vendimtare kundër Venedikut, zot i trafiqeve dhe mbrojtës i autonomive rajonale të krishtera të këtij populli larë në gjak. Por mbrojtës dhe të mbrojtur u dëftuan të denjë njëri për tjetrin: ndërsa Luani i Shën Markut u zinte osmanëve vendkalimet adriatike dhe u vononte marshimin ngadhënjimtar, shqiptarët organizonin në brendësi të vendit qëndresën. Të shpëtuar në majat e maleve të tyre të ashpra, rioganizoheshin tani në çeta, teptisnin në veri përtej kufijve dhe ripopullonin treva deri atëherë të mbajtura nga serbët; ndërsa drejt jugut dhe rrafshultës zbrisnin për të bërë luftë guerilje duke riogranizuar bërthama dhe fise kryeneçësisht kundërshtarë të Islamit, duke u prirur gjithnjë më shumë nga Venediku dhe duke ia lehtësuar atij detyrën mbrojtëse; ndërsa popullsitë e Shqipërisë së mesme dhe jugore, më të pambrojtura dhe më pak lufëtare, ndoshta edhe më pak të vendosura në fushë shpirtërore e fetare si rrjedhojë e kolonizimit greko-ortodoks, e pranonin më përunjësisht pushtuesin turk ose mërgonin në territore greke, në Atikën dhe në Argolidën, në Lakoninë dhe në Arkadinë, në Eubenë dhe në Cikladat, ku pranoheshin, shpesh kërkoheshin, nga zotërit vendës, nga Acciaiuolot, qeveritarët vendikas, perandorët bizantinë. Këta mërgimtarë mandej mbetën. Ende sot në ato troje lulëzojnë koloni shqiptare, mbetur të bashkuara dhe mjaft të huaja ndaj vendit që i përbuan, folëse të toskërishtes së tyre, besnike ndaj traditave të tyre, dokeve dhe zakoneve të tyre.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:51:

SKËNDERBEU

Në këtë çast sipëran, në të cilin shqiptarët e rraskapitur mend po i shtrohen mundjes, shfaqet heroi i Krishterimit, Skënderbeu, për të ndriçuar me një flakërim të mbramë lavdie perëndimin e Perëndimit në Shqipëri.
Gjergj Kastrioti ishte bir i një zoti të vogël të Matit: një familje jo nga më të famshmet dhe më të fuqishmet, por nga më të lidhurat dhe lufëtaret. Ati i tij Gjon, qytetar nderi i Venedikut, ishte zot i një territori që shtrihej mes Dibre dhe kepit Rodon, vasal i turqve tanimë zotër të krahinës, por vasal i pabindur, i pakthyeshëm në fenë e Muhametit dhe kryeneçësisht kundërshtar i sunduesve të rinj. Ndoshta edhe për ta pasur më mirë në dorë, turqit i morën peng të birin Gjergj, e shpunë në Stamboll, ia ndërruan emrin në Skënder dhe e detyruan të përqafonte besimin islam e të futej në ushtritë e Muhametit.
Ishin ato vitet në të cilat Ladislau Mbret i Hungarisë dhe mëkëmbësi i tij Jan Hunyadi prinin në kryengritje popullsitë e krishtera dhe në Nisë i prisnin udhën Gjysmëhënës duke ia ndjekur hordhitë deri në Bullgari. Kjo fitore kumboi si bori kryengitjeje mes banorëve së Shqipërisë së mesme ende në armë, të përkrahura nga Venediku, kundër turkut. Skënderbeu, që luftonte në ushtritë e Sulltanit, ndjeu thirrjen e atdheut të tij të vërtetë dhe të fesë së tij të vërtetë, iku mes të tijve dhe në Krujë organizoi qëndresën kombëtare kundër pushtuesit.
U mbajt për njëzetekatër vite. Dhe jo të gjitha sipërmarrjet e tij janë historikisht të vërtetueshme, ngase legjenda i ka bërë një pjesë të mirë syresh lëndë këngësh dhe fanatazish. Por është e vërtetueshme dhe e vërtetuar që më 1444 ia doli të formonte “Lidhjen e shqiptarëve” në Lezhë, duke kryer mrekullinë, deri asihere të pandodhur kurrë, e bashkimit në një front të përbashkët të atij vendi të copëzuar e të përçarë: dhe Dukagjinë dhe Dushmanë dhe Spanë dhe Topia dhe Muzakë harruan mosmarrëveshtjet dhe xhelozitë e tyre familjare, duke flijuar interesat e tyre të veçantë për interesat sipërorë të kombit. Dhe Venediku dhe Napoli dhe Papa i Romës njihnin tek ai Prijësin e madh të Perëndimit kundër Lindjes dhe me këtë cilësi i qenë aleatë.
Murati II erdhi ta rrethonte në Krujë dhe, i mundur, atij iu desh të tërhiqej. Gjithë Krishterimi përreth ishte në shpartallim e sipër, Shqipëria mbetej i vetmi ishull i krishterë në Gadishull. Kundër saj u kthye edhe mllefi i Mehmetit II, që nuk qe më fatlumë se i ati: dy rrethime të njëmbasnjëshme të Krujës dështuan, sulltanit iu desh të tërhiqej duke kërkuar paqe. Shpallja e Kryqëzatës nga ana e papës Piu II e gjeti Skënderbeun të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes. Ai ishte i famshëm në Itali, ku kishte ardhur të luftonte për Ferranten e Napolit dhe i kishte lënë vetes zë të madh. Nga Napoli, nga Venediku, nga Papa, Skënderbeu pati ndihma. Ai e thyente paqen më 1463, vërvitej në Ohr_ mbi ushtritë e Mehmetit dhe i shpartallonte ato përgjakshëm.
Qe i fundmi suksesi i tij, qe i fundmi sukses i madh i Krishterimit. Me vdekjen e Piut II, Kryqëzata dështoi: Venediku dhe Napoli, të rraskapitur prej krizash të brendshme, nuk mundën më ta mbështesnin në mënyrë të fuqishme orvatjen e Prijësit të madh shqiptar për ta shtrirë zotërimin e tij drejt lindjes. Turqit, që kishin nxjerrë mësime nga ai varg mundjesh, nuk ndoqën më taktikën e agresionit, por u vunë të fortifikonin pozicionet e tyre në Shkumbin të mesëm duke e sfilitur kundërshtarin me një veprim të ngadalshëm, gërryes, anësor, pa beteja vendimtare, pa zbritur në fushë të hapur. Me këtë taktikë e detyruan të dorëzohej Beratin dhe i bllokonin armikut çdo mësymje të mundshme duke ia zënë kalimin me fortesën e Elbasanit.
Vetëm Skënderbeu mbeti, i panënshtruar, në armë kundër Gjysmëhënës, deri në vdekjen e tij. Vdiq më Lezhë, më 1468, prej ethesh.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:53:

5. Fundi i pavarësisë

Me Skënderbeun Shqipëria humbi Prijësin e saj më të madh, ndërsa Venediku aleatin e tij më besnik kundër turqve. Së toku me zotërimet e heroit, Republika ia trashëgoi edhe programin. Ajo mbështeti në Krujë dhe në Lezhë qëndresën shqiptare kundër turkut pushtues. Por orvatja mbeti e kotë: mbas trembëdhjetë muajsh qëndrese të pashpresë, Giacomo da Mosto-s dhe Ambrogio Contarini-t që komandonin fuqitë e krishtera veneto-shqiptare në Krujë iu desh të dorëzoheshin nën trusninë e fuqive mbizotëruese muslimane dhe Krujës turqit deshën t'ia ndërronin deri edhe emrin: e quajtën "Kalaja e Bardhë". Më 1478 Lezha pësoi të njëjtin fat. I braktisur nga bota e krishterë, i lënë i vetëm për të mbrojtur prestigjin e Perëndimit kundër Lindjes, si kishte humbur edhe Shkodrën mbas një rrethimi të gjatë, Venediku u shtrëgua të kërkonte paqe: një paqe e ndershme, tekefundit, dhe që i lejoi të ishte gjithnjë me një këmbë në yzengjinë shqiptare edhe të ndihmonte aty me ar, armë dhe këshilla lëvizjet kryengritëse që shpërthenin oreçast. Ruajti në të vërtetë ende për dy dhjetëvjeçarë Durrësin dhe për gati një shekull Tivarin dhe Ulqinin; dhe pos kësaj iu lejua mbajtja e privilegjeve të tij tregtare, përfshi edhe të drejtën e trafikut të lirë në portet. Kështu, nën shkasin e tregtimit, emisarët e së Shumëkthjelltës Republikë mbetën në lidhje me fiset egërsisht armiqësore ndaj muslimanëve, mirditorët në veri dhe himariotët në jug. Shumë familje aristokrate mërguan në Itali, në Venedik dhe në Napoli: Muzakët, për shembull, që deri edhe nga fundi i 1481-shit u ndeshën me pushtuesin për çdo pëllëmbë të zotërimeve të veta. Por historia, e kam fjalën për historinë perëndimore europiane të këtij populli të vogël të pamposhtshëm kundër Lindjes muslimane, mbaron këtu.
Deri atëherë Shqipëria kishte ecur me të njëjtin hap me Italinë, madje të dyja historitë kishin ndërdepërtuar njëra te tjetra: politika largpamëse perandorake e Venedikut dhe e Napolit nuk e kishte mbytur, por nxitur, lulëzimin e parë të lëvizjes kombëtare shqiptare. Skënderbeu, heroi shqiptar par excellence, luftoi në Shqipëri ashtu si luftoi në Itali në urdhrat e Ferrantes së Aragonës kundër angjevinëve të Francës, ai e mbante Alfonsin e Napolit si padron dhe zot të tijin edhe italianët e deshën dhe e qanë si hero kombëtar. Tani, me t'u bërë Arbëria provincë osmane, pak-nga-pak u fik vetëdija e një kombi shqiptar të dalluar prej pushtuesve dhe prej popujve fqinjë përreth, me një histori të vetën, një gjuhë të vetën, një mision të vetin. Kryengritje kundër sundimit të huaj të Stambollit pati: më 1571, më 1592, më 1615. Nuk ia vlen mundimi të bësh listën e datave, sepse në të vertetë jeta shqiptare në këtë periudhë qe një jetë kryengritjesh të vijueshme. Por, për të dalë te një përfundim historik, atyreve u mungonte cilësia e një rizgjimi kombëtar, me në themel një ide qendrore ngritjeje për çlirim, me njësi synimesh dhe programi. Kryengritjet i nxiti më shumë mosdurimi se dëshira për pavarësi: ja se përse, njëra mbas tjetrës, dështuan të gjitha.
Ndihmoi shumë për dështimin edhe ikja e dhembshme e pakicave shqiptare më të oksidentalizuara në shijet, në doket, në kulturën e atyreve që më shumë dhe më mirë nga të tjerat do të kishin mundur të përbënin shtatmadhorinë e një ngritjeje antiturke. Ato mërguan sidomos në Itali, atdheu i tyre i dytë natyror, u përfshinë në shoqërinë e Gadishullit, gjetën aty shpërblesa dhe ndihma, pak-nga-pak u shkrinë aty: është historia e Kastriotëve, e Muzakëve, e Arianitëve. Porse kjo mërgatë nuk qe vetëm cilësore dhe aristokratike: qe edhe mërgatë masive. Kjo e fundit është ende gjallë në Gadishullin : shqiptarë të shndërruar në shtetës italianë besnikë e punëdashës, por të mbetur shqiptarë etnikisht dhe gjuhësorisht edhe tani mbas shekujsh: shembull madhështor kompaktësie morale, që ne italianët, që nuk e duam bastardimin dhe përzierjen stramastike, jemi të parët për ta admiruar.
Mërgime të tjera masive ndodhën drejt veriut dhe veri-lindjes, në Maqedoni, sidomos në luginën e lartë të Vardarit, në Greqi. Dhe rrjedhoja qe që Shqipëria u varfërua jo vetëm në aristokraci vendëse të natyrshme dhe të konsakruara historikisht, por edhe në krahë pune.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:54:

OBSKURANTIZMI MUSLIMAN

Kështu filloi procesi i kthimit përbrenda të shoqërisë shqiptare dhe i mbetjes djerrë të tokës: dy plagët kundër të cilave Shqipëria lufton ende sot. Kështu sidomos filloi ajo dukuri shkallmimi kombëtar, me kristalizimin e klasave në kasta, me paralizimin e trafiqeve dhe të çdo shkasi tjetër qarkullimi, qarkullimi gjithçkaje: idesh, prodhimesh bujqësore, kulture, shpresash. Turqia - me shkathtësi nga këndvështrimi i saj, që ishte këndvështrim i një sunduesi absolut ushtarak - e ndali historinë shqiptare në feudalizmin mesjetar nga i cili ajo qe duke dalë mundimshëm. Turqia nuk përbëri, ajo shpërbëri. Nëpërmjet joshjes me karriera ushtarake, ajo i thithi vendit elementët më jetësorë; klasën e vjetër drejtuese e zëvendësoi me një të re, vasale të Stambollit, e përforcoi atë me privilegje, e ndihmoi në krijimin e latifondit më ogurzi, e bëri të parrezikshme për pushtetin qendror duke ngjallur dhe ushqyer në gjirin e saj xhelozi dhe rivalitete familjare, duke ngritur një bej kundër një beu tjetër dhe të gjithë bejlerët kundër pashait.
Bujqësia birej, e vrarë nga prona madhe e tokës dhe nga varfërimi demografik; më e fortë se ajo dilte blegtoria. Tregtia me jashtë mori teposhtjen; brenda vendit qarkullimi ndeshte në pengesat e feudalëve të vegjël të fuqizuar, në mungesën e rrugëve dhe të mjeteve të komunikacionit që askush nuk kishte interes t'i ndërtonte. Një zotëri në qendër të kardashllarëve të vet, mandej një tjetër zotëri në qendër të të tjerëve kardashllarë të vet dhe kështu me radhë, të shumëzuar për njëqind ose për njëmijë: dhe mes këtyre zotërinjsh dhe mes këtyre kardashllarësh nuk kishte marrëdhënie të tjera veç luftërave guerilje që i kundërvinin njërin ndaj tjetrit dhe që i thellonin shkepjet duke çelur urrejtje dhe duke lënë trashëgimi gjaku.
Hera-herës ndonjë prej këtyre bejlerësh dhe pashallarësh përftonte një program kryengritjeje kundër Stambollit dhe politike të pavarur. Por këto sipërmarrje provoheshin për ambicje vetjake të ndonjë prijësi guximtar, jo në emër të një ngritjeje çlirimtare për rikonstituimin e njësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Nuk ishin dukuri Ringjalljeje, por Rilindjeje, një Rilindje më shumë e errët se e shkëlqyer, e luajtur prej prijësish gjenialë, të veçuar, që kur e kur mëtonin ta thjeshtonin vendin në një despotat vetjak,Valentinë me tre shekuj vonesë, sikurse tre shekuj e vonuar ishte edhe jeta politike shqiptare.
Më i famshmi qe Aliu i Tepelenës, pasha i Janinës, që në një çast ia pati dalë të bashkonte në pushtetin e tij gjithë Greqinë, Epirin, Thesalinë dhe Shqipërinë jugore e të mesme; tejmase i zgjuar, ushtar guximtar dhe mizor, diplomat pa skrupuj, mecenat i shkëlqyer mbas mënyrës së tij. Mbaroi në moshën shtatëdhjetetetëvjeçare (më 1824), me kokë të prerë nga Mahmudi II që asgjësoi tek ai sundimtarin e fuqishëm rebel. Ndërsa në veri, në viset e Shkodrës, Mahmud Bushati dhe i biri Kara Mahmud dhe së fundi i nipi Mustafa qenë një dinasti kamandantësh syptarembur dhe që të tre përfunduan të vrarë.
Por ishin aventura dhe aventurierë, jo kryengritje kombëtare: bëma "tek pullë", mbështetur prej bandash në rastin më të mirë besnike ndaj kreut të tyre si person, jo ndaj një ideje, kur nuk ishin mercenarë vënë në lëvizje vetëm nga dashuria e metelikëve. Mandej ishin gjithnjë të paktë, një dorë ushtrish me pagëtyrë, ndërsa e shumta i qëndruan besnikë pushtetit qendror edhe si detyrim fetar, ngase tanimë disidenca fetare qe shpartalluar, e thjeshtuar në ndonjë bastion të paarritshëm malësor të veriut, dhe muslimanizmi merrte dhenë. Krerët rebelë ishin përjashtimi. Rregulli ishte besnikëria ndaj Portës, ngjitja e shkallinave në postet e larta të drejtimit të administratës dhe ushtrisë turke: Shqipëria i dha Stambollit tetëmbëdhjetë vezirë të mëdhenj, të parin nënmbret të Egjiptit, Mehmet Aliun, dhe një ajkë trupash të mrekullueshme. Kjo besnikëri u dokumentua në çastet tragjike të teposhtjes turke, në fund të shekullit të kaluar, gjatë luftërave kundër rusëve: atëherë shqiptarët ngarendnin e luftonin për Gjysmëhënën.
Dhe qe ky qëndrim që i shtyu Fuqitë nënshkruese të Traktatit të Shën Stefanit të 1878-s, ndonëse mjaft i rëndë për Stambollin, t'ia linin Turqisë pjesën më të madhe të truallit shqiptar, disa krahina të të cilit iu caktuan Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:57:

AGIMI I NGRITJES

Në këtë çast përvijohet e para kryengritje kombëtare shqiptare, e shkaktuar si kundërveprim ndaj Traktatit të Shën Stefanit. Popullsitë e trojeve të shkëputura nga trungu i atdheut ngritën krye me armë në dorë. Një komitet kombëtar, i kryesuar nga Gjergj Kastrioti, Bibë Doda dhe Iljas Pasha, u bashkua nën patronazhin e Stambollit edhe i dërgoi Lordit Beaconsfield një kërkesë që Anglia të mbronte në Kongresin e Berlinit tezën e një Shqipërie të bashkuar nën sovranitetin e Sulltanit. Bismarck-u u përgjigj se kombi shqiptar nuk ekzistonte. Por ngarjet e përgënjeshtruan. Kombi shqiptar ishin malësorët e veriut që, të zatetur në fortesat e tyre, i pritën me të shtëna pushke pushtuesit malazias. Në fillim u pandeh të ishte një episod i veçuar, por shpejt u desh kuptuar se ishte konflikti edhe se ky konflikt kërcënonte të ndizte një më të madh. Italia ndërhyri. Konti Corti, ambasador në Stamboll, porpozoi të këmbeheshin trevat rebele me ato të hotënve, të kelmendasve dhe të tjerësh. Porse këta nuk qenë më pak shqiptarë dhe përdorën të njëjtën taktikë për t'i shpëtuar humbjes së kombësisë dhe pavarësisë së tyre. Më së fundi u ra në njëfarë ujdie për t'i aneksuar Malit të Zi Ulqinin dhe një rriskë trualli që vente deri në Bunë.
Qëndresë e njëjtë shqiptare ndaj orvatjeve boshe ekspansioniste të Greqisë në jug dhe rezultat i njëjtë: Greqia nuk mori gjithë sa donte, porse iu desh të kënaqej me Thesalinë dhe me një rrip të Epirit me Artën. Lidhja shqiptare nuk i lëshonte armët. Bibë Doda, Prenka i mirditorëve, udhëhiqte lëvizjen për pavarësinë shqiptare, i mbështeur fshehurazi nga Porta. Por mandej, nën trusninë e Fuqive europiane, vetë Portës iu desh të ndërhynte kundër Prenkës. E bëri me dorë të butë, pa gjakderdhje: e rrëmbeu dhe e mbajti rob në Stamboll.
Por, edhe me ikjen e Bibë Dodës, situata nuk kthjellohej. Ishte nje gjendje katoike faktesh, një periudhë kalimtare, e zymtë dhe e paqetë: zbrazëtia e krijuar nga skelaria burokratike dhe administrative për shkak të bjerjes së organeve drejtuese turke ndërsa ende nuk ishin të gatshme aristokraci të reja kombëtare, intrigat djallëzore të shteteve fqinje që ushqenin trazirat për të nxjerrë syresh përfitim, dasi shpirtërash, mosmarrëveshje krerësh, kundërvënie programesh. Edhe armiku që duhej luftuar për t'ia mbërritur bashkimit dhe pavarësisë absolute nuk ishte i qartë: ata të jugut e njësonin me Greqinë që, duke përfituar nga kjo anarki, vepronte nëpërmjet klerit ortodoks për të imponuar gjuhën e saj në dëm të asaj shqipe; ata të veriut e shihnin te Serbia dhe te Mali i Zi. Ishte mandej edhe Turqia, mbajtëse e sovranitetit me fuqi të traktateve, por në të vërtetë më pak shtypëse nga të tjerët. Aq sa, kur u ndez së rishti konflikti greko-turk më 1897, reparte shqiptare u organizuan vullnetarisht për të luftuar përkrah Portës, dhe mbi këta vullnetarë vepronin në masë të barabartë një mbetëz ndjenje besnikërie ndaj Turqisë dhe urrejtja kundër Greqisë.
Por një tjetër ndikim niste gjithashtu të përvijohej në jetën shqiptare, sidomos në krahinat e veriut: ai austriak. Habsburgët kishin mbërritur në Novi-Pazar në marshimin e tyre sistematik drejt jugut dhe, nëpërmes klerit katolik dhe shkollave, vepronin përthellë ndërgjegjeve shqiptare jo duke i shtrënguar njerëzit apo duke u mëshuar gjërave, por duke joshur, duke kijuar situata të mbrothëta, duke fituar për vete te drejta merite me një veprimtari të mençur edukuese e organizuese: një veprimtari aq e hollë dhe e zgjuar sa Italisë iu duk e rrezikshme të mos e kundërbilanconte dhe të mos kërkonte me fqinjën e madhe, edhe në këtë sektor delikat adriatik, një formulë ekuilibri.
Rivaliteti miqësor italo-austriak përfaqësoi për Shqipërinë një garanci paqeje: një traktat i 1897-s mes Rome e Vjene sanksiononte ruajtjen e status quo-së territoriale shqiptare. Të sapodalë prej një procesi të mundimshëm të Risorgimento-s, italianët zunë të vështronin përtej Adriatikut, të "ndienin" problemin shqiptar. Një trashëgimi historike dëshmonte rëndësinë, për Italinë, të këtij "bregu të katërt" adriatik. Guicciardini dhe Antonio di San Giulianio zbarkonin aty për të kuptuar ata vetë kushtet e vendit dhe, me sugjerimin e tyre, u ngritën me nismë italiane shkolla, spitale, linja lundrimi. Shqiptarët e Italisë kthenin në atdheun e tyre të prejardhjes dhe, në atdheun që i kishte bërë bij, interpretonin e propagandonin me libra, revista dhe gazeta aspiratën e tij për ngritje. Kur një Monroe shqiptar lëshoi për të parën herë më 1899 britmën "Shqipëria e shqiptarëve", ajo shkaktoi në Itali një jehonë të thellë, në Dhomën e Parlamentit dhe në shtyp. Ricciotti Garibaldi krijoi një komitet për Shqipërinë dhe qeveritë e Romës e të Vjenës bashkërendonin një veprim të njëkohshëm në Stamboll për ta detyruar Portën t'u jepte shqiptarëve pavarësinë e aspiruar dhe tanimë të domosdoshme. Porta nuk pranoi, duke prerë kësisoj me duart e veta të fundmet lidhje dashurie që e mbanin Shqipërinë mbas Stambollit. Më 1903 kryengritja u ndez në truallin e Kosovës; më 1904 në Bukuresht një mbledhje kombëtare shqiptare ngriti zërin kundër sundimit anakronik turk; më 1907 një përkujtesë në këtë drejtim iu paraqit Konferencës së Hagës.
Ndodhi në këtë kohë e sipër lëvizja e Turve të Rinj që ngjalli shpresa për një rregullim paqësor të çështjes. Intelektualëve shqiptarë iu duk të ishte ky fillimi i rilindjes, kurse në të vërtetë ishte ngrydhja e vdekjes. Kërkesës për të futur në Shqipëri përdorimin e gjuhës kombëtare Turqit e Rinj iu përgjigjën me mospranim. Shqiptarët e përforcuan kërkesën me Kongresin e Elbasanit ku u vendos themelimi i një Shkolle Normale për mësuesit e fillores. Ismail Qemal beu, në Parlamentin e Stambollit, u bë kreu i opozitës liberale edhe iu fut thellësisht luftës. Në vend ndizeshin lëvizje rebele që hidhnin pasqyrime kobzeza mbi të gjithë Gadishullin ballkanik tanimë të sfilitur prej shejnive të konfliktit vendimtar që përgatitej. Shpërthimi i luftës së 1912-shit e kapi Shqipërinë në këtë gjendje ikubimi të trazuar, një Shqipëri e pasigurtë për fatet e veta, e dobësuar nga bjerja e klasave të saj, e përçarë dhe e mbetur koskë-e-lëkurë. Duke hyrë në Lidhjen ballkanike bëhej fjalë për të prerë lidhjen e fundit të varësisë nga Stambolli: sipërmarrje e domosdoshme, por e rrezikshme në të njëjtën kohë, ngase armiqtë e Portës dukeshin jo aq të thekur për të dërrmuar një shtypës kombësish, se sa për të bastisur një Perandori në mënyrë që të pasuroheshin me plaçkët e saj. Pasiguria shkaktoi një kryengritje në vend, një kryengritje të cilës krerët nacionalistë ia morën shpejt frerët në duar. Ata i kërkuan Turqisë, si shkëmbim për ndihmën ushtarake shqiptare, një autonomi më të gjerë. Por ngjarjet u rrokullisën para se bisedimet të mbërrini në një përfundim, që megjithëkëtë dukej pozitiv: lufta shpërtheu.
Shumë fise shqiptare, sidomos të veriut, u bashkuan me ushtritë fitimtare kundërturke, por mandej Serbia dhe Mali i Zi, me t'u asgjësuar Gjysmëhëna, nxituan të bënin plaçkë në krahinat shqiptare dhe po shtyheshin deri në Durrës dhe në Shëngjin. Në Vlorë një mblëdhje kombëtare kishte shpallur qysh më 28 nëntor (1912) pavarësinë e Shqipërisë. Shpallja do të kishte mbetur platonike pa ndërhyrjen e vendosur italo-austriake në Konferencën e Londrës: ndërhyrje që kallëzoi mëtimet ekspansioniste të Serbisë, së cilës iu njoh vetëm e drejta e një daljeje në Adriatik, e ushtrimit të një hekurudhe dhe e përdorimit të lirë të një porti. Një komision ndërkombëtar u delegua nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër për caktimin e kufijve shqiptarë.
Zyrtarisht Shqipëria ishte legjitimuar edhe bënte hyrjen e saj në bashkësinë e kombeve europiane.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 19:59:

FRONI I WIEDIT

Por në të vërtetë shteti i ri i shpallur solemnisht në letër vijoi të mbetej në letër edhe si qe pajisur me një qeveri të përkohshme.
Kjo qeveri u formua në Vlorë nën kryesinë e Ismail Qemal Vlorës dhe në Vlorë mbeti e ngujuar, e paaftë për t'iu imponuar rretheve të tjera, në çdonjërin prej të cilëve u formuan qeveri të tjera, të kyesuara prej feudalësh të pabindur në luftë mes syresh shpesh, edhe më shpesh në ujdi për të luftuar konkurencën e qeverisë më legjitime, ndoshta, por më pak të fortë të Vlorës. Sa për popullin që, i vetëm, do të kishte mundur me një gjest vullneti t'u jepte nevojave të veta aspektin më përgjegjës, ai përkundrazi qëndroi përanash luftës politike. Jo se nuk merrte pjesë: merrte pjesë, veçse se jo në emër të një ideje racionale, por për besnikërinë ndaj një prijësi ose një tjetri, pa ide të qartë të interesave sipërane të vendit. I zgjuar papritmas në realitetin e pavarësisë së mbërritur mbas aq shekujsh robërie nën padronë të huaj, nuk ishte i përgatitur për t'ia vlerësuar asaj plotësisht domethënien. Për njeriun shqiptar të rrugës gjithçka thjeshtohej në kalimin nga një sundim te një tjetër, në një ndërrim rojash, nga zotërues të huaj te zotërues të tjerë, pa çka se kombëtarë. Historia rëndonte, rëndonte tejmase, në politikën e këtij populli të munduar edhe të mësuar ta shohë çdo problem nga një këndvështrim fisnor, jo kombëtar. Absentizmi që rridhte soje e bënte të paqëndrueshëm çdo pushtet, të mundshëm çdo rebelim. Me t'u larguar ushtritë turke, me t'u shembur sundimi i Stambollit mbi të cilin valij, guvernatorë dhe bejlerë mbështesnin autoritetin e tyre si prijës, asnjë pushtet qendror nuk ishte i pjekur për t'u bërë mbasardhës. Kaosi ishte në kulm.
Të shtohet e njëjta pavendosmëri hapsinore e shtetit të ri ende të papërcaktuar territorialisht, koklavitje e çështjes ndërkombëtare që vinte mbas shembjes së Perandorisë osmane të Europës që, legjitime apo jolegjitime, e dobishme apo e dëmshme të ishte, përbënte gjithsesi një strumbullar historikisht të pranuar të pamjes ballkanike. Të shtohet shpërthimi dhe ndeshja e nacionalizmave, nganjëherë e imperializmave, të vendeve fqinje, ambiciet greke ndaj jugut të Shqipërisë, ekspansionizmi serb, hipoteka malaziase. Ishte e vështirë, ishte tejmase e vështirë, për qeverinë e brishtë të Vlorës të vendoste një hierarki problemesh të jashtme dhe të brendshme, t'i përballonte dhe t'i zgjidhte ato në rrafshin kombëtar.
I caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve, Komisioni i përcaktimit të kufijve qëndronte në Firence mes vështirësish të çdo lloji, të rënduara shpesh nga një padije thuajse absolute të dhënash politike, ekonomike, sociale të çështjes. Në dhjetor të 1913-s këta alkimistë të diplomacisë europiane të paraluftës nxorën vendimin e paapelueshëm me të cilin i jepnin Malit të Zi trojet e Hotit, të Grudës, një pjesë të atyreve të Kelmendit, rrafshin e Podgoricës, luginat e Pejës dhe të Gjakovës, portet e Ulqinit dhe të Tivarit; Serbisë fushën e Kosovës, Prizrenin, bregun e djathtë të Drinit të Zi dhe Dibrën; Greqisë gjithë Epirin dhë Çamërinë.
Ishte një zgjidhje me të meta, por ishte një zgjidhje. Mungesa e një vullneti kombëtar të ndërgjegjshëm e të vendosur dhe e një qeverie të përgjegjshme që të mund ta impononte atë vullnet e mundësoi vënien në jetë të saj. Në Vlorë Ismail Qemali, i poshtëruar në veri prej Bibë Dodës krye mirditorëve të tij luftëtarë ndërsa në Tiranës prej Esad Pashë Toptanit, më 10 prill 1914 ia dorëzoi atributet e tij Komisonit Ndërkombëtar që miratoi Statutin e shtetit shqiptar si atë të një principate ngritur nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Në fron caktohej princi Wilhem zü Wied.
U duk për një çast që princi i ri i huaj, pikërisht ngase i huaj dhe pra jo i ngatërruar në luftërat guerilje dhe rivalitetet që deri atëherë e kishin përçarë vendin në urrejtje e klientela dhe penguar asisoji të pohuarit e një ndërgjegjeje kombëtare dhe të një pushteti qendror, që princi i huaj pra të paskësh mbledhur rreth personit të tij dhe të fronit të tij besimin e mbarë popullit të shprehur në një pëlqim të njëzëshëm. Zbarkimi i tij në Durrës, më 7 mars 1914, u përshëndet me gaz e hare prej popullsisë; Esad Toptani çarmatosej në Tiranë duke bërë një akt nënshtrimi ndaj sovranit dhe duke pranuar detyrën e ministrit të luftës në Kabinetin e formuar nën kryesinë e Turhan Pashës, ish-ambasador turk në Peterburg. Me formimin e këtij Kabineti, që në gjuhë parlamentare moderne (nëse përlamentare dhe moderne mund të shkojnë në ujdi mes tyreve) kishte për t'u quajtur i koalicionit kombëtar, Wilhelmi deshi të shpërfaqte vullentin e tij për ta pajtuar vendin nga brenda në rrafshin sipëran të interesave kolektivë të vetë vendit dhe për ta mbështetur autoritetin e tij si prijës mbi pranimin popullor duke përjashtuar pajandrat e huaja. Ai në të vërtetë hoqi dorë menjëherë nga bashkëpunimi me Komisionin Ndërkombëtar, duke e vënë gjithë pushtetin në duart e Kabinetit të Turhanit. E gjitha kjo sapo kishte ndodhur, kur rebelimi, i shtypur në Shqipërinë e mesme dhe në veri, shpërtheu së rishti në jug, i ushqyer e i mbështetur nga Greqia ende e pakënaqur prej trojeve të zhvatura Shqipërisë. Një qeveri e përkohshme u formua në Gjirokastër, nën kryesinë e Zografosit ish-ministër i Punëve të Jashtme i Athinës; dhe ushtarë të rregullt grekë e vullnetarë kretas përbënë kërbaçin e batalioneve epirote që hynë në fushë për të mbështetur kundërqeveritarët. Athina shpalli pafajësinë e saj, duke mëtuar se Zografosi vepronte me krye të vet dhe pa asnjë mbështetje apo ndihmë nga ana e qeverisë greke; por vetë Athina nuk vendoste të tërhiqej nga Shqipëria e jugut sikurse e kërkonin detyrimet e marra prej saj në Firence në dhjetor 1913.
Në Durrës Wilhelmi dhe ministrat e tij përgatiteshin të vepronin kundër të rebeluarve dhe batalioneve greke, të cilët, më shumë se një fushatë lufte, po bënin një cubn_ të vërtetë duke plaçkitur e duke djegur Tepelenën dhe Leksovikun dhe më shumë se treqind fshatra të rajoneve të Gjirokastrës, Skraparit dhe Korçës. Gjindarmëria qeveritare, e organizuar prej oficerësh holandezë, lëvizte e gjitha e ngritur në këmbë dhe u binte bandave epirote në Berat e në qafën e Gurit të Prerë. Mbetjet e këtyre bandave, të zëna rob, me ndërmjetësinë e Komisionit Ndërkombëtar i "ktheheshin" qeverisë së Athinës nën premtimin e kësaj të fundit - mbetur për të kushedisatën herë shkronjë e vdekur - për zbrazjen e Shqipërisë jugore.
Ndonëse i shtypur, rebelimi pati gjithsesi rrjedhoja katastrofike për Qeverinë e Durrësit, tanimë të minuar prej mosmarrëveshjesh të brendshme. Gjindarmëria, e dërguar nga Esad Pasha kundër të rebeluarve të Gjirokastrës, kishte mbërritur me vonesë të pashpjegueshme në fushën e luftës. Esad Pasha u padit për tradhti të lartë, për shkaktim me dashje të kësaj vonese, dhe u detyrua të merrte ikjen. Atëherë rebelimi u ndez së rishti nga partizanët e Esadit të ngujuar në Tiranë. I mbetur vetëm, pa mbështetjen e Austrisë që sakaq ishte përfshirë në luftën e madhe, në krye jo të një populli, por të një qeverie të shfuqizuar, si e pati lëshuar një herë pushtetin duke u strehuar në një anije italianë dhe si e pati marrë së rishti, Wilhelmi e braktisi atë përfundimisht më 3 shtator dhe, i hipur në anijen Misurata, la përgjithmonë Durrësin dhe Shqipërinë.


Postuar nga ~Enigme~ datë 02 Maj 2007 - 20:01:

LUFTË DHE REVOLUCION

Situata që u krijua mbas nisjes së princit Wilhelm, tanimë e trazuar për shkak të mungesës së një qeverie qendrore qoftë edhe fantomatike dhe të mbështjellimit çmendurak të partive, të tarafeve, të krerëve në luftë, u kokoleps edhe më për shkak të pasqyrimeve të konfliktit të madh që u përthyen në Shqipëri. Esad Pasha ktheu në Durrës duke formuar në tetor 1914 një qeveri të përkohshme. Por nga veriu zbrisnin serbë dhe malazias, këta të fundit duke pushtuar Shkodrën, të ndjekur këmba-këmbës prej ushtrive austro-hungare; ndërsa grekët pushtonin Korçën; ndaj dhe Italia u shtrëngua të pushtonte Vlorën. U duk si një rekurs historik: fillimi i një cikli të ri pushtimesh të mëdha. Esadi pa t'i shpërbëhej ndër duar shteti të cilit i ishte krye: mes kryengritjesh dhe pushtimesh të huaja pushteti i tij tkurrej gjithnjë më shumë, derisa një rebelim i fundit, i shpërthyer nën patronazhin e Austrisë që kishte pushtuar, në kurriz të malaziasve, Shkodrën, Lezhën dhe Krujën, e dëbonte edhe nga Durrësi. E kërcënuar në bregun adriatik, Italia, së cilës tanimë i qe dashur të zbarkonte në Vlorë një trupë ekspedite për të ndalur përparimin grek, i përqendroi forcat e saj mbi Vjosë dhe më 1916 ndali aty marshimin austriak. Pak më vonë, në shkurt 1917, u krye bashkimi i trupave italiane me ato franceze që vepronin në Maqedoni. Mandej tringjyrëshi u ngrit në Prevezë dhe mbi Pind, i pritur prej popullsive si simbol çlirimi, si dhe në Berat, deri në kufirin maqedon. Vijoi mbaskësaj armëpushimi me Bullgarinë. Ndërsa në Shkodër, nga fundi i vitit 1918, Komisioni i Kontrollit u formua së rishti mes Vendeve Aleate për caktimin e kufijve.
Porse qysh më 1917 në Gjirokastër gjenerali italian Ferrero, në një shpallje, i kishte premtuar Shqipërisë pavarësinë nën mbrojtjen italiane. Ky premtim u mbajt. Përpos bregut të majtë të Drinit të Zi, pushtuar nga serbët dhe njohur zonë ndikimi jugosllav, e gjithë Shqipëria përfillej në zonën e interesave italianë. Prej këtij çasti fillon kapitulli i marrëdhënieve italo-shqiptare, pikë e patundur e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe kusht i politikës së saj të brendshme.
Fillimet nuk qenë të shkëlqyera. Veprimi italian, gjithnjë me synim të mirë, nuk pati qenë gjithnjë po aq i frymëzuar mirë edhe në procedimet praktike. Në Italinë parafashiste udhëzimet nuk qenë të qëndrueshme, ngase të qëndrueshëm nuk qenë njerëzit e deleguar nga Parlamenti për t'i vënë ato në jetë. Një padije kolosale e gjërave shqiptare, sidomos e psikologjisë së këtij populli krenar dhe të ndjeshëm, shpuri në gabime që e vunë në rrezik mirëkuptimin mes dy kombeve adriatike. Italia dëftoi synimet e saj miqësore duke favorizuar vendosjen e një qeverie të rregullt shqiptare, në Durrës, nën kryesinë e Turhan Pashës, në dhjetor 1918. Dhe i përforcoi ato me një ndihmë të shpejtë, edhe financiare, për shtetin e bërë trokë prej sunduesve të huaj të kaluar dhe të xhalavitur keqazi nga lufta që e kishte zgjedhur për një prej pikave të saj themelore. Por qëlloi në atë kohë e sipër marrëveshja ogurzezë italo-greke e 29 korrikut 1919: një prej shumë mistereve diplomatike të atyre viteve të mbrapshta, në kundërshtim me vetë politikën e Italisë, të interesuar jo vetëm për miqësinë shqiptare, por edhe për integritetin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Një absurd i vërtetë tanimë i përgënjeshtruar nga çdo precedent dhe në pritje për t'u përgënjeshtruar edhe nga vijimi i ngjarjeve: Italia, që në Shqipëri kishte zbarkuar trupa jo me qëllim pushtimi, por për të parandaluar një pushtim nga të tjerë; jo me funksion antishqiptar, por me funksion antigrek së pari dhe antiserb mandej; Italia, që me gojë të një gjenerali të saj kishte garantuar solemnisht pavarësinë shqiptare brenda kufijve të 1913-s, papritur e pakujtuar binte në ujdi me Greqinë duke ia njohur asaj aspiratat mbi Shqipërinë jugore.
Marrëveshja - e pranuar shpejt për atë që ishte: një gabim i madh - nuk pati jetë të gjatë. Qenë vetë shqiptarët që i thirrën në mend politikanët e Montecitorios; dhe, me shqiptarët bashkë, luftëtarët e shumtë italianë të Vjosës, zëdhënës të shumë të tjerëve që kishin mbetur në varrezat e Vjosës për t'i garantuar këtij vendi një pavarësi të domosdoshme edhe për qetësinë dhe sigurinë e punërave italiane. Në janar 1920 mbledhja kombëtare shqiptare, e thirrur në Lushnjë, ripohonte vullnetin për pavarësi të popullit. Erdhi mandej kryengritja e Vlorës kundër trupës italiane të pushtimit. Ajo do të mund të fashitej lehtë dhe me të shpejtë. Italia nuk deshi. Trupa e pushtimit braktisi disa pozicione jashtëqendrore dhe qëndroi në Vlorë. Në Romë u kuptua që italianët duhej të iknin së andejmi vetiu; në Durrës u kuptua që italianët nuk mund të dëboheshin me forcë. Baroni Aliotti dhe konti Manzoni përfunduan më 2 prill 1920 marrëveshjen me qeverinë shqiptare, duke e mbyllur llogarinë e pakëndshme të hapur nga traktati italo-grek 1919. Ky traktat u denoncua. Italia u tërhoq nga Vlora dhe mbeti në Sazan; ajo kërkoi, përkrahu dhe siguroi hyrjen e Shqipërisë në Shoqërinë e Kombeve; nguli këmbë për njohjen përfundimtare, nga ana e Konferencës së Ambasadorëve, të pavarësisë së Shqipërisë brenda kufijve të 1913-s; mori përsipër, para po asaj Konference, detyrën dhe të drejtën e mbrojtjes së tërësisë territoriale, në rast se ajo kërcënohej, të kombit mik dhe të rivendosjes së kufijve aty ku ata të dhunoheshin.
Disa çështje hollesie mbeteshin për t'u zgjidhur për përcaktimin e kufijve. Ato nuk u zgjidhën aq lehtë për shkak të vullnetit të keq të qeverisë greke të paaftë për t'iu shtruar faktit të kryer të humbjes së Shqipërisë. Negociatat e mundimshme zvarriteshin prej disa vjetësh dhe më 1923 kreu i Misionit italian, gjeneral Tellini, masakrohej barbarisht prej një bande keqbërësish të paguar nga Athina. Gjestit të egër Italia iu përgjigj me të shtëna topi nga Korfuzi: Italia e Mussolini-t hidhte hapat e parë në fushën ndërkombëtare duke i zëvendësuar fjalët me hekurin e artilerive të saj. Grekët ngritën flamurin e bardhë dhe vreprimtaria e Misonit, me në krye gjenreralin Gazzera, vijoi edhe më shpejt. Në maj 1925 çështja e koklavitur përfundoi.
Më i ngatërruar e i ndërlikuar mbetej problemi i brendshëm i shtetit të ri, shtet i minuar në njësinë e tij prej mosmarrëveshjeve të zakonshme, që kishte nevojë për një udhëheqës dhe nuk ishte i aftë t'ia nxirrte vetes një të tillë ose, edhe kur ia nxirrte, nuk ishte i aftë t'i bindej atij; shtet që mezi priste të mbështetej mbi baza legale dhe që nuk pranonte t'i nënshtrohej një ligji; shtet i lodhur nga luftërat guerilje dhe i pabindur të hiqte dorë syresh. Duhej një ushtri, duhej një kod dhe një monedhë, duheshin rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale. Detyra që i binte Shqipërisë së re në moshë ishte vigane, ngazëllyese dhe shkurajuese njëherësh për vetë përpjesëtimet e saj Duhej edhe, e sidomos, bërë nga e para një moral, një moral jete kombëtare, europiane e perëndimore, një moral që të mos rezultonte prej një tërësie mballomash rajonale të qepura mes tyreve, por që të ishte përnjëmend i ri, në përputhje me nevojat e jetës moderne dhe jo më pak me ato të shpirtit shqiptar. Dhe e gjitha kjo duhej bërë shpejt-e-shpejt, për të mos u dhënë kohë prirjeve qendërikëse që të delnin më të forta.


 
Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.